Sa intelektuale është politika shqiptare?



Preç Zogaj

Këto ditë shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës ka botuar njërin pas tjetrit librin e Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” dhe librin në formë interviste të Arbën Xhaferrit “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”. E përbashkëta e jashtme e këtyre dy botimeve, që vjen e zhvillohet pastaj gjerë e gjatë në brendinë e tyre, ka të bëjë pikësëpari me autorët.
Ata janë dy politikanë me orientim të qartë perëndimor, që kanë ardhur e janë bërë pjesë e elitës në rrugë e rrethana specifike. Dy politikanë intelektualë me rekorde: Ngjela me rekordin e njeriut të lirë e antikonformist, që nuk është pajtuar me tiraninë e pushtetit hoxhist gjatë diktaturës dhe as me autoritarizmin e qeverive pseudodemokatike pas vitit 1990 e këndej; Xhaferri me rekordin e daljes si intelektual në krye të një segmenti të rëndësishëm të politikëbërjes shqiptare në Maqedoni, siç ka qenë e është akoma PDSH-ja. As Ngjela nuk është i vetmi ikonoklast i historisë dhe aktualitetit shqiptar, pavarësisht se shkëlqen përtej manierave në këtë panteon të varfër të traditës kombëtare. As Xhaferri nuk është i vetmi fenomen intelektual në politikën e niveleve të larta. Për të mos shkuar shumë prapa në kohë dhe për të qëndruar brenda racës shqiptare, mjafton të përmendin rastin tashmë të lumturuar të e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova apo rastin e shefit të opozitës së sotme, Edi Rama. E veçanta e Arbën Xhaferrit në shkreptimën e kursyer të rasteve të tilla është se ai, sipas meje, nuk u sakrifikua si intelektual në politikë, nuk ia flijoi përmasën intelektuale nevojave të politikës së ditës, duke u fshehur prapa alibive që nuk është e vështirë të gjenden.
Përkundrazi: ai e ka përdorur formimin dhe kulturën për të iluminuar vetë politikën në një mjedis të vështirë, siç është ai i Tetovës dhe Shkupit, ku vizionet moderne perëndimore të personaliteteve shqiptare kanë qenë gjithnjë nën trysninë e dyfishtë të arkaizmit maqedonas në një anë dhe atij shqiptar në anën tjetër. Ndryshe nga disa profesorë dhe doktorë me tituj, që kanë hyrë në politikë si intelektualë dhe janë tjetërsuar apo edhe shpërfytyruar gjatë rrugës, sidomos kur u është dhënë rasti të jenë në pushtet, Arbën Xhaferri është nga të paktët që hyri dhe doli si intelektual nga politika, madje si një intelektual edhe më i pjekur, pasi vetë politika është një arenë dhe akademi e madhe gjeopolitike dhe kulturore nëse përdoret e ushtrohet në suazën e qëllimeve të larta për të cilën ekziston.
Kushdo që e lexon librin në formë interviste të Xhaferrit e kupton menjëherë se politika kombëtare shqiptare, apo me saktë çështja kombëtare shqiptare, ka pasur e ka në Tetovë një oshënar dhe drejtues të urtë e mendjemprehtë të fatit të saj. Ai ka ndjekur një qëllim të mbështetur në një bindje dhe vizion të caktuar, aspak romantik apo pseudonacionalist, por realist dhe logjik, për të ardhmen e Maqedonisë dhe Kosovës. Por, nga ana tjetër, si një intelektual tipik që nuk burgoset në pikëpamjet e veta, që kërkon dhe gjen arsye edhe te pala tjetër, siç thoshte Jorge Lui Borges, ai ka ditur të mbajë qëndrime të matura, kur historia dhe ngjarjet e stampës shqiptare në Maqedoninë fqinje kanë ndjekur një rrjedhë të ndryshme nga ajo e tij.
I një natyre tjetër, libri i Spartak Ngjelës vjen në formën e kujtimeve dhe refleksioneve të autorit për diktaturën komuniste shqiptare nga viti 1956 deri në vitin 1975. Shumica e faqeve të këtij volumi, që do të pasohet nga një i dytë, ka në fokus përballjen e pabarabartë por permenante të regjimit të Hoxhës me buisjen periodike të kulturës liberale perëndimore në Shqipëri, si atribut i natyrshëm konstitucionit të inteligjencës atdhetare shqiptare. Libri i Ngjelës vjen ndoshta si kronika më e gjerë dhe më e saktë e kësaj përballje ciklike dhe dramatike, të cilën Hoxha, sa qe gjallë, duke lundruar në koniunkturat e kohës dhe duke përdorur terrorin, e fitoi me çmimin e shtypjes, izolimit dhe varfërimit të pashembullt të vendit të tij.
Do t’ia vlente të shkruanim gjerë e gjatë për secilin prej këtyre dy librave, por nuk është qëllimi im kësaj radhe të paraqes gamën e pasur të problematikës që ato ngërthejnë apo të vë në dukje veçoritë stilistikore të njërit dhe tjetrit. Duke lexuar këto libra dhe duke dëgjuar tingëllimin aktual të mesazheve që përcjellin, vetvetiu të del para syve të mendjes një pyetje kardinale për fatin e demokracisë dhe zhvillimit: Sa intelektuale është politika shqiptare? A ka dimension intelektual kjo politikë, apo është duke degraduar në mediokritet dhe injorancë?
Ky është një problem i vjetër që e ka munduar gjithmonë ketë vend. Dihet se përmasën intelektuale në politikë e sjellin politikanët e ditur e të kulturuar. Këta, për shumë arsye, nuk janë asnjëherë shumë. Pushteti në vetvete nuk është ambicia apo ëndrra e intelektualëve të shquar. Në këto kushte iluminimin e politikës e sjell mbi të gjitha statusi i intelektualëve të lirë brenda apo jashtë politikës aktive; e sjellin ata që artikulojnë dhe veprojnë si një instancë apo si një senat i lartë i mendimit. Mendimi intelektual diferencohet nga natyra, është superior nga natyra. Asnjë autoritet shtetëror apo partiak nuk zvogëlohet duke i dhënë dëgjesë dhe respekt të madh. Përkundrazi. Zmadhohet. Rritet. Shoqëria në tërësi po ashtu emancipohet nga elitat.
Këto janë aksioma, të cilave politika shqiptare e ka pasur dhe e ka zakon t’u bëjë bisht. Injoranca dhe fudullëku primitiv në politikë bashkëjetojnë në tension dhe armiqësi me dijen dhe fisnikërinë. Ka pasur periudha afatshkurtra kur dija ka marrë stafetën dhe këto kanë qenë gjithnjë periudha ndriçimi në jetën e shoqërisë. Por në tërësi për fatin e keq të shqiptarëve, injoranca në pushtet ka bërë ligjin.
Edhe sot përshtypja e përgjithshme është se injoranca ka shtrirë e po shtrin metastazat e saj në të gjitha poret e piramidës së pushtetit. Injoranca është në lulëzim të paparë, nëse mund të përdoret fjala lulëzim për errësirën. Shqipëria demokratike nuk po arrin të shkëputet prej këtij deklinimi ciklik që vjen nga e kaluara komuniste dhe parakomuniste.
Çfarë ndodh? Të gjitha partitë premtojnë intelektualizimin e politikës kur krijohen apo kur janë në opozitë. Më të ardhur në pushtet, fillojnë ta presin si më gërshërë përmasën dhe prurjen intelektuale. Shembulli më i freskët është ai i Partisë Demokratike. Ajo u rikthye në pushtet në vitin 2005 me devizën e hapjes dhe lulëzimit të individualiteteve, ndërkohë që sot është katandisur në një parti ku askush nuk artikulon më me një minimum stofi intelektual. Jo vetëm nuk artikulon, po nuk gjen dot dikë që së paku të shikojë me thellësinë e gëzimit apo dhimbjes intelektuale.
Në këtë pikë Berisha e ka tharë fare partinë dhe qeverinë e tij. E ka prerë komponentin kulturor, si një gjë të panevojshme, të pavlefshme për të. E ka kthyer në pikën e nisjes problemin e madh të politikës: intelektualizimin e saj. Duket sikur ky është një mallkim . Duket sikur ekziston një papajtueshmëri e brendshme organike midis pushtetit në një anë dhe intelektualizmit, dijes e kulturës perëndimore në anën tjetër. Por nuk është organike kjo papajtueshmëri. Është shqiptare, është neotomane, është enveriste, është neonveriste. Ajo vjen e plazmohet në çdo qeverisje pikësëpari prej faktit se ky vend prej shekujsh nuk është qeverisur, por është sunduar. Interesat e sundimit vetëm rrallë dhe spontanisht përkojnë me intelektin, kulturën.
Politikanët me mendësi sundimtarësh e kanë gjithçka në funksion të pushtetit të tyre. Aleancat, ekipet, ligjet… Gjithçka në funksion të pushtetit, asgjë në funksion të zhvillimit të vendit. Sindroma e sundimit i çon këta pashmangshëm drejt ekipeve puthadore e kriminale. Dhe nuk është për t’u habitur pastaj që në shumëfishimin e tyre në gjithë piramidën e pushtetit këto ekipe mbledhin ku janë e ku nuk janë injorantët më të mëdhenj.
Jemi tallur deri dje me mjelësit dhe druvarët në ish-Byronë Politike të Enver Hoxhës. Tani duhet të vajtojmë revanshin e pashembullt të injorancës në disa nivele të pushtetit lokal dhe në administratën e lartë shtetërore. Suksesi me mbështetje politike i injorancës përfaqëson sot agresionin më të egër ndaj dijes dhe intelektit si vlerë. Në fakt është drama dhe rrokullisja e re e Shqipërisë.
Ka një sentencë të njohur sipas së cilës një strukturë dijesh përcakton një strukturë pushteti. Aty ku nuk ka strukturë dijesh ka vetëm një pushtet arbitrar, që studion momentin për t’u bërë i dhunshëm, madje dhe mizor, po ta lejojnë rrethanat. Shqipëria është vendi ideal ku kanë gjetur zbatim këto përfundime. Prandaj jemi prapa të tjerëve. Opozita dhe kreu i saj Edi Rama janë thirrur në kauzë ta ndryshojnë më në fund këtë histori. Intelektualizimi i politikës si emergjencë kombëtare ka padyshim një vend të dorës së parë në kantierin e kursit të ri opozitar. Në këtë përpjekje opozita duhet t’i bëjë llogaritë me një inteligjencë, e cila është bërë akoma më skeptike nga mashtrimet, pësimet dhe zhgënjimet që ka provuar përgjatë viteve. Por mundësitë ekzistojnë. Nga ana tjetër vetë intelektualët duhet të ngrihen mbi zhgënjimet dhe pengesat, duke u dhënë drejtim zhvillimeve me fuqinë e mendjes dhe karakterit. Një model apo një shembull e gjejmë në librat e Arbën Xhaferrit dhe Spartak Ngjelës që u botuan ditët e fundit. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri