Paulo Coelho: Ne kerkim te vetvetes

“Shndërroje fatin tënd. Rishkruaje jetën”. Ky është mesazhi me të cilin po prezantohet libri i ri i Paulo Coelho-s “Aleph”, së fundi për publikun italian. I njëjti titull me rrëfimet filozofike të Jorge Luis Borge, duke e krahasuar romanin me një rrugëtim në kërkim të vetvetes. Në libër, protagonisti e sheh veten në një  udhëtim të lodhshëm, një rrugëtim që ai vetë e zgjodhi në kërkim të vetvetes dhe forcës shpirtërore që ndjen se ka humbur. Si Santiago, pastori i “Alkimistit”, edhe Paulo përballet me një krizë besimi dhe është në kërkim të rilindjes shpirtërore. 
Paulo Coelho: Ne kerkim te vetvetes
E vetmja mundësi për të nisur çdo gjë nga fillimi. Për këtë arsye ndërmerr një udhëtim që do ta çojë në Afrikë, Europë dhe Azi, një udhëtim i gjatë i Transiberianës, që do t’i risjellë energji dhe pasion. E vetmja gjë që Paulo nuk di, është takimi me Hilal, një violiniste e re e talentuar, të cilën ai mendon se e ka dashuruar kohë më parë, por jo në këtë jetë. Do të nisin së bashku një udhëtim mistik në kohë dhe në hapësirë, që do t’i çojë më pranë dashurisë, faljes dhe guximit për të përballuar vështirësitë që u vë para jeta në mënyrë të pashmangshme. “Aleph” na fton të reflektojmë mbi domethënien e udhëtimit tonë. 

Jemi në të vërtetë ata që duam të jemi? A bëjmë në të vërtetë atë që duam të bëjmë? Libri të jep përshtypjen e një ditari, i shkruar mbi udhëtimin që autori ka bërë në vitin 2006 në Rusi me botuesit e tij, në fakt një xhiro promovuese me disa ndalesa e takime me lexuesit në zonat më ekstreme të vendit të madh. Një ndërmarrje gati gazetareske, që përshkruan turmat që e rrethojnë, vështirësitë e udhëtimit, mërzia e të qëndruarit mbyllur në një hapësirë të vogël pa mundur të bësh asgjë tjetër, veçse të shohësh nga dritarja peizazhe që shkojnë e vijnë, të bësh thashetheme e të pish vodka. Më tej, duket sikur ritmi ndryshon, duket sikur rrëfimi i një ditari braktiset dhe rrëfimi rrotullohet rreth së përditshmes që transformohet gati si një ëndërr. Gjatë udhëtimit me Hilal, ai arrin të zbulojë vendin 0, vendin pa kohë, ku gjithçka nis e mbaron. Nga ky moment, për dy protagonistët udhëtimi transformohet në një rrugëtim shfajësimi dhe faljeje. 

Por shkrimtari, i cili me librat e tij bestseller ka shitur miliona kopje nëpër botë, nuk pranon të japë një përcaktim të librit të tij. Ditar, ëndërr apo roman? “Nuk kam shkruar një ditar, thjesht kam mbajtur shënime siç bëj gjithmonë për blogun tim. Por as nuk kam ëndërruar. Kanë qenë më shumë refleksione, në një farë mënyre të kushtëzuara gjatë udhëtimit, ndoshta sepse nuk arrija të flija, sepse vagoni në të cilin udhëtonim, tronditej në mënyrë të tmerrshme. Janë refleksione që më kanë habitur edhe mua vetë”, pohon Coelho. Në një rast të tillë, mbetet t’i besosh kopertinës, që e cilëson roman këtë libër. Një roman i ndërtuar mbi të vërtetën, që luan vazhdimisht me realitetin, në një mënyrë të tillë që lexuesi nuk e kupton se ku mbaron kronika dhe ku fillon sajimi. 

Autori kënaqet duke e kaluar këtë kufi sa nga njëra anë në tjetrën. Në të vërtetë, udhëtimet e gjata e për më tepër jo shumë komode, autori përpiqet t’i shmangë, por këtë radhë ishte i detyruar nga botuesit. Por është po aq e vërtetë që u nis sepse ishte në krizë besimi dhe shprese, i pakënaqur nga vetja, plot dyshime dhe pa frymëzim. “Është e vërtetë. Vija vërdallë pa gjetur gjë dhe miku im shpirtëror (një ese holandeze që Coelho e konsideron guidën e tij), që në shumë raste më ka ndihmuar, më sugjeroi që ta bëja këtë udhëtim. 

Ky është libri i parë që shkruaj në publik. Në fakt e kam shkruar në intimitet, por më dukej sikur qindra sy ishin ngulur mbi mua, sepse përditësoja çdo ditë në ‘Twitter’ gjendjen emocionale ndërsa shkruaja”, shprehet shkrimtari. Tashmë është e njohur që shkrimtari kalon periudha të gjata kohe pa shkruar, vetëm duke jetuar, duke u shpërngulur në disa prej shtëpive të tij të shpërndara në të gjithë botën dhe duke u kujdesur për 430 fëmijët nga Rio, që janë akomoduar në fondacionin e tij. “Pse u vonova kaq gjatë për të shkruar mbi këtë udhëtim? Sepse m’u deshën plot tre vjet për ta kuptuar. Sigurisht që mund të tregoja çdo të thotë një udhëtim i tillë i gjatë me tren, por qëllimi ishte një udhëtim i gjatë në shpirtin tim, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”. 

A është një përpjekje për të modifikuar të shkuarën? “Sigurisht. Në ç’mënyrë do të ishte e mundur të ndreqnin gabimet tona, pengjet apo gjërat e bëra keq. Që të arrish këtë duhet të kalosh në ringjallje dhe unë besoj se jam ringjallur disa herë gjatë këtyre shekujve”, ka thënë autori. E ndërsa romanet e tjera lexohen, “Aleph” jetohet.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri