1/25/12

SOPATË NE PYLLIN E MALIT KADARE


RIZA LAHI
 
 
“Onufri 2005” , mban siglën vëllimi “Pa formë është qielli” me, “100 poezi dhe poema të zgjedhura” nga shkrimtari ynë më i madh – mbase I të gjitha kohrave, pas Marin Barletit – Ismail Kadare. Vëllimi është përgatitur për botim nga zoti Bujar Hudhri me parathënien e z. Sadik Bejko.
Sigurisht që përmasat e autorit tonë kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe në të ardhëme, intelektualë të diemnsioneve jo të zakonëshme që të bëjnë gjëra serioze ndaj veprës së tij - komente, kritika, të shfaqin pozicionimet e tyre apo, sidomos, të përzgjedhin apo të kenë tagrin e të shprehen në mënyrë kategorike, siç e ka marrë përsipër këtë gjë firmosësi i parathënies , Bejko, kur shkruan tekstualisht: “ Këto njëqind vjersha e poema në këtë përmbledhje janë gjithë ç’është më e mira në 50 vjetët e krijimtarisë së tij poetike”(!!!). 
Ne, në shkrimin tonë, nuk kemi marrë për sipër të bëjmë ndonjë analizë të imët të veprës së shkrimtarit tonë gjenial, por, në emrin e një a më shumë brezave, që jemi rritur, stërvitur dhe futur në betejën e fushës së poezisë, prozës, gazetarisë a përkthimit përmes shkollës që mban firmën “Kadare”, këtë të drejtë, besoj nuk mundet të na e përçmojë askush. Vërtetë ,do të ishte mjaft e vështirë  që autorë shqiptarë të tërhiqnin vëmëndjen e shkrimtarëve e poetëve bashkëkohorë tanimë që vëndi ynë është I hapur, vetëm nga shkolla e mesatarëve masivë të realizmit socialist, pa e pasë stërvitur veten e  tyre me artin e të shkruarit të mjeshtrit tonë të madh.
Skënderbeu ndeshej vetë me ushtarët e  tij dhe u tregonte me qënien e  tij se sa e ashpër ishte beteja me ushtarakët e stërvitur otomanë. Ne të gjithë kemi patur rastin ta përtypim artin e  Kadaresë, sipas mundësisë që kemi patur. Si askush tjetër në letrat moderne shqiptare, ai ka mundur të ndërthurë artin e lindur të  qënies së tij me atë të popullit shqiptar dhe arritjeve më të spikatura bashkëkohore.
Ndaj, pa dashur të fyejmë zotërinjtë Hudhri dhe Bejko  dhe të cënojmë dashurinë e madhe dhe respektin e padiskutueshëm që ata kanë më Kadarenë, deshëm të bënim ndonjë vërejtje miqësore, pavarësisht edhe ndonjë toni të ashpër që mund të na shpëtojë.
Që në hyrje të librit ndjehet sëpata që do të pritet të bjerë paskëtaj në pyllin e këtij mali që kushedi se kur do t’I vijë vëndit tonë, për më tepër, që letërsia shqiptare, siç tregoi shqeto edhe panairi i fundit i librit, tanimë e pushtuar edhe ajo nga jeniçerët e politikës,  po përjeton grahmat e fundit të saj, duke mërmëritur si nëpër jerm emrin e një fantazme - gazetës 106 vjeçare “Drita”.
Nën titullin “Nga i njëjti autor”, ku presupozohet të ishte shkruar CV letrare e Kadaresë, ne lexojmë tituj librash të këtij autori që nga viti 1996 e këtej. Të jenë këta tituj, vetëm nga ata që autori ka botuar së bashku me “Onufrin”, por jo të tjerë më? Kjo gjë nuk shkruhet fare askund dhe, sigurisht,  nuk tingëllon aspak , as bukur, as dinjitoze dhe as fisnike.
Dy nga njerëzit më të afërt të poetit, prozatorit dhe publicistit e përkthyesit tonë të madh – në fushën e botimeve z. Hudhri dhe në atë familiare, zonja Kadare, i pari, ja, ia pret në mes CV letrare dhe tjetra, në veprën e saj i që ka tronditur sa e sa lexues me “bëmat” dashurore të bashkëshortit, drejtohet atij tër kohës me “Is”, pa emrin e plotë, kur, së paku , në Shkodër, e dijne të gjithë që, me “Is”, “Is! Kape!”, rritësit e kafshës besnike, qënit, e yshtin atë për të sulmuar. ç’bëhet more kështu? Vërtetë, nganjëherë duke e përkëdhelur shumë një zog, e dëmtojmë atë!
…Fillpas stampës “100 poezi dhe poema të zgjedhura”, vjen parathënia turpërisht e politizuar e zotit Bejko. E lexon atë dhe të bie ndër mënd një tipizim brilant I ish ambasadorit amerikan Uidhers kur thotë për ndonjë politikan shqiptar se “nuk i buron demokracia nga shpirti”.
Parathënia e z.Bekjo mbyllet kështu:” I shpallur si program, dukej sikur poeti 21 vjeçar kërkonte një pamje tjetër të botës , një tjetër qiell, krejtësisht të pangjashëm nga ai rrafsh pa formë, si tru idioti”.
Në të vërtetë, a ka poet në botë që nuk synon të bëjë poezinë më të mirë të saj, ta ndryshojë sado pak botën, të dalë përtej kornizave të saja duke klithur, bërtitur, apo qarë  dhe të mos synojë të ndërtojë një “tjetër qiell, krejtëisht të pangjashëm nga ai rrafsh…”, siç janë të ndryshme nga njëratjetra fytyrat e secilit nga të 7 miliardët e rracës njerëzore? Ë? Është normale! Madje, nëse egziston një poet pa kësi piksynimesh, mira është ta lërë kadalkadalë penën, se nuk është për të e as ka lindur për të.
Kur ka qënë fare I ri, Kadareja ka shkruar këtë poezi: “ VJESHTË TIRANASE: Pa formë është qielli, si tru idioti./ Mërzitshëm trotuaret shiu i qull./ Një kalaimtar, një ombrellë, gjëmon moti./ Një biçiletë kthesën merr me vrull./ Pa formë është qielli, si një mendim idioti”.
Atëbotë, një çinovnik rus, i ka vënë alternativë poetit të ri, ja të shkruajë në parathënie ai se “I.K: ka ndikime nga modernizmi perëndimor”, ja, ndryshe libri nuk do të botohej!Bejko thotë se kritiku Samojllov është nisur për atë vërejtje nga poezia në fjalë, që fare kollaj, autori mund ta hiqte vetë. A më mirë ta hiqte Kadareja I ri atë poezi, a të merrte atë farë “damke”? Të ketë patur Kadareja në atë moshë qëllime të errësojë “qiellin me diellin socialist”. E kush e beson këtë shakaraqe? Autorët e vëllimit që po flasim, e kanë vënë, megjithatë, këtë poezi mesatare, në syprinën e pasme, si një kartë përdrejt “shkrimtarit decadent”, e cila na kujton përpjekjet e bllokmenëve apo njerëzve pranë tyre, që, pasi “U mbyt gjemia me federalë/ O burra , shpejto, kush mund të dalë” u sulën të marrin ndonjë llokëm nga të persekutuarit e vërtetë të sistemit socialist, për vete apo fëmijët tyre.
Nuk ka nevojë Kadareja ynë për të këtillë avokatër të pakualifikuar.
Sado i mënçur të kishte qënë Kadareja, le të kish patur trutë sa trutë e marra së bashku të Aristotelit, Pitagorës, Lomonosovit dhe Ajnshtajnit, do ta kishte të pamundur të urrente sistemin socialist, “diellin socialist” e ta quante qiellin “tru idioti” dhe t’i kish shpëtuar censurës komuniste të Enverit. Veç ksaj, është e pamundur që një hipokrit të shkruajë një nga mrekullirat e letërsisë shqipe siç është “Shqiponjat fluturojën lart”. Për “çertifikatën antiregjim” që janë përpjekur zotërinjtë Hudhri me Bejkon duke iu referuar një metafore për qiellin që në bangot e universitetit, mund të thonim se,  të gjithë I njohin fare mirë metaforat e mrekulleushme dhe të pakrahasueshme me askënd që përdor Kadareja në të gjitha gjinitë ku ai ka debutuar, duke I folur lexuesëve vetëm me “Ju”. Ky “tru idioti”, ka qënë një metaforë shumë e bukur, dhe kaq, si , ta zëmë “kanotieret e reve”, “qiellin, si çadër vigane, e tundin erërat” ( hahaha, mos e ka patur vallë për “qiellin socialist”,që po e tundin erërat kapitaliste,zoti Bejko se ë?, nuk vete fare keq?), “ashensori lart, si drejt qiejve të ngriti në errësirë”, “retë që vinin që larg nga vatani/ e panë dhe e njohën e zunë të qanin”..etj, po t’ referohemi afsheve shpirtërore drejt qiellit aq të dashur për Kadarenë.
Ne mendojmë se Kadareja, si shumë e shumë idealistë, e kanë dashuruar socliazmin e komunizmin, pa kanë shkruar me aq dashuri, pathos dhe zjarr rinor e burrëror për ta. Të kritikuarit apo të sulmuarit e të metave të përditëshme ka pas qënë moto e medias së  një pjese të asaj kohe. Na kujtohet se , gazetari I ri atëherë Xhevahir Spahiu, përmes organit ku punonte, sulmoi fort një sekretar partie rrethi të kategorisë së parë dhe qe një përplasje e madhe ku triumfoi gazetari. Edhe në kohën e socializmit, sigurisht që ka patur jetë, rini, art, muzikë, mentalitet mysliman, kurva, rryshfet, hajna, njerëz zemërbardhë ,të liq.etj, siç kanë qënë e aq sa kanë qënë.  As poezia “Vjeshtë tiranase” e as romani “Shkëlqimi dhe rëna  e shokut Zylo” ( “Zëri I Popullit”, ku kanë shkruar në  rininë e tyre Agolli dhe Kadareja, shkruante përditë se armiku më I madh I socializmit ishte burokratizmi!!!), nuk kanë qënë armike të regjimit, siç , ja, do t’I paraqesë a ka kërkuar t’I praqesë ndonjë në këto kohrat tona të pasnëntëdhjetës , që jo rrallë, të kujtojnë konstatimin fantastic të Balzakut -  diankëria e një fshatari ia kalon asaj të hajdutut më të sofistikuar të Parisit.
   Tjetër gjë më vonë. Kur Kadareja , për më tepër, duke qënë ca më  pranë jetës së drejtuesëve të vëndit socialist, duke patur mundësi të shqisojë realitetet jashtë vëndit të tij që izolohej përditë,  duke njohur nga afër intrigat, mediokritetin, spitullaqët e “bllokut” si edhe duke parë që ligji ekonomik themelor I socializmit po degjeneronte përditë e me të shpejtë, sigurisht që edhe duke njohur nga afër  idealistë  që punonin me ndershmëri dhe vetmohim ( aq sa vështirë të gjesh me sot kësi egzemplarësh)ai atëherë ka ndryshuar bindjet e tija dhe këtë, ai e ka manifestuar në veprat e veta. Ne mendojmë se vepra më tipike kur te Kadareja po kristalizohej se socializmi në Shqipërinë e tij ishte një ëndërr e iluzion, është “Dimri I vetmisë së madhe”. Në tër gjurulldinë reale të jetës shqiptare,në këtë libër, kemi të idealizuar atje vetëm Enver Hoxhën. Po çfar mund t’I bëjë një shoqërie të tërë një njeri I vetëm, qoftë edhe Hoxha dhe, për më tepër në mes të një “vetmie”? A nuk mjafton kjo pyetje ? Dhe, a nuk u sulën t’I bënin varrin Kadaresë atë kohë kushedi se sa antarë partie, organizata bazë, shkrimtarë rivalë, ambiciozë e deri dashamirës të tij? Përfshirë edhe njerëz që nuk kishin lexuar asnjë roman në jetën e  tyre? Vallë e hëngri “sapunin për djathë” Hoxha,  që e mbroi Kadarenë nga një linçim I mundëshëm? Apo, mos vallë Kadareja, që ne mendojmë se nuk ka qënë as hipokrit e as njeri I punëve të fshehta, me vizatimin e tij brilant të jetës shqiptare, I ka tronditur bindjet edhe vetë Hoxhës? I përket pikërisht Enver Hoxhës thënia në kongresin që u zhvillua në kohën e këtij botimi, kur ai do të deklaronte , afërisht, se pa bindje të qëndrueshme dhe të thella marksiste – leniniste, rrezikohej ndërtimi i socializmit. Një konkluzion që I ngjante një klithme pa shpresë mes duartrokitjeve  frenetike të një shoqërie që drejtohej në kapilarët e saj  nga mediokrit e panumurt që prodhonte “Shkolla e Partisë”
Gjithsesi…Menduam se mos ishte ndonjë lajthtje e zotit Bejko kur shkruante në parathënie se këto ishin “gjithë, ç’është më e mira” e 50 viteve ndër vjersha e poema e Kadaresë. Se, de, në mënyrë kaq kategrike, edhe vetë Kadareja do të ishte rezervuar të shprehej. Dakord,o???Mirëpoooo…askund tri poema nga më të bukurat e letërsisë shqipe! Pylltarët e malit Kadare ua kishin vënë sëpatën. Po, është turp, more vëllezër, të censurohet Kadareja . Po, bëj, ore vëlla, një shënim në fund që, ja, kështu e kështu është kjo punë, por, e kush të jep tagrin të censurosh, ta heqësh nga qarkullimi, poemat që kanë bërë epokë në nivelet tona letrare, si “Përse mendohen këta male”, “ Shqiponjat fluturojnë lart” apo “Shqipëria dhe tri romat”? Dikush vete e djegë në mënyrë demonstrative librin e një gazetari, dikush tjetër nuk përmbledh ato poema që ka sa të duash që dijnë nga ato me dhjetra vargje përmendësh. A nuk është në një kuptim, djegia dhe censurimi, si Ali Hoxha e Hoxhë Alia?
Nuk e dijnë vallë zotërinjtë Hudhri dhe Bejko këto poema? Ne mendojmë që, mundet ,ata edhe I dijnë përmendeësh dhe ua dijnë vlerat letrare – artistike mbase më shumë se unë. Edhe ata e dijnë se kushedi se sa qindra herë e mijëra herë janë recituar e duartrikitur ato.Po, përse nuk I kanë përfshirë në këtë vëllim? Të më falë zoti Kadare , por, për mendimin tim , nëse duhej patjetër të hiqej ndonjë poezi, ja, hajt, mund të hiqej si mediocre a ca më poshtë poezia “Babai”, “Shkaba dykrenare”…hajde, edhe “Poemë e ashpër” e ca të tjera, po çne, more, këto?
Kush është ai lexues që do të më japë ndonjë spiegim se, përse zotërinjtë Bejko dhe Hudhri nuk I kanë përfshirë këto poema, që të trija, në këtë “gjithë, ç’është më e mira” ? Duke I vërvitur ato në flakën e librave të Fevziut; sigurisht duke krijuar një flakë të një ngjyre tjetër.
Duke iu referuar z. Bejko, nqs Kadareja pranoi atë alamet “damke” nga një çinovnik rus vetëm për të mos hequr një figurë të një poezie me pese rreshta, qysh vallë e ka pritur ai heqjen e këtyre novacioneve poetike mbarëkombëtare shqiptare nga kjo përmbledhje? Kadareja ynë sot është 75 vjeç dhe nuk ka bërë kompromise me veprën e  tij edhe kur ishte në moshën e karrierës, edhe kur mund të arrestohej apo të linçohej a , së paku të ndëshkohej, pse vallë tani? Ç’e ka gjetur? Të vijnë hallet e çeli derën, thuaj!
Ca njerëz, nga më të dashurit, venë e I heqin margaritarët më të bukur nga qafa Kadaresë së madh – “Përse mendohen këta male”, “Shqiponjat fluturojën lart”, “Shqipëria dhe tri romat”; dikush tjetër e quan tër kohës “Is” në vënd që t’i përmednë emrin siç e njohim të gjithë shkrimarin e  madh, një tjetër nuk ka kurajo të botojë CV e plotë në përmbledhjen e poezive më të bukrua në 50 vite, dikush tjetër…
Viktor Hygo  deshi dhe e adhuroi Buonoparten dhe, po ai, më pas, shkroi “Ndëshkimet” dhe u bë njëriu më kategorik kundër tij.
Kështu, thonë, ka ndodhur edhe me kontin rus Tolstoi,me Shollohovin, etj e deri te ish bashkëluftëtarët e Enverit që ngadalë ngadalë u transferuan në kundërshtarë të regjimtit të tij dhe ai vrau apo internoi?
A nuk është më e nderëshme, më e besueshme, më dinjitoze dhe aspak e turpëshme, që të paraqitet kështu kjo e vërtetë, që ka ngjase të japë spiegimin më të saktë?
Si mund t’I heqësh nga qarkullimi tri poemat e mrekulleushme, qënësore, fondamentale të Kadaresë? Kush e ka atë tagër, xhanëm? Të më falin shumë e shumë e njëqind herë, që të dy zotërinjtë, por duhet përçik ca më I madh për të rrëmbyer sopatën e për të prerë në malin Kadare stolinë e vetme, pyllin.
Gjithesesi, duke i kërkuar të falur zotërinjve Bujar Hudhri e z. Sadik Bejko për ndonjë ton të ashpër që , megjithatë, vendosa të mos e korrektoj nga esseja, por ta lë ashtu si dolli nga këta orë mesnate -  për më tepër, me shpirt duke përgëzuar  sidomos zotin Hudhri, që me shtëpinë  e tij botuese shumë serioze ka marrë e ka përsipër veç të tjerave, edhe barrën, nderin, e lavdinë e ekskluzivitetit të botimit të Kadaresë dhe kjo, kur letërsia aktuale shqipe po rend nëpër theqafjet e ditëve të veta më të zeza – do të shtonim dhe diçka.
Kur këta zotërinj, të vendosin të rishikojnë verdiktin e tyre të përzgjedhjes së veprës poetike të Kadaresë – ma do mëndja se duhet t’I hyjnë edhe një herë kësaj detyre historike , do të sugjeronim të mos linin jashtë “qindëshes” edhe , sëpaku, dy nga kontributet e mrekullishme të tija. Dy përkthimet “Re në pantollona” ( “Obllaka v shtanah”) e Majakovskit dhe “Kalorësi” I Mickieviçit.
Kur dihet se deri 60 përqind është rikrijim përkthimi poetic, a nuk është gjynah prej zotit të lihen jashtë këto dyja, sikurse dhe poemat e sipërpërmendura?
Nuk janë, megjithatë, 100 përqind të Kadaresë si “Re në brekë” , po ashtu, dhe “Kalorësi”? E Pastaj? U shëmb Rroma se u kapërcye një kornizë? Në një “qindëshe” që mbajnë për autor njeriun që  tër jetën e ti ka thyer korniza?
 
 
  RIZA LAHI
Antar i Shoqatës Botërore të Poetëve
 

No comments:

Post a Comment