Korrupsioni e çon presidenten kosovare Atifete Jahjagën në Amerikë




Presidentja e Kosovës ,Atifete Jahjaga  në adresimin e saj të parë para deputetëve të Kuvendit, që nga koha e marrjes së “timonit” të së parës së shtetit, të enjten i bëri thirrje Beogradit zyrtar jo vetëm që të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj shtetit të Kosovës, por edhe të mos i përkrahë strukturat ilegale kriminale në pjesën veriore.

Jahjaga u shpreh e ashpër sa i përket nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, duke thënë se tagri i korrupsionit është faturë e shtrenjtë, të cilën po e paguajnë qytetarët, dhe është pengesë e integrimit të vendit në Evropë.

Atifete Jahjaga, që para tetë muajsh me konsensus politik u zgjodh presidente e Kosovës, respektoi obligimin kushtetues, e cila përmes një fjalimi politik iu është drejtuar ligjvënësve kosovarë në këtë fund vit, porse nuk raportoi për punën e saj të deritashme.

Ajo foli për nevojën e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në marrëdhënie tregtare me BE-në, derisa ia bëri të qartë Serbisë se periudhat e hegjemonizmit në Ballkan kanë përfunduar. Sipas saj, shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri. Ajo u shpreh e vendosur se me Serbinë nuk do të negociohet në asnjë formë për çështjet që prekin sovranitetin e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës, ka deklaruar Jahjaga, është e pakthyeshme, integriteti territorial është i paprekshëm dhe për këtë ajo u zotua se ekziston mbështetja e fuqishme ndërkombëtare. Ajo tha se vendi është i bashkuar për veprim kur është në pyetje forcimi i shtetit, edhe pse rruga, sipas saj, nuk është e lehtë.

E para a vendit tha se qartësimi i rrugës evropiane është i domosdoshëm dhe ky është një interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe BE-së. Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo kërkoi nga BE-ja që të jetë garantuese e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy palëve.

Presidentja përshëndeti edhe nismën për fillimin e heqjes së barrikadave, duke iu drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës në gjuhën serbe që t’i kthejnë sytë kah Prishtina dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve, me të drejta të barabarta.

Në adresimin e saj para deputetëve të Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga shprehu shqetësimin e saj për nivelin e lartë të korrupsionit dhe pohoi se thirrja për zero tolerancë kundër korrupsionit duhet të jetësohet dhe për këtë kërkoi front të përbashkët për ta luftuar.

Madje, ajo nuk hezitoi që të deklarohet se pikërisht krimi dhe korrupsioni “po e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës, po e zbehin të ardhmen e vendit dhe po i ndalon investitorët që të investojnë në Kosovë”.

“Kjo është edhe arsyeja pse nesër ( e premte) do të udhëtoj për vizitë zyrtare në SHBA. Atje do të takohem me sekretaren amerikane të Shtetit, kryeprokurorin amerikan, Drejtorin e FBI-së, dhe udhëheqësit e Pentagonit, për të kërkuar përkrahje dhe asistencë në përditësimin e veprimeve që suksesi në këtë luftë të jetë i garantuar”, ka thënë ajo para ligjvënësve.

Ajo konfirmoi se me t’u kthyer nga kjo vizitë në Kosovë, do të themelojë Këshillin Anti-Korrupsion, të cilin do ta udhëheqë, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Fjalimi i presidentes u vlerësua gjithëpërfshirës dhe me nota të larta nga forcat politike opozitare.

Në veçanti Ismet Beqiri i LDK dhe Burim Ramadani i AAK-së përmendën zotimin e Jahjagës për formimin e Këshillin Anti-Korrupsion.

“LDK do t’i ofrojë mbështetje të nevojshme në këtë pikë”, ka thënë Beqiri. Ndërkaq, Burim Ramadani u shpreh skeptik në premtimin e presidentes në luftimin e korrupsionit, përderisa siç u shpreh ai, “në qeveri të jetë PDK-ja”. Sipas tij, në pushtet duhet të vijë një parti tjetër për t’u luftuar vërtet korrupsioni në Kosovë.

Presidentja formon Këshillin Anti-Korrupsion

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të udhëtojë të premten për një vizitë njëditore në SHBA, për të kërkuar ndihmë nga shteti amerikan në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ajo tha se pas kthimit, menjëherë do të formojë Këshillin Anti-Korrupsion.



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri