FLORI BRUQI : NËSE KAM DITUR TË GUXOJ...







Flori Bruqi lindi më 29 qershor 1952 në Isniq të Deçanit ,Republika e Kosovës. Studioi Mjekësinë dhe Diplomoi në Fakultetin e Defektologjisë . Studimet pasuniversitare I kreu në Universitetin e Prishtinës ku fitoi gradën shkencore magjistër i  shkencave  fiziologjike /2005/.Së shpejti pritet të doktoroi në lëmin e  fiziologjike kineziologjike.
 Bashkëpunoi më shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e deri me tash (“Bota e re” - Prishtinë, ”Rilindja” - Prishtinë, “Danas” - Zagreb, ”Dello” - Lubjanë, ”Dnevnik” - Lubjanë, “Vecer” - Maribor, ”Le Mond”, ”Corriera della Sera” etj).
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2000).
Ka shkruar mbi 31 libra,prej tyre shkencore janë dhjetë si dhe një numër të madh  punimesh shkencore nga lëmia e mjekësisë dhe defektologjisë  /21 punime në revista të ndryshme shkencore /në përiudhën 1974-2011., si dhe mija punime në shumë web faqe interneti (2003-2011).
Është  drejtor  ekzekutiv i kompanisë “Flomed “nga Prishtina prej vitit 1987 e deri me tash.  
Kompania “Flomed” që nga themelimi  ka bërë  plasimin në treg të barërave  dhe mjeteve sanitare.Është distribues gjeneral i dy kompanive 
ndërkombëtare për Kosovë dhe Shqipëri/Borer chemie AG nga Zvicra dhe Schülke-Mayr GmbH nga Gjermania/.

VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE 

SHUMËSHTRESIMESH LETRARE

(Nga fjala e redaktorit)

Libri më i ri publicistik i shkrimtarit, tashmë të mirënjohur, Flori Bruqit, na vjen si një sihariç i mirë letrar. Libri me titull shumë sinjifikativ “Nëse kam ditur të guxoj”, përmbanë një lëndë të pasur në shumë aspekte letrare. Meqë kapitulli i parë përmbanë  një cikël poezish të autorit, kapitulli i dytë hap një faqe interesante me shkrimet kritike nga autorë të ndryshëhm e të mirënjohur shqiptarë, pra vlerësime kritike e vështrime për disa nga veprat letrare të Bruqit, por të publikuara më parë në shtypin shqiptar të kohës. Autori Bruqi i ka sistemuar këto shkrime, që përbëjnë një sërë vlerësimesh të çmueshme letrare për krijimtarinë e tij letrare,poetike e publicistike por edhe për ato botime të fushës profesionale të Flori Bruqit, nga emra tashmë të ndjerë, por mjaft të shquar, si Mehmet Kajtazi, Rifat Kukaj, Zejnullah Halili, Iljaz Prokshi e ndonjë tjetër. Por, edhe nga emra po aq të mirënjour të letërsisë sonë, të gjallë, janë përmbledhur këtu mjaft vështrime që cilësojnë e vlerësojnë veprën e Flori Bruqit, sikur janë: Fatmir Terziu, Bedri Halimi, Lumturie Haxhiaj, Shyqri Galica, Namik Shehu, Izet Çuli, Zeg Pergega, Kristaq Shabani, Naim Kelmendi, Rajmonda Maleçka, Eshref Ymeri, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Rrustem Geci, Nehat S.Hoxha, Ajshe Qorraj, Arlinda Meksi, Shpend Ruci, Arian Blushi, Nikollë Frangaj, Faik Xhani e ndonjë tjetër. Do theksuar se në të gjitha kritikat dhe vështrimet kritike mbi veprat letrare të Bruqit, qofshin ato vështrime të mëdha apo të vogla, ndonjëherë si njoftime mbi librat e publikuar nëpër kohë të Bruqit, qoftë si vështrime më të gjata, cilësohet e vlerësohet krijimtari letrare e Flori Bruqit, dhënë lëtërsisë sonë më të re, duke bërë kështu emër në letërsinë moderne.
Ja si do të shprehej atëbotë shkrimtari i mirënjohur yni, Mehmet Kajtazi, në një vështrim të tijin për poezinë e Floriut: “Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martizim, me emrin LIRI”.Apo në një rast tjetër njëri nga shkrimtarët tanë të shquar Zejnullah Hallili: “Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij në fillim të kësaj poeme na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e Kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin  e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës pra ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala”.
Në kapitullin e tretë mbarështrohet një lëndë po aq e pasur dhe e thekur letrare e autorit mbi veprat dhe mbi jetën e shumë autorëve botërorë e shqiptarë,sipas këndvështrimit dhe shijes dhe dioptrisë krijuese të studiuesit Bruqi. Flori Bruqi këtu spikat me vështrimet e tij të thukta dhe përmbajtësore, me një metodologji klasike të vështrimit: ai shkruan mbi veprën e autorit, jep mjaft shënime biografike dhe shtjellon motivet e veprës së tyre, por edhe klasifikon ndonjë nga poezitë apo prozën apo shkrimin e akëcilit që merr në theks të vështrimit.
Në të gjitha këto vështrime kritike vërehët përkushtimi dhe niveli studimor i autorit me një bagazh të mirë studimor mbi veprat dhe autorët. Poashtu autori, në secilin vështrim jep edhe të dhëna të shumta mbi veprat e autorëve, që përmbëjnë opusin krijues të tyre, si informacion të plotë për lexuesin. Janë një sërë artikujsh kritik e publicistik edhe për figurat e jetës sonë letrae por edhe politike e publicistike sikur artikulli për Dr.Ibrahim Rugovën, ku Bruqi qëmton me këndvështrimet e tija, duke na sjellë përshkrime dhe vlerësime për figurën madhore e komplekse të presidentit historik Ibrahim Rugova, por edhe për veprën e tij letrare dhe kritike që është mjaft e bujshme. Gjithashtu me interes janë edhe mjaft shkrime të kësaj natyre, siç janë p.sh shkrimet për Nënë Terezën-nderin e kombit shqiptar, pastaj vështrimet kritike për figurat letrare si për Eqrem Çabejn, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Ismail Kadarenë, Prend Buzhala, Naim Kelmendi, Bardh Frangu,dhe poetë të gjeneratës më të re të postmodernes, sikur Irena Gjoni, Lediana Kapaj, Alma Papamihali,Thani Naqo, Jorgo Sofokli Telo, Valdete Berisha e ndonjë tjetër.
Ato që përbëjnë gamën e gjerë të vështrimeve dhe temave sintetizuese, por edhe tematike, janë disa nga shkrimet që zënë vend në këtë vepër, si “Shkrimtari idealist shqiptar gjatë shekullit XX”, “Kritita tani ngjanë në një digë të shpartalluar, që i varen lllamarinat nga erërat e fitimit”,”Spastrimi etnik në Kosovë”,”Shqiptarët në shtypin arab”, ”Historik i shkurtër i gjuhës shqipe” etj.Me një fjalë, vepra letrare e Flori Bruqit: “Nëse kam ditur të guxoj” përmbën një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara lëtrare mbi veprat e shumë autorëve të shquar vendas e ndërkombëtar, por edhe ato mbi veprën autoriale të këtij shkrimtari tashmë të njohur në letrat tona.me kontributin e shumë veprave cilësore letrare, poetike e publicistike që zënë vend të merituar në “Panteonin” e letërsisë shqiptare.

 Naim Kelmendi


I.CIKËL POETIK


FILLIMI I NJË POEME

Ujëvarat e malit derdheshin
Mbi shkëmbinj si mendimet
tona mbi ngjarje, mbi shtigje…
Nga t’ia fillonim?!
Nga plagët e trupit, të zemrës, apo të mëmëdheut ?
Nëpër deje na rridhte Revolucioni dhe qumështi i nënave
Dhe ne-e dinim:
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra e nuse të veja
S’do të ketë kurrë paqë e liri…

E sot,
Këngët,
Vallet-
e fabrikat
janë gjerdane
më stolira
të kremtës tonë !

                          


PORTRETI I NËNËS

“Nënë, për ta shpëtuar jetën Ty,
dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin”
 Prof.dr.sci.Mirlin (Maxhun) Bruqi

Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë
Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë
Pleq
Plaka
Të reja
Të rinj
Me shporta të vogla në duar
Vijnë çdo të diel
Vijnë(ndoshta)çdo ditë
Te dera  e Spitalit
Në orën 14

Gumëzhijnë korridoret
Nga hapat e tyre
Zhurmojnë pavijonet
Korridoreve…
Zvarritët rrëqanthi vdekja
Në dhoma hyn shqetësimi
Secili me de(r)t
Për të afërmin e vet
Kështu çdo të diel
Kështu çdo  ditë
Në orën 14
Burbuqja kurajon Nënën
Mirlindi jep lëkurën e vet
Për ri(ngjalljen)e Saj
Të afërmit shërim i dëshirojnë
Të tjerët shpresojnë…

Ja dhoma…
Ora mbi radio
Trëndafilat e freskët
Mbi tavolinë
Tok(gati) e gjithë familja
Babai qëndron e mejton
Ndoshta…
Kujton profilin e dhëndrrit
Ja rrudhat e nënës sime
(Kujtoj zënkën e prindërve për mua)
Tik-taku i orës
Dikur pushon
Në orën 4 të mëngjesit
Një qetësi…


Unë
Kam parasysh
Profilin e fëmijëve të mi
Shoh në sy
Profilin e Granitit e Diamantit
Mullarët e sanës
Në oborrin e braktisur
Ja(gati) e gjithë familja
Mungon(vetëm fizikisht)Ajo
Mungon Nëna  ime


Në dhoma hyn:
Ajri
Drita
Dashuria
Jeta
Shokët
Shoqet
Babai
Të dashurit….


****
                                                               
Dhe një hije
Më ndjek pas
Shkëndijë kohe
Profil i Nënës
Zjarr i Diellit!



RREZE DRITE 
 (Në kujtim të nënës)

Për Ty nga zemra
këtë poezi po e rris
asnjë hije muzgu
nuk  i  fus brenda
ti kërkon  dritë
se ishe dritë
siç janë dritë
të gjitha nënat 
vije Ti
çdo mbrëmje
duke më pëshpëritur:
-natën e mirë bir
çelësin mos ia vë derës
do të vijë nëna
(gjumin pa ta prishur)
me hapa të pranverës
biro
të të shoh mos je shpluar
kur ike
unë të putha
a thua më ke ndjerë
ndoshta vetëm koha
si rreze drite
në mua t’paska mbetur 
këtë poezi Nënë
nga zemra e shkrova
dhe hije azhuri
s’i futa brenda
ti kërkon dritë
se ishe Dritë
siç janë Drita
të gjitha Nënat. 




LAJTMOTIV I SINQERTË 

U këndoj të thjeshtave
të urtave
fjalës së dashur
dritës së qartë
të gjitha ëndrrave
më lajtmotiv të sinqertë
të gjitha këngëve
përherë me kryerresht
femrave - 
ejani në këngë
nëna dhe motra
të dashura gra
hyni në këngë
në lindëm nga këngët Tuaja
nga zëri Juaj
morëm këmbë. 




LIRI FJALE 

Në ditën e takimit më fole
me zë tjetër
dhe unë çuditërisht prapë erdha
nga zemra të të shoh e të puthi
si Dielli kopshtin me lule
përse qe aq e ashpër 
mos vallë në qytetin tend ilirik të ndjekin
qentë e tërbuar
ndonjë hije nate
apo do të mbetesh
e mbyllur sall për vete 
arti nuk të do të vetmuar
as muzikë s’mund të ndjesh
një buzëqeshje do të kërkoj prore
dhe karafila do të dhuroj
e puthje të ngrohta 
mos hesht as mos ik luleborë
sigurisht ti ke për t’qeshur një ditë
dhe lufta mes unit tënd e urrejtjes
do të çmend ty të tërën
vetëm jam dhe pres të vish… 

  




QYTETI KU TË PRITA 

U ndala ballë spitalit të Prishtinës
hipa si Orfeu në altar
dy vargje të t’i them
më zërin e shterrur nga shqetësimi 
dhe unë e pashë qytetin tënd
me një dallëndyshe fola, me beso
dhe ikëm të dytë e më tepër ike ti 
unë prapë jam  aty ku më ke lenë
në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë
vallëzoj me hijet
nuk e di cilën ta përkdhel 
ti nuk je
retë mbi qytet me nevrikosin
dhe shiu më lag bashkë me vargjet 
një ditë në një orë dil e takohemi
kiamet nuk bëhet
nuk bëhet as qyteti det 
i mërzitur rri i fyer jam
pres dashurinë tënde
e të fle mbi gjinjtë e tu 
mbi buzët e tua të zë një ëndërr
të kërkoj t’i ha ata sy me vargje 
po vargjet nuk kanë faj
që ti nuk i ndjen asnjë grimë
mos ik mos u fsheh e as zërin mos e ndërro!… 





AKUARELI I DIELLIT

Iku tetëmbëdhjetë vjeçare
E bukur S…
Si hëna pesëmbëdhjetë
Në fletore shkroi vjershën
Për mëngjesin në Prishtinë
I pëlqyen soliterët e lartë
Dhe shtëpitë plot blozë
Tjegullat e çative të ulta
Me myshqe të venitura
Shtegu i fushës kujtonte nënën
Më këmbë t’amputuar
Dhe Agimin e madh pas shiut
Që lëkundin pemët në zgavra
Në Prishtinë..
Ajo me gishtin tregues vizatoi
Në xhamat e atelesë
Profilin e babait plak-Metë
Pastaj e fshiu me dorë
Dhe dorën e puthi
Kur u kthye në vendlindje
Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
Në kalldrëm…
Dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
Në agimin e azhurtë
Hapi dritaren e rrotulloi çuditshëm
Lindjen e Diellit
Hijet në vetminë e rrugës
Dallëndyshet, një pikë vesë
Në mbrëmjen e majit
Ngriti penelin
Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
Pikturoi rrugën
Me baltë të Strellcit
Durakun plak
Kopshtet me dardhë
Fshatarët e vyer
Me drapërinj në duar
Shtëpi me dyer të rënda
Strehë me borë
Hapësira bojë gushëpëllumbi
Nga fshatrat malorë…






MENDIM I KREDHUR


Shpirti i Saj
Një lëndinë Qershori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë
E dua atë
Era viteve
Buzët do t’ia vyshkë
Reliefin e kuq të mollëzave
Vizat e rudhave do t’ia prishin
Por
Megjithatë e dua
Sot
Kur me të jam i dritëzuar
Në shpirtin e përjetshëm
Jam i rrethuar edhe më njomësi
Edhe me rrudha
Nga pranvera e syve
Margaritarë të Saj.




REKUIEM I PËRLIGJUR


Prej gjakut e zemrës s’mund të dalë
siç u dogjën të tjerët s’dua të digjem
ç’donin ziliqarët në kopshtin e Edenit
mollën e Eridës në dorë që më lanë

ditë pas dite prej zemërimit të përligjur
nga trishtimi 
Zeusi s'e fal Prometeun
pa ia treguar fshehurisht intrigën

dashuritë digjen e përvëlohen
sa fort
brenda çdo ëndrre vuan zemra vetë

udhë u deshën që djajtë të risjellin
poshtërimin e zbritur nga Olimpi i lartë
të lënë shtrëngatën... e të vrasë njerëzinë

edhe lotët kur djegin shpirtin së brendshmi
më ngjan se më hiqet i rëndi  mallëngjim
një këngë ilirishte përftohet fshehtësire
e vjen një kohë letargjie me gjëmë... 

SHPRESA TË DJEGURA


Me çantë mbi shpinë të mbushur plot mall
rrëzë supi rripat e saj fort shtrënguar
të rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmale
nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar

Shikimi i nënëmadhes si shqiponjë pas e ndjek
klithma djemsh mbetur ikona nëpër pragje
një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg
lot që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe

Gra zemërngrira presin në ankth zhytur
veten mallkojnë që nëna s’i bëri dot djalë
motra kërthinj prej trishtimit të mbytur
dhimbje e pamatur që gjunjëzon dhe djajtë

Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti
nënat kobzeza, që s’kanë një gur ku të qajnë
vejusha të pafat ngado mbjellë si tulipanë të zinj
fëmijë që prindërit në prehër dot s’i mbajnë

Emigrant, fjalë mizore që s’di të falësh kurrë
dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell
zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi
përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!
në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...



Ç’RËNDËSI KISHTE E KA GJITHÇKA?!

Pensionistët flasin
për infarkt miokardi
e parashikon fundin
në stolat e parqeve publike
mes glasave të sorrave
mes gjilpërave  të përgjakura...
Më ndalin në rrugë
përpara vitrinave të mbushura
xhepat e zbrazur të tyre më pyesin për orën
apo për racën e  majmunit
Është tre pasdite
gjithçka kundërmon vdekje...
E di, është e kotë të kthehem në shtëpi
të shkruaj dhjetë apo tridhjetë e pesë rreshta
Ç’rëndësi ka?!

Poeti në komisariat
ata nuk e dinë
se poeti në komisariat
është torturuar
për mëkatin e bërë:
,,Fjalës i kishte dhënë shumë fuqi...”
 Fjala vriste më shumë se shpata
fjala shëronte më shumë se mjalta...
Poetit i duhej dhënë kupa e helmit
të shpejtë apo të ngadalshëm
Ç’rëndësi ka?!

Një libër tjetër
Herët në mëngjes
një vashë  rregullon flokët
përpara pasqyrës
në ndërtesën përballë...
Unë mbyll librin ,,Guximi shqiptar”
e lë mbi tavolinë
ulem dhe hap
një libër tjetër.

Intriganti dhe gazetat
Sa të mërzitshëm janë
Intriganti ,"Ekspressi", birra e Pejës
femrat, librat, pasqyrat!...
Sa e mërzitshme
është të ulesh e të presësh vdekjen
në ndërkohë
njerëzia kurvëron,
ha, punon apo bën plazh në det
nën diellin e pistë të kotësisë
dhe nuk e di
a do të ndodh gjë,
po nëse ndodh
ç’rëndësi ka?!
                                                                              
Ishte dhembja
Para dy vjetësh
Poeti Iljaz Prokshi thoshte
në një poemë
se nuk do të ndalonte së ndjeri
dhimbjen e pritjes
së një gruaje
sepse e vetmja gjë
që do t’i mbetej prej saj
ishte dhimbja
Ishte kohë tjetër
Iljazi, është i vdekur
edhe dashuria e tij poashtu
edhe ne do të jemi një ditë...
Jeta qenka një përpëlitje
në mes të hapjes e mbylljes
së syve.
Iljazi gjithmonë donte të rrinte
po nuk e kishte mundësinë
se i frikësohej vetmisë
kur të varet me puthje në buzë...
Ç’rëndësi kishte e ka gjithçka
kur jetën e plagos çdo gjë?

MBI NGJARJE… 

Ujëvaret e mia
Derdheshim mbi shkëmbinj
Si mendimet tona
Mbi ngjarje mbi shtigje

Nga t’ia fillonim
Nga plagët e trupit
Të zemrës apo të atdheut
Si gjithmonë
Populli ndodhej pranë
Nëpër dej
Na rridhte qumështi i nënave
Dhe e dinim
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra
Pa nuse të veja
S’do të ketë ku


BARDHËSITË E SAJ

Nënë
Këto katër shkronja Dashurie…
Jehojnë
Në agimet e jetës sime
Në bardhësitë e dritës
Më shtegun e së ardhmes
Në ecëm
Përpara

Figura jote
Në sfondin e ditëve
Që vijnë
Njomësia
E së ardhmes sonë
Hapë
Dejtë e ngrohtë
Të tokës sate.


RRJEDHAT E KOSOVËS


Atdhe
T’u desh të afrohesh
Nga thellësitë e viteve
Deri te kjo kohë
Me dyfek e gjalmë
Që kurrë s’qenë të ftohta, t’u desh
Të vishë
Në këto male pranë
Në këtë baltë
Në këtë Tokë
Dhe të dilje
Ti kështu si je
T’u desh
Flakë vullkani
Atdhe
Po zbardh sot mëngjesi
Flamur të kuq
Shkaba dykrenëshe lart
Frymëzim i ri
Në zemrat e sizifëve në buzëqeshjet e triumfuesve
Në përparsat e shpirthirshmëve
Në çdo fabrikë
Uzinë
Faqe mali
Madhështore
Do të duhej të buçiste
Emrat  Ibrahim, Adem,Luan,Shkelzen,Agim,
Salih,Rrustem ,Ramush…
Kënga e vështrimeve të ndezura
Me fjalët
Zotim
Gdhendës mermeri
Sypatrembur
Duke u futur
Me krahëroret masivë
Në rreshtat e mëdhenj
Të detit tekanjoz.




RELIKTET TONA
(Pa Kosovën unë nuk do të isha)

Shfletojmë historinë
Rreshta të shkruar
Me gjak
Nëpër faqe
Gjurmët tona shfaqen
Herë breshëritë nxijnë
Arat me misër kudo që ishin
Ngjanin në varreza të Mëdha
Kur rritej vdekja
Ku binin gjethe të rrëkëllyera
Më të freskëta
Se zambakët e majit
Mani i kombajnës
Thasët mbush
Misër e grurë
Në këtë Dhe
Tash e tutje
Gjumi do të oshëtijë
Nga përrenjtë e Ëndrrave
E paepur
Kjo ishte rruga jote
Ndërmjet njerëzve
Me njerëz
Dhe butonët
E dritës.




AGIMET E KOSOVËS

Çerrekshekujt
Në kurriz të maleve
Lanë gjurmët e kanoneve
E Ti
Kosovë
U dole para
AGIMËVE TË MËDHA
Kur trolli me nofullat e veta
Kafshonte BIJTË E SAJ
Kosovë
U dole përpara relikteve’
Qindvjetëshe
Kur Trolli pinte gjak
Përtypte barot
Fashatonte plagën
Dhe pashë
Mes atij
Ingranazhi
Yje
Dhe nën Yje
Togun e pusirave
Amësinë Tënde
Sfidojmë
Të bartim
Si një Agim mbi mal
Duke t’i fshirë me Yje
Muzgjet e hijeve
Vezullim urojmë
Brezave që vijnë
Me tepëritë e zellit
Në cepat e Yjeve.







GJAK SHEKULLOR

Mëmëdheu
Lëshoi një britmë
Një zjarr
Si lumi si era si gjaku
Mërsini shpërtheu te praku

Të dua o hyjneshë e Agimit
Me Heliosin e Apolonin
Me vajtje-ardhjet
Me duart
E forta
Të bashkëfshatarëve
Të bashkuara përgjithmonë
Në shpresën ndjellamirë
Eliksirin
Unë-
Ndjej në shpirt
Se biri yt
Unë jam
Frymëzimin tënd
Borxh e kam
Ç’përqaje të sjell
Në qepalla
Gjysmë të mbyllura
Këngët shpesh t’i mbjell
Me besë e shpresë
Për të ardhmen tonë...

II. KRITIKË LETRARE NË SHTYPIN E KOHËS…


FATI I GAZETARËVE NË SISTEMIN MONIST

Mehmet Kajtazi

Romani “Ndërgjegjia” është një pasqyrim real i lidhshmërisë së prozës artistike me shkencën e mjekësisë. Derisa në prozë artistike shpaloset biografia e vetë autorit, në pjesën e librit shkencor dhe informativ shprehet respekti i tij ndaj tërë asaj që është njerëzore dhe hapërim për ti shëruar njerzëit. Autori në këtë vepër është në cilësinë e gazetarit në sistemin komunsit, kohë kjo kur për një të vërtetë jetike të shkonte edhe koka. Pavarësisht nga kjo mynxyrë, gazetari më shumë e do të vërtetën se edhe vetë jetën, andaj shpesh atij i vihen prangat. Në shërbim të atyre që i kishin prangat dhe çelësat e burgjeve ishin edhe disa gazetarë servilë, të cilët të vërtetën e mbulonin me gënjeshtra dhe vinin xëc para syve të lexuesve. Autori I “Ndërgjegjes” ua di emrat atyre, ua njeh edhe biografitë, por nuk bie në ujëra të tyre të turbullta, nuk është hakmarrës. Mjafton që ata, shkruan autori, do të jenë njerëz që i bren ndërgjegjia, ndërsa po patën punë me shëndetin, do ti shërojë, edhe gangrenën do t’ua heq, thotë autori. Fati I gazetarëve të sistemit titist ishte përherë tragjik: kur u vinte vdekja nuk meritonin tjetër, pos t’u vihet mbi varr një kurorë e bërë jo nga lulet, por nga artikujt gazetaresk që i kanë shkruaar. Gazetarët e tillë e kanë penguar vazhdimisht Flori Bruqin, por ky kishte një besim të patundur, në rradhë të parë, vetveten andaj trokiste edhe në redaksitë e shteteve të largëta, deri në “Le Monde” të Parisit dhe shkruante në këtë gazetë për njerëzit që ishin në burgjë, e ishin të pafajshëm. Këtë mund ta bënte vetëm gazetari militant. Duke lexuar “Ndërgjegjen” e tij, her-herë, ke përshtypejn se po e sheh Markesin që ka hyrë në zonat që i ka prekur murtaja, por forca dhe vullneti për të shkruar bënë që me përbuzje të shikojë murtajën dhe të shpëtojë nga vdekja.

Prishtinë, 28 prill 1995              

                          

SHQIPFOLËSIT E BARBARIZUAR

Rushit Ramabaja


Romani “Ndërgjegja” i Flori Bruqit, para së gjithash është një kronikë e sublimuar me gjuhë specifike të viteve të hidhura të së ashtuquajturës kohë e autonomisë, kur shkelësi shtypte Kosovën me ndihmën e shqipfolësve të barbarizuar, të cilët emrin dhe identitetin e vet e bartnin vetëm sa për t’i ndihmuar Beogradit që në sy të botës ta fshihte okupimin e këtij krahu të dhimbshëm të Shqipërisë. Pothuaj, në çdo faqe të tij ndihet pesha e mallit të autorit ( rrëfimtarit ) për t’u kthyer në vendlindje dhe lufta e pandërprerë e të barbarizuarve që me anë të shpifjeve, shantazheve e kërcënimeve t’ia mbyllnin udhën përgjithmonë për në shtëpinë e vetë. Këtë dhimbje, që gjithnjë pikon helm e dashuri njëkohësisht, F.Bruqit ia del mbanë me sukse që ta fisnikërojë me shkrimet mjaft të sukseshme për fytyrat më eminente të mjekësisë botërore, por vet-veten e identifikon më së shumti me arkitektët shqiptarë që krijuan vepra madhështore larg atdheut dhe që jo rrallë bukuria mahnitëse e artit të tyre u bë kob për ta. Ne fejtonet për mjekësinë, për njerëzit e mëdhenj të botës dhe për arkitektët tanë, unë kam parë, veq se tjerash, përpjekjen e tërthortë të autorit që ndjekësve të vet t’ua kthejë urrejtjen në dashuri, mërinë në dhimbje dhe harresën e nëmur në rinjohje. Kjo dëshmon shkallën më të lartë të ndërgjegjes dhe vetëdijen skjshmërisht të sublimuar kombëtare e qytetare për pajtim edhe me të pandërgjegjshmit dhe për bashkim edhe me plangprishësit. Duke pasur parasysh këto që thamë si dhe vlerat e tjera të këtij libri, mendoj se “Ndërgjegja”e Flori Bruqit do të ketë lexues të shumtë të të gjitha shtresave sot dhe nesër, ngaqë në të gjithnjë shquhet zëri që thërret që të mos përsëritet kurrë më e keqja e së kaluarës.

Prishtinë, 4 maj 1995                   



                           

 KUKUDHËT NË KOHËN E MONIZMIT

 Nikollë Frangaj                                            

…çdo gjë që krijohet pa dëshirën e një individi apo kolektiviteti është e huaj. Kritika e hapët kundër kukudhëve dhe autorëve të regjimit komunsit ka shtyrë autorin e romanit t’iu kundërvihet dhe t’i zhveshë gjer në palcë. Autori për më tepër shenjon aktet absurde të tyre, del përballë dhe sfidon. Duke u bërë njeri i anatemuar nga ata vetëm nga frika se do t’ua përziejnë duart, e censurojnë, dhe më në fund e dënojnë. Por, ai nuk mposhtet. Heroi i romanit “Gjarpërinjtë e pallatit” ka sfiduar në emër të shkrimtarëve dhe gazetarëve demokratë dhe gati mbetet i vetmuar nga breshëria e fyerjeve dhe diskriminimeve që i bëjnë njerëzit e regjimit dhe prijësit e gazetave që përkrahin një regjim të tillë. Autori pret finalen tragjike të kukudhëve dhe rrëzimin e këtyre gjarpërinjëve, sepse në anën tjetër qëndron forca e pathyeshme e drejtësisë morale.

Shkodër, më 24 korrik 1996            



                                               

CENSURA  SHQIP

Arian Blushi


…Ligji i fortë, anathema dhe censura që u bëhet shkrimtarëve dhe njerëzve të penës e të dijes nga regjimi komunist është tema e romanit “Gjarpërinjtë e pallatit”, të Flori Bruqit. Heori i këtij romani, Uran Dukagjini, del para këtyre autorëve të regjimit dhe bën sfidë, duke shpalosur shpirtin falso dhe metodat çnjerëzore të tyre. Vepra është shkruar me mllef, dhe tërë kjo revoltë e tij është shprehur nëpërmjet unit të shkrimtarit, i cili, pikërisht në këtë rreth ka parë pjesën më të shëmtuar të shoqërisë komuniste…

Tiranë, 27.7.1996                           

                               

                         

 GJURMË QË MBESIN NË FATET E HIDHURA TË

 SHQIPTARËVE

Rifat Kukaj
                                  

…Në këtë prozë të Flori Bruqit mpleksen fatet e hidhura të njerëzve tanë si dje, ashtu edhe sot, duke i rrahur pa mëshirë e me fishkullimë rrëqethëse shtrëngata e kohës, por që nuk ia del t’ua zbehë shpresat dhe t’ua zhdavarisë ëndrrat për një të nesërme më të mirë e më të sinqertë. Oguri i zi ngulmon, por nuk ia arrin tërësisht t’ua fshijë gjurmët e lashta, edhe pse i fërfëllon dhe i rrah si me bisht gjarpri edhe larg truallit të tyre. Mbase mu kjo golgotë ( që, për fat të keq, na përsëritet ), sikur ua shton edhe më shumë dashurinë për vendlindjen e shtrenjtë. Këta njerëz të zakonshëm, me të cilët jeta tallet, përballojnë në mënyrë dinjitoze mynxyrat që u vijnë nga urrejtja e lashtë e të huajve, por dhe nga përmbushja e mjerushëve tanë shpirtshitur e të katandisur, zhveshur nga gjithqka që është njerëzore…

26 qershor 1996 Prishtinë                 


         


GJEOGRAFIA E ATDHEUT


Iljaz Prokshi


Pas vëllimit poetik me titull “Zjarri I Diellit” (1995), romanit “Ndërgjegja”(1995), “Vrasësit e Liridonëve (1996), që i botoi në Prishtinë, Flori Bruqi ditë më parë në Tiranë botoi edhe romanin “Ringjallja”. Tema e romanit “Ringjallja”qon në një kohë këtu e shumë vite më parë. Është koha e “kundërrevolucionit”, e shthurjeve të sistemeve, thyerjeve e digresioneve në një ambient të caktuar, të cilat shkaktojnë dramën e individit dhe kolektivitetit, që i përket edhe prozatori. “Ringjalljen” e karakterizon një kompozicion i thjeshtë, ku rëfimi rrjedh i qetë dhe natyrshëm. Përmes ides themelore që transmetohet këtu, dalin në spikamë edhe një varg problemesh etiko-shoqërore të cilat i shkakton një pushtues jo njerëzor. Flori Bruqi, ka përcaktuar fatin e një populli të lnë jashtë kufijve të atdheut, i cili pareshtur i nënshtrohet torturave, ndjekjeve, dënimeve dhe mynxyrave të tjera makabre. Për t’i shpëtuar kësaj dhune me shumë veta detyrohen të lëshojnë vendlindjen dhe të ikën në ekzil, siç ndodh me ikjen e çlirimit për në Shqipëri, familjet e Ligan Shpatullgjanit, Demë Ali Pozharit, Mërgim Bardhit e shumë të tjerëve në shkretëtirën  e Anadollit. “Ringjallja” e Flori Bruqit është një ekuivalent i kohës: me braktisje, vetmi, trishtim, që shqetësojnë jetën e njeriut edhe në çastet më të gëzuara të tij. Një formë herë e çlirët e rrëfimit e herë-herë me një organizim të dialogut krijon bagazhin e mundshëm të ambientit nën pushtim. Asociacionet që zgjojnë dialogjet, toni që u jep ngjyrë proceseve jetësore nëpër situata të veçanta dhe rrethanat e krijuara e zgjojnë kërshërinë e lexuesit. Pa dyshim se tema është provokuese dhe jep mundësi konstruktimi artistik i situatave që e bëjnë për vete lexuesin.

28 Qershor 1996                            



                            POEZI E NËNQIELLIT DHE NJERIUT PA LIRI…

Mehmet Kajtazi

Poezitë e Flori Bruqit ( disa prej të cilave ishin më parë të botuara edhe në revista dhe në gazeta tona ) i lexova me një frymë. Një cilësim i tillë i leximit të poezive bëhet atëherë kur të përvetëson si vargu i parë, ashtu edhe i fundit. Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martizim, me emrin LIRI. Meqë poetit i mungon kjo e fundit, siç i mungon tërë Kosovës, është plotësisht e natyrshme që në shumë vargje të ketë shqetësime. Këto shqetësime ta përkujtojnë shkrimtarin Viktor Franklin, i cili edhe pse është i rrethuar me tela në një kamp fashist në vitet e dyzeta, ai gjen shpresën që ta tejkalojë mynxyrën. Ajo shpresë është te vetë harmonia në mes Tokës dhe Qiellit, e kur kjo shtrihet edhe te njerëzit, atëherë vetë Zoti është në mes tyre dhe u ndhihmon për t’u çliruar. Flori Bruqit nuk i mungon, shpresa, por nuk i mungon as harmonia. E kur harmonia prek edhe brigjet e Lumit të Bardhë të vendlindjes së tij, atëherë edhe më shumë shpaloset riti i ritmit të ujit. Uji e ka ritmin e vet, që është në përputhshmëri me hapërimin e njerëzve drejt “Zjarrit të Diellit”.

25 janar 1995                        


          
POEZI E SHQETËSIMIT DHE GJAKIMIT PËR LIRINË


Zenjullah Halili


Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij në fillim të kësaj poeme na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e Kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin  e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës pra ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala. E fton të hyjë nëpër thellësitë e viteve, deri te kjo Kohë, deri te krahërorët masivë, deri te Deti Tekanjoz nganjëherë. Ai sfidon Amësinë Njomëzake të Teutës, fashaton plagët me fjalët figura dhe rend andej nga Përrenjtë e Ëndrrave për të shtypur lehtë e me ndjeshmëri Butonët e Dritës, për të fituar Bardhësitë e për të kërkuar shëmbëllimin me Hermesin, por atje janë qentë, jo larg, e a do ta shqyejnë si Akteonin e Penteun e a do ta martirizojnë si Ismetin, Agimin, Mujën e Salihun. Me tutje jep Figurë për kohën që me nxitje të Eridës, perëndeshës së Grindjes, u bë një luftë e gjatë në muret e Trojës Drapri i Sinagogës ëshstë edhe këtu në baladën e Floriut, që është e yjve, e shkrepave, e bulëzave, e syrit të mprehtë, e zërit të ëmbël, të cilit Hiçi i vjen përballë  mu para viteve të liga. Por, poeti në këtë hije të çastit vëren Dritën, një xixëllonjë që lufton me errësirrën, së cilës do t’ia shohë sytë, sepse aty është puthja, aty pasioni i erës, simbol i bukur i një përqafimi jetësor aty pasioni mëtues për Fjalën, që është njëra nga vjershat më të realizuara artistikisht. Në ishullzën më të madhe të detit figurative të Floriut është edhe Nëna si Baladë, si Qëndresë e si Ëndërr Ilire, Lumi i Bardhë e ndonjë poezi tjetër, janë kthim imagjinativ i poetit nga njomësia e Euridikës, pra, Vendlindjes.

25 janar 1995  


PËRGJIGJE KRASISTËVE TË HISTORISË SHQIPTARE

Nga Dr.sc.Fatmir Terziu

Dhe aty ku kjo xhelozi ndeshet me modestinë dihet rezultati. Ai kurrë nuk është barazimi. Nuk është barazimi, se jo më kot e thotë populli: “Hapja, bre burrë rrugën pimësit!” e që t’ja hapësh rrugën të ‘dehurit’ historik apo më së shumti atij të kudondodhurit elektronik sot, atij që e ka atë në vend të shpatës, pra të nderuarit ‘mik’ duhet “Guximi Shqiptar”.
Ai ka armën e Flori Bruqit dhe është botuar në Prishtinë. Është ndarë në disa kapituj dhe flet për historinë, Ramushin,Antropologjinë, Politikën, spiunazhin, gjuhën dhe letërsinë, psikoanalizën, astrologjinë dhe erotikën, por ka edhe fjalën e redaktorit dhe fjalën reçensuese.
Pra në më shumë se 400 faqe flet me gjuhën e thjeshtë e modeste shqipe, për  modestinë e termit “Guximi Shqiptar”.Që në titull duket kapërcimi i modestisë. Vetë modestia që “buron” nga cikloni letrar i shkrimtarit Flori Bruqi, kandidat i shkencave. Një modesti që shënon plot 30 libra.
Një modesti që nuk tejkalohet, dhe as që nuk para-prezantohet.
Një modesti që shtrydh fletushkat dhe ndrydh parcelizmat e digitalit dhe elektronikës në një sipërfaqe që as vet njeriu që e krijoi s’e kupton sa xhelozi prodhon.
Ja se si shprehet vet Bruqi “Nacionalizmin neurotik serb e karakterizon resan-timani, ose ndjenja e dinjitetit të nëpërkëmbur, bindja për humbje të padrejtë,mëria për tjetrin si pasojë e përbuzjes, apeli për hakmarrje, për qërim hesapesh, për riinterpretim të historisë, por edhe si xhelozi kundër të tjerëve që janë më të suksesshëm.
”Dhe aty ku kjo xhelozi ndeshet me modestinë dihet rezultati.Ai kurrë nuk është barazimi. Nuk është barazimi, se jo më kot e thotë populli:“Hapja, bre burrë rrugën pimësit!” e që t’ja hapësh rrugën të ‘dehurit’ historik apo më së shumti atij të kudondodhurit elektronik sot, atij që e ka atë në vend të shpatës, pra të nderuarit ‘mik’ duhet “Guximi Shqiptar”.
Ai ka formën e Flori Bruqit dhe është botuar në Prishtinë. Është ndarë në disa kapituj dhe flet për historinë, Ramushin, Antropologjinë, Politikën, spiunazhin, gjuhën dhe letërsinë, psikoanalizën, astrologjinë dhe erotikën, por ka edhe fjalën e redaktorit dhe fjalën reçensuese.
Pra në më shumë se 400 faqe flet me gjuhën e thjeshtë e modeste shqipe, për modestinë e termit “Guximi Shqiptar”.
Libri më i ri i Flori Bruqit tenton të paraqesë një dritare në këtë valëzim mjegullor, që ndeshet edhe në ditët me diell. Ai në fakt nuk është në rolin e pastruesit të xhamave të kësaj mjegulle,edhe pse fjala e tij e kreh atë mjegullnajë në heshtje dhe pa shumë bujë, teksa ka librat makrometrik të parametrave leksikorë e sfumojnë paralizën kohore dhedetajojnë të sotmen, të shkuarën me të sotmen në alteracion dhe presupozojnë të ardhmen.Prania shtjelluese e disa penave shqiptare tek “Guximi Shqiptar” e bën veprën e Bruqit t’i buzëqeshë të gjithë potencialit lexues.

Aty gjendet përgjigja për “A është Rifat Kukaj një thesar shqiptar?”, “Në vend të përkujtimit:Mehmet Kajtazi”, “Kush është Kolec Traboini?”, “Keze (Kozeta) Zylo”, “Kush është Gani Xhafolli?”, “Kush është Nehat S. Hoxha”, “Muxhahedinët si «Gold-en Boys»”, “Persekutimi komunist mbi vajzat e Bajram Currit”, “Polemikë pa dorashka”, “Gërmime në llagëme të pista”, “Letër e hapur organizatorëve dhe spektatorëve të koncertit të Goran Bregoviqit” e mjaft të tjera shkrime të kësaj kategorie.
Më tutje Bruqi thekson “Çuditërisht, askush nga deputetët nuk parashtroi pyetjen sesi ata do ta arrinin të menaxhonin, të dilnin në krye me një Kosovë forcërisht të aneksuar, me dy milionë shqiptarë të mllefosur dhe të armiqësuar me shtetin?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, së pari duhet të analizojmënatyrën e nacionalizmit serb, e cila prodhon aberracione ciklike të politikës ser- be nga rrjedhat normale historike.” Duke iu rikthyer xhelozisë ai shton: “Mëria zakonisht ka prodhuar konflikte serbe me fqinjët, ndërkaq xhelozia ka prodhuar antievropianizmin fanatik. Kur filloi e gjitha kjo? Kur dhe kush e zbuloi mitin e Kosovës?”.
Duke lexuar “Guximi Shqiptar” natyrshëm sqaron edhe detaje tëtilla: “Kur nisi ky ortek i iracionalizmit? Zakonisht mendohet se etnologu serb,Vuk Karaxhiq, është prodhuesi i këtij miti, por misionin hulumtues atij ia besoi etnologu dhe linguisti i njohur slloven J. Kopitar, i cili bashkëpunonte ngushtë me Gëten.
Shkrimtari gjerman kishte obsesion periudhën antike greke, kohënqë sipas tij, në qenien e njeriut ka ekzistuar harmonia mes elementit apolonik (racional) dhe atij dioniziak (irracional, emotiv). Gëte mendonte se qytetërimi perëndimor lëngon nga ngadhënjimi i plotë i racionalizmit, që e vlerësonte sinjë shkarje të rrezikshme. Ai kishte shpresë të madhe se harmonia e dikurshme antike mund të gjendej ende në baladat e popujve të Ballkanit”. Po a mundet të shkruhet ndryshe historia? A mund të ndriçohet realiteti i saj?
Përgjigja e Bruqit ndodhet në “Guximi Shqiptar…

                 
BURRI DHE GRUAJA, LIBËR KËSHILLASH PËR 

BASHKËJETESË FAMILJARE

Libër publistiko-shkencor për bashkëjetesën familjare

Marrëdhëniet dashurore para martesës si dhe jeta bashkëshortore në periudhat fillestare, sidomos, kur të rinjtë dhe të rejat i verbon dashuria,parafytyrohen dhe në përgjithësi janë të lumtura. Por më vonë, kur bashkëshortët fillojnë të ndeshen me vështirësitë e jetës së përditshme dhe ndodh një farë velje e njërit ndaj tjetrit, jo vetem nis të shfaqet një farë ftohje por ndonjëherë zhvillohet dhe një luftë, herë e butë dhe herë e rreptë, për mbijetesën e familjes, natyrisht pa i përjashtuar çastet e gëzuara dhe të lumtura.Me qenë se çdo familje përbëhet nga bashkëshortët, të cilët përveç seksit, dallohen dhe ndryshojnë njëri nga tjetri edhe prejardhja, lloji i edukimit familjar dhe shoqëror, veçoritë psikosomatike, formimi intelektual etj. Në mënyrë të pashmangshme, përpjekjet për konsolidimin e familjes ndeshen në mosmarrveshje, grindje, dhe zënie, që bashkëshoqërojnë jetën e tyre. Krahasimisht të lumtur duhen quajtur ata bashkëshortë, të cilët, pasi bëjnë përpjekjet e duhura për ta njohur njëri-tjetrin, mësohen t’i lëshojnë pe shokut ose shoqes së jetës, sidomos kur mosmarrëveshjet e vogla rrezikohen të bëhen të rënda, shpesh me pasoja të padëshirueshme dhe të hidhura për qetësinë dhe qendrueshmërinë e familjes.
Pikërisht ky libër i Flori Bruqit, me këshilla dhe shembuj që burojnë nga përvoja shumë shekullore e bashkëjetesës familjare, por dhe i ndërthurur me fjalë dhe porosi të mençura të shumë shkrimtarëve dhe shkencëtarëve  botërorë , dhe vendas në studime psikologjike dhe shoqërore serioze për këto probleme, synon që të shërbejë si udhëzues me vlerë për të zgjedhur mënyrat më të përshtatshme për të zbutur dhe kapërcyer mosmarrëveshjet bashkëshortore, që e helmojnë dhe e lëkundin familjen.
Libri shumë shpejt do të bëhet i dashur për lexuesit shqiptar…(Nga Recensioni).


Prof.dr.sc.Ermal Kristo, psikolog
Prof.Kastriot Ymeri, pedagog
Prof.Driton Shehu, pedagog special
Prof.dr.sc.Kaltrina Daka,sociologe

                                                                             Tiranë, 01.01.2000



BURRI DHE GRUAJ,LIBËR QË LEXOHET ME DASHURI 



PËR DASHURINË

Interesimi për të thelluar kërkimet në fushën e krijimtarisë, madje në fusha të ndryshme, autorin e librit “Burri dhe gruaja”, Flori Bruqi, i cili pos vëllimit poetik “Zjarri i diellit”(1995), ka botuar edhe romanet “Ndërgjegjja”(1995), “Ringjallja”(1996), “Gjarpërinjtë e pallatit”(1996), “Dorëzeza”(1997) dhe “Toka e djegur”(1998), e ka provokuar edhe njëra nga çështjet më komplekse, dashuria, ku janë shqyrtuar një sërë aspektesh që ndërlidhen më raportin ndërmjet njërëzve, përkatësisht sekseve.Është në të vërtetë një qasje specifike një problematike të pashterrshme, aq shumë të trajtuar pothuajse në të gjitha zhanret e gjinisë shkencore, letrare e publicistike.
Marrëdhëniet dashurore në periudha të ndryshme të jetës konceptohen në një spektër pak a shumë të gjerë që këshillat e shumta dhe shembuj përkatës që burojnë nga përvoja shumëshekullore e bashkëjetesës familjare dhe intime, gërshëtuar me mezazhe shkrimtarësh, shkencëtarësh e intelektualësh të botës e të vendit, të artikuluara nëpërmjet paraqitjeve të tyre publike, do të mund të shërbejmë për të mësuar anë të nduarnduarta të këtij realiteti për të kapërcyer situata të pakëndshme, por edhe për ta bërë jetën më të lumtur.
Libri “Burri dhe gruaja” është një botim i veçantë, që provokon gjithsesi me kompleksitetin e tij, me mendimet e çlira me sugjerimet konstruktive dhe artistike, që shpejt përvetësojnë lexuesin . Pa dyshim është një zhanër që do të lexohet me dashuri për dashurinë, shumë nga të fshehtat e jetës mbase do të mund t’i gjejnë ata që do ta kenë në duar këtë libër.

Botoi”Flomed”,Prishtinë, 2000
Sh.G


SFIDIMET PËR LIRINË 

Arian Blushi

NGPG”Rozafa”Shkodër 1998
NTP”Flomed”Prishtinë 1998


Romani “Tokë e djegur” bën fjalë për luftën në Kosovë, që bëjnë njerëzit e përvuajtur, njerëzit e robëruar, të etshëm për liri.Autori sjell atmosferën e kësaj lufte dhe të luftëtarëve të lirisë, të cilët nuk kursejnë as jetën për liri. Duhet të kihet parasysh se kjo prozë e Flori Bruqit e mban lexuesin të interesuar gjer në fund, meqë krijohet një atmosferë e lehtë, për një çast harron ankthin dhe pret se ç’po ndodh si në zonat e luftës, ashtu edhe në takimet në mes të Albanit dhe Doruntinës, në njërën anë, dhe Kapedan Malësorit dhe të Drenushës në anën tjetër.
Së fundi duhet thënë se ky është një roman që do të lexohet, kap emocione të luftëtarëve, të njerëzve të tjeshtë, të cilët qëndrojnë vigjilentë në luftën e pakompromis për gjënë më të shtrenjtë-Lirinë.

Shkodër, 10.VIII.1998                                      





PROZË E REALITETIT ARTISTIK

Shpend Ruci

Duke lexuar prozën e Flori Bruqit, të duket se sheh njerëzit në betejë, tat trima të lirisë, që nuk frikësohen nga vdekja. Kapedan Malësori, në frontin e luftës, bën një romancë me Drenushën, por çdo gjë është e matur, njerëzore. Linjën tjetër e përbën, për çfarë i jep mish dhe gjak romanit dashuria e Albanit dhe e Doruntinës, që aq janë të mishëruar mes vete, me luftën, sa që s’ka kush që i ndanë. Autori është i qartë, konkret, bën përshkrimin e ngjarjeve, individëve dhe jep tablo të gjalla nga lufta . Është një prozë e realizuar për këto momente mjaft të vështira për kosovarët…

Tiranë, 07.08.1998                        






TRAGJIKA E SERVILËVE TË NJË KOHE TË PERËNDUAR

Arlinda Meksi
Valdet Hoxha

“Pallati i Akeronit”botoi Shtëpia Botuese Butrinti – Tiranë, 2000

Romani “Pallati i Akeronit”, i shkrimtarit Flori Bruqi, është një zë i guximshëm mbi një periudhë të dhembshme, të mbrapshtë, por edhe të stërkequr, që e krijoi regjimi dhe kukudhët e tij.Ky shkrimtar ka prekur disa nga pikat më të qenësishme te veprimit të disa gazetarëve dhe të atyre politikanëve apo njerëzve të UDB-së.Por në këtë libër që ka edhe elemnte të një romani kriminalistik ku kapet një periudhë e rëndë e shqiptarëve, sidomos, të atyre që punonin për çështjen shqiptare që ishte shumë tragjike.Romani është i ndarë në kapituj, një ndarje kjo formale, porn ë epiqendër është narratori i gjithëdijshëm Uran Dugagjini,që përqendrohet kryesisht rreth veprimit të disa gazetarëve të pandërgjegjshëm, spiun të nëntoks së Beogardit, të zier me regjimin,duke përgjuar njerëzit që nuk i shkonin për shtati atij apo diqka ngjashëm me “kundërrevolucionarët”,të cilët ndiqeshin, largoheshin nga puna, dënoheshin gjer në likuidim fizik, siç ndodhi me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin e shumë të tjerë.Në roman shihet se ky shrimtar prek edhe çështje të tjera si ato të luftës , heroizmin e disa luftëtarëve e shumë çështje të tjera që për lexuesin do të jenë mjaft interesante.Alergjia e shkrimtarit është e ndjeshme,sepse atij i ndalohet botimi i shkrimeve, si i shumë kolegëve të tij, ndiqet si dhe nuk i lën vend në asnjë shtresë nga veprimi i kukudhëve.Është pra, Uran Dugagjini që njësohet me shkrimtarin, i cili perjeton gjarje të hidhura para dhe gjatë luftës dhe, ende e ndjen veten të “lënë në harresë”, ngase kukudhët janë vendosur në poste të ndryshme,sidomos në mjete të informimit dhe vazhdojnë t’u teket, por tani kuptohet, kinse në emër të “demokracisë”, të cilën deri dje e shkelën apo nuk guxonin ta përmendin.Janë mjaft rrënqethëse disa skena të ndjekjes së tyre që e bëjnë, me ndihmën e UDB-së, qoftë duke përgjuar veprimet e inteligjencisë, qoftë duke i denoncuar në mënyrë mafioze përmes “bajraktarëve” të Pallatit të Lavireve”, të atij të Kuq dhe në fund atij më famëkeqit të Akeronit. Në dhomat speciale, në ato labirinthe shkilej dinjiteti i intelektualit shqiptar, aty bëheshin plane pr ndjekje, denigrime dhe burgosje, e ç’është më e keqja ata shkonin aq larg sa edhe me ndihmën e kriminelëve edhe kryheshin aktet më barbare të krimit. Romani “Pallati i Akeronit” është një qortim publik ndaj atyre që deri dje vepronin me nofka e shifra veprojnë edhe sot; ishin pjesëmarrës të dhënies së informative UDB-së, i nënshkruanin me shifra dhe shumë nga ato përgaditeshin në dosjet speciale për ndjekje e gjyqësi. Autori ka qitur disa fakte, ndërsa është dashur t’i materializojë akoma më tepër, sidmos të dhënat nga dosjet, siç i quan ai “Sekret”. Së fundi duhet thënë se ky roman është sa artistic, aq edhe politik, për vetë faktin se prekë pika të ndieshme të shpirtvogëlsisë së individëve qyqarë, kukudhëve, të cilët të kanë vepruar dhe akoma nuk i vret ndërgjegja mbi veprimet verbuese të tyre në një kohë dhe regjim të caktuar. Rrëfimet e Uran Dukagjinit rikujtojnë një kohë të zymtë, që për shumicën e lexuesve janë të njohura, dhe u ndihmon atyre t’i ndiejnë e përjetojnë akoma më thellë, e ndoshta edhe me keqardhje.
Tiranë, qershor 2000                                      


VEPËR ME INTERES TË GJERË LETRAR
                       
Dr.Lumturie H. Haxhiaj

(Rreth opusit letrar të autorit Flori Bruqi)

Shkrimtari Flori Bruqi, nga Prishtina, që në periudhën e kaluar kishte bërë emër më tepër si gazetar dhe atë prej kronisti, iu rrek edhe fushës së letërsisë, duke botuar kështu poezi, tregime, novella, romane, dhe libra shkencor. Vepra  e tij kap një volum prej 10 librash “Zjarri i Diellit”(poezi,1995), “Ndërgjegjja”(roman, 1995), “Vrasësit e liridonëve”(roman, 1996), “Ringjallja”(roman, 1996), “Gjarpërinjtë e pallatit” (roman, 1996),”Dorezëza”(roman, 1997), “Tokë e djegur” (roman,1998), “Burri dhe gruaja” (libër-publicistiko-shkencor,2000), “Pallati i Akreonit”(roman,2000), “Vademecum DDD” (libër shkencor,2002).
Duke lexuar këto vepra, siç shprehet edhe kritika që e ka përcjellë botimin e tyre, shprehja e autorit është mjaft e lirshme, kemi të bëjmë me ngjarje të vërteta, të përjetuara, gjithmonë bazuar në realitetin objektiv, veçanërisht gjatë periudhave të ndryshme, që nga shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, e cila jepet në romanin “Ringjallja” e gjer te temat politike, që e kanë shtyer njeriun të demostrojë, të rebelohet dhe më në fund të bëjë sfidë kundër regjimit, spiunëve dhe kukudhëve të ndryshëm çfarë kanë vepruar në Kosovë dhe në shtetin amë Shqipëri (veprat:Ndërgjegjja,Gjarpërintë e pallatit, Pallati i Akreonit).

Vepër me motive të ndryshme

Romani “Ndërgjegjja”(1996) është më tepër një kronikë e sublimuar, thotë shkrimtari Rushit Ramabaja, dhe vazhdon:Ajo ka një gjuhë specifike të viteve të hidhura, kur Beogardi në sy të botës proklamonte ndryshe dhe mabnte nën okupim popullin shiptar, ndërsa këndej shtypte lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, në mënyrë më barbare.Ndërkaq, romansieri Mehmet Kajtazi për këtë roman shprehet se “disa gazetarë sevilë, të cilët të vërtetën e mbulonin me gënjeshtra, emrat e të cilëve diheshin-atëbotë,  mirëpo, autori Flori Bruqi nuk bie në ujëra të turbullta dhe nuk është hakmarrës”. Dy autorë, kritikë dhe mbase njëri botues apo redactor, kurse tjetri recensent për romanin “Gjarërinjtë e Pallatit” (1996) shprehen mjaft pozitivisht. Z.Nikolë Frangaj, nga Shkodra, shkruan kështu: “Autori për më tepër në këtë roman i bën një kritikë të hapur atyre gazetarëve qyqarë, që i përshtaten regjimit, shënon për më tepër aktet absurde të tyre, del përballë tyre dhe sfidon”. Ndërkaq, Prof. Arian Blushi, nga Tirana, thotë se “Ligji i fortë”, anathema dhe censura që u bëhet shkrimtarëve dhe njerëzve të penës nga regjimi komunsit është temë e romanit “Gjarpërinjtë e pallatit”, të Flori Bruqit”. “Uran Dukagjini, një intelektual i pavarur, një shkrimatar bie ndesh në regjimin komunist jugosllav dhe argatët e tij, i cili vrojton pjesën më të shëmtuar të një shteti të çoroditur”, shkruan Blushi.
Romani”Pallati i Ankreonit”(2000) është i ndarë në 18 kapituj të lidhur në mënyrë kontinuele me një mesazh të qartë, që të flakën dukuritë e shëmtuara, si thashëthemet,  përgojimet, klanet,sepse krijuesi duhet të merret vetëm me anën  letrare dhe figurative.Prof.Selim Krasniqi për këtë roman thotë:”Vetë titulli i romanit tregon se”Pallati” është i mbushur me mjaft kukudhë e cerberë të nëntokës, sepse vet Akeroni, sipas mitilogjisë greke, është emri i lumit dhe mbretërisë së nëntokës. Krahas persiatjeve të shumta të Uranit,autori me mjaft mjeshtri, e përshkruan luftën e UÇK-së në tërë Kosovën, si në Drenicë,Dukagjin,Llap,Shalë,shkruan për “Kosova-press”-in (2000), Prof.Krasniqi. “Romani që ka zgjuar interesin më së shumti të lexuesit është pa dyshim romani “Vrasësit e liridonëve”(1996),roman ky që pas botimit të tij në Prishtinë,u ribotua edhe në Tiranë e Nju-Jork.
Autori Bruqi, që e shkroi një roman të tillë,në radhë të parë shpreh jo vetëm talentin e tij,por edhe guximin,që t’u rreket temave të tilla”…shkroi në “Fjala e jonë” shkrimtari Bedri Halimi. Romani”Vrasësit e liridonëve” është një lloj apologjie kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës , si dhe disa patriotëve të tjerë si Enver Hadri e ndonjë tjetri.Vetë tema e romanit”Vrasësit e liridonëve” thotë shkrimtari dhe shkencëtari dr.Shyqri Galica(“Zëri i Kosovës”,1996) është sugjestive, e kapshme për lexuesin.Aktet barbare mbi popullin shqiptar nga regjimi serbian nuk pushonin, u desh të ngihet një gjeneratë e re intelektualësh, mërgimtarësh që të sfidonin mbi këtë katrahurë të së keqës.Kush tjetër pos një Jusufi,Bardhoshi,Kadriu dhe Enveri, si dhe shumë të tjerë.

Vrasësit e Liridonëve apo synimet baladeske

Autori Flori Bruqi,thotë shkrimtari Gani Xhafolli,(“Fjala e jonë”,1996) nuk kufizohet shumë vetëm në jetën e tyre,por bën  një paralelizëm midis të keqes,barbararisë dhe aktit të vetëflijimit,një synim ky baladesk, plot guxim , një ndjenjë e mosnënshtrimit çfarë është veprimi i vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës,Enver Hadrit e shumë e shumë të tjerëve, të cilët i vrau UDB-ja. “Romani “Vrasësit e liridonëve” është një roman më tepër politik dhe pikërisht trajton një peridhë shumë të ndieshme,shumë tragjike,atë të viteve 80-ta , kur regjimi i Beogradit shtypte demonstruesit shqipëtarë, i ndiqte, i burgoste dhe i vriste më në fund.Për të shtruar duke zgjedhur një temë të tillë, autorit Flori Bruqi, iu ka dashur të njohë më mirë shpirtin revolucionar të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës,natyrisht,nëse nuk ia ka arritur gjer në pikën më të ndieshme,mjafton që i ka hyrë kësaj teme dhe mendoj se është vepra e parë që iu kushtohet këtyre patriotëve të lëvizjes kombëtare”,shkroi për këtë roman (“Rilindja”,1996) poeti Esat Loshi.



LIBRI “VADEMECUM DDD”,I AUTORIT FLORI BRUQI,I 

VEÇANTË NË FUSHËN PROFESIONALE

Mr.Ajshe Qorraj

Autori i tetë veprave letrare dhe i dy veprave shkencore, Flori Bruqi,nga Isniqi i Deçanit, këto ditë, doli para lexuesve me librin më të ri shkencor me titull: “Vademecum ddd”. Siç thotë autori në parathënien e librit “Vademecum ddd”, në dekadën e fundit në Kosovë janë regjistruar afro 200 epidemi lokale dhe masive, si dhe rreth 250.000 të sëmurë, nga të cilët më së 1400 kanë vdekur.Problem në vete në Kosovë, sipas këtij autori, paraqesin sëmundje ngjitëse transmisive, të cilat barten nëpërmjet artropodeve dhe ato që përhapen nëpërmjet brejëseve.Zhvilimi në lëmine e preparative DDD(dezinfekruese,deratizuese dhe dezinsektuese) është veçanërisht dinamike në 10 vjeçarin e fundit dhe përcjellja e risive në drejtimin e DDD-së është imperative i kohës,ngase pothuaj kemi një situatë alarmante epidemiologjike, sëmundjët ngjitëse në Kosovë dhe më gjerë në rajon këta 3 vjetëve te fundit.Sëmundjet ngjitëse të traktit digjestiv, sipas këtij autori, janë zbuluar më kohë në Kosovë,ngase afro 40 për qind e popullatës furnizohet me ujë të pijshëm nga ujësjellësit rajonalë, ndërsa 60 për qind e popullatës së vendit tonë pi ujë jo aq të sigurt. Doracaku udhëzues i F.Bruqit “Vademecum DDD” mbërthen 61 preparate më të njohurat në botë, që përdoren sot në rruzullin tokësor duke i prekur deri në detaje nohuritë e autorit në punën e tij afro 20 vjet,për ta përpiluar një libër të tillë të patjetërsueshëm-profilaktik dhe kundërepidemik, që u dedikohet mjekëve, stomatologëve, veterinarëve,teknologëve të industrisë ushqimore, agronomeve, hotelierëve,si dhe profesioneve te tjera, ku përdoren me të madhe këto preparate të DDD-së, që shërbejnë si ndihmë në procesin parandalues të shumë sëmundjeve ngjitëse, për mbrotjen e higjenës personale asaj kolektive, higjenës së objekteve (spitaleve, shkollave, foshnjoreve, hoteleve, kazermave ushtarako-policore etj.) për zhdukjen , shkatërrimin permanent të viruseve, bakterieve, parazitëve, brejtësve e qenieve të tjera të gjalla, të cilat e dëmtojnë mjedisin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi. Siç thonë edhe shkencëtarët botërorë të kësaj  lëmie, si dr.Gert Schonberger-redaktor konsultat i këtij libri nja Vjena, si dhe ing.Rozha Ladislav, recensent- kordinator, “Vademecum DDD”, i Flori Bruqit, nga Prishtina, është i shkruar në mënyrë profesionale, më një  gjuhë të rrjedhshme (versioni anglisht dhe shqip) dhe i kuptueshëm jo vetëm për ekspertët e këtij lëmi, por edhe për zbatuesit e këtyre masave”…

Prishtinë,20.05.2002




PROZË E NJË KOHE TRAGJIKE

Bedri Halimi

Sa herë që vjen janari më vete sjell edhe 17 janarin e vitit 1468, ditën e vdekjes fizike të Skënderbeut. Por ky janar, që sapo shkoi, si në koincidencë solli edhe 17 janarin e vitit 1982, ditën e vrasjes së tre martirëve të Kosoves:Jusuf Gërvallës,Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës. Dhe jo vetëm kaq! Janari pra është përplot kujtesa e data të hidhura. Janari është përplot flakë! Prandaj, çdo janar, kudo në Kosovë, sjell me vet FLAKËN E JANARIT, ku pothuaj nuk ka vend që ndonjë forum, institucion e asosiacion që nuk organizon diçka rreth përkujtimit të shembëlltyrave të historisë sonë më të re. Janari është akuzë, është mesazh për “zgjimin e ndërgjegjes së ndryshkur”-si do të thotë shkrimtari i shekullit tonë Ismail Kadare. Kësiosoi më 15 janar të këtij viti, Forumi i krijuesve të artit, organizoi në Prishtinë, promovimin e romanit më të ri të Flori Bruqit “VRASËSIT E LIRIDONËVE”.Po të mos ishte shkruar për “Vrasësit e Liridonëve”, Zjarri i diellit do ta vriste Ndërgjegjen-kështu e hapi aktin promovues të këtij libri, folësi dhe gazetari i BBC-së, Besim Abazi, duke bërë shetitje sintetizmi nëpër titujt e tri veprave të Flori Bruqit. Në këtë promovim merrnin pjesë shkrimtarë, artistë të teatrit, këngëtarë, por edhe veprimtarë, miq e të afërm të shkrimtarit, si dhe shokë e bashkëluftëtarë të kryepersonazhit të romanit- Jusuf Gërvallës. “Kush dëgjon vetëm, një këmbanë, dëgjon vetëm një zë”.- Kështu e nisi fjalën e tij, redaktori i këtij romani, shkrimtari Mehmet Kajtazi, duke iu referuar kësaj thënie të Frang Bardhit e thënë këtu e para 30 vjetësh. Me këtë ai ndërlidhi këtë mendim me të sotmën se as sot, pra as nesër nuk është koha të dëgjohet vetëm një zë. Tematika e romanit nuk është imagjinuar, siç bëjnë disa prozatorë, është reale, por edhe brenda reales e fsheh emrin e vërtetë të personazhit kryesor të romanit. Fshehja e këtij emri nuk e lëndon romanin. Përkundrazi i jep forcë, ngase edhe akademiku, edhe bujku, e njëkohësisht edhe kritiku letrar që vraponë pas hijeve dhe ngjarjet përeth nesh i merr si vogëlsira, do ta kuptojë se personazhi kryesor është poeti dhe romansieri, Orfeu me kitarë, që u vra pikërisht më 17 janar 1982 nga dora e cerebrëtve të kuq komunistët jogusllavë.
Nëse jeta në përgjithësi ka kuptim,atëherë edhe kuptimi e ka rrjedhën e vet të kuptueshme kur ka durim.Ky mendim i Viktor Franklit qysh më 1962 është përkthyer në 25 gjuhë të botës, e Kosova mesazhin e durimit e ka edhe para 1962. E kur durimi shndërrohet në dëshirë për jetë,atëherë liria ec drejtë tij me hapa miklues.Hapat e tillë duhet të lëvizin edhe drejtë Flori Bruqit për ta frymëzuar prapë për ndonjë roman të ri, port ë suksesshëm si ky me simbole,krahasime dhe plot figura të tjera që e pasuruan gjuhën e veprës-theksoi Mehmet Kajtazi.
Shkrimtari Rushit Ramabaja, shok i ngusht i Jusuf Gërvallës, pos të tjerash theksoi se periudha e fundit, njëra ndër më të përgjakshmet që filloi pikërisht para 15 vjetësh, siç ndodh me të gjitha stinët e stuhishme e të historisë, nxjerr edhe personalitetet e veta . Ata prijnë si zgalemi dhe zbresin në rrënjën e pavdekësisë sonë, që pastaj të jëtojnë përgjithmonë në kujtime, duke u bërë kështu bartës të përhershëm e të pagjumë të të gjitha kohëve që do të zbardhin duke marrë pjesë tok me në në të gjitha gazet, festat e hidhërimit, në të gjitha përleshjet,gulmet e ngadhnjimit. Ata përherë  zënë vend pranë nesh në tryezat e të kremtave, gjithnjë na ndihmojnë t’i pakësojmë barrët e hidhërimeve,gjithnjë na ndijmojnë të rrëmojmë terrin e historisë që të mësojmë nga pësimet e saj.Dhe ata krejt natyrshëm, siç zbret dielli në një mëngjes magjik në prozhmë, zbresin në vjershën tonë, në tregimin tonë, në romanin tonë, në notën shkundulluese të operës, në hijedritën e pikturës.I tillë ishtë ndër të tjerë edhe Jusuf Gërvalla që u bë frymëzim dhe kryepersonazh edhe i romanit të Flori Bruqit.Në raste të tilla, përpara krijuesve shtrohet përgjegjësi e dyfishtë, të shqiptohet deri në shterim heroikja dhe e bukura, pra që arti të ushqeje heroiken, dhe heroikja artin për të krijuar vepren monumentale, që sadopak t’i shëmbëllejë heroit, i cili me këtë rast, pothuajse me të njëjtin shpirt të shenjtë e kendoj baladën e jetës sonë.E shkroi atë, e pikturoi, për t’u martirizuar më në fund në të gjitha ngapak dhe për t’u bërë përmendore e përjetshme e të gjithave.Më pastaj, autori i këtij shkrimi theksoi se “Militantët e çështjes kombëtare dhe përpjekjet e tyre për liri vazhdimisht i kanë provokuar krijuesit e fushave të ndryshme të artit.Në këtë drejtim edhe Flori Bruqi, ka gërshetuar metodën e përjetimit shpirtëror dhe atë filozofik, dukë dhënë një realitet të çmuar në bazë historike, për fatin e kryepersonazhit, fati i të cilit dje ishte anatemë për t’u shëndërruar në simbol të rezistencës praktike.Vetë rrëfimi i veprës, qasja ndaj subjektit dhe në tërësi personazheve, duke i ikur dialogut intensive, krijon një dramatizëm dhe atmosferë të problemit të kohës së re, të cilën e merr në shqyrtim autori.Gjuha e figurshme, lirizmi dhe komponentët e tjerë që e përbëjnë strukturën e veprës, shquhen me natyrshmërinë psikologjike të personazheve me mendime të thelluara rreth fatit ekzistencial të kolektivitetit, duke t’i kujtuar kështu edhe ngjarjet aktuale…
Në këtë promovim sa krenar aq shqetësues fjalën e mori poeti Esat Loshaj.Romanin “Vrasësit e Liridonëve” e cilësoi si një simbolikë të stojcizmit tonë në rrjedh të shekujve, që me gjithë pësimet dhe humbjet, një ditë do të kurorëzohet me sendërtim idealësh të liridonëve.Autori në këtë vepër gjakon jo vetëm të portretizojë tragjikën dhe rrugën e përndjekur të robërise kombëtare, që është mbizotëruese në këtë vepër, por këtë gjendje e gërsheton me të kaluarën e lavdishme…Portretimi i këtij dëshmori është emocionalisht i thellë dhe moralidht i drejtë.Ana impresive a autorit del në përpjestim të harmonizuar në anën ekspresive të tij.
Poeti Jakup Ceraja për këtë roman tha: “Romani ka një zhvillim tekstor gati spontan,ku terësia del si një poemë liriko-epike.Romani ndjek deri në fund dy vijat kryesore Alban dhe Liridon (vija positive) dhe Sundimtari i Kuq (dykuptimësi) e Vidiç (vija negative). Romani shquhet edhe për mendime origjinale dhe shprehje të reja. Prandaj, ky roman mbi të gjitha është akuzë e rëndë, jo vetëm kundër vrasësve kriminelë, që s’arsyetohen me asgjë, por edhe kundër atyre që mbajtën dhe ushqyen këta vrasës të dyfishtë (të personit të lirisë)”.
Shkrimtari, Gani Xhafolli, i impresionuar, këtë roman e cilësoi si një faturë të ligjërimit dokumentar.Ethet e ndjekjeve të një tragjike, dhe të një shqetësimi krijojnë një tensin të lartë, që shpeshherë këputën siguriesat e një loje dramatike.Montazhi i baladës për vdekjen e Jusuf Gërvallës, romanit i jep një dimension të ri të ligjërimit modernë.E përditshmja dhe imagjinarja krijoi një harmoni universale të modelimit.Shqetësimi si nocion merrr formën e një figure të thellë...duke i dhënë kësaj proze një dimension teatral…
-Ka vdekur- tha ai.
-Ndoshta jo.
Të gjitha personazhet jepen në evolucion dialektit…Karakteret zbulohen përmes veprimit dhe dialogjeve…
-Të thash njëherë, kanë vdekur që të tre.
-Ç’po thua rrezikzi,-thirri i panjohuri.
Edhe pse romani ka konflikte dramatike, herë-herë nuk mungojnë as episodet komike as ironike, që krijojnë variacione në stil, përmes të cilave autori fillon sistemin e ligjërimit.Romani mbyllet: “Kush e vrau Liridonin?”- tha ai prapë, ndonëse asgjë  nuk kishte mbetur enigmatike.Figurat e djellta lëvizin drejt derës, dielli ngjitej lart.Me sa duket, ky është romani i parë i një autori që për personazh kryesor e merr njërin ndër fatosat e kombit, të kohës së re, prandaj do të ishte mirë që edhe krijuesit e tjerë të merrnin tema të tilla në shqyrtim.
12.01.1996





NË TIRANË, RIBOTOHET ROMANI“VRASËSIT E 

LIRIDONËVE”

Prof.Shyqri Galica  

Pas vëllimit poetik me titull “Zjarri i Diellit” dhe romanit “Ndërgjegjja” që i botoi vjet në Prishtinë, Flori Bruqi nxorri edhe një vepër tjetër, romanin “Vrasësit e Liridonëve”, që u botua kohë më parë në Prishtinë. Ky roman do të ribotohet së shpejti edhe në Tiranë.
Tema e romanit “Vrasësit e Liridonëve” është interesante: aktet barbare të pushtuesve për t’i likuiduar martirët e ditëve tona, vëllezërit Jusuf dhe Bradhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin, etj.Aludimi në figurat të caktuara dhe shqetësimi që krijojnë vrasjet tmerruese krijojnë një atmosferë të tendosur që është faktikisht një përshkrim i gjendjes së sotme nën pushtuesin serb.
Një formë herë e çlirët e rrëfimit e herë-hërë më një organizim të dialogut krijon bagazhin e mundimshëm të ambientit nën pushtim .Asociacionet që zgjojnë dialogjet, toni që u jep proceseve jetësore nëpër situata të veçanta dhe rrethanat e krijuara e zgjojnë kërshërinë e lexuesit.Pa dyshim se tema është provokuese dhe jep mundësi konstruktimi artistik të situatave që e bëjnë për vete lexuesin.

13.03.1996
                                                                      



U PROMOVUA LIBRI “GUXIM SHQIPTAR” I AUTORIT 


FORI BRUQI

Të shtunën, në Prishtinë, është promovuar libri, i autorit Flori Bruqi, ”Guxim shqiptar”, i cili nga recensuesit u cilësua si një libër madhor historik që sjellë material me interes të veçantë.
Recensuesi i librit “Guxim Shqiptar”, profesor akademik Namik Shehu, i cili kishte ardhur enkas nga Shtetet e Bashkuara për këtë promovim libri, tha me këtë rast se këtë libër do ta konsiderojë si një libër madhor historik, i cili me përmbajtjen e saj sjellë historinë dhe gjithë ngjarjen deri në ditët e sotme, duke dhënë një informacion të gjatë, që sjellë interes të veçantë për secilin lexues, e në veçanti për ata që nuk e njohin mirë Kosovën.
“Unë e kam konsideruar Flori Bruqin intelektual të shquar, shkrimtar, shkencëtar dhe me këto epitete unë kam përshkruar gjithë recensionin e librit tim me dashuri. Libri është një libër madhor, është një meritë e veçantë e autorit, është nder i Kosovës dhe i gjithë Shqipërisë për këtë vepër që ka bërë Flori Bruqi,” tha Shehu.
Ai e cilësoi librin si një vepër të ndritur, e cila sjellë në përmbajtjet e saj plot ngjarje që më të vërtetë të tronditin në disa aspekte.
Ndërsa, recensuesi tjetër i librit, Abdullah Konushevci, autorin e librit e cilësoi si njeri të devotshëm dhe i aftë për kryerjen e detyrës. Kurse, librin “Guxim Shqiptar”, ai e cilësoi si një libër me të cilin lexuesi mund të njihet me tema të ndryshme, me luftërat, artikulli për Ramushin, antropologjia e racës së shqiptarëve, kapituj politik, kapitujt që i kushtohen Gjuhës dhe Letërsisë, trajtimi i temave nga për trevat shqiptare, si dhe një varg temash nga Letërsia botërore.
Libri “Guxim Shqiptar”, i autorit Flori Bruqi është libri i 25 me radhë i veprimtarisë së tij botuese./A.Ademi/

Prishtinë, 17 maj 2008 (Kosovapress)



SFIDA SHKENCORE TË NJË LIBRI TË GUXIMSHËM...

Akademik, Prof.Dr. Namik M. Shehu,
Sekretari shkencor i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, Nju-Jork 

Libri a përmbledhja e studimeve “Guxim shqiptar“, e intelektualit, studiuesit dhe shkencëtarit Flori Bruqi, konceptohet si një punim kompleks historiko-letraro-shkencor me vlera, përmasa dhe hapësira shumëdimensionale, të përfshira në tetë kapituj, me 45 tematika, dhe me 382 faqe; me materiale mjaft të zgjedhura dhe me interes, të studiuara dhe të përpunuara me kujdes të veçantë dhe të shkruara me vërtetësi reale, historike dhe kombëtare; në të cilën përmblidhet një game e gjerë dhe mjaft e larmishme e shumë fushave të jetës të së kaluarës dhe të së përditshmes, që kërkohen dhe janë të nevojshme të njihen, të mësohen dhe të përvetësohen nga gjithësecili,për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të tyre në punë dhe në veprimtari.
Titulli i librit “Guxim shqiptar” përbën në vetvete një vlerësim special dhe një gjetje shumë të goditur të autorit, shprehur në mënyrë simbolike, që i lejon çdo patrioti shqiptar, me ndjenjë atdhedashurie, të zgjojë dhe të ringjallë tek ai: kombin (etnik) shqiptar, popullin e lashtë pellazgjiko-Iliro-shqiptar,legjendat e kahershme martire edhe të Mujës dhe Halilit, traditat zakonore, besën shqiptare, trimëritë heroike, të koduara në kanune dhe të trashëguara brez pas brezi si të shenjta dhe të paprekshme, duke u bërë simbol i vëllazërimit ballkanik, si është treguar gjatë historisë shekullore dhe të propoganduar nga të huajt.
Konsiderata më e veçantë e librit duhet të jetë përfundimi që do të nxjerrë lexuesi nga leximi i librit, i cili mendoj dhe konkludoj se do të përmblidhet në qëllimin që i ka përkushtuar vetes autori: në kontributin, mbështetjen dhe dashurinë që manifeston ai për Mëmëdheun, duke Ju përkushtuar në gjithçka dhe për çdo gjë, që qartazi shprehet dhe duket gati në çdo artikull që lexohet në libër, ku ndihet dhe konceptohet patriotizmi, ndjenja atdhetare, emri ilir, epirotas, arbëresh, shqiptar, që kudo e ndesh. Shkurt, nënkuptohet boshti ideor atdhetar, i pushtuar me brezin e kuq shqiptar mbarëkombëtar.
Ndërsa, vlera e vetë autorit Flori Bruqi duhet çmuar dhe admiruar me korrektësi dhe me modesti, përpara këtij punimi vëllimor, me tematikë të shumëllojshme, të profileve të ndryshme dhe me materiale të bollshme dhe me vështirësi interpretuese; të cilat janë paraqitur me mjeshtëri, me një mori njohjesh teknike, profesionale dhe artistike, të cilat i kanë dashur autorit kohë, mund, sakrifica dhe mjaft durim për t’i përballuar dhe për të arritur suksesin e merituar. Ato duhet ta gjejnë shpjegimin e vet të vlerësimit në përgatitjen e tij të lart profesionale, në njohjen mjaft të mirë të gjuhës shqipe, të pastërtisë dhe rrjedhshmërisë së saj, si dhe të shumë gjuhëve të huaja, të profesionit të vet; të vullnetit dhe durimit të një intelektuali të aftë, mjaft aktive dhe konsekuent për t’ia arritur qëllimit. Bindje për këtë mund të formosh nëse u referohesh punimeve dhe veprimtarisë letrare, artistike dhe shkencore që ka realizuar dhe kryer autori, në një kohë të shkurtër, ku brenda 11 vjetëve ka shkruar 24 vepra madhore të gjinive të ndryshme si dhe mjaft shkrime shkencore, që e kanë detyruar të bëjë “haram“ edhe gjumin.
Zbërthimi analitik që mund dhe duhet t’i bëhet librit “Guxim shqiptar”është shpërblimi më adekuat, më i pranueshëm dhe më i zakonshëm që kërkon dhe që duhet t’i jepet me të drejtë autorit, siç e meriton, me gjithë vështirësitë objective dhe subjektive që hasen. Në kapitullin e parë mbi “Lashtësinë e historisë“ autori ka meritë se ka ditur të zgjedhë dhe të na përfaqësojë historinë tone në periudha kohe të ndryshme, duke përfshirë tërë territorin iliro-arbëror me tema të denja, historikisht dinjitoze, me mburrje kombëtare dhe me të kaluar heroike.
Shkrimi “Pirrua i Epirit”, kontibut i z. Sitky Jahjaj, i qëmtuar me vërtetësi nga autori Bruqi, është mjaft i qëlluar në këtë libër; se na njeh me sundimtarin më të shquar të Epirit, pasardhës i Akilit, i biri i Aiakidit dhe përfaqësues i denjë iliro-epirot dhe strateg i zoti, që diti të fitonte mbretërinë e humbur më 296 p.e.s. dhe që epirotët për trimërinë e tij e thërritnin ‘shqiponjë’dhe ushtarët ai i quante ‘bij të shqipes’, duke krijuar më pas traditën shqiptare. Pirrua e rriti autoritetin e tij dhe të epirotasve, pellazgjiko-ilir me aftësi, trimëri dhe zgjuarsi, sa maqedonasit e shëmbëllyen me Aleksandrin e Madh dhe e ftuan për ta udhëhequr.
Pirrua ëndërronte perandori në perëndim. Ai i shkoi në ndihmë Tarantos kundër romakëve, që vërtet fitoi, por në histori ka hyrë me shprehjen “ fitore si e Pirros “. Ai, në Sicili, më 278 p.e.s. mundi kartagjenasit; por karriera e tij aq e lavdishme u shemb në muret e Argosit nga goditja e një gruaje.
Artikulli “ Beteja e Kosovës 1389 dhe kontributi i shqiptarëve “është një meritë tjetër e autorit, sepse evidencon rëndësinë e betejës së Kosovës si bashkim-unitet i ballkanasve kundër Perandorisë Osmane, si vendi i betejës së Fushë-Kosovës, të pjesëmarrjes së popullsisë masive të krahinës së Kosovës dhe vlerëson Milosh Kopiliqin si trim kosovar, i quajtur edhe princ arbëror, që Car Llazari, mbreti i Serbisë dhe komandanti i betejës së Kosovës, pranoi të zhvillonte një bisedë “kokë më kokë” me të si një komandant ushtrie, me historinë e një trimi që vrau sulltan Muratin II dhe ra si dëshmor, kurse popullsia kosovare e përjetësoi në këngë dhe e ktheu në legjendë të vërtetën e tij.
Në këtë betejë të koalicionit ballkanik, autori ka meritë se e pështjellon ngjarjen me korrektësi. Fakton bashkëpunimin e dhëndurëve të Car Llazarit, Gjergj Ballshajt dhe Vuk Brankoviçit me takimin e tij në 1388 për koalicion, se përmend luftëtarët e shquar shqiptarë, si: Gjergj Ballshaj, Theodhor II Muzakaj i Beratit, i cili u vra në betejë, për të cilët flasin edhe kronikat turke; se Beteja e Kosovës u mbështet nga një koalicion i gjerë, ku morën pjesë serbët, Vuk Brankoviç që drejtonte popullatën e Kosovës, shqiptarët dhe boshnjakët, duke iu kundërvënë historiografisë falsifikuese serbe, që mohon forcat e koalicionit,injoron historinë, ul vlerën e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe të boshnjakëve dhe akoma më keq, Milosh Kopiliqin e bëjnë serb dhe i shtrembërojnë mbiemrin. Këto konfirmohen nga vetë serbët, që u “zgjuan” vonë për ta njohur, besuar dhe për ta propaganduar betejën e Kosovës si mit në favor të tyre, kur etnologu Vuk Karaxhiç u kujtua dhe mblodhi disa rapsodi nga një i verbër rreth betejës së Kosovës, që më pas i besuan dhe ata vetë. Çudia vazhdoi edhe në ditët tona, shpjegon autori, kur Slobodan Millosheviç, për interesat e veta, të forcimit të pushtetit politik dhe moral, mitin e betejës së Kosovës e ktheu në thirrje për unitet, ku gjente edhe shkakun e humbjes së betejes dhe për jehonë organizoi 600-vjetorin e saj me pretekst për të rindërtuar apo dëbuar shqiptarët dhe për të luftuar kundër pavarësisë së Kosovës me terma të irredentizmit islamik, të terrorizmit, apo krimit të organizuar, të fabrikuar po nga ata vetë.
Mbrojta e Plavës dhe e Gucisë e viteve 1879-1880 është një dukuri tjetër e autorit, që dëshmon për atdhetarizëm, duke dokumentuar heroizmin dhe patriotizmin e pashoq të krahinë së Plavës dhe të Gucisë, të heroit të krahinës, Ali Pash Gucisë me shokë,të Kosovës , të Lidhjes së Prizërenit, të gjithë Shqipërisë, në mbrojtje të së drejtës dhe të tokave shqiptare, me vendosmëri,me luftë të pandërprerë, me gjakderdhje të pashoqe dhe me diplomaci kundër malazezëve, që sulmuan dy here në mënyrë të organizuar dhe me egërsi për të pushtuar Plavën dhe Gucinë në dhjetor 1879 dhe në janar 1880, por u sprapsën me trimëri, me guxim nga forcat e organizuara shqiptare, edhe pse u përdor dredhia dhe përkrahja e Fuqive të Mëdha. Evropa e kuptoj më në fund se vendi atje ka zot shqiptarët.

Dëshmitë dhe faktet angleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe Gucisë të viteve 1879-1880 të përmbledhura në librin e studiuesit Idris Lamaj botuar në Nju-Jork në 1999; konfirmojnë pa ekuivokë shkrimin e autorit Bruqi.

Në vazhdim përmendim artikullin” Skënderbeu dhe rëndësia e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën “që autori me të drejtë e paraqet si një aspekt të rëndësishëm dhe tepër të veçantë të epokës luftarake të Gjergj Kastriotit, që historiografia dhe Sesioni Shkencor i Akademisë tonë, kushtuar 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut e kishin mënjanuar atë, duke e kthyer në legjendë strategjinë dhe betejat e tij luftarake, të cilat mbeten si të fundit .Ky shkrim shfaq interes dhe ka vlerë se për herë të parë evidentohet një koncept i ri, një ekspozim i një faze përgatitore dhe një moment vendimtar që duhet t’i jepet rëndësi në arritjen e suksesit të fitores së betejave, të vlerësuara me të drejtë edhe nga vetë Skënderbeu, që del më se qartas në artikull. Sekreti i Gjergj Kastrioti –Skënderbeut, që i rezistoi Perandorisë Osman dhe fitoi, i dedikohet jo vetëm se ishte vërtet i zoti si strateg, por më tepër se ai iu kushtua dhe kuptoi rëndësinë e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën, duke u mbështetur nga suita e tij jofisnike, përbërë nga klerikë, e nga grupi i tij laik, që kryenin punën e diplomacisë, të legatave në qytetet e Italisë, të tregtisë, të lidhjes e bashkëpunimit me shtetet fqinje të Evropës Juglindore dhe Perëndimore nga ku siguronte paranë, armatimet, pagesën e mirë të ushtarëve,bazën financiare dhe organizimin. Në këtë shkrim del se si strategji të tij, Skënderbeu kishte Rodonin si kështjellën kryesore dhe se Lezha për të ishte udhë-lidhëse midis detit dhe malësisë .
Shkrim tjetër kurioz, origjinal dhe me interes mbetet “Napoleon Bonaparti dhe shqiptarët”, ku autori jep informacione, njoftime historiko-premtuese mbi origjinën autentike edhe të mbiemrit të Napoleonit, perandorit të Francës .Studimet e autorit hapin fushë veprimi, sjellin burime të besueshme, mendime dhe citime optimiste të mjaft autorëve autoritarë të huaj, që na konfirmojnë bindjen dhe konsideratën që kanë të huajt të pranojnë se heronjtë e tyre kanë origjinë shqiptare dhe që meritojnë përgëzime. Shkrimi sjell citimin e R. Anzhelit, qëi kujtonte botës se Napoleoni është po aq shqiptar sa edhe Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, ku folklori popullor e ka rrënjosur në këngë: Ti shqipe ishe e Aleksandrit , zaptove botën dhe vajte deri në Indi. Me Pirron vojte kundra romakëve me Skënderbeun pëmbi osmanllinj. Na kujton dëshminë e Xhozefinës për prejardhjen nga Mali i Peloponezit të Napoleonit, thënien e vëllait të Napoleonit se kemi orgjinë arbëreshe, afrimi i Napoleonit me Ali pashë Tepelenën, dënimi nga ana e Napoleonit e gjeneralit të tij, që i theu në besë shqiptarët, si dhe supozimet se a dinte shqip Napoleoni, a i njihte zakonet shqiptare, na mbushin me krenari të ligjshme se trualli iliro-shqiptar ka rritur brezni trimash dhe burra të mëdhenj shteti, duke sjellë plot shembuj edhe nga historia.

Kapitulli i Dytë: Për Ramushin

I.
“ Dora e Zezë e serbëve vret çlirimtarët e Kosovës”
( Intervistë me Z. Adem Demaçi ).

Intervista me z. A. Demaçin duket mjaft serioze, e bërë në kohë të përshtatshme, me përmbajtje shumë dinjitoze dhe përbën një thirrje për drejtësi, për patriotizëm dhe dinjitet njerëzor. Përgjigjet janë parimore, mendimet janë të çiltra, realiste, burrërore, objektive dhe pa dorashka.

II. “Hero në luftë, hero në paqe – Ramush Haradinaj

”Titullin e shkrimit e konsideroj mjaft të përshtatshëm, emrin shumë të merituar, ndërsa përshkrimi mendoj se duhet të ishte më heroik, siç është, siç njihet dhe siç kërkohet të dihet për situatën dhe jo thjesht biografik. Akademia jonë në vitin 2005 ka reaguar me një letër ndaj Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë në mbrojtje të Ramush Haradinajt me këtë tekst: Krimineli dhe viktima nuk mund të ulen në një bankë gjykimi.

III. Ramushi – viktim e situatës (neo ) koloniale

Shkrimi mendoj se është një portretizim i denjë i figurës së Ramushit, ku përshkruhen kontributi dhe meritat e tij të padiskutueshme, puna dhe veprimtaria e tij prej një aktivisti, luftëtari dhe udhëheqësi trim dhe patriot. Atë e karakterizon burrëria e pashoq, guximi, zgjuarsia dhe drejtësia, për të përballuar padrejtësitë dhe akuzat e sajuara. Sugjeroj që figurës së Ramush Haradinit t’i jepet një vend më i merituar, më patriotik dhe më dinjitoz siç e meriton dhe e do situata.

Kapitulli i tretë: Antropologjia .

“Jakov Milaj dhe raca shqiptare”.

Shkrimi është një kontribut i spikatur i autorit, që çmon librin “Raca Shqiptare” si një vepër dinjitoze, që nxjerr në pah për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë, veçoritë antropologjike të shqiptarëve, duke i vlerësuar jo vetëm si një komb i kulturuar, por e përcakton me një prejardhje gjenetike sui generis, duke e veçuar si një racë që vërteton origjinën dhe identitetin shqiptar.
Ai na e kujton racën shqiptare, për ta besuar vetveten shqiptari, për ta njohur atë, se populli i Arbrit ka një origjinë të vetme, të përbashkët dhe autentike, në të gjithë vendin ku banon, pa pasur ndryshime esenciale ndaj përkatësisë fetare, krahinore, toskë apo gegë; por ka nevojë për një politikë shoqërore, që të mbrojë figurën fizike të racës shqiptare.
Autori argumenton qartë dhe me fakte bindëse se vepra e Jakovit zë një vend të merituar në literaturën antropologjike shqiptare, se evidenton dukshëm cilësitë fizike, pasqyron filozofinë, shkencën dhe terminologjinë e kohës së vet dhe merr shumë informacione të vyera, ku njihet me tipat fizikë në evolucionin e tyre, që e përcaktojnë shqiptarinë si race të veçantë. Flori Bruqi u kundërvihet me të drejtë, me argumente dhe fakte bindëse disa “studiuesve modernë”, që duan t’i errësojnë vlerat e punimit shkencor të Jakov Milajt.

Kapitulli i Katërt. Politika

Arvanitasit, Çamëria , Epiri i Veriut dhe gjendja sot

Shkrimi evidenton me mjeshtëri, me hollësira, me dokumente dhe me fakte historike: 1.Djallëzitë e qarqeve greke ndaj popullit arvanitas, që i dha pavarësinë popullit grek, ku mbi 90 % e tyre me heronjtë legjendarë, si: Xhavellon, Boçarin, Bubulina etj.; u bënë therorënë luftë.
2. Gjenocidin e egër të shovinistëve grekë me Venizellon në krye ndaj popullit çam autokton, parahelenik në token e tyre, të cilët i shfarosën,i dëbuan mbi 30 mijë çamë dhe i persekutuan, duke a u marrë tokat dhe gjithë pasurinë në sy të Fuqive të Mëdha.
3. Agresivitetin dhe armiqësinë ndaj fqinjit të tyre Shqipërisë për pretendimet absurde dhe të padrejta përVorio-Epirin, duke bërë vrasje, tortura, djegie dhe dëbime masive me dijeni të Evropës.
4. Padrejtësitë ndaj Shqipërisë, duke e copëtuar më dysh në 1913 si dhe pabesinë ndaj popujve fqinjë dhe dinakërinë që kanë treguar ndajë Fuqive të Mëdha.
Autori përmend me argumente qëndrimin agresiv të qarqeve greke, që mbajtën gjatë periudhës së demokracisë, ku dogjën shkolla, fshatra dhe bënë tortura dhe masakra që të kujtojnë periudhën e kaluar.
Dëshmi e qartë e dinakërisë dhe djallëzisë së tyre, që nuk njeh kufi, është dhe ardhja e Janullatosit si kryefetar i ortodoksëve shqiptar, për të sjellë ngatërresa ndërfetare.
Artikulli mbetet si një akt mbështetës, nxitës dhe si një dokument me rëndësi për popullin çam për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime, nëpërmjet të gjitha formave deri në Starzburg, me anën e organizatës së tyre politike.

A ka intifadë shqiptare në Iliridë?

Artikulli është i parapëlqyer se nxjerr në dukje dhe merr më shumë në konsideratë përpjekjet e shqiptarëve të Iliridës, për të fituar dhe konfirmuar me ligje dhe me kushtetutë të drejtat e mbi 40 % të shqiptarëve në shtetin maqedon. Ai mbështet miratimin e të drejtave të njeriut, gjuhën amtare, flamurin kombëtar, njohjen e identitetit dhe të zakoneve të popullit shqiptar, të padiskutueshëm për një komb.

Pushtetarët e kanë frikë heroin e demokracisë.

Shkrimi nxjerr në dritë një të vërtetë aktuale, që duhet të bëhet shembull i një veprimtarie të guximshme vetëmohuese dhe burrërore në mbrojtje të të drejtave të popullit të tij të shumëvuajtur dhenxit rininë për t’u bërë flamurtare në interes të atdheut.
Nder, respekt dhe krenari është përcaktimi i Albin Kurtit, që mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë rininë kosovare.

Mirupafshim në Kosovën e lirë.

Përbën një përgjigje mjaft sfiduese, shumë kuptimplote dhe tepër korrekte për kërkesën absurde dhe të papërgjegjshme, që bën një pretendues që mban edhe petkun e zi të një kleriku, kur me dashje harron arkivat e Raguzës, të Gazulit, Buzukut etj.

A do të ketë një Nuremberg Shqiptar për komunistët dhe krimet e tyre?

E vlerësuar si një deklaratë që bënë jehonë dhe formulon një thirrje për drejtësi, ajo duhet të konsiderohet si nxitëse për të gjetur zgjidhje sa më objektive dhe në një kohë sa më të përshtatshme.

Kapitulli i pestë. Spiunazhi

Agjentura greke dhe Sigurimi i fshehtë i Shtetit Shqiptar.

Autori Flori Bruqi me tëdrejtë na njeh në libër me këtë material faktik, për të na vënë në dijeni më mirë edhe më tepër për ndërhyrjet, pabesitë, agresionin dhe spiunazhin grek ndaj Shqipërisë, popullit dhe kufijve të tij, të nisur prej kohësh qysh gjatë periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare. Aty evidentohen me fakte, dëshmi dhe me deklarata nga spiuni grek, të deponuar para seancave gjyqësore të gjykatës shqiptare, për grupet e spiunazhit, të rrjeteve organizuese dhe të çetave veri-epirote, që kryenin masakra, tortura dhe shkatërrime në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar.

Kush janë agjentët me influence në Kosovë?

Në shkrim njihemi me fakte dhe dokumente mjaft interesante të sigurimit të fshehtë,që kanë shërbyer si forcë lëvizëse në situata kritike, duke lozur rol vendimtar edhe më të fuqishëm se forca ushtarake apo diplomacia për të arritur fitoren. Për ta bërë më bindëse forcën e sigurimit, sillen fakte nga historia e sh. III p.e.s. të Sun Xus, që thoshte se spiuni është i domosdoshëm. Kujtohet mashtrimi i kalit të Trojës, apo aftësitë e spiunazhit rus të Zorkit në Japoni, ose lufta e spiunazhit midis KGB dhe CIA, që përmbysi pushtetin sovjetik si dhe së fundi terrorizmi i 11 shtatorit 2001, që kanë dëshmuar për forcën kolosale të sigurimit dhe të organizimit të fshehtë në arritjen e fitores. Në këtë aspekt, thuhet në shkrim, duhet parë agjentura e spiunazhit të fshehtë serb në Kosovë, që ka punuar dhe punon nga të gjithë krahët, duke rekrutuar kosovarë të gënjyer në bashkëpunim me mendjen e djallëzuar për të krijuar frontin e spiunazhit që e ka tronditur Kosovën. Agjentët më të rrezikshëm në Kosovë mbeten spiunazhi – sigurimi i fshehtë dhe organizmat klandestinë, që kanë vepruar në mënyra të fuqishme, të padukshme e mashtruese dhe të paraqitura si mjete më të fuqishme se çdo armë vepruese, që arrin të parashikojë dhe të paralajmërojë fitoren.

Kapitulli i gjashtë. Gjuhë, letërsi

Origjina e gjuhës shqipe.

Artikulli vlerësohet si një përshkrim, prezantim dhe studim i thellë dhe i përpunuar i historisë dhe shkencës së origjinës së gjuhës shqipe, e përcaktuar siç është e vetme në familjen paraindoevropiane, duke u përballuar me dy teza : të ilirishtes më të besueshme dhe të trakishtes; të denja dhe të dokumentuara nga albanologët e huaj dhe vendës. Gjuha shqipe autoktone në Ballkan, e pellazgëve me “figurë hënore“, që autori e nxjerr të shkruar nga viti 1462, por që dokumentet e fundit e sjellin edhe më herët rreth 1200, të zbuluar në Vatikan.; kurse logjika natyrisht të çon akoma më herët.

Ndjen kënaqësi dhe krenari kombëtare, kur njihesh me fakte historike nga të huajt, nga klerikët shqiptar dhe nga albanologët tanë mbi gjuhën shqipe të shkruar, mbi alfabetet e krijuara, të përpunuar në kongreset gjuhësore, të ngritur në gjuhë standarde, të njohur me veçoritë e gjuhës sonë, të elaboruar nga korifenjtë: K. Kristoforidhi, E. Çabej , A. Buda, M. Domi, I .Ajeti dhe nga arbëreshët me në krye J. De Rada dhe që kjo gjuhë e Naimit po flitet sot nga 15 milionë shqiptarë në botë dhe nga 7 milionë vendës në Ballkan, si dhe nga albanologë në shumë shtete, dhe po mësohet në shumë universitete të botës dhe ku gjen libra shqip në vendet më të zhvilluara të rruzullit tokësor. Rëndësia e këtij artikulli qëndron në faktin se aty gjendet gjithçka që duhet, e shkruar me kujdes, me vërtetësi, me hollësi dhe në baza shkencore.

Censura dhe shterpësia letrare.

E konsideroj një diskutim filozofik me objektivitet real, gjetjen dhe shqyrtimin e vërtetësisë letrare atje ku nuk ka krijimtari të lire, të vërtetë, por të censuruar.Atje ku shkrimtari bëhet i vetëdijshëm se ai sheh, ndjen dhe mendon, por nuk mund t’i thotë, se të tjera është i shtrënguar të shpreh, edhe pse vetë nuk i beson. Kështu, ca heshtin, të tjerë mundohen të bëhen përkthyes dhe ndokush i fut shkrimet në sirtar, se kështu i duket më drejt për t’i ruajtur; duke konkluduar se censura censuron ata që pranojnë të censurohen – servilët e regjimit.

Materiali i autorit i shtjellon me hollësi dhe nxjerr si përfundim se censura të shpije në shterpësi letrare, që në regjimin totalitar, krijuesi dhe artisti arrijnë të kthehen në një zanatçi, të instrumentalizohen dhe të diktohen nga censuruesi, duke i dhënë tema të gatshme për të shkruar, për ta depersonalizuar; për të qenë pa personalitet, pa vullnet, pa dëshirë dhe pa dashuri.

Kjo ka sjell si konkluzion edhe boshllëkun që ekziston edhe në ditët e sotme në letërsi, që po kthehet në imitim të perëndimorëve. Autori diskuton edhe si dëm në letërsinë shqipe përkthimet e veprave të I. Kadaresë nga Jusuf Vrioni, në aspektin se janë përkthyer vepra shqip në gjuhë të huaj, që nuk sjellin aq vlera letrare, se sa përkthimet e letërsisë nga gjuhët e huaja në shqip, se kontribuojnë më shumë dhe krijojnë horizont më të gjerë letrar, duke detyruar disa shkrimtarë të heqin dorë nga të shkruarit në kohën e diktaturës.

Lavdi De Radës.

Kjo jehonë dhe thirrje evidenton personalitetin dhe autoritetin e figurës më të shquar letrare të letërsisë së re, që përfaqësoi me dinjitet iluminizmin e ndritur, që do të lindte dhe do të frymëzonte patriotizmin, idealizmin, traditat dhe heroizmin e popullit shqiptar. J. De Rada lëvroi me mjeshtëri, me zgjuarsi, me shumë kujdes dhe me aftësi profesionale rapsodinë shqiptare, duke sjellë një xhevahir të traditës gojore popullore, shpalljen e Milosaos në 1836 si kryevepër e parë shqiptare në botën shqiptare, duke i thurur lavdi trashëgimisë popullore dhe detyroi të zgjohej kureshtja e të huajve La Martin dhe Ygo, që ta admirojnë etj. Ai shkroi vargun e famshëm”Erdhi ditë e Arbrit”, duke dhënë kushtrimin se dy shtetet e veriut të Bushatllijve dhe e jugut të Ali pashës, nuk u varrosën, por janë ripërtërirë me idenë e re të çlirimit kombëtar.

Jetoi gjatë dhe prapë Arbërinë të lirë nuk e pa, por edhe kur u bë e përgjysmuar Shqipëria, atë nuk e njohu dot se ajo ishte analfabete.

Branko Merxhani. Ky emër i harruar i gazetarisë shqiptare

Përmendet me të drejtë si një nga penat më të spikatura dhe më të mprehta të viteve ‘30-të në Shqipëri, si gazetar, publicist dhe përkrahës i idesë së neoshqiptarizmit për një zhvillim kulturor jashtë politikës dhe u dallua si një aktivist i palodhur, për përhapjen e dijes dhe të atdhetarizmit, kudo ku punoi në Shqipëri, Athinë e në Turqi. Bashkëpuntorët e tij, Nexhip Alpani dhe Petrua flasin me respekt për kontributin e vlefshëm dhënë në publicitet, ndërsa Flori Bruqi me konsideratë shprehet: figura e harruar e Branko Merxhanit duhet të nderohet, të respektohet dhe të vlerësohet me dinjitet në median e sotme.

Ismail Kadare.

Në librin kronik në gurë, thotë autori, dëshiron të ndryshojë rrjedhën e romaneve si nga ana e paraqitjes dhe të ngjarjeve, megjithëse shfaqen edhe shumë mendime dhe alternativa komplekse; por duket se ajo po ndjek vazhdën e luftës, për të reflektuar dhe për t’i parë personazhet me syrin e një fëmije, të vetvetes, pa pasur ndonjë ndikim partishmërie, duke pasqyruar edhe vlerat e një rëndësie etnografike që Gjirokastra e ka pasur traditë.

Klasikët e romanit postmodernë.

Është në nderin e autorit që në librin e tij diti të zgjedhë dhe të përfshijë tri personalitetet më të denja, më të kërkuara dhe më të zgjedhura, që kanë bërë emër dhe e kanë përfaqësuar me autoritet dhe me dinjitet epokën postmoderne me veprat e tyre. Le t’i përmendim për respekt: Valero Massino Manfredin me trilogjinë e Aleksandrit të Madh, Umberto Econ me Flakët misterioze të mbretëreshës Loana dhe Aleksander Bariccon me Novoçenton apo Legjendën e pianistit, të tre autorë, me tri histori dhe vetëm me tri romane, sollën imazhin e tri epokave, duke pasur vetëm dy gjëra të përbashkëta: atdheun -Italinë dhe famën e tyre ndërkombëtare.

Homeri dhe Odisea nuk kthehen më në truallin grek.

Artikulli evidenton me hollësi dhe me fakte krizën dhe vështirësitë që po has letërsia greke për të kapërcyer izolimin kombëtar të literatures së vendit, e cila u vu në dukje më së qarti në panairin e Frankfurtit në gjermani. Grekërit po përpiqen të mbijetojnë, nga mbiprodhimi i botimeve, që i sjellin në jetë më lehtë se fëmijët e tyre. Po përkthejnë sa më shumë në gjuhë të huaj, hoqën dorë nga fjalori mitologjikë grek dhe nga Homeri, që ishte krenaria e tyre, siç bëri Elitys, edhe sepse ishte formuar boshllëk i madh mbi dymijëvjeçar, nga lulëzimi helenik, që akuzohet se kishte vjedhur mite dhe legjenda nga lindja.

Në 60-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Bardhosh Gërvalla.

I njohur si intelektual me merita, autori thekson se nuk duhet të harrohet, por të çmohet si shkrimtar me vlera të larta si poet, prozator, dramaturg, atdhetar, si një figurë poliedrike dhe simbol i kombit, mbasi mbetet edhe nga më prodhimtarët në trashëgiminë e dorëshkrimeve.

A është Rifat Kukaj një thesar shqiptar?

Vlerësohet si një veprimtar mjaft inkurajues, që ka shkruar mbi 40 vepra letrare, libra dhe romane dhe mbi 30 punime të dramatizuara, duke arritur një sukses të merituar në lëmin e letërsisë, ku spikatin proza dhe poezia, të vlerësuara edhe me shumë çmime. Kontribut të veçantë ka dhënë në edukimin e brezit të ri dhe në letërsinë e fëmijëve.

Në vend të përkujtimit: Mehmet Kajtazi.

Njihet si gazetar me kontribute të veçanta, por ka shkruar edhe vepra letrare në poezi dhe në dramë. Përmendet si aktivist dhe atdhetar dhe kujtohet me respekt dhe me nderim për dramën e tij “Një natë e fundit në Goli Otok”, që i kushtohet popullit të tij dhe përshkruan vuajtjet e torturat në këtë kamp internimi. Në kujtim të tij autori përmend shkrimin e tij”Kultura bashkon kombin”.

Kush është Kolec Traboini?

Autori me dashamirësi përgjigjet se është një shkrimtar, gazetar, publicist, që ka shkruar vepra letrare, prozë, poezi, skenarë, me tematika të ndryshme, të karakterit shoqëror, patriotik, erotik dhe dallohet për një stil të tij origjinal dhe për një humor të hollë me karakter konstruktiv dhe dashamirës. Ai ka drejtuar gazetën Egnatia me përgjegjësi dhe ka dhënë një kontribut të ndjeshëm me shkrimet e tij në hapësirën virtuale me të cilat mund të njiheni edhe në libër.

Kozeta Zylo.


Prezantohet si një aktiviste e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan e Nju-Jorkut, si një intelektuale dhe pedagoge e respektuar në institutin amerikan Globus në Bruklin, si një publiciste, letrare dhe poete, që po bën karrierë. Intervistat e shumë intelektualëve e vlerësojnë Kozetën si një poete me perspektivë dhe e komentojnë librin e saj poetik, Monumentin si një vepër me perspektivë. Ajo ka shkruar edhe një libër tjetër poetik, ku jepen përshtypje të mira.

Kush është Gani Xhafolli?

Njihet si shkrimtar. që ka publikuar mbi 20 vepra letrare, si poezi, romane dhe është vlerësuar me çmime. Ka ende shumë materiale në dorëshkrime, që presin radhën për t’u botuar. Nga poezitë më tepër i është çmuar libri poetik “Gjeometria e syrit”, për të cilën ka mjaft komentime interesante.

Kush është Nehat S. Hoxha?

Ka bërë emër si letrar, poet dhe përkthyes. Ka shkruar 5 libra artistikë dhe ka përkthyer mbi 18 vepra artistike nga anglishtja, me materiale të filmit artistik, arsimor dhe vizatimor. Ai ka bërë dhe mjaft adaptime për TV,radio, gazeta dhe për revista. Është një aktivist dhe organizator i palodhur dhe pjesëmarrës në delegacionet e huaja.
Muhaxhedinët si “Golden Boys”. Flitet për Bernald Henri Levyn, autor i librit “ Kush e vrau Daniel Pearl”, që është një dokument, që bënë një analizë letraro-politike, me aspekte të shumta moralo- kulturore e filozofike; që më shumë se çdo burim i mundshëm, të lehtëson udhëtimin në zemrën e Al- Kaidës dhe është një homazh për një gazetar që mizorisht ekzekutohet pse donte të zbulonte një të fshehtë të vërtetë.

Rekuiem për…

Aty njihemi me përshëndetje, konsiderata dhe alternativa të “përzemërta”!

Persekutimi komunist mbi vajzat e Bajram Currit.

Dëshëroj që artikullin ta parafrazoj me një nënkuptim të lartë për nder të Bac Bajramit, duke shprehur për familjen: Konsideratë të veçantë, respekt, nder, admirim për fisnikërinë, atdhedashurinë, mirësjelljen, mikpritjen që kanë manifestuar pjesëtarët gjatë jetës së tyre me gjithë keqtrajtimet që kanë pësuar. Kjo bëhet edhe në përkushtim të kujtimit të të paharruarit Bajram Curri, heroit legjendar të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Polemikë pa dorashka. Klajd Kapinova.

Duke mos dashur të prononcohem ,të më falni; por për të mos qëndruar indiferent, do të dëshiroja të jepja disa mendime shoqërore: I konsideroj si replika të pakuptimta midis intelektualësh. Të pasinqerta midis shoqërisë. Me interpretime jomiqësore për jetën dhe pa baza morale për kohën.

Letër e hapur organizatorëve dhe spektatorëve të koncertit të Goran Bregoviçit. Argumenti : Analizë dhe koment

Konkluzioni që del nga artikulli është më se i qartë: një”akuzë”e drejtë, e ndershme dhe e sinqertë që u drejtohet organizatorëve, edhe pjesëmarrësve dhe një fyerje për popullin shqiptar e sidomos kosovar, që me dashje apo pa dashje ose të rënë në kurth, kanë lejuar një bashkëkombës serb të japë koncert në mes të Tiranës, duke u njohur si i padëshirueshëm, për të penguar pavarësinë e Kosovës me gjithë autoritetin e tij.

Kapitulli i shtatë. Psikoanaliza, Astrologjia dhe Erotika

Ç’është psikologjia, psikanaliza dhe kush është Zigmund Frojd (Siegmund Freud )?
Shkrimin e vlerësoj si një artikull shkencor, përshkruar me mjaft saktësi, me nocione shumë të qarta, korrekte, me karakter filozofik, që përbën një material mjaft të nevojshëm për çdo intelektual të çdo profile. Aty gjen të zbërthyer terminologjitë e nevojshme të psikologjisë, psikanalizës dhe të psikoterapisë. Nga leximi me kujdes i materialit del një kokluzion i madh: ne të gjithë kemi nevojë dhe duhet ta njohim më mirë vetveten, megjithëse është e vështirë.
Figura e Zigmund Froidit jepet mjaft e qartë, me të gjitha atributet dhe veprimtaritë e tij prej një shkencëtari kolos, që krijoi psikanalizën duke filluar nga vetja e pastaj kaloi tek pacienti.

A duhet besuar Horoskopi?

Ai vlerësohet dhe konsiderohet si një art parashikues, me histori shumëshekullore, me ecuri trashëgimore, me njohje dhe besueshmëri të shumë brezave, të kthyer në “mjet-art-parashikim”, “i besueshëm”, por edhe sfidues. Pra, a duhet besuar?
Shkenca i bie shkurt – JO, se s’ ka baza shkencore. Po a i mbush mendjen “botës”?!
Kjo kushtëzohet me shansin- fatin-ndikimin dhe besimin. Shumëkush e beson astrologjinë qiellore, sepse thuhet se horoskopi gjen gjithçka. Ndoshta!
Por, kjo vjen nga besimi i verbër dhe se mendja jonë gënjehet. Mirëpo, ato kanë marrë një përhapje kaq të madhe nëpërmjet shenjave të zodiakut, sa që profecia është kthyer si në një perëndi dhe megjithatë nuk duhet besuar.

Psikologjia erotike.

Të dhënat e paraqitura, ndonëse me informacione të shkurta, dhe me materiale orientuese të sferës erotike, mendoj se nuk do ta justifikonin prezencën e tyre të qëndronin krahas materialit aq serioz historiko-letraro-shkencor që është parashtruar në libër me aq kompetencë dhe dinjitet.

Kapitulli i tetë. Çka janë sëmundjet ngjitëse seksuale?

Shkrimi është një literaturë shkencore – popullore mjaft e nevojshme , shumë e rekomandueshme dhe më se e domosdoshme për t’u njohur nga të gjithë, për të pasur dijeni për sëmundjet seksualisht ngjitëse, për t’u ruajtur, për t’u mbrojtur dhe më në fund edhe për t’u mjekuar.Materiali është mjaft orientues, i asimilueshëm, i kuptueshëm, por ka nevojë edhe për plotësime.


TË DISH TË GUXOSH…

Dr.Izet S. Çuli ,shkrimtar dhe neuropsikiatër-Tiranë

Isha me fat kur mora pjesë për herë të parë në Mitingun e përvitshëm mbarëshqiptar të Poezisë (i dyzetëekatërti) që zhvillohet në Gjakovë. Aty u njoha nga afër me shumë figura të letërsisë e të krijimtarisë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Shkëmbyem me dhjetra libra me njëri-tjetrin. Kur i kalova të gjitha në “sitë”, zgjodha për të filluar leximin e tyre me veprën frymëgjatë “GUXIM SHQIPTAR” (2008) të Flor Bruqit. U ngusha me autorin kryekreje tek MURI I DHEMBJES, ku ne homazhonim; si edhe në darkën përshëndetëse, kur grupit tonë nga Shqipëria, iu dha rasti të ishte në një tavolinë me Z. Kadrush Radogoshi, Abdullah Konushevski, Flori Bruqi, Kristaq Shabani, Agron Shele, Bora Balaj etj. Mbasi e përpiva librin e Bruqit, iu ktheva përsëri dhe mendova nëse mund të arrija të hidhja në letër diçka për të, ngase jo të gjithëve mund t‘ju bjerë në dorë libri i tij. Po kush është vetë autori i këtij botimi me 400 faqe, i cili studimet e larta i ka kryer në Prishtinë. Shoh biografinë artistike: me plot 25 vepra të volumshme si: romane, poezi, studime, hulumtime shkencore, historike etj. Një befasim i madh për mua, një zbulesë do të thosha dhe me mjaft punime të virgjërta. Ky libër për mua rangohet nga më të mirët në fushën e vet.
Interesat e Flori Bruqit janë të gjera e të shumanshme dhe me një kohështrirje të madhe nëpër shekuj dhe jo rrallë me këndvështrime origjinale duke na kthjellur më tej disa nga njohuritë tona.

* * *
Le t‘i hedhim një vështrim lbrit të tij “GUXIM SHQIPTAR” ashtu sipërfaqësisht se për atë do të duheshin studime zanafillëse e të thella. E nis ai me lashtërinë e popullit tonë dhe pikërisht me Pirron e Epirit, i cili konsiderohet si strategu më i shquar i kohës së vet, që e thërrisnin “Shqiponjë”. Betejës disaditëshe të zhvilluar në Fushë Kosovë (1389), autori i lë mjaft vend në librin e tij stu dimor , e cila ishte më tepër një bashkim rajonal dhe assesi vetëm serb, siç mundohen të thonë sot grafomanët dhe politikanët dështakë, që fabrikojnë frazime të pavërteta (për të serbizuar këtë betejë). Sot ndoshta ka mjaft historikanë të tillë trumykur, të palogjiktë e trillanë dhe ndoshta të çmenduruar nga shkurtpamësia e tyre, të cilët janë gjithnjë gojëhapur, po se ç‘thonë, pak rëndësi ka për ta! Në këtë përplasje u shqua Milosh Kopiliqi, mbasi përveç trimërive të tjera, ai vrau Sulltan Muratin I, varrharruar, ndërsa për Miloshin tonë, shqiptarët këndojnë këngë dhe me veprën e tij vendasit mburren edhe sot e kësaj dite. Serbët, të mbështetur nga ustallarët dhe ndihmestarët e tyre epsharakë, e shfrytëzojnë aktin e tij për qëllimet e veta të mbrapshta, kinse për terrorizëm dhe krim të organizuar islamik. Ata, nga ana tjetër, duan të pronarizojnë çka s‘mund të pronarizohet, si praktikisht dhe me “studimet” e tyre xhelatore e ekstazore.
Për perudhën skënderbejane dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, hero real dhe jo i legjendtë, ky kryeluftëtar, ky “poet i madh i politikës shqiptare” -siç shkruan Idro Montanelli, përimtohet shkurtazi këtu dhe çmohet jo vetëm si strateg e prijës i talentuar dhe gjenial, i cili i bëri ballë një superfuqie të kohës (duke shpëtuar Evropën), por edhe si një diplomat, administrator e organizator i zoti, që dinte të përfitonte nga situatat, se ndryshe nuk mund të rezistonte aq trimërisht për 25 vjet dhe të mbijetonte midis ujqërisë. Ai mbetet gjithashtu një humanist dhe iluminist i shquar, një rilindës evropian i klasit të parë.
Me mjaft interes na duhet shkrimi për Napoleon Bonapartin për të cilin sot, sipas shumë studimtarëve seriozë, flitet përherë dhe më shumë për prejardhjen arbëreshe të tij dhe pikërisht nga një fshat i këtillë i Korsikës. Për këtë ia vlen të lexohet edhe libri i shkëlqyer “Enigma” e të madhit Robet d`Angely-t, i sjellë në shqip 10 vjet më parë nga prof. Xhevat Lloshi (“Toena”,1998), ku shprehet për prejardhjen “sigurisht shqiptare, dhe për ta thënë më me përpikëri shqiptare toske) të Napoleonit të madh.
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë “(tetor 1879-janar 1880)”, kthjellon këtu luftrat e mëdha të shqiptarëve, kur është fjala për tërësorinë dhe mbrojtjen e tokave të të parëve tanë në shekuj dhe ku spikatin Ali Pashe Gucia, Mic Sokoli, Sulejman Vokshi. Duhet vlerësuar si një shkrim mjaft i domosdoshëm në librin “Guxim shqiptar” i Flori Bruqit . Ishin kohë të arta, kur vepronte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ishin kohë kur derdhej shumë gjak (i cili tanimë s`duhej të shkonte kot), kur kishte aq mllefosje e urrejtje dhe baltosje në shpirt ndaj një vendi që gjithsesi ka ditur të fqinjërojë me të gjithë. E si mund të strehosh kaq dashakeqësi për një popull kaq plagëshumë e dhembjemadh në histori!
Me siguri disa studiuesve të huaj, gojëhelm e gjuhëgjatë, kritikanë të sëmurë, ju mungo-jnë frenat. Shileri shkruante:”Ndër gjërat më të shëmtuara në botë, më e shëmtuara është gjuha që shpif”. Po lëri të notojnë në netërinë e tyre! Veç dicka është më se e sigurtë:”Kush nuk shkon përpara, shkon mbrapa”- thoshte Gëtja.

* * *
Në kapitullin pasardhës “Antropologji”, në 12 fletë të mirëfillta shkencore, ndricohet nga kjo fushë shkrimi për Jakov Milaj (ky mik i ngushtë i Migjenit) dhe librin e tij “Raca shqiptare”, në dy botime: 1944,1997. Studimi i Milajt, ndonëse ai nuk ishte antropolog në profesion, ka vlera të mëdha, është burimor dhe zë vendin e gurqoshesë. Aty del mirëfilli rrënjësia e popullit shqiptar, gjenetikisht i përafërt, pa dallesa thelbësore në rrafshin fetar, gjeografik, krahinor etj. Ai u kundërvihet me të drejtë disa kalemxhinjve letërnxirës e shpifjanësh, të cilët duan të vërtetojnë me teoriçkat e tyre vjetërake e pabukse, të kundërtën për racën tonë të pastër dhe me prejardhje të veçantë si askund të ndonjë populli tjetër të Evropës. Është ky komb që ka nxjerrë aq shumë njerëz të mëdhenj e me mendjendriturí në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore; por ngandonjëherë jemi vetë ne shqiptarët që çuditërisht i minimizojmë vlerat e tyre e jo rrallë duke i zeruar fare ato!
Në kapitullin e gjatë “Politikë” (në mbi 50 faqe) Flor Bruqi trajton tema mjaft të mprehta e të rëndësishme, ku e hap siparin me Arvanitasit, Çamërinë, Epirin e Veriut dhe gjendjen e sotme, ku i mëshon faktit të tejhidhur “sesi erdhi dhe u tkurr Epiri shqiptar,i nisur nga interesat e Fuqive të Mëdha dhe në dëmin tonë” –sic shprehet ai. Padrejtësitë nuk kanë të mbaruar ndaj këtij kombi fattragjik, të shumëvuajtur e heqkeq nëpër shekuj. Ja si shkruan romantiku i përbotshëm, poeti Bajron: “Nuk ka komb që të jetë parë nga fqinjët e vet me aq urrejtje dhe tmerr sesa shqiptarët”! E kush nuk e di se në fitoren e Pavarësisë së Greqisë (1829), që i parapriu kryengritja e vitit 1821, 90 për qind e tyre ishin arvanitas me prijës heronjtë legjendarë: Miauli, Xhavella, Kolokotroni, Bubulina Laskarina, Bocari, Aleksandër e Dhimitër Ipsilanti, Andruci, Karaiskaqi, Koleti, Vulgari,Kanari dhe sa të tjerë.!? Rreth 20 kryeministra në Greqi kanë qenë me prejardhje arvanitase dhe po kështu disa presidentë të saj. Djallëzia është pakufi dhe arrin deri aty sa të “argumentohet” ajo që s`mund të argumentohet, se kinse popullsia ortodokse në Shqipëri, ishte greke, kurse ajo myslimane-shqiptare, duke u grabitur nga grekët krahina të tëra mbas një hekatombe përbindshore, gjenocidi dhe eksodi masiv të egërsirtë dhe të paparë. “O Zot, ç`padrejtësi !”-thërret me të drejtë gjer në kupë të qiellit z. Bruqi. Si është e mundur të sillesh kështu me një popull, i cili është thinjëruar me pushkë në dorë për vete e për të tjerët ?! Si është e mundur të kesh hua për të shlyer dhe të kërkosh pjesë?! Po sa mirë që dinë të tellallisin!
Përsa u përket përplasjeve dhe të drejtave midis shqiptarëve në shtetin maqedon dhe a ka një Intifadë (një term arab, e ashtuquajtura kryengritje violente kundër izraelitëve) të tillë në Maqedoni, autori korrektësisht mbështet të drejtat e njeriut, njëjtësinë, ruajtjen e traditave të shqiptarëve. Për heroin e demokracisë, Albin Kurtin, shpreh këtu nder, respekt e krenari, qysh nga Nju-Jorku akademiku i Akademisë së shkencave shqiptare-amerikane, prof.Namik Shehu, pikërisht më 12 Maj 2007.Është ky mjek i talentuar dhe pasionant e patriot (një nga recensorët e vëllimit “Guxim shqiptar”, i botuar përfund librit, me mbi 15 faqe), ku këtu kemi rastin të lexojmë në 5-6 faqe edhe një intervistë të goditur, ku jepet një tablo e gjerë e veprimtarisë së tij të madhe shkencore, pedagogjike e shkrimore duke merituar kësisoj mjaft tituj e grada të tilla akademike. Ai tashmë është në plot kuptimin e fjalës një personalitet i spikatur, për të cilin ne duhet të krenarohemi.
 Ritheksoj se për interesat e gjera e të gjithanshme të Flori Bruqit flet dhe shkrimi “Kryqëzata e tetë”, ku ai jep të dhëna gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Lindjen e Mesme mbas Luftës së tretë të Gjirit, ku ndesh lloj-lloj prapaskenash, që të vënë në mendime: lufta për interesa karburantesh dhe burimesh të mangëta ujore, probleme aq të ditës.
Kapitulli “Spiunazh” është i ndarë në disa nëntituj: I pari bën fjalë për agjenturën greke që kryente masakra në dëm të popullit shqiptar dhe tjetri shtjellon agjentët, sidomos ata serbë, me ndikesë në Kosovë, veprimet e pashembullta të të cilëve janë të mirënjohura, sigurisht edhe nëpërmjet përfshirjes të mijra kosovarëve të lëkundur e bashkëpunëtorë me të huajin.
Flori Bruqi na njeh më tej me veprimtarinë letrare të Gani Xhafollit, autor i mbi 20 librave, sidomos me poezi dhe romane( veçan atyre me emra të shkurtër “Po” e “Të dua”), të cilët janë vlerësuar me disa çmime letrare. Gjithashtu ai është përkthyer në disa gjuhë të huaja; premton mjaft në letërsinë tonë dhe botimet e mëpasme do t’a vërtetojnë patjetër këtë. Ndërsa Nehat S. Hoxha me profesion ekonomist, ka publikuar poezi,tregime dhe përkthime ( nga anglishtja sidomos dhe me një numër relativisht të madh, afro njëzet prej tyre). E shoqëron edhe këtë autor me një buqetë poezish, si ajo me titull “ Nojma e shqipes” ku nën të shkruan: “ I kushtohet shqipes aq të kamur nga bukuria dhe kaq të drobitur nga robëria” dhe dy të tjerat janë: “I mërguar në Atdhe” dhe “ Hëna në dritare” etj. Më tutje F. Bruqi në nëntitullin “Muxhahedinët si Goldon Boys” ftillëzon odisenë e udhëtimeve të vështirshme të Bernard-Henry-Levit, i cili në librat e tij, vërtet të veçantë në vlerat si në gjini dhe në atë përmbajtësore, homazhon për gazetarin Daniel Pearl, i ekzekutuar nga strukturat gjakësore të Al-Kedës. Ky u vra për të vërtetën që deshi të zbulonte dhe të shpaloste para botës, por e deshën më mirë të ishte vetëm një gojëmbyllës i përjetshëm!

* * *
Kapitulli i fundit është ai mbi Psikanalizën ( për të cilën kohët e fundit, kolegu im, neuropsikiatri i shquar Miltiadh Veveçka, nën një përkthim mjeshtëror na ka sjellë nga anglishtja librin “Themelet e Psikanalizës” të prof. dr. Çarls Bremerit. Vetë përkthyesi thekson se kjo disiplinë shkencore është si një kockë e fortë për t’u kapërdirë). Po ashtu z. Bruqi tërheq vëmendjen dhe për astrologjinë e erotikën. Pra Flori Bruqi e ka zgjeruar shumë diapazonin tematik duke na paraqitur me kompetencë edhe tema të tilla, të cilat jo të gjitha janë brenda sferës diturake e profesionale të tij. Dhe ja të bëjmë një vështrim të shkurtër:
I lë vend figurës së mjekut neurolog me prejardhje çifute, kandidat të çmimit “Nobel” gjeniut Zigmund Froid-it (Sigmund Freud-it), i nismësit, themeltarit të psikanalizës dhe të psikoterapisë së vërtetë. Le të përmendim p.sh. vetëm librin e tij “Shpjegimi i ëndrrës”, (1900) që mund të themi pa drojë se ka revolucionalizuar shkencat psikonervore. “Një zbulesë e këtij lloji i jepet ndonjërit vetëm njëherë në jetë”-shkruan vetë Frojdi më 1931.Shih për këtë përkthimin “Themelet e Psikanalizës të dr Çarls Brenerit, (përkthyer nga dr. i shkencave Militiadh Veveçka 2008, fq.189).” Po Horoskopi a duhet besuar? – pyet retorikisht F. Bruqi. Shkenca nuk ka si ta pranojë por as “argumenta” nuk gjen ta kundërshtojë.
Në faqet e mëtejshme vazhdon me psikologjinë erotike, me disa terma e njohuri të nevojshme për çdo njeri të kulturuar e të qytetaruar, si dhe me 25 sëmundjet ngjitëse seksuale të njohura e të panjohura nga publiku i gjerë. Ai me këtë rast tërheq vëmendjen për rrezikshmërinë e tyre, por gjithsesi thekson se duhet konsultuar me mjekët përkatës specialistë:seksologë, dermatologë etj.

* * *
Guximi shqiptar është shprehje e trimërisë shqiptare, trashëguar brez pas brezi. Ta ruajmë e ta zhvillojmë këtë cilësi të rrallë të të parëve tanë, që akademi kishim jetën, luftën, kalitjen me vështirësitë, kulti i të cilëve ishte Atdheu, dëshira për ta parë vendin e shqiponjave të lirë e të pavaruar, fitore kjo që na i siguroi guximshëm Plaku i madh i Vlorës, simbloi i mëvetësisë së Shqipërisë, patrioti i shquar Ismail Qemali. “Guxim,-thotë një fjalë e urtë-është cilësia e parë njerëzore, sepse garanton gjithë të tjerat.” Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të përgëzoj guximtarin kokëplot Flori Bruqi dhe të shpresojmë se në të ardhmen, pa e konfuzionuar lexuesin, si ndonjë tjetër do të na dhurojë libra të këtillë kuptimthellë si “ GUXIMI SHQIPTAR” (2008), që pos të tjerave kur i mbaron ke dëshire t’u rikthehesh ngase ke mësuar shume prej tyre. Një libër i vëllimshëm nuk të lodh kurrë, kur ka tematikë të pasur dhe gjen mënyrën e bukur sesi i shtjellon. Është kjo arsyeja që Flori Bruqit t’i dërgoj këtë telegram-urim a SMS. të thjeshtë: “Të lumtë dhe mos e lësho penën nga dora! Ec gjithmonë përpara! Faleminderit!” Le ta mbyll këtë parashtesë të këtij libri me një këshillë të Ismail Qemal Vlorës, për të gjithë ne:”..... të punoni së bashku si vëllezër....! 




LUFTA E OPINIONEVE


Rrustem Geci: Ese letrar për librin „Guxim shqiptar“ të shkrimtarit Flori Bruqi

( Nevoja për të fituar lirinë, na detyroi dorën ta bëjmë grusht,dhe troshat e bukës barot )

Libri „Guxim shqiptar“ i shkrimtarit dhe studiusit Flori Bruqi është një libër i arrirë, një libër që lexuesin e tërheq ta lexoj.Temat, motivet, trajtimi, rrjedhshmëria, mesazhi e të tjera kudo janë brenda librit.
Gjithë natën era mbrëmë theu qelqe, porta, pullaze,.. e nata s´kishte të sosur. Në këtë art poetik të poetit Bruqi, libri shpalon shtresat e errësirës,urrejtjen e “bujtësve” këtej, veprimet e tyre prej armiku.
Nuk ishte dëshirë e këtij populli që Kosova të ngjyj fjalën në qypin e gjakut.Asnjë betejë në Kosovë nuk ishte pa një pikë gjaku,pa një të rënë në rrënjë të fjalës.Alfabeti i lirisë është ai i moçmi,me pushkë, me dije, me guxim.
Pa pushkën majekrahu të trimave, shprehet Bruqi, liria jonë do të ishte vetëm një dëshirë dhe asgjë më shumë. Libri “Guxim shqiptar” është një dëshmi esesh dhe polemikash se gjakderdhja e madhe, ikja e madhe, dhe kthimi i madh, detyruan bashkësinë ndërkombëtare ta njohin vullnetin e popullit të Kosovës.
Në këtë libër të arrirë, autori Bruqi, ka shtruar me kujdes rreth 73 ese dhe polemika e vështrime kritike nga gjuhësia, historia, antropologjia,politika, spiunazhi, psikoanaliza, astrologjia dhe letersia.
Libri „Guxim shqiptar“ ka një leksik të pasur, të rrjedhshëm e me figura të kohës sonë.
Temat në këtë libër janë nga „ish përditshmëria“ jonë e luftës dhe e opinioneve.
Lufta e Kosovës në këtë libër është me plot guximtarë dhe kryengritës të devotshëm.Asnjë fjalë e asaj kohe tregon Bruqi nuk ishte pa beteja, pa një guxim në vete.Nevoja për liri krijoka vullnetin për liri.
Nuk ishte i lehtë rebelimi nën atë pushtues.Çdo njeri që nku pajtohej me gjenocidistët serb, ai duhet të ishte trim dhe trim shkuar trimave.Mirëpo,fuqia e popullit është fuqia e pareshtur e betejave të tij.
Në atë kohë të „Guximit shqiptar“ çdo njeri i etnikumit tonë ishte në luftë, në betejen e tij për të mbijetuar.Pak janë ata që janë fshehur hijeve.në këtë temë kujtoj se kam shkruar mjaft.
Çlirimi i Kosovës nuk ishte i lehtë, pë këtë dëshmojnë të rënët.
Flori Bruqi deri më tash ka botuar 30 libra.Libri „Guxim shqiptar“ është libri i 25 me radhë. Krijimtaria e Floriut është e gjerë dhe e thellë.
Veprat e Floriut janë të vlerësuara nga kritika.Bruqi është një figurë e madhe në letërsinë tonë... 




LIBËR QË SPIKAT ME TEMATIKËN DHE GJERËSINË 

NJOHËSE TË SHUMË FAKTEVE E TË VËRTETASH

Naim Kelmendi- shkrimtar dhe gazetar nga Prishtina 

Do të përmendnim këtu, sidomos vështrimet si Beteja e Kosovës (1389) dhe kontributi i shqiptarëve; Napoleon Bonaparta dhe shqiptarët; Hero në luftë - hero në paqe, Ramush Haradinaj; Ramushi - viktimë e situatës (neo)koloniale; Jakov Milaj dhe raca shqiptare; Arvanitasit,Camëria,Epiri i Veriut dhe gjendja sot; Kush janë agjentët me influencë në Kosovë, dhe mjaft artikuj tjerë interesimesh e lëmenjsh të ndryshëm.
Derisa recensenti, Akademik Prof. Dr. Namik Shehu, për librin "Guxim shqiptar", do të shprehet:".përbën në vetvete një vlerësim special dhe një gjetje shumë të goditur të autorit,shprehur në mënyrë simbolike, që i lejon çdo patrioti shqiptar, me ndjenjë atdhedashurie,të zgjojë dhe të ringjallë tek ai:kombin (etnik) shqiptar, popullin e lashtë pellazgjiko-iliriko-shqiptar."
Siç veçon redaktori i librit, poeti ynë i mirënjohur Nehat S. Hoxha, se:"Poeti i frymëzimeve të "Zjarrit të diellit",1995,me një guxim dhe përpjekje të ngulmët flak dashurinë për poezinë dhe i rreket zbardhjes së çështjes kombëtare në Kosovë nëpërmjet diturish të nduarduarshme, të spikatura për ndodhjet e situatat aq të ndërlikuara të shekullit të tretur dhe të këtij qindvjeçari.", Flori Bruqi me librin "Guxim shqiptar" spikat të na ofrojë një vepër interesante me një gamë të gjerë interesimesh të tija, e cila e bën kureshtar secilin lexues që do ta ketë në duar, ta lexojë deri në fund me një frymë dhe "të pasurohet" me leximin e saj.
Flori Bruqi me veprën "Guxim shqiptar" spikat të na ofrojë një vepër interesante me një gamë të gjerë interesimesh të tija, e cila e bën kureshtar secilin lexues që do ta ketë në duar, ta lexojë deri në fund me një frymë dhe "të pasurohet" me leximin e saj. Publicisti,shkrimtari,poeti Flori Bruqi na sjell në botën e librit shqip, për lexuesin tonë, veprën më të re nga pena e tij, "Guxim shqiptar", botim i 2008 në Prishtinë.



NGA FORMA ELEKTRONIKE TE FORMA E SHTYPUR

 Abdullah Konushevci

 Libri “Guxim Shqiptar” i Flori Bruqit është një përzgjedhje, një seleksionim i punimeve më të mira elektronike, botuar në faqet e rrjetit (ëeb sites), bas i të cilave qe dhe është autori dhe që tash i afrohen publikut lexues të përmbledhura në një vëllim më vete. Me një fjalë, libri është bërë që edhe publiku lexues, i pamësuar me botimet elektronike, të njihet me tema të ndryshme, që kanë gjetur një trajtim të gjerë e të denjë pikërisht në këtë formë.Pra, kemi një kalim nga forma elektronike te forma e shtypur.
Nga temat e ndryshme historike, për seriozitetin dhe thellësinë e trajtimit, tërheq vëmendjen artikullit “Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë”, sado që janë me interes edhe disa ide të hedhura për origjinën shqiptare të perandorit francez Napoleon Bonaparta.
Një peshë jo të vogël ka kapitulli “Për Ramushin”, në të cilin është përmbledhur intervista e z. Adem Demaçi me titull “’Dora e Zezë’ e serbëve vret çlirimtarët e Kosovës”, artikulli i autorit “Hero në luftë - hero në paqe: Ramush Haradinaj”, si dhe artikulli “Ramushi, viktimë e situatës (neo)koloniale”.
 Megjithatë, pjesa qendrore e librit i kushtohet antropologjisë, në të vërtetë veprës “Raca shqiptare” të Jakov Milajt, ku edhe autori, pos mospajtimeve të hapura me disa autorë, jep dhe ndihmesën e vet në ndriçimin e kësaj çështjeje shumë të ndjeshme.
Në kapitullin “Politikë” kanë gjetur vend shumë tema aktuale, sikundër është çështja e pazgjidhur çame, çështja në ka ‘intifadë’ në Iliridë, frika që kanë udhëheqësit tanë nga kryetarii “Vetëvendosjes”, Albin Kurti me titullin shumë domethënës“Pushtetarët e kanë frikë heroin e demokracisë”, dy artikuj për mjekun e dëgjuar shqiptar, z. Namik Shehu etj.
Një kapitull që do të zgjojë interesimin e lexuesve është pa dyshim “Spiunazhi”, ku kanë gjetur vend artikujt “Agjenturat greke dhe Sigurimi i Fshehtë i Shtetit Shqiptar”, “ Kush janë agjentët me influencë në Kosovë” dhe “Aktivitetet kriminale të shtyra nga shërbimet sekrete armiqësore në Kosovë”.
Por, kapitulli më i gjerë dhe më i larmishëm është “Gjuhë & letërsi”, ku hetohet edhe karakteri i ndjeshëm hulumtues i autorit, sidomos në portretizimin e figurës së Jusuf Gërvallës dhe vlerave të veprës së tij letrare; pastaj disa anë të panjohur të shkrimtarit tashmë të ndjerë, Mehmet Kajtazi etj.
Janë me interes edhe artikujt për Kolec Traboinin, Rifat Kukajn, Kozeta Zylon, Gani Xhafollin, Nehat S. Hoxhën, si dhe një varg temash nga letërsia botërore.
Libri mbyllet me kapitullin “Psikanalizë, astronomi dhe erotikë”, ku trajtohen tema nga këta lëmenj interesantë të jetës njerëzore. 




ZBARDHJE E ÇËSHTJES KOMBËTARE ËSHTË NË 

LIBRIN STUBIMOR TË FLORI BRUQIT “FLORI 

BRUQIT”


Nehat S.Hoxha,shkrimtar nga Kosova

Pas një periudhe të gjatë kohore dhe pas luftës në Kosovë,si një sihariq i rrallë na vjen një vëllim i përmbledhur me shije të hollë dhe me një gamë të gjerë temash e disiplinash me larushi të begatë nga fushat e publicistikës, histories e historiografisë, diskursionit, shkencës, figurash krijuesish me rëndësi madhore nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore; nga psikologjia, mjekësia, seksologjia; nga fusha e polemikave, artikuj të inteligjencës, të cilët do të frymëzojnë dhe pajisin lexuesin tonë me informacion të kamur, vështirë se do të mund të gjente lehtë një vëllim të vetëm, siç është ky.
Poeti i frymëzimeve të “Zjarrit të Diellit” Flori Bruqi (1995), me një guxim dhe përpjekje të ngulmët flak dashurinë për poezinë dhe i rreket zbardhjes së çështjes kombëtare në Kosovë nëpërmjet diturish të nduarnduarshme, të spikatura për ndodhjet e situatat aq të ndërlikuara të shekullit të tretur dhe të këtij qindvjeçari, për të shfletuar një sasi njohurish dhe për t’i ofruar njeriut një sofër ushqimesh të sojit të vet.Është fare vetjake kjo përpjekje.Dhe kaq e devotshme: lexuesi mund të endet nga rrafshi në rrafsh të parapëlqyer sipas shijes që ka, dhe sipas kërkesës.Temat që janë shtruar, kanë aq shumë të dhëna, sa nuk ka ndodhur ndonjëherë gjëkund në një libër të mëparshëm.Urojmë shëndet e sukses për një disiplinë kaq të pëlqyeshme dhe dobiprurëse për lexuesit tanë. 



PIKËPAMJE NGA OLIMPI I MENDIMIT SHQIPTAR

Naim Kelmendi, shkrimtar nga Prishtina

Vepra "Olimp shqiptar" është edhe një kontribut tjetër i mendimit intelektual dhe vështrimit, pikëpamjes dhe mendimit kritik, të shkrimtarit dhe publicistit, Flori Bruqi.Autor i shumë veprave, ai na del para lexuesit edhe me këtë vepër në publicisatikë, si çdoherë me veprat e tij në këtë fushë, i arrirë, përmbledhës, i veçuar dhe i shenjuar. Pas veprës paraprake, "Guxim shqiptar",që tek lexuesi shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk mbeti pa jehonën e vet, tash Flori Bruqi vjen para lexuesit tonë me një tjetër vepër hiç më pak të rëndësishme se kjo që e theksuam.Madje,kjo e tashmja:"Olimp shqiptar",në dukje të parë,mbase nënkuptohet si vazhdimësi e "Guximit shqiptar",por kjo na del disi më e veçuar përnga kuantiteti dhe kualiteti,përnga seleksionimi dhe vizioni conceptual i librit,poashtu dhe përnga tematika dhe përnga seleksionimi i lëndës së këtij libri. Nisur nga botimet elektronike,si tek libri "Guxim shqiptar", në vebfaqen "Floart Press",Flori Bruqi ka ditur të veçojë në këtë vebfaqe letërsi të mirëfillët, polemika të nivelit intelektual e shkencor,shkrime e veçime të tjera nga shumë fusha letrare dhe të publicistikës. Me sajimin e librit "olimp shqiptar" autori sinjifikon një pikë kulmore të asaj lënde që përfshinë brenda kjo vepër dhe, pikërisht këtë synon autori t'ia ofrojë lexuesit. E tërë lënda, kuptohet, më parë e botuar në vebfaqen e njohur "Floart Press", është lëndë e zgjedhur dhe e përzgjedhur nga kritere të mirëfillta letrare, që përbëjnë një prezentim zhanresh të ndryshme, duke u nisur nga poezia, me autorë të zgjedhur shqiptarë, polemika për çështje të veçanta,çështje me tematikë psikologjike, analiza dhe veçime nga letërsia botërore,kuptohet sipas përzgjedhjes së autorit,por edhe autorë e figura të letërsisë, publicistikës dhe jetës buplike shqiptare, që në një formë o në një tjetër, kanë shënuar pika kulmore në jetën dhe dijen shqiptare. Të tilla figura në këtë vepër i gjejmë, nga bota letrare: Esad Mekulin,Azem Shkrelin,Din Mehmetin,Fatos Arapin,Arshi Pipën, Martin Camajn,Anton Pashkun, Agim Vincën,Sabri Hamitin,Besnik Mustafajn,Naim Kelmendin,Abdullah Konushevcin,Fahredin Shehu, Iljaz Prokshin, Albana Lifschin,Rajmonda Moisiu etj,nga ajo studimore si Rexhep Qosjen, Idriz Ajetin, Jup Kastratin,gjithashtu për jetën dhe veprën e nobelistes shqiptare Nënë Terezën,pastaj për figurat madhore të kohës sonë,legjendën e luftës, rezistencës dhe trimërisë shqiptare Adem Jasharin, atë të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, atë të shkrimtarit tashmë me famë botërore Ismail Kadare, si dhe mjaftë tema të tjera me interes të veçantë…Edhe me këtë vepër diktohet mëtimi i autorit Flori Bruqi që të seleksionojë kategori,vlera dhe çështje që shenjojnë nivele të arrira në botën e kulturës shqiptare, dhe këtë ai arrinë ta bëjë me sukses, me një shije të hollë dhe të zgjedhur.Me zellin dhe sensin e tij prej intelektuali të kujdesshëm,ai pothuajse i vë shenjën pikante mendimit të analizës letrare,prezentimit,vështrimit,krijimit,debatit, recensionit dhe shtjellimeve tematike, që ngrit brenda këtyre vështrimeve dhe tematikës në këtë vepër…


REAGIME DHE POLEMIKA, QË SFIDOJNË TË 

PAVËRTETAT SERBE TË KOHËS?!...

Nga Naim Kelmendi

Në librin "Polemika shqip"(Prishtinë,2009), shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Flori Bruqi, spikat me sensin për të polemizuar,në të shumtën për të reaguar në shumë çështje, që për temë kishin atë,çështjen e të vërtetës historike shqiptare,por të shkruara dhe të thëna në kohë dhe hapësirë të caktuar nga emra akademikësh serbë dhe shkruesish serbë.
 Polemisti Mr.sci.Flori Bruqi, në blogun e tij virtual:"Foart Press" dhe në shumë ëeb faqe tjera shqiptare dhe në gjuhë tjera botërore polemizon dhe reagon shpejtë kundrejtë të pavërtetave të thëna nga akëcilët akademikë serbë, që me "të vërtetën" e tyre publike, ushqenin opinionin vendor e ndërkombëtar për akëcilën çështje a problematikë kundër çështjes shqiptare, qoftë politike,historike, etnike etj.
Flori Bruqi polemizon intelektualisht dhe me kundërargumente kundrejtë shpifjes publike serbe,më mirë të thuhet, kundër rrenës serbe,që sipas thënies së njohur të akademikut serb Dobrica Qosiçit, është moral serb,për ta mendësuar opinionin me pseudoinformim, me pseudoshkencë,me pseoudopolitikë etj,por që këtyre, polemisti i mirënjohur shqiptar Flori Bruqi ua heq maskën me kundërargumente.
 Pra, në këtë libër, që përmbledhë,në të shumtën polemikat e kohës së pasluftës për shumë çështje,sa të ndieshme, siç është e vërteta mbi masakrën e Reçakut, aty ku më 1999 ishte kryer krim kundër njerëzimit, apo shumë çështje të tjera, që nga pseudoshkruesit, pseudoakademikët,pseudointelektualët serbë të Beogradit, interpretoheshin ndryshe nga ajo që ishte e vërtetë e përmnjëmendët,Flori Bruqi i problematizon çështjet, kuptohet reagon pas shkrimit të atyre, për t'i ndriquar dhe për t'i vënë në vend të vet të vërtetat,apo për t'ua thënë secilës emrin e vet ashtu siç e kanë në të vërtetë.
Sepse,krimi e ka emrin krim,shpifja e ka emrin shpifje,masakra e ka emrin masakër,e kështu me radhë.
Ky libër ofron mjaft material të polemikës,një zhanër ky,jo fort i lëruar në letrat tona të kohës moderne,por ja që, Flori Bruqi,reagon dhe polemizon në nivelin më të mirë me pseudoshkencën serbe…
 Në të vërtet,ky libër ofron për lexuesin edhe mjaft reagime të tjera nga shkrues të ndryshëm në Blogun virtual"Floart Press" etj.
 Në këtë libër,jipet gjithashtu një listë e gjatë emrash të të vrarëve shqiptarë,me datëlindje dhe vende ku janë masakruar apo vrarë, në luftën e fundit më 1998-1999 në Kosovë, nga ish ushtria,policia apo paramilitarët serbë.
 Kështu që edhe ky kapitull plotëson një anë tjetër të vërtetash, mbi krimet serbe në Kosovë, e që plotësojnë atë kriterin e polemikës argumentuese në raport me polemizuesin/shkruesin shpifës e falsifikator të vërtetash historike,politike /etj.
Shkencëtari dhe polemisti Flori Bruqi,reagon dhe polemizon duke mos dashur që t'i lë të heshtura çështjet,në të shumtën,atëherë kur ata, nga tabori i "intelektualizimit"serb, pa argumente, shkruajnë e gënjejnë, për çështjet, tashmë të njohura edhe nga opinioni botëror. 



NJË SYTH SHPIRTI NË AKUARELIN E NJË KOSOVARI

…brenda syrit poetik të Flori Bruqit


Nga Zef Pergega

Nanat janë krijesa e krijesave njerëzore. Asnjë hije muzgu me fluturim korbash nuk zë vend në shpirtin e tyre. Stoicizmi human dhe krenar është sfida e natës. Ata linden prej dhimbjës dhe dhimbjës së rritjës i kënduan gjithë jetën. Me këngë e thurin djepin e dashurisë dhe me shallin e ylberit i shërojnë ethet e forta. Asnjë art nuk mund ta shëmbë tempullin e shënjtë të tyre. Nanat janë bota e qiellit dhe e tokës dhe krah u japin foshnjave të bëhen ëngjëjt e jetës.
Sa herë ngjitësha shkallëve të drunjta të kullës së vjetër, nana ime që thurte bukur çorape me luledele apo me degë ulliri, pa më parë me therriste me emër. Me njihte nga hapat e ngjitjës…Ndërkohë që arti i sotëm e ka shpërfillur fytyrën dhe visarët e shpirtit të nanës dhe është mbërthyer si rriqën ne kërthizën e vibrimeve nudo, ngrihet një bir kosovari i lindur në vatren e lisit të tamlit dhe lisit të zjarrit, një flori-florë poetike mbi kurorë të gurrës së parë me emrin njerëzor Flori që me pathosin e tij të vlugut e ngre simbolikën e nanës mbi rrezët e dritës asaj drite që ajo i përket.
Rastësisht e me saktë në mënyrë periodike e lëxoi krijimtarinë e këtij poeti dhe si anija që e hedh spirancen nëmolon e ankorimit ma mbajti vështrimin një cikel poetik e këtij fisniku të fjalës së lirë. Duke lëxuar poezinë “Rreze drite”njeriu dhe në mënyrë të veçantë emigranti s’ka sesi të mos ngrohet nga këto rreze dhe të na kujtojë që sado që jemi larg shpinë kthyer, nana kurrë s’e harron birin apo bijen e saj. Qëajo të mos rrijë duke pritur mbas dere nga këto mbrapështi, Flori Bruqi si një thurës vargjesh me mbjellje zambaku e tredofilesh në ballkonin dhe kopështit të mevehtësisë sëKosovës, shkëput nga trungu i shpirtit një petale meraku prej vazos së kujdesit të nanës drejt adresës tonë, si pëllumbi qëkëkon bregun…

“…Natën e mirë bir
Çelësin mos ia vë derës
Se do të vijë nana
Gjumin e paprishur
Me hapat e pranverës
Mos je shpluar
Kur ike…!”

Poeti Flori Bruqi e ka thënë me një ndjenjë të thellë atë që shumëkush e ka harruar madje e ka mbraktisur nga shpirti këtë kumt njerëzor. Këtë thesar që rrjedh në lumin e turbulluar të jetës, Flori  e nxjerr nga fundi si varken e mbytur. Shumë i kanëkënduar nanës që ngjajnë me tinguj nostalgjie, por motivi i autorit në fjalë ka atë rreze drite që nuk shterr në shpirtin e nanës pavarësisht se koha po i josh brezat me harresën dhe përzierjen e gjakut. Bash kur hollohet e ndryshohet gjaku aty nana loton me sytë nga qielli për pak shpresë dhe respekt për prinderit.
Lajmotivi i poetit Flori Bruqi ka eren e theut tëparmëndës dhe e lëron vargun në ngohtësinë e qiellit pa patur nevojë të marrë miell hua, por gruri i arës së tij piqet me afsh trualli. Shpirti poetik me të cilin ka rrethuar tokën e mushtit të vargjeve bashkë me fantazinë dhe dhuntinë rri nëdritaret e një kalaje, si zogu që sjell lajmin e begatisë, lidhur guret me metafora dhe ushqyer me qumështin e zanave tëkthyera përseri pas shumë motësh ikjesh ndër valë. Poeti kosovar u këndon atyre që nënçmohet, atyre që shkelen me të padrejtë, atyre që u flet puna dhe dikush ua mohon me guna, I këndon urtisë, mençurisë së popullit të tij, bekimit tëballit dhe nderit të nëpërkëmbur. Ai i thërret nanat, vashat të vijnë në këngë se me këngë janë rritur djepat e trimërisë se pa ata djepa Kosova do të ishte përseri e shtypur ndaj dhe poezia e tij “Lajtmotiv i sinqertë” 
është një zgjim dhe njëkurajo, nje hov dhe një tingull i ri në piskamë se prej tyre ne morëm këmbë…

 “…Ejani në këngë
 Nana dhe motra
 Ne lindëm nga këngët tuaja
 Nga zëri juaj
 Morëm këmbë…!”

Para vargut të Flori Bruqit të ndizet një qerpik ngadhnjimi. Ai të fton qetësiht pa tamburante në vargun e rrëzeve të perëndimit për ta përjetuar poezinë nga vitrina e pastër e dritës që ndizet në pishtar. Edhe pse politikisht ka ardhur liria ne Kosovë, shpirti i vashës e përjeton atë me trishtim. Të lehurat e natës nëpër zgavrra përgojimesh tëparagjykuara me kurtha e gracka dashurie dhe poeti i vemëndshëm e shkoqit këtë ndjesi, mbasi ai nuk i duron njollat e zeza në bluzën e bardhë të transparences së virtytit njerëzor dhe pyet në poezinë “Liri fjale”

“…Mos vallë në qytetin tënd ilirik
të ndjekin qentë e tërbuar
Ndonjë hije nate…?!”

Flori Bruqi, si në jetë dhe në krijimtari nuk thyhet nga pushteti i prangave të pritjës dhe as nuk e kapin ethet e padurimit edhe kur e ndjen vetvlimin në damarë. Me krah dallendyshe ngjit muret e heshtura, ku jeta merr serume tëhidhura e ai ulet në karriken e sallonit të pallatit të ëndërrave rinore pasi shiu e ka bërë qull fletoren e vargjeve pa e ndjerështerrjen kur shkruan poezinë “Qyteti ku të prita”

“…Unë jam aty ku me ke lënë
Vallëzoi me hijet
E nuk di cilën të përkedhel
Pres dashurinë tënde
Mbi buzët e tua të zë një ëndërr…!”

Një poezi e veçantë me një gurrë me metafora dhe me një kopësht me krahasime është ajo me titullin “Akuareli i diellit”
Ajo iku në moshë të njomë, pa pasaportë e pa adresë. Ndoshta pa mësuar mirë emrat e malit, lendinës, lumit e bregorës që jetës i japin blegerime. Nxori në rrugë në atështeg të ngushtë nga gjoksi i paprekur fletoren me vjersha dhe shkroi për mëngjesin e Prishtinës, të vetmin kujtim mori më vete nga majat e ikjës dhe ai ngushtim shpirti e tokë i kujtoi nanen. Në xhamat e retinës vizatoi portretin e baces plak dhe pastaj e fshiu me dorë dhe dorën e puthi me bekimin e vetvetës. Eshtë gjaku që ndjen gjakun, e kush me bukur se Flori Bruqi e përcjellë këtë penelatë, si visari me içmuar i shqiptarit e i kosovarit. Dikur ajo vashë u kthye ne vendlindje. Autori nuk u bën thirrje dallendysheve të kthehen, por ai nga një kënd i syrit të tij vëzhgon fluturimin e tyre nga qielli që u laguan dhe e stolis tablonë kur vasha e ngjeu penelin në akuarelin e hënës në mbrëmjen e majit dhe pikturoi rrugen. Kishte çelur pranvera e kthimit. Ky motivështë thënë nga Flori Bruqi në mënyren me mjeshtrore. Nëfshat vasha që kishte ikur, por atdheu i ishte mbledhur galuc si një gur në zemër e në shpirt, me të cilin ajo kuvendoi gjithëkohën e largimit duke gjetur në ato themele hijet e vetmisëdhe të heshtjës dhe me tej melodinë e draperit në duat e fahtarëve të tokës së saj. Flori është i dashuruar pas së bukurës, ai e ushqen atë që të mos vyshkët dhe të mos shkilet. Madje ai është një triumf rrënjësh që larton trungun e inditetit njerëzor. S’ka gjë më të bukur kur femra e ruan feminitetin e saj, sa edhe pemët kërkojnë t’i ngjajnë.

“…Shpirti i saj
Një lëndinë qërshori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë…!”

Ndesha një krahasim që e vellon se tepërmi stofen e vargun dhe e llamburit mesazhin tek poesia “Mendim e kredhur” Nuk e di nëse ky poet me një fizionomi të konturuar në brumin e farës kombëtare ta këtë provuar mërgimin. Ai me nota trishtimi e vizaton portretin e shekullit që ndau familjen duke u çirrur nëpër tribuna e konferenca për liri e lëvizje të lirë. Sa nana e motra mbetën pa burra, pa fëmijë e autori thotë senuk paten një gur ku të qajnë!
Vejusha pa fat me prehera të thatë. Djepa që nuk lidhën dhe as nuk zgjidhen. Kënga Nina-nana e ngrirë nëmure të akullta dhe siç thotë Flori, në shpresat e djegura vret e qan trishtimi. Tonelata vujtjesh që mbytën mbi dallgët e mërgimt mekatar dhe poeti i dhimbshur thotë:

 “…Shikimi i nënëmadhës si shqiponjë/ Pas e ndjek/ Klithma djemsh/ Mbetur ikona nëpër pragje…!”

Në akuarelin e dritës së shpirtit të tij që rri në pëllëmbë tëvargjeve, një ditë në Amerikë dallova ylberizimin e figurave letrare dhe artistike të këtij poeti që e shikoj si kurore magjike mbi ballë të tokës kosovare për t’ia zbukuruar fytyren lirisëdhe gjithçka që është shqiptare.

( http://www.fjalaelire.com/kritika/1134

NJË PUBLIKIM SERIOZ DHE I VLERËSUESHËM NË 

FUSHËN E DIJES SHQIPTARE, “OLIMPI SHQIPTAR”, I 

FLORI BRUQIT

Nga Kristaq F. Shabani, shkrimtar nga Shqipëria
Prologim dritësor

Kohët e sotme janë kohë të lulëzimit modernist dhe të daljes nga “prangimi” dhe “ganxhimi”, i të cunguarve me emër pronor, që dolën nga “Lëvozhga mit” dhe elegjuan “vargjet vrara” tregojnë për përçapje studimore jashtë “kuadraturës kriteriale “ e normativave moralizuese…
Ende në studimet apo mendimet kritike thuren lavde të pameritueshme për krijues, që shkuan apo që janë aktualisht, pa i këndvështruar ata me sensin e origjinalitetit dhe të prezencës “autoritare“ të kreaturës së tyre…, por shpesh ndiqet përvijimi i rrugëtimit të tyre, nëpërmjet asaj ç’kanë thënë të dikurshmit, të cilët kanë humbur logjikën” e mendimit kritik, në këtë kohë të ndryshimeve të gjithanshme dhe atyre emotive, duke mos kapur fillin e najlonizuar...
Krijimi është produkt i një të talentuari me forcë të madhe meditative, me një këndvështrim ndryshe nga të tjerët, i cili dritësohet nga një diell tjetër dhe është i aftë të krijojë lidhësinë shpirtërore në një formë e trajtë çudibërëse dhe në një klimë polarizuese me stina të kthyeshme, të ndërthurura dhe të ndërvarura nga njëra - tjetra. Sot me studime dhe mendim kritik merren dhe ata, që s’kanë minimumin e njohurisë për këtë shkencë të madhe, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të vulgarizimit dhe të skeptricizmit të mediokritetit.
Ndërmarrja e veprave të studimit analitik në këtë vrullshmëri dhe stad krijimi me një temperament e stil më të lirshëm, më të pushtetshëm kreativ është një veprimtari, e cila kërkon nivel të lartë kulturor. Shtëlljesë:
Libri “OLIMPI SHQIPTAR”, I FLORI BRUQIT, është një libër voluminoz, i cili edhe nga aktitektura si dhe nga kapitullizimet e tij tregon katërcipërisht erudicionin, nivelin e njohurive të autorit, lëvrues dhe studiues në shumë fusha, duke bërë analitika dhe paraqitje profesionale. Në këtë libër, duke u nisur nga shijet e tij artistike, që duhen
respektuar, ai ka rrokur disa nga poetët shqiptarë si: Azem Shkreli, Agim Vinça, Fatos Arapi, Arshi Pipa, Avdulla Konushevci, Esat Mekuli, Agim Bacelli, Besnik Mustafaj, Arif Molliqi, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri Hamiti, Fahredin Shehu, Rajmonda Moisiu, Mardena Kelmendi, Pal Sokoli, Albana M. Litschin, Raif Gashi dhe Iljaz Prokshin..

Përzgjedhje autoriale

Kjo është një përzgjedhje autoriale, duke u nisur nga këndvështrimi i tij i pavarur dhe i lirë poetik, nga pëlqesat personale kritike, apo nga mendimet kritike të dhëna për këta poetë.
Azem Shkreli trajtohet në këtë vepër të Flori Bruqit si poeti, që zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare si dhe e evidenton si impulsues të një sensi dinamik, të një spektri zgjerues tematik, të një risie lirike si dhe të një pasurimi ngjyror të fjalësit në sensin figurativ të ndjesisë. Jep një panoramë dinamike të Azem Shkrelit, duke paraqitur veprat e tij të botuara në disa gjini si poezi, prozë, drama e tjerë.
Azem Shkreli cilësohet si kthesuesi i parë drejt modernitetit në letërsinë shqiptare. Edhe në lëmimin prozaik autori evidenton Shkrelin si thyerës i tabusë dhe marrës i kthesës së mirëfilltë në letërsinë kosovare dhe atë shqiptare me romanin “Karvani i Bardhë” si dhe me tregimet në librin “Sytë e Evës”.
I shquar në lirikat e para (vendlindja dhe njeriu në epiqendër të krijimit), të pasuara me lirikat e dashurisë, lirikat atdhetare, lirikat refleksive.
Një nga karakteristikat më madhore të këtij produkti lirik dhe poetik është se, Shkreli në kreaturën e tij ishte i prirë drejt meditatimeve filozofike. Për të argumentuar përfundimin e tij logjik studiuesi, shkrimtari Bruqi, ilustron me poezi të Shkrelit me tituj intrigues si: “Bregu i Mollës”, “Këngë e Vrugët”, “Motivet e verdha”, “Para elegjisë”, “Liqeni”, “Kënga e turpshme” e tjerë. Duhet theksuar se periudha, kur jetoi dhe shkroi Azem Shkreli ishte një periudhë tensionare, e indokrinuar, e trajtesave ditirambore dhe e produktit kënaqësor, një periudhë, ku shembëlltyra poetike devijohej me urdhëresa në “korsi” të njëjta, apo starte të njëjta dhe precipitimi vetiak ndëshkohej, ndaj rrugëtimi në “rrugë të pashkelura” duhet të ishte i studiuar me mjaft vëmendje nga krijuesi, por përmasat figurative duhet të ishin të një lartësie e përzgjedhje, por të buruara nga një spontanitet i nevojshëm, për të shmangur rakitizmin (proliksitetin), i cili ishte kryefjala e krijimtarisë së poezisë dobësore inervore e kohës, ku ditirambi dhe natyra krijuese stimulonte pa nerv “ecuritë” këmbërënë dhe ecjet në urat lëkundëse...
Nëse sot analizon poezitë shkreliane me një këndvështrim tjetër të ecurisë poetike në kontekstin e shkëmbimit universal të vlerave do të diktosh që, paçka nga mospërkthimet në gjuhë të huaja të kësaj kreature, ruhet supermacia dhe dinamika e krijimit, nga shkathtësia frazore dhe figurative, nga fjala e përkorë, nga vrullimi e gjallesa e përcjellshmërisë së idesë, nga arkitektura poetike.
Por duhet theksuar se bukuria lirike e Shkrelit të befason, por në disa raste kalon edhe në momente moralizuese, tonaliteti, paçka nga figurimi si psh. te “Para elegjisë” poezia fillon mjaft bukur dhe precipiton po bukur me natyrshmëri dhe ndjesi, por: … Një ditë do t’i hash buzët e tua, gjurmët e tua do t’i pështysh... (ka rënie të diagramës poetike dhe duhet të kishte gjetje figurative), pastaj poezia përsëri uniformohet dhe del në udhën që kërkohet, deri sa arrin te “epilogu”, i cili merr “krahë moralizues”.
Ruaju,moj se vashat më të bukura i vret bukuria e vet,... paçka nga filozofia mbartëse, pasi poezia e modernitetit i ruhet moralitetit të hapët, pasi humb melodicitetin, e shpreh moralitetin me aftësinë e ndritshme të vargut. Kjo mund të thuhet edhe për “Katër këshilla vetes” ( janë vetëm tri këshilla në fakt dhe jo katër, pasi një është e ripërsëritur dhe nuk ka vlerë të katërt), të cilat me me shenjën pikësore pikëçuditëse, janë kthyer në tone urdhërore për veten dhe krijuesit e tjerë.
Konteksti përmbajtësor i kësaj poezie është kontradiktor... Këshillën e parë të Shkrelit, që ia ka vënë vetes e mbartin poetët e rinj si lajtmotiv! Një bukurim poetik është poezia “Nënat”, e cila ka një rrjedhë gjallësore, të ndritshme, të figurshme, të buruar nga një shpirt poetik analitik dhe tepër i aftë për të diktuar bukuritë e nënës.
Bruqi ka evidentuar në përfaqësuesit më me zë të letërsisë shqipe, poezinë shqipe, poetin dhe studiuesin Agim Vinca . Kam mendimin se Vinca ka kontribute dhe shërbesa të mëdha në letërisë shqipe, sidomos në studimet e saj, dhe drejt thuhet në librin “OLIMPI SHQIPTAR” se është një studiues i dalluar dhe ka meritë edhe në guximin e tij intelektual.
Një vlerë e tij është: i përkthyer në disa gjuhë si hebraike, vietnameze, maqedonase, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe e tjerë. Në këtë kontekst është ndër të parët dhe vlen të përmendet për kontribut. Vetëm një studim analitik i poezive të paraqitura në librin e Flori Bruqit dhe me një krahasim logjik me krijimtarinë shkreliane, Vinca paraqitet i zbehtë në poezinë e tij.
Dua të veçoj poezinë “Paradoks”, e cila është në pëlqesën time, por me një heqje të që –së në vargun e tretë... “Glosë për Çamërinë”, një poezi tërësisht e dobësuar, me pak vargje poetikë, paçka çfarë kërkon të thotë... Më saktike dhe më e precipituar nisma e poemës për Familjen Jashari...
Duhet theksuar se poezia e mendimit konciz kërkon “mbrujtje të madhe “ . Po kështu mendoj se poezia “Mora Rrugën për në Qafë Thanë” , mendimi i poetit ka mbetur në vargje proliksë...
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Psalm për Shën Naumin” ai mbetet në pozicion konstatues dhe precipitimi i vargut të fundit tregon një pasthirrmim i dalë jo vetëm nga shpirti i ndjerë poetik , por edhe nga shpirti i çdo njeriu... Pra nuk ka lulim poetik...
Kështu mund të flitet edhe për “Betimi (Anno Domini1999),i cili ndoshta ka nëpër të ca vargje impozantë. Doja të theksoja se studiuesi duhet të jetë dhe poet i nivelit, edhe i shkolluar, për të realizuar një zbërthim analitik të krijimit.
I nderuar Bruqi, me këtë substrakt poetik të përsjellë për Vincën, nuk justifikohet, sa duhet dhe si duhet prezenca e tij poetike si i “spikatur “, që motivohet prej jush në këtë libër voluminoz,kur mund të përzgjidheshin nga krijimet e tij poezi të tharmit.
Vendosja e Arapit në këtë libër është e përligjur. Arapi e meriton vendi e tij në këtë “kolanë” të letërsisë e të poezisë shqipe. Duhet theksuar se Arapi ka patur aftësinë të poetizojë me shumë patos dhe lirizëm.
Po kështu duhet evidentuar se, “rrudhimi kohor” nuk ka vepruar vetëm në Shqipëri dhe s’ka ndikuar vetëm këtu në krijimtarinë letrare të krijuesve shqiptarë, por shumë edhe në Kosovë, ku, përveç të tjerash ka pasur edhe “flirtime” poetike të detyruara, ashtu sikundër ka pasur edhe represione, reprezalje ndaj krijuesve...
Për poetin Fatos Arapi është folur shpesh dhe zoti Bruqi bën një analitikë të kujdeshme për diagramën poetike të këtij poeti. E magjishme poezia e tij për Atdheun... Atdheu yt i vogli, i vogli./ Ai hyjnori i pavdekshi – loti,duke mos mohuar kreaturën e Fatos Arapit, doja të theksoja se dhe poezia e tij nuk i ka shpëtuar rrëfimit, aftësisë rrëfyese dhe, hera – herës, në disa krijime të tij ka rënie, s’ka figurim, paçka se do të shprehë gjendje, ka tepëri dhe zgjatje të panevojshme, të cilat me një përqëndrim më të madh Arapi mund t’i kishte krasitur vetë, duke mos luftuar për një koincizitet poetik dhe të latuar mirë.
Kjo poezi ka trajtë afër modernes, por ka dhe tonalitete deklarative.
Kjo që theksova më lart nuk e zbeh aspak kreaturën e Fatos Arapit... Nuk dua të zgjatem me këtë poet, pasi të them të drejtën nuk kam parapëlqesë për rimëzimet të formës apo trajtës të puthur, apo përdorimet e rimimeve foljore më nervozojnë së tepërmi, pasi humbasin bukurinë...
Kur analizojmë kështu dhe kemi mendime kritike për Fatos Arapin ç’mund të thuhet për disa krijues të tjerë, që janë vendosur në librinn “OLIMPI SHQIPTAR”, të cilët kanë dobësi të theksuara në poezi dhe që s’kam ndërmend t’i paraqes në këtë mendim kritik për këtë libër voluminoz.
Motivet nga është nisur autori unë i kam parasysh për efekte gjeopoetike, duke u nisur edhe nga mosnjohja si duhet e krijuesve të mirëfilltë shqiptarë modernë, të cilët sot japin kontribut dhe konkurrojnë në poezinë botërore moderne.
Me vend e shoh dhe me të drejtë pjesëmarrjen në këtë libër të figurave poetike të tilla kosovare si Esad Mekuli, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri Hamiti, Fahredin Shehu e tjerë. Më gëzon fakti që tre poetët e fundit janë konkurrues, duke përfshirë dhe Avdullah Konushevcin e Besnik Mustafaj (por me një selektim me të mirë të krijimeve të tyre) i mëshojnë fort një poezie moderne dhe kanë mundësi shumë të mëdha për të pasqyruar kreaturën e tyre në rang ndërkombëtar.
Që të jem i saktë mund të kem të njëjtin mendim edhe për ndonjë recensë, apo mendim të fryrë për ndonjë krijues, i cili nuk është i atij stadi që është personifikuar. E shoh të arsyeshme të them se, disa e heqin veten, sikur janë në majë të Olimpit, kur nukjanë tillë dhe një qëndrim i tillë, natyrisht, e dëmton vetë “OLIMPIN”. Poezia nuk kërkon lavdërime, por të thënur troç dhe troçësia është e bukur dhe jo përkëdhelëse.

* * *

Heshtje përkufizohet: “HIÇ...”
Heshtje do të thotë: “MOSJETIM...”
Heshtje do të thotë: “PIKË”…
“Pulsi i Dhimbjes”

Elegancë përzgjedhjeje e Bruqit në korifenjtë e letërsisë botërore

Një përzgjedhje elegante është bërë në kapitullin e dytë të librit. Bruqi ka përzgjedhur korifenj të letërsisë botërore, që kanë dafinizuar dhe kanë arritur maja olimpiane në letërsi, pasi vepra e tyre e spikatur edhe sot lulon dhe “jep” mend, pra përzgjedhje të letërsisë që s’vdes…
Në pararojë të hyrësisë së këtij kapitulli është Albert Kamy, ky klasik modern, Borges, ky fenomen letrar, siç e motivon Bruqi,Heinrich Heines, poeti i madh gjerman, Gabriel G. Markuez,Hemingueji,shkrimtari brilant, i cili të befason ende me librin e tij të pavdekur kurrë“Plaku dhe Deti”, një mistikë fenomenale letrare, Anton Çehovin, shkrimtar - majë i letërsisë ruse, Fjodor Dostojevski, shkrimtar i trurit intelektual dhe i përsiatjeve të mendimit letrar të përkorë; Vladimir Majakovski, i veçantë në krijimin dhe stilin e tij të motivuar, Viktor Hugo,shkrimtari madhor francez epokal, Jean Paul Sarte (të çuditshmin mendimor dhe rrëfyes”ndryshe”), Orhan Pambuk, nobelistin turk dhe në epilogim të këtij kapitulli vendos Robert Shvarc, albanologun, shkrimtarin dhe përkthyesin e talentuar të gjermanishtes të Erih Maria Remarkut, Lion Fojtvanger, Leon Uris, Bertold Breht, Hajnrih Hajne, Gëte e Shiler…

*

Kapitulli i tretë duhet motivuar kapitulli i recensionimeve për vepra të Ali Asllanit, homazhim për veprën e Fan Nolit, për Anton Pashkun, për Martin Camaj,Vedat Kokona, Azem Shkrelit e për Fatos Kongolin, Ben Blushin, Flutura Açka, Sadik Përvetica, Zymer Elshanin, Myrvete Dreshaj – Baliu, Ibrahim Skënderi e tjerë…

*

Ndërsa, kapitulli i katërt motivohet si kapitulli i temës psikologjike

Në këtë kapitull autori ka hedhur dritë, që duhen mbajtur mend dhe të mos pësojnë ndryshime rrjedhat historike, si një nga temat kryesore: dhunimet gjatë luftës së Kosovës, ku predominon eliminimi fizik dhe mendor, del në pah lufta e moderuar e Vesli Klark për të mposhtur arkitektin mizor, diktatorin serb Milosheviç, jepet një panorama analitike e Masakrës së Çyshkut si dhe një panoramë tjetër e tej thelluar e spastrimit etnik; po kështu bëhet një analitikë e shkaqeve të vetëvrasjes dhe jepen rekomadime për të eliminuar këtë akt antinjerëzor nëpërmjet parandalimeve dhe kujsdesit, që duhet treguar për uljen në minimum të tyre...
Evidentimi i faktorëve të rrezikshmërisë që të shpien në suicid është një zbulesë kontributi i Flori Bruqit për parandalesë..
I mëshohet në këtë kapitull edhe psikologjisë andragogjike dhe zbatimti të saj në ushtrinë shqiptare dhe në TMK/FSK. Konceptet dhe përvojat e të mësuarit, proceset volitive, orientimi për të mësuar, motivimi i të mësuarit.
Ky konceptim ka objekt dhe zhvillimin e mëtejshme të përgatitjes ushtarake, duke u nisur dhe nga klimat: klima e hapët, klima e kënaqësisë, klima humaniste,...


*

Trajtesa më kapitullin e pestë është trajtesa historike dhe rrok disa tema të rëndësishme si Kosova, të pathënat pas luftës, nacionalizmi dhe ndikimet e huaja, Milan Von Sufflay dhe shqiptarët, preket Jeta e Ali Pashë Tepelenës, Ahmet Zogut dhe ky kapitull mbyllet me Adem Jashari, simbol i rezistencës shqiptare.
Zbërthim analitik historic në këtë kapitullizim bëhet për Kosovën, shtypjen etnike, arkitektët e kësaj shtypjeje, misonet si dhe ndihmesa e organizuar dhe e detajuar e ndërkombëtarëve me rol parësor SHBA.
Jepet dhe një panoramë e pushtimeve të Romës, Bizantit, Turqisë e tjerë, duke nxjerrë në pah dhe fetë e tyre sjellëse në këto troje shqiptare (katolicizmin, ortodoksizmin dhe islamizmin)...
Tërheq vëmendjen studimi apo paraqitja që bëhet në vepër të studiuesit, albanologur kroat Milan Shuflai, ku jepen të dhëna historike të panjohura si dhe po kështu paraqiten me koincizitet rrethanat e vrasjes së këtij gjeniu të letrave, (objekti i vrasjes i lidhur drejtpërdrejt me çështjen shqiptare, angazhimin e tij në zbulimin e historisë shqiptare, nëpërmejt një punimi disavolumësh), që iu përkushtua dhe studimit të historisë shqiptare, anëve esenciale të pazbuluara të saj, i shkolluar në shkollën austro-gjermane.
E rëndësishme dhe shumë dukurore dhe dritësore është se për albanologun jepen të dhëna, veprimtaria e tij si dhe letërkëmbimet me personalitete, po kështu dhe fjalënderuese për veprimtarinë e tij të shumanshme shkencore e historike.
Në pjesën tjetër të përshkrimit të Ali Pashë Tepelenës në librin “Olimpi Shqiptar” jepet dhe korelacioni në trajtesë të figurës si dhe përshkrimi në veprën e Dumasit dhe të Zavalanit për Ali Pashë Tepelenën. Bruqi hedh dritë në figurën e Aliut në lidhje me krijimin e shërbimit sekret të Pashallëkut të Janinës, një trajtesë interesante si pashai pati aftësi të organizonte një shërbim sekret të aftë, përballues dhe justifikues për objeksionet e tij me largpamje.
Pa dyshim i rëndësishëm është dhe një pasqyrim i jetës së Ahmet Zogut, po kështu dhe e figurës kalendarike, burrërore dhe heroike të Adem Jasharit, duke e trajtuar si simbol të rezistenës kombëtare.

I nevojshëm,ky kapitull,tërheqës vëmendjeje…

Kapitulli i parafundit i “OLIMPI SHQIPTAR: rrok dhe trajton personalitete të mëdha me kontribut nga Bota e Dijes shqiptare si: Gonxhe Bojaxhiu në letërsinë shqipe, (konfigurimi i kësaj figure në shkrimet e autorëve dhe krijuesve shqiptarë), poetin, prozatorin dhe dramaturgun Jusuf Gërvalla (dalin në pah dhe evidentohen panjohësitë për veprën e tij dhe publikimi i veprave të tij, të kësaj figure poliedrike të këtij shkrimtari martir, cilësuar prej autorit), dr. Mirela Bogdani “Dritësim i botës shqiptare” (shqiptarja e Oxfordit, nën lajtmotivin “Elita e dijes duhet riangazhuar); evidentohet Akademik Idriz Ajeti (pesë veprat e tij, kontribut madhor në fushën e dijes shqiptare), Ledri Kurti – Kraja, eseiste dhe poete shkodrane (tërheq vëmëndjen “Skicë e mendimit estetik shqiptar në fillim të shekullit të XX)(Konica, Prozë dhe kritikë); trajtohet Ismail Kadare pak më ndryshe, pas dhënies së një fragmentimi jetësor nga jetëshkrimi kadarean, bëhet një zbërthim i poezisë së Kadaresë, duke e cilësuar poezinë e tij si një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip, gjatë një gjysmë shekulli) si dhe jepet një pasqyrim i qartë i produktit letrar të Ismail Kadaresë, gjatë gjithë jetës së tij shkrimore.
Bëhen zbërthime analitike të romaneve dhe veprave të Kadaresë si dhe jepen fragmente nga veprat e tij si “Kronikë në gur, “Përbindëshi”, “Kështjella” ,”Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Qyteti pa reklama”; Jup Kastrati (Jeta dhe vepra e tij), Ibrahim Rugova( bëhet zbërthim njohës për veprat e tij, jepen çmimet dhe titujt Ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës, trajtohet si kultivues i modernitetit në letërsi, si studiues; Rexhep Qosja (jepet një panoramë për jetën dhe veprat e Qoses) si dhe kontributi i tij akademik në ngritjen e kuadrove shkencore në fushën e folkloristikës, fushat studimore në folkloristikë, studimet e tij teorike për figuracionin dhe stilin, studimet krahasimtare.
Pastaj kapitulli vijon me: Ukshin Hotin (është një përkujtim memorial  i veprës së tij si dhe mendimet e dhëna për Ukshin Hotin nga personalitete të kulturës dhe të letërsisë si Kadare dhe Qosja.
Një vend të veçantë në “OLIMPI SHQIPAR” zë dhe vepra e jeta e poetit, fabulistit Izet Çulli, që është dhe në kryesinë e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, ku pasqyrohet vepra e tij dhe tre shkrime të tij për Kosovën; Adem Demaçi, një plotësi për të njohur këtë shkrimtar me veprat e tij), Zymer Neziri, studiues i mirëfilltë dhe kontribues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Adnan Abrashi, Nimon Muçaj, intelektuali Namik Shehu, Begzad Baliu dhe në fund në këtë kapitull i lihet vend pjesës opinionare.

Pjesa e fundit e “Olimpi shqiptar”

Ky kapitull sjell opinione për librin “GUXIM SHQIPTAR”
Shkrime nga Fatmir Terziu, Rustem Geci, Naim Kelmendi, Nehas S. Hoxha, Avdullah Konushevski, Izet Çulli dhe përfundon me poezi të vetë autorit Flori Bruqi dhe mbyllet me biografinë (jetëshkrimin) e autorit të “OLIMPI SHQIPTAR”.

Si përfundesë:

Këshillim i LNPSHA “Pegasi” Albania për librin “Olimp shqiptar”, të Flori Bruqit, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Arsimit e Shkencës të Kosovës

Me një arkitekturë të tillë ky libër duhet të jetë një ogur i mirë për pedagogët,studentët, shqiptarë, mësuesit dhe nxënësit e të gjitha kategorive për të mundësuar zgjerimin e tyre të njohurive në disa fusha si: atë letrare, psikologjike, fushën e madhe të dijes, njohjen e personaliteteve të letërsisë botërore si dhe disa prej përfaqësuesve tipikë të letërsisë së Kombit shqiptar.
Komisioni i specializuar për hyrjen e teksteve dhe librave të autorëve të ndryshëm si libra të kontributit në fushën e dijes elitare duhet të evidentojë edhe këtë libër dhe jo të vendosë në programet shkollore libra, që s’meritojnë e s’thonë gjë për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Studentët,tashmë,janë të prirur që t’i marrin tekstet,apo të kryejnë detyrat e kursit,duke kopjuar nga materialet në internet,duke ndryshuar paksa përmbajtjen dhe pedagogët e tyre paqetohen me këtë “vjedhje” dijesh dhe errësim dijesh…,ku nuk duket inteligjenca e studentit,por krijohet premise e shabllonizimit dhee  kopjimit narrativ…
Kjo tashmë është bërë modë dhe sfiluese edhe me nxënësit e shkollave 9 vjeçare e të mesme.Kjo bën që të hiqet dorë nga leximi i librit…
Ky mendim i LNPSHA “Pegasi” Albania të vlejë edhe për përzgjedhje të librave të ndryshëm letrarë,që kanë vlerë të padiskutueshme në fushën letrare e gjuhësore dhe që mund të futen në programet shkollore e të mos vijohet vetëm me letërsitë e dikurshme,por me me letërsitë ndryshe të mirëfilltë,që i nevojitet aktualitetit dhe zhvillimit të mendimit progresiv të shoqërisë.Po kështu Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë duhet të ngrejë një komision të veçantë për të qëmtuar,hulumtuar veprat e krijuesve shqiptarë,që sjellin pasurimin e gjuhës shqipe me neologjizma letrare,të cilat të studiohen nga studiues niveli,jot ë mefshtë si deri më tani hezitues, dhe të pasurohet fjalori i gjuhës shqipe në një kongres të veçantë për këtë akt madhor gjuhësor.

( http://floart-press.blogspot.com/2010/12/nga-kristaq-f-shabani-nje-publikim.html)



LETËRSIA SI “AKSION” KOMUNIKIMI

(Një libër kritik për krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi )

Rajmonda Maleçka

Flori Bruqi është njëri nga shkrimtarët, që ka shkruar njërën nga letërsitë më interesante në Kosovë, veçanërisht në prerjen kohore të viteve 90-të e në vazhdim, me çfarë është bërë prezent një nga zhvillimet më të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Në problematikën historike, etnologjike, diplomatike e emblemuar nga të gjithë analistët historik dhe ato të kohëve të vona si “nyja gordiane e Ballkanit”, letërsia e Flori Bruqit është interesante dhe e elementuar si letërsi bashkëkohore me të gjithë problematikën e saj qoftë ajo brenda letrare dhe ajo jashtë letrare.Një korpus romanesh, të cilët në librin kritik që pritet të botohet në Tiranë së shpejti, vlerësohen si detaje të realitetit shqiptar, në kushtet e një klime kolonialiste, hedhin dritë të mjaftueshme në prerjet historike të një populli të sakrifikuar dhe të kryqëzuar për një çështje të hershme dhe hyjnore. Të gjithë konfliktet hyjnore kanë në themelin e vet raportet me lirinë. Flori Bruqi ndihmon në “paradigmën” për ta kuptuar “legjendën e mbijetesës”, gjithashtu dhe atë temën biblike të dhimbjes.Raportet që letërsitë kanë me popujt dhe tokën në të cilën ato kanë gjetur rrënjët e fjalëve dhe të mendimeve, të kujtesës dhe të nevojës për të ditur se kush është atdheu, liria, njerëzit e lashtë dhe njerëzit e lirisë, kanë prodhuar gjithmonë letërsi që ju kanë rezistuar kohërave. Një letërsi është e mirë, është nënprodukt i një realiteti të madh njerëzorë, kryesisht nga ky raport dhe nga jetëgjatësia që ajo i ka programuar vetes.Pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në Kosovë, veçmas nga gjysmë e dytë e shekullit që sapo lamë pas, është ndërtuar përmes një raporti ekzistencial i elementuar në subjekte, ngjarje, personazhe dhe struktura të shkëlqyera vertikale dhe horizontale me çfarë krijuesit e Kosovës i kanë bërë shërbimin kulturës shpirtërore dhe asaj të kujtesës kolektive, duke qenë e orientuar shpirtërisht.Ekzistencializmi është një konsekuencë e njohur për të jetuar, i cili është shfaqur dhe e ka pjesëtuar veten në letërsinë artistike më shumë se sa në shumë fusha të tjera të dijes dhe të filozofisë. Tek shqiptarët ky lloj raporti ka qenë shumë më herët se sa Hajdegeri të shpallte doktrinën e ekzistencializmit. Nëpër prerjet e këtij ekzistencializmi, shkrimtari Flori Bruqi ka arritur t’i “shkulë” kohës shumë personazh të tipizuar mrekullisht, shumë ngjarje me të cilat i bëjnë prezent epokën, protagonizmin historik, të cilat janë elementë të dukshëm të procesit letrarë.Studimi kritik për krijimtarinë artistike të Flori Bruqit e karakterizon autorin si një krijues unik në kushtet e një letërsie të re dhe specifike, e cila u shkrua në Kosovë në rrethanat e një kompleksi totalitaro-kolonial, e cila ishte e kushtëzuar të ishte me një simbolikë të qëndrueshme, por të realizonte një komunikim real. Në kohët totalitare dhe ato që inspirohen prej tij, apo janë nënprodukt i tij, komunikimi ka një rëndësi të madhe, i cili lidhet me strategjinë e mbijetesës. Kosova, të paktën për një shekull është kushtëzuar për mbijetesën e saj, pasi mbi të njëri nga kundërshtarët e saj të vjetër praktikoi mbi të gjenocidin, etnocidin dhe shfarosjen e zhdukjes në masë.

a. Letërsitë si prerje të kohërave

Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit si shkrimtarë merr në konsideratë romanet e tij të cilët nyjëtojnë kohët më emblematike të Kosovës. Bruqi ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata, ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të gjithë kategoritë e lexuesit. Letërsia ka një qëllim të njohur, ajo synon të realizojë një komunikim sa më të gjerësishëm dhe sa më selektiv. Marrëdhënia që letërsia krijon me lexuesin është më e shtrirë dhe më e gjerësishme se sa njoftimi që përcjellin llojet e tjera të komunikimit, dhe të letërsisë dokumentare apo dhe asaj historike.Bruqi arrin të krijojë një raport kompleks të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, aq më tepër të gjinisë së romanit, duke e shndërruar të në “aksion”. “Aksioni” i komunikimit, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të përjetuara, ka përmbushur njërin nga kushtet më sendërtare të letërsisë artistike, duke qenë njëra nga pasqyra më besnike ku njerëzit kanë parë fytyrën e vet dhe historia ka shtuar faqet e librit të saj të madh të etnisë, kombit dhe të autoktonitetit të tij.
Romanet dhe krijimtaria artistike e Flori Bruqit, sjell prerjet kohore të zhvillimeve të fund-shekullit të kaluar kryesisht, në një realitet të kushtëzuar njerëzore, ku duken hapur marrëdhëniet koloniale të kolonizatorit si sundues i egër dhe i papërmbajtshëm në egërsinë e vet dhe të një realiteti njerëzorë, i cili i referohet thelbit të tij që nga lashtësia deri në ditët tona. Drama dhe personazhet, aksioni i ngjarjeve dhe definicionet psikologjike, të cilët tipizojnë zhvillimet sociale dhe historike të asaj ku merren dhe autori e gjen lëndën letrare, janë si dukuria e formimit të ortekëve që zmadhohet dhe marrin fuqi në rrugëtimin e vet. Bruqi kujdeset t’i ruajë konvencionet e kohës së tij dhe të personazheve të tij.

b. Letërsitë si vazhdimësi historike

Çështjet kombëtare kanë rrënjë të thella në problematikën e tyre për t’u bërë letërsi për arsyen e njohur të tyre. Letërsia artistike i ruan ngjarjet historike ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike, ndryshe historisë, ndryshe kronikave dhe ndryshe gjithë llojeve të tjera të kujtesës. Letërsia artistike i mbush me gjak dhe shpirt ngjarjet historike, i mban ashtu dhe i ruan po ashtu. Letërsia artistike i ka kodet komunikatave më të gjerësishme dhe më shpirtërore se sa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet historike, as ato njerëzore, as dhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin t’i bëjë pjesë të konvergjencave të zhvillimeve.
Personazhet e njohur dhe real të Shekspirit të madh, historia i ka fosilizuar, i ka konservuar deri në gjendje bazike, ndërsa shkrimtari i madh përmes letërsisë i ka sjellë ato në marrëdhënie me të gjithë kohët, pavarësisht sa të zhvilluara dhe të avancuara ata kanë qenë krahasimisht me kohën e personazheve real, prej të cilëve Shekspiri e mori “tharmin” e tyre.Thuajse 10 romanet e Flori Bruqit dhe libri më i mirë i tij, “Guxim shqiptar”, i cili është ndërtuar si një organizëm unik, me marrëdhënie dhe kumte vertikale, horizontale dhe diagonale, dhe që është një libër për të gjithë, përbëjnë një realitet të veçantë letrarë, qoftë për tematikën po ashtu dhe për profilin letrarë që autori ka paraqitur. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa të zë shumë pak kohë fizike ta absorbosh në leximin e parë këtë lloj krijimtarie, por është ndryshe kur atë kërkon ta zotërosh.
Shkrimtari Flori Bruqi përmbush parimin themelorë të letërsisë si krijim, pasi ajo (letërsia artistike) nuk e përkufizon kohën që zë brenda vetes, por e pasqyron atë përmes zgjedhjes dhe seleksionimit të ngjarjeve, personazheve tipik dhe e bën të komunikueshme me të gjithë kohët. Kjo sjellje elitare dhe e zgjedhur i bashkëngjitet dhe përvetësohet

c. Metafora ekzistenciale e jetës

Duket se Flori Bruqi është një shkrimtar, i cili arrin ta gjejë letërsinë dhe gjendjen e tij krijuese, qoftë në një realitet në të cilin flitet për vdekjen, pritet vdekja, dhe, ku të gjithë lajmet që shkojnë e vijnë kanë të bëjnë po me vdekjen. Baladat e vjetra dhe ato të reja qoftë dhe për ta mundur vdekjen, kanë qenë dhe do të jenë më tragjiket në historinë e njerëzimin. Epi i Gilgameshit duket se i ka thënë të gjitha që nga koha kur ai u krijua dhe deri sot.Ka kërkuar dhe ka gjetur personazhe, të cilët kanë plotësuar kapacitetin real dhe atë përtej vetës, që shkrimtari i ka bërë pjesë të një pune, frytet e të cilës jetojnë gjatë. Jetojnë më shumë se një shtëpi, më shumë se një mundim, më shumë se të gjithë gjërat e tjera më të sofistikuara, që njerëzimi është përpjekur dhe ka luftuar ta “mbajë” kohën, ta sundojë atë.Koha nuk mund të sundohet kurrë, ajo zotërohet dhe të gjithë këtë e kanë bërë shkrimtari me letërsinë, që nga kohët antike deri sot. Letërsia e mirë e “mban” kohën, ajo e merr atë mbi shpinë, siç mund të marrësh mbi shpinën e devesë dhe një shtëpi, e përcjell nga koha në kohë. Asnjë teknologji tjetër sado e sofistikuar të ketë qenë ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë, përveçse letërsia dhe shkrimtari.Shkrimtari Flori Bruqi ka kërkuar ngjarje dhe ato i ka gjetur në jetën e njerëzve të tij, në jetën e armiqve të historisë dhe të popullit të tij. Ka qenë një ngjarje që ka shëtitur nëpër të gjithë rrugët e vendit të tij, nëpër rrugët e fisit të tij, prag më prag shtëpie. Ai, shkrimtari është nxënë me atë ngjarje, është rritur dhe pjekur me të. Një pjesë të saj e ka marrë në shpinë si ajo deveja nëpër shkretëtirë, një pjesë tjetër e ka “bërë” burrëri për ta përballuar jetën.E gjithë krijimtaria e Flori Bruqit është një mega-metaforë e ndërtuar “metonimikisht” në raportet e njeriut me njerëzit dhe e qëndresës me ekzistencën. Studimi kritik mbi krijimtarinë e Flori Bruqit arrin ta elementojë të gjithë strukturën artistike të cilës i “perimetrohet” dukshëm ç’e ka motivuar atë dhe pse ka qenë e tillë. Krijimtaritë universale vijnë përmes thjeshtësisë së vet, por e mbajnë të tillë temat universale, për të cilat njerëzimi ka pasur, ka dhe sot do të ketë përjetësisht nevojë. Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit prek dhe çështjet e tjera të letërsisë që është shkruar dhe po shkruhet në Kosovë.



FLORI BRUQI - TRIUMF SHQIPTAR

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Albert Kamy (Camus - 1913-1960) thotë:"Asgjë tjetër nuk mund ta frymëzojë kaq shumë njeriun, sesa vetëdijësimi për gjendjen e tij të pashpresë".


Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, poeti, përkthyesi, publicisti, historiani, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar.Libri më i fundit, me titull "Triumfi shqiptar", i tridhjeti në serinë e botimeve të zotit Flori Buqi …, nxjerr në spikamë natyrën shumëdimensionale të krijimtarisë së këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare. Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, poeti, përkthyesi, publicisti, historiani, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar.Tek lexon këtë vepër kaq interesante, që të rrëmben me tematikën e vet bukur të larmishme, nuk mund të mos ndiesh njëherazi kënaqësi dhe krenari për faktin që krijimtarinë e zotit Flori e përshkon tejendanë një frymë mahnitëse objektiviteti, humanizmi dhe optimizmi të pakundshoq. Mes rreshtave të kësaj vepre nuk është vështirë të kapësh tiparin më themelor të formimit intelektual të zotit Flori - dashurinë e tij të pastër për tokën amtare, respektin e lakmueshëm për këdo që është atdhetar dhe që e do me shpirt punën, si burim mirëqenieje dhe begatie për të gjithë.Albert Kamy (Camus - 1913-1960) thotë:"Asgjë tjetër nuk mund ta frymëzojë kaq shumë njeriun, sesa vetëdijësimi për gjendjen e tij të pashpresë".Duke pasur parasysh këto fjalë të qëlluara të Kamysë, mendoj se të gjithë ata shqiptarë që popullojnë mbarë trojet tona etnike në Evropën Juglindore dhe që janë të kapluar nga pak nga ndjenja meskiniteti, cmire, xhelozie, inferioriteti dhe zvetënimi të shpirtit njerëzor, pra, nga "vetëdijësimi për gjendjen e tyre të pashpresë", është mirë ta lexojnë, me durim, veprën e zotit Flori, se nuk do të mbeten të zhgënjyer, nëse do të jenë në gjendje të zbulojnë brenda qenies së tyre një çikëz frymë objektiviteti. Kam bindjen se do të dalin të fituar, se vepra e zotit Flori shërben si melhem për qetësimin e shpirtrave që janë të infektuar nga mikrobi djallëzor i përçarjes njerëzore. Ne, shqiptarët, kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim prova boll të dhimbshme të përçarjes kombëtare, çka e kemi paguar shtrenjtë - me copëtimin e trojeve tona etnike. Evropa na e ka njohur mirë dhe na e ka "yshtur" po aq mirë këtë mikrob të mallkuar, prandaj edhe trojet etnike na i bëri çarçaf. Vepra e zotit Flori duhet të lexohet me shumë vëmendje sidomos në Kosovë, në mënyrë që njerëzit e infektuar nga mikrobi i përçarjes t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë një herë e mirë nga sulmet që ndërmarrin kundër njëri-tjetrit nëpër faqet e internetit, ca sulme publike këto, me një fjalor të padenjë për stilin e komunikimit njerëzor, por edhe më shumë të padenjë për një komunikim intelektual. Më gëzon shpirti dhe ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme kur lexoj këtë vepër të zotit Flori, që të mëson dhe të frymëzon që ta duash dhe ta respektosh njeriun, pra, ta duash dhe ta respektosh shqiptarin.
Sepse në analizat e veta shkencore zoti Flori, tërthorazi, zbulon anët më humane të shpirtit njerëzor, ndikimin e tyre në plazmimin vlerave e krijuese dhe rolin që ato duhet të luajnë në shëndoshjen e shpirtit shqiptar me dashurinë e njeriut për njeriun. Në gjykimin tim, mbarë krijimtaria e zotit Flori, për tematikën e gjërë që trajton dhe për objektivitetin e analizave shkencore që shpalosen në të, mund të vlerësohet pa drojë si modeli i enciklopedisë së mendimit shqiptar.

Santa Barbara, Kaliforni
19 qershor 2010


 NJERIU QË SHTROI SHINAT E “OLIMPIT” SHQIPTAR

Nga Faik Xhani - studiues       

Rrjedha kohore ecën me ritmin e saj, duke ruajtur në memorien e nderit njerëz e personalitete të nderuar. Në epokën e sotme një nga këta është edhe intelektuali, publicisti dhe shkrimtari kosovar Flori Bruqi.
Ai, prej kohësh, krahas aftësive  profesionale si mjek ka shpalosur talent e mjeshtëri artistike edhe në lëmin e botimeve. Krijimtaria e tij është e larmishme , në prozë dhe poezi, por veçanërisht ka spikatur në prozë, duke botuar 8 romane, 11 libra shkencor, 21 fejtone publicistiko-shkencorë, shumë ueb, faqe interneti me punime socio-psiko-kineoziologjik, të fshehtat e të vërtetat e virusit avian etj.
Flori Bruqi me impenjimin e tij shumëvjeçar, me punën e tij prej intelektuali, me obligim atdhetar, me përgjegjësinë e një studiuesi dhe hulumtuesi serioz, me peshore farmaceutike, ka ditur të zgjedh e të  përmbush pjesën lëndore të “Olimpit” Shqiptar.

Flori Bruqi, shkrimtari që shtroi “shinat” e “ Olimpit” Shqiptar.
 
Ky shkrimtar me një humanizëm e mirënjohje të thellë dhe me një hulumtim serioz disa vjeçar ka mundur të ngrejë një “Olimp Shqiptar” me xhevahiret e krijimtarisë  të krijuesve shqiptarë duke gjetur, zbuluar, studiuar, vlerësuar e bashkuar në një libër voluminoz prej 665 faqesh, i cili titullohet “Olimpi Shqiptar”.
Ashtu është titulluar dhe ashtu qëndron, jo si lartësi copëzash të ngurtësuara, por si lartësi vlerash ideo-artistike e mjeshtrave të letrave shqiptarë, pavarësisht se ku kanë punuar e jetuar.
Autori Flori Bruqi projektoi dhe hapi “trasenë” e “Olimpit Shqiptar” të krijimtarisë. Ky libër përmbledh 12 poetë shqiptarë, 12 shkrimtarë botërorë, 22 recensione për krijimet më të mira shqiptare dhe botërore, 7 tema psikologjike, 6 historike, 19 shkrimtarë e personalitete nga bota shqiptare, 14 poezi dhe si një epitaf i argjend jetëshkrimi i tij. Ky libër shpërfaq jonizimin e shpirtit të autorit, si më i miri pjalm që bulëzon shpirtra, gjallon zemra, flladit mëndje, ndriçon “maratonën” e krijimtarisë shqiptare dhe e ngre atë në lartësinë e një “Olimpi Shqiptar”, si pjesë integrale e artit dhe kulturës Evropiane.

Ferri i Flori Bruqit  

Në se Dante Aligeri na solli Ferrin e fantazuar me të gjitha labirintet e tij deri tek rrethi i 12-të të perëndisë, në ditët tona doli një Dante i Ri. Ai është shkrimtari kosovar Flori Bruqi. Ky autor na ka sjellë ferrin e vërtetë njerëzor, jo si dënesë e perëndisë për të këqijat dhe mëkatet e  botës njerëzore, por ferrin e shtetarëve e gjeneralëve të Serbisë, të strukturave të ushtrisë e policisë Serbe. Në këtë libër, nga faqja në faqe njihesh me skena të llahtarshme jo të sajuara, por reale, ku artistët që luajnë, janë: plaka, pleq, gra, burra, mandej dhe fëmijë, femra e meshkuj, është një popull i tërë i vënë në kalvarin e vuajtjes e të torturës, një popull i destinuar për t’u përzënë nga trojet etnike e për t’u qitur fare me gjithçka. Është një vend i cili u bë shkrumb e hi jo vetëm nga zjarri i predhave e bombardimeve, por edhe nga zjarri i vendosur me benzinë nga dora e shkjaut.
Kur lexon këto faqe të këtij libri nuk ka mëndje që nuk luan, nuk ka sy që nuk loton, nuk ka trup që nuk rënqethet, nuk ka qenie që nuk revoltohet, nuk ka njeri që nuk reagon dhe nuk besoj të ketë qenie njerëzore që të mos jetë e gatshme për t’u radhitur në skalionet e luftëtarëve për t’u thënë ndal, këtyre kriminelëve të njerëzimit, arqitekëve të gjenocidit serb në Kosovë apo atij çam në Greqi.
Duke lexuar librin lexuesi futet në botën e krimit, nuk është më njeri, por duket si një profet që vëzhgon çfarë ndodh në atë labirint krimesh dhe i raporton zotit të tij. Lexuesi xhiron me kamerën e ndjesive, përjetimeve, fantazive dhe riprodhimeve të realiteteve monstruoze që Flori Bruqi, falë aftësive të tij psikologjike, por edhe atyre artistike i sjellë mjeshtërisht në memorien tonë.
Përshfaqet aty Shën Bortolemeu i Gjakovës, objektet fetare qindra vjeçare që digjen, nëna që dhunohen para fëmijëve, mure të përgjakura, bajoneta që presin kopsa, çjerrin gjokse, trupa që digjen me benzinë, makina që mbushen me kufoma dhe nuk dihet ku përfundojnë, prindër që çmenden para torturave të fëmijëve e dhunimeve të nuseve të djemve, gjurmë dhëmbësh nëpër trupësa, shenja plagësh e djegiesh nëpër trupësat e femrave kosovare, sisa të prera, sy të dal, gishta të prerë etj. Shëmbëlltyrat më të këqija të Europës të sotme.
Është shumë tragjike, e paprecedentë dhe nuk mund të kapërdihet pa lënë gjurmë te çdo lexues e te çdo njeri që i thotë vetes njeri, vrasja e 22 fëmijëve të familjes Vejsa, të familjes Cana, Ramadani etj, masakrimi i kirurgut gjakovar Dr. Izet Himës, 2019 femrave të dhunuara që trajtohen nga shoqata “ Jeta në Kastriot”nga të cilat, 124 prej tyre janë me gji të prerë e gishtërinj të këputur, 9 me sy të nxjerr, 16 me plagë në fytyrë që kanë lënë 4327 fëmijë jetimë, të cilët presin me padurim të shohin e të shijojnë kujdesin amësorë. Krime këta që as mendohen, në realitet, kanë ndodhur dhe dëshmojnë çdo ditë para Europës e botës. Ja sepse s’ka kohë për pritshmëri, s’ka asnjë mëdyshje dhe s’ka pse të ketë asnjë hezitim nga Tribunali i Hagës për të hetuar dhe vënë para përgjegjësisë autorët e këtyre krimeve. Nuk ka arsye të heshtte të anashkalohen qoftë edhe ata që i kanë kryer, pavarësisht nga ata që i kanë urdhëruar.
S’ka asnjë arsye që të heshtte e të anashkalohen veprime e qëndrime vandaliste e shoviniste që shfaqen hera-herës nga serbët në Kosovë dhe grekët me shqiptarët. Qoftë edhe raste të shkëputura duhen vlerësuar me rigorozitet, hetuar dhe parandaluar në kohë.
Pikërisht libri i autorit Flori Bruqi “Olimpi Shqiptar” është sinteza më e mirë e dëshmisë së krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Ai është një apel i hapur për EULEX, BE dhe për Kombet e Bashkuara për të nxjerrë mësimet e duhura e për të vënë para përgjegjësisë çdo shtetar e shtet që kryen krime e gjenocid, për të prerë e parandaluar një herë e mirë dorën gjakatare të masakrimit, terrorizmit e shfarosjes së njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur.

Autori i mizoskenave psikologjike të qenieve njerëzore nën presion dhe kanosje për jetë a vdekje.  

Në librin “Olimpi Shqiptar” nga faqja 309-400 janë trajtuar me realizëm temat psikologjike. Në këtë sprovë prej 100 faqesh, autori Flori Bruqi jo vetëm paraqitet si njohës i thellë i psikologjisë, por paraqitet i veçantë edhe si prozator. Është veçori dalluese e këtij autori pasqyrimi i proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve të tij artistikisht. Ky autor falë kompetencës në lëmin e psikologjisë, ka harmonizuar bukur me anë të fjalës artistike rrjedhën e përjetimeve dhe tablotë e mizoskenave psikologjike të qenieve njerëzore, veçanërisht kur ata janë nën presion e shantazhim, nën trysni të kanosjes me vdekje dhe shuarje jete. Autori në këtë plan mund të jetë ndër lauerantët e paktë edhe në botë të këtyre mizoskenave e të këtij aereali psikologjik. Flori Bruqi me këtë libër ka sjellë një kinoditar me metrazh të gjatë të traumës psikologjike të njerëzve nën dhunim e torturë. Autori me mjeshtëri artistike dhe profesionale ka sjellë në faqet e librit traumën psikologjike të një populli martir siç është populli kosovar, ka realizuar më së miri edhe një model të rrjedhës së proceseve e gjendjeve psikologjike në kushte të veçanta specifike, në kushtet e traumës e të shantazhimit, kur luhet me jetën e vdekjen. Ai nuk mbetet, thjeshtë një vëzhgues i këtyre proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve të të gjitha moshave, por i zhbiron thellë ata,i ndjek hap pas hapi, i analizon me detaje, përgjithësisht jep dhe mesazhe profilaktike për kapërcimin e rehabilitimin e tyre. Pikërisht në këtë anë fokusohet shumë, pasi ajo çka ndodhi, nuk mund të ndalohet më as në Kosovë, as në Çamëri, por e rëndësishme është parandalimi i situatave të tilla kudo në botë dhe rehabilitimi i këtyre viktimave nga qeveria e Kosovës, Greqisë, Avganistanit, Libisë e gjetkë.
Autori Flori Bruqi si specialist i fushës së psikologjisë profilaktike fokusohet në mënyrë të veçantë në një dukuri që është shtuar shumë në Kosovë dhe në shumë vende të botës, SUICIDIN (vetëvrasjen). Jep dinamikën e këtij procesi, analizon në thellësi faktorët që i çojnë njerëzit në këtë përfundim si dhe jep mesazhe shumë profilaktik për kujdesin dhe parandalimin e Suicidit duke deduktuar: “ Edhe një i vetëm të shpëtohet është e rëndësishme sepse është jetë njeriu e pakompesueshme me asnjë lloj vlere...” ( faqe 391). Më tej duke analizuar këtë akt thekson: “Suicidi është një moment kur dhimbja shpirtërore është e masës sa mjegullon vetëdijen dhe akti si akt, vjen si pasojë e dëshpërimit të madh, ndjenjës së pavlerës e pashpresës për jetën”  
Analizat dhe mesazhet që jep autori janë shumë kuptimplote për çdo shtetar e qeveri. Trajtesa e këtij akti nga autori si dhe mesazhi që jep janë sa humanë aq edhe të domosdoshëm për çdo qeveri e për çdo shtetarë për ta kthyer fytyrën më mirë nga shtetasit e vet dhe për ta patur prioritet mirëqenien dhe lumturinë e tyre.
Autori Flori Bruqi është njëkohësisht edhe një analist dinjitoz i situatave e proceseve rajonale e globale dhe duke qenë i tillë, me vizionin e tij shkencor e largpamës apelon përpara organizmave ndërkombëtare për parandalimin e gjenocidit e të traumatizmit psikologjik kudo në botë. Ai i fton partnerët ndërkombëtar për të mos i anashkaluar këto trauma njerëzore, përkundrazi për t’i zbuluar, vlerësuar, hetuar, parandaluar dhe duke dënuar cilin do që shkel të drejtat universale të njeriut, qofshin individë apo shtete.

“Olimpi shqiptar” i Flori Bruqit

Një libër dëshmi e terrorizmit, masakrimit, traumatizimit dhe shfarosjes të popullit shqiptar të Kosovës..   
Me shqetësimin e një atdhetari të vërtetë, me përkushtimin e një hulmuesi serioz dhe me vendosmëri të rrallë autori Flori Bruqi ka mundur të zhbirojë thellësisht strategjinë e spastrimit etnik të Kosovës dhe të zbulojë të vërtetën e funksionimit e të veprimit të strukturave policeske të sigurimit serb. Autori ka arritur të zbulojë pseudonimet, ndërtimin, funksionimin, përbërjen, drejtuesit e tyre, aksionet terroriste, masakruese e shfarosëse të civilëve të pafajshëm e të pambrojtur në Kosovë.
Ky autor nëpërmjet hulumtimit, investigimit, intervistimit nga ai vetë apo të tjerë nga Europa e bota jep të qartë tablonë e krimeve, por edhe të strukturave e autorëve të tyre. Ai ka mundur të japë një tablo të qartë për atë çka ndodhur në Kosovë para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s, me synim të mirëpërcaktuar nga Millosheviçi dhe krerët e tjerë drejtues të shtetit Jugosllav.
Autori i librit zbulon lakuriq të vërtetën mbi masakrat në fshatrat Qyshk, Pavlan dhe Zahaq. Midis tjerash shkruan: “Të premten, ditën e ngrohtë me diell, më 14 maj, të vitit 199 në një kënd të Europës dhe nën bombat e NATO-s, 41 meshkuj nga fshati Qyshk, ishin vrarë nga forcat kombinuara militare serbe. Mosha nga 19 deri në 69 vjeç. Në mëngjesin e së njëjtës datë, forcat serbe të sigurimit kishin sulmuar dhe dy fshatra të tjerë fqinj, Pavlan dhe Zahaq, ku kishin dëbuar nga shtëpitë gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe kishin vrarë në tërësi 72 njerëz. ( f.348).
Një nga personazhet e librit Lulja e rrënqethur tregon: “Me këto dy duar unë kam mbledhur eshtrat e dajave të mi, kushërinjve dhe të babait tim. Atë që kishte mbetur nga babai im, e gjeta fare në fund, por jo tërë kufomën. Vetëm disa pjesë nga trupi i tij. Nuk kam gjetur këmbët as kokën. Vetëm brinjët kam gjetur. Dhe me këto duar e kam kallur në dhe kurse, këta-serbët, këta që e kanë vrarë, ata i kanë duart e zhytura me gjak . Ata e kanë vendin në Hagë (f.353).
Duke lexuar librin “Olimpi Shqiptar” lexuesi takon pseudonime të till si : “Frenki”,  “OPG”, “Mogla”, “Munja”, “Brigada Cara Dushana” etj . Ata janë struktura të policisë, sigurimit e të Armatës Jugosllave që kanë kryer krimet më makabre që ka njohur njerëzimi, të cilët urdhrat i kanë marrë  nga njerëzit e gjeneralët më të besuar të Millosheviçit. Gjithashtu emra të tillë si Dragani, Njebosha Miniq (Mirtvi), Vedamir Shalipuri, Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq, Obrad Rajiqeviq etj. Kanë qenë pjesëtarë te “Munja” që kanë marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “(366). Më represivët e më të dhunshëm në terrorizimin, dhunimin, djegiet dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Kosovë, veçanërisht në Pejë, Qyshk, Pavlan, Zahaq etj.Pjesët me titujt: “Kush duhet të sjellë drejtësi në vend”, “Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaçi”, “Spastrimi etnik dhe ndërgjegjësimi”,  “Spastrimi etnik –gjenezë e një ideologjie”, “Përvoja e re, një përvojë e hidhur” etj. Tregojnë vizionin e këtij autori, i cili e lejon atë të nxjerri përfundime me vlerë si dhe të japë mesazhe paqe e lirie jo vetëm për Kosovën e kosovarët, por për të gjithë popujt e vendet e botës. Përvoja e fituar dhe ndërgjegjësimi i plotë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë e atë Çam në Greqi përbëjnë pika kyçe orientimi, por edhe bazamente të forta përvoje për parandalimin e këtyre krimeve e gjenocidi kudo në botë. Për nga larmia e tematikës, galeria e personazheve, mënyra e pasqyrimit, analizat e holla e të thella, hulumtimi serioz, të dhënat e njohuritë si dhe deduktimet e mesazhet që jep libri i autorit Flori Bruqi  “Olimpi Shqiptar”, përbën një nga librat më të arrirë e shumë interesant nga i cili, kushdo mëson. Ai mbetet një thesar krijimtarie. Ja sepse meriton të zë një vend nderi në bibliotekat e gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë e më gjerë. Ky libër shtroi “trasenë” e krijimtarisë të “Olimpit Shqiptar”, e cila nevojitet, të  pasurohet gjithnjë e më shumë, me krijimet e autorëve shqiptarë nga të gjitha trevat e viset, ku banojnë e jetojnë.



 




Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit