Po shkatërrohen komplekset e shtatoreve të figurave historike e kombëtare!



Hasan Hasanramaj,historian 

Sikur të mos kishte qenë Kongresi e Senati Amerikan, në krye me mikun e madh të shqiptarëve Bill Klintonin, sot mbi dy milionë shqiptarë do të ishin duke bredhur rrugëve të fshatrave, të qyteteve dhe të shteteve të Evropës e të botës. Andaj derisa nuk është bërë vonë, zgjohuni shqiptarë dhe tregoni kush ishit, kush jeni, kush do të jeni dhe me vepra të mira tregoni botës së civilizuar ku po shkoni!

Në manifestimin madhështor që u mbajte para një viti në lagjen “Dardania” të Prishtinës, në kuadrin e gjashtëdhjetekatërvjetorit të lindjes së ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klintonit dhe përurimit të sheshit “Bill Klinton”, qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës shprehen dëshirat më të përzemërta që ky burrë i madh të këtë jetë të gjatë e të lumtur.

Kompleksi i sheshit “Bill Klinton”, me sipërfaqe gjashtëqind metra katrorë, i zbukuruar me mermer, me granit, me sistem të ujitjes, kishte shtatëmbëdhjetë poça neoni, të montuar në të gjitha këndet e Sheshit, të cilët me drita të forta në lagjen e Dardanisë tërhiqnin vëmendjen e banorëve dhe të shumë kalimtareve, gjë që e shtonte bukurinë e këtij Sheshi dhe të qytetit të Prishtinës. Për fat të keq në këtë Shesh, ende pa u mbushur një vit nga koha e përurimit, ca duar tinëzare, të cilat po punojnë për destabilizimin e Kosovës, me mjete të forta i dëmtuan disa prej dritave të neonit, dëmtuan pllakën përkujtimore kushtuar këtij burri të madh, dëmtuan germën “B” dhe në pllakë mbeti emri “Ill Kilnton”.
Në rrethojën rreth shtatores janë hequr guralecët me ngjyra laramane, në fontanë rreth shtatores hedhen mbeturina, për çka më së miri flasin fotografitë e kamerës sonë ?! ...

Këto duar shkatërrimtare janë gojë gjarpinjsh që po tentojnë të kafshojnë lirinë dhe ardhmërinë e shqiptarëve të Kosovës. Andaj në këto momente kritike zgjohuni shqiptarë dhe mendoni mirë së kush ishit, kush jeni dhe kush do të jeni, sepse disa forca antishqiptare po punojnë që në tokën e Kosovës të mbjellin farën e huaj! Të gjithë atyre që i benë këto shkatërrime në sheshin “Bill Klintoni” ua bëjmë me dije së para trembëdhjetë vjetëve, sikur të mos kishin qenë Kongresi, Senati dhe NATO- ja në krye me burrin e madh Bill Klinton, mbi dy milionë shqiptarë sot do të ishin duke bredhur rrugëve të qyteteve, të fshatrave dhe të shteteve të Evropës deri në Amerikën e largët dhe Kosovën do ta shihnin në ekranet televizive, siç mund ta shohim Toplicën e para njëqind e tridhjetë e tre vjetëve.
Tema e dytë është sulmi i kryer barbar në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, në shtatoren e të madhit, profesorit, atdhetarit, njeriut dhe intelektualit të shquar, heroit legjendar të kohës moderne të Kosovës, i cili qe shembull unik i një personaliteti që në vete gërshetoi dijen dhe ngritjen intelektuale, vizionin dhe guximin e pashoq për të sfiduar me dekada shtypjen dhe terrorin e paparë që iu bë Kosovës dhe qytetarëve të saj në shekullin e fundit – Fehmi Aganit. Të gjithë jemi të brengosur për shkatërrimet që u bënë dhe po bëhen nga duar tinëzare çdo ditë e çdo natë mbi rrethojat dhe shtatoret e figurave të mirënjohura të rezistencës shqiptare. Pas trembëdhjetë vjetëve të çlirimit strukturat udhëheqëse që nga komuna e deri të Qeveria e Parlamenti harruan mirëmbajtjen e komplekseve të shtatorëve të figurave të rezistencës shqiptare!? ...
Në shenjë respekti për të gjitha të mirat që ia solli Kosovës në kompleksin e Universitetit të Prishtinës para pesë vjetëve u ngre shtatorja e profesor Fehmi Aganit, e cila stolisej nga tri fontana, me gurra për shpërndarjen e ujit, dymbëdhjetë ulëse, katër shporta për hedhjen e mbeturinave, gjashtë vertikale prej gjamit, njëzet e shtatë poça të neonit etj. Që ditën e natën zbukuronin ambientin e studenteve, të qytetarëve dhe të kalimtarëve në kryeqyteti tonë.

Edhe këtu duart tinëzare i shkatërruan të gjitha. Për fat të mirë shpëtoi shtatorja e bronztë e profesor Fehmi Aganit. Për këtë më së mirë flasin fotografitë e kamerës sonë ?! ...
Edhe në kompleksin e shtatores të Nënës Terezës janë hequr pllakat e mermerta dhe janë bërë shkatërrime të tjera. Të njëjtën gjë e kanë pësuar edhe komplekset e shtatoreve të Zahir Pajazitit dhe të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, gjë që më së miri flasin fotografitë e kamerës sonë.
Shtrohet pyetja: “Si është e mundur që në këto pesë komplekse, në pika të ndryshme të qendrës së qytetit, ku gjatë gjithë ditës dhe natës qarkullimi i qytetareve është i madh, duart tinëzare arritën t’i bëjnë këto shkatërrime?
Faktorët e Kuvendi të Komunës, të Ministrisë së Kulturës, të Qeverisë dhe të gjithë ata që punuan dhe investuan në ngritjen e këtyre shtatorëve, le të shkojnë e t’i vizitojnë këto komplekse dhe lë t’i shohin me sytë e tyre këto shkatërrime (nëse ende nuk i kanë parë) dhe le të ndërmarrin diç sa nuk është bërë tepër vonë.
Ka ardhur koha që organet kompetente të shtetit t’i zbulojnë dhe t’i ndëshkojnë ato duar tinëzare që demolojnë shtatore dhe objekte të tjera me rëndësi historike në Kosovë pas trembëdhjetë vjetëve , sepse veprat e tyre të ndyta nuk i duron as Zoti e as ligji.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri