DERI TË E VËRTETA TRAGJIKE-ME PËRGJIME TELEFONIKE...

Telefoni 'fundos' Ilia Bashon, killer me pagese per ekzekutimin e se shoqes


Përgjimet telefonike dhe dëshmitë kanë fundosur alibinë e Ilia Bashos, duke e vënë në pranga 21 ditë pas vrasjes së të shoqes në Shkozë të Tiranës. Dosja e hetimeve të policisë dhe dhjetëra dëshmi të mbledhura kanë bindur prokurorin e çështjes për të firmosur urdhër-arrestin për 38-vjeçarin, duke e akuzuar atë zyrtarisht për organizimin e vrasjes së Eleni Bashos. Drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, tha dje në një konferencë për shtyp se ka prova dhe fakte që e implikojnë Ilia Bashon në vrasjen e bashkëshortes, nënë e dy fëmijëve, më 2 shkurt në rrugicën pranë shtëpisë së tyre. Një tjetër burim nga policia i tha  se dy persona të tjerë ndodhen nën hetim, pasi dyshohet të jetë implikuar për organizimin dhe ekzekutimin e 35-vjeçares Eleni Basho. Dy të dyshuarit si bashkëpuntorë të Ilia Bashos janë angazhuar prej tij për kryerjen e krimit, ku një prej tyre dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës  për gjetjen e një killeri me pagesë, ndërsa tjetri është vetë ekzekutori. Kreu i policisë së Tiranës u tregua i rezervuar për të dhënë motivet e krimit, por tradhtia bashkëshortore dhe ndarja e parave të fituara nga shitja e biznesit dyshohen të kenë sjellë edhe ekzekutimin e mbrëmjes së 2 shkurtit në Shkozë të Tiranës.

Njëzet ditë pas ekzekutimit të së shoqes, mësohet se ka qenë telefoni ai që ka tradhtuar Ilia Bashon. Ngulmues në alibinë e tij, biznesmeni i materialeve dentare nuk është treguar po kaq i kujdesshëm me komunikimet telefonike, para dhe pas vrasjes së Eleni Bashos. “Gjatë deklarimeve të tij në polici, Ilia Basho ka pohuar se dispononte një numër telefoni, por verifikimet kanë zbuluar edhe 3 numra të tjerë, me të cilët komunikonte më së shumti me një vajzë”,- bënë me dije burime nga grupi hetimor. Kanë qenë këto telefonata, por edhe dëshmitë e mikeshave të Eleni Bashos, që zbuluan për policinë se Ilia kishte një lidhje jashtëmartesore, për të cilën bashkëshortja e tij ishte në dijeni. Vajza me inicialet Y.Sh. është edhe personi i fundit që e ka takuar në të gjallë Eleni Bashon, pak minuta para se ajo të vritej rreth 30 metra larg shtëpisë së saj. “Në njërin prej numrave telefonikë, nga 6 mijë minuta komunikim që kishte kryer gjithsej, 3 mijë ishin vetëm me Y.Sh.”, i tha një burim nga grupi hetimor. Kontrolli mbi tabulatet e numrave të përdorur dhe të padeklaruar nga Basho kanë vërtetuar komunikimet e tij me SMS dhe zanore dhe me të tjerë persona përpara vrasjes, të cilët dyshohet se janë implikuar në ngjarje. Këto verifikime kanë rrëzuar disa elemente të dëshmisë së Ilia Bashos, duke shtuar dyshimet mbi të dhe kërkuar prova të reja në këtë drejtim.

Zbulimi i lidhjes paralele të Ilia Bashos i ka dhënë një motiv policisë për të fokusuar hetimin tek ai, por jo provat për ta çuar në pranga. Kanë qenë antenat e kompanive celulare ato që kanë rrëzuar alibinë e Bashos, duke e kthyer atë në të dyshuarin kryesor për organizimin e vrasjes së të shoqes. “Ndryshe nga dëshmia e tij në polici, antenat e kompanisë celulare tregojnë se ai ka qenë në Shkozë, 25 minuta para krimit, dhe jo në vendin ku ka deklaruar”,-thotë një burim nga grupi i hetimit. Ndërkohë, dëshmi kontradiktore ka dhënë edhe femra me të cilën ai kishte lidhje, duke zbuluar konfliktet në jetën mes dy bashkëshortëve, të cilët ishin në prag divorci.

Gjatë gjithë ditës së martë, Ilia  Basho është mbajtur në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje për orë të tëra. “Ka mbajtur qëndrim mohues ndaj dyshimeve dhe akuzave dhe ka pohuar se është i pafajshëm. Por kur u ballafaqua me provat e mbledhura gjatë hetimit 20-ditor, Basho e ndërpreu komunikimin, duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të tjera”, – shtuan burimet e policisë. Pas komunikimit të akuzës për organizimin e vrasjes së nënës së dy fëmijëve, Ilia Basho ka pretenduar pafajësinë dhe i ka dhënë fund me kaq seancës së gjatë të pyetjeve, që përfundoi me arrestimin e tij. “Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes u mor masa e menjëhershme e ndalimit për konsumim të veprës penale të “vrasjes me paramendim ” të parashikuar nga nenet 78/1, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, – tha dje kreu i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushi.

Përgjimet

Kanë zbuluar elemente që implikojnë Ilia Bashon në vrasjen e bashkëshortes së tij. Gjatë këtij procesi kanë dalë në dritë telefonatat e tij të shpeshta me të dashurën si dhe me disa persona të tjerë, që janë në verifikim

Antena

E telefonisë celulare që përdorte më së shumti 38-vjeçari Ilia Basho kanë zbuluar se ai ndodhej në Shkozë, 25 minuta para vrasjes së të shoqes. Për këtë interval kohor, Ilia Basho kishte deklaruar se ndodhej duke dorëzuar një porosi

Dëshmia

Ilia Basho është marrë në pyetje gjatë gjithë ditës së martë dhe në mbrëmje vonë i është komunikuar akuza e vrasjes me paramendim. 38-vjeçari ka ngulmuar se është i pafajshëm dhe ka ndërprerë komunikimin me policinë

25

Mijë euro, të fituara nga shitja e aksioneve rezultojnë të zhdukura. Ilia Basho ka pohuar në polici se këto para ia kishte dhënë së shoqes për t’i depozituar në bankë, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se ato para nuk gjenden aty

Vrasja e Elenit, kërkohet arma dhe 2 ekzekutorët

Pas arrestimit të Ilia Bashos, policia e Tiranës i ka fokusuar hetimet te realizuesit e planit për vrasjen e 35-vjeçares

Përgjimet telefonike të Ilia Bashos, por edhe të të tjerë personave të lidhur me të, kanë krijuar “bankën” e të dhënave për ta akuzuar 38-vjeçarin si financuesin dhe organizatorin e vrasjes së të shoqes. Por hetimi duket se kësaj here ka ndodhur “invers”. Ndryshe nga ç’ndodh rëndom, ku prej ekzekutorit hetuesit arrijnë te organizatori, kësaj here kanë qenë përgjimet që kanë bërë që Ilia Basho të dyshohet si organizator, ndërsa për ekzekutorët e dyshuar duket se hetuesit janë ende duke punuar për të bërë lidhjen në mënyrë shkencore dhe të pakundërshtueshme me vrasjen. Ende mungon arma që vrau Eleni Bashon, ndërsa policia ka dy persona të identifikuar dhe të dyshuar si ekzekutorë të mundshëm të saj, bazuar te përgjimet. “Është ende e nevojshme që të bëhen të tjera hetime për t’i lidhur në mënyrë të qartë të dyshuarit me vendin e krimit, ku mbeti e vrarë Eleni, mbrëmjen e 2 shkurtit”,-tha një burim nga policia. Dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Ilia Bashos janë angazhuar prej tij për kryerjen e krimit, ku një prej tyre dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës  për gjetjen e një killeri me pagesë, ndërsa tjetri është vetë ekzekutori. Ilia Basho ka mohuar kategorikisht para hetuesve një gjë të tillë, por hetuesit nga ana e tyre kanë persona konkretë të dyshuar si njerëz të pajtuar nga Basho për të kryer vrasjen e bashkëshortes dhe i kanë nën hetim për t’u dokumentuar plotësisht rolin e tyre. Nuk dihet ende se sa para ka dhënë bashkëshorti i dyshuar për t’i marrë jetën nënës së fëmijëve të tij.

Tentativa e hedhjes nga tarraca para vrasjes

Mes dëshmive dhe fakteve të mbledhura, hetuesit kanë regjistruar një episod të ndodhur pak javë para vrasjes së Eleni Bashos, që rëndon edhe më shumë pozitat e Ilia Bashos. Burime policore i thanë se ka patur një tentativë të Bashos për të dëmtuar të shoqen, pas një prej konflikteve të tyre. “Ne kemi vërtetuar se Ilia Basho jo vetëm ishte në prag divorci dhe po projektonte një lidhje të re, por në një rast është vërtetuar se ai ka tërhequr zvarrë dhe ka tentuar të hedhë nga tarraca e shtëpisë atë. Ka qenë ndërhyrja e një tjetër familjari, që i ka shpëtuar jetën asaj”,- tha dje një burim nga grupi hetimor. Nga ana tjetër policia ka verifikuar dhe një  tjetër episod grindjeje mes Eleni Bashos dhe të dashurës së bashkëshortit të saj, vetëm tri ditë përpara se të ndodhte vrasja. Zënka është zhvilluar në mjediset e aktivitetit privat ku punonte e dashura e Ilias, ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij konflikti.

Verifikim punonjësit turk të Ilia Bashos

Paralel me pistën e vrasjes për shkaqe të tradhtisë bashkëshortore apo për kostot që pritej të shkaktonte divorci, hetuesit i kanë kushtuar vëmendje edhe hipotezave se Eleni Basho mund të ketë kërcënuar bashkëshortin, në rrethanat e grindjeve familjare apo për denoncimin e ndonjë aktiviteti të paligjshëm. Për këtë arsye, agjentët e sektorit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë marrë në filtër të gjithë personat e kontaktuar nga Ilia Basho muajt e fundit dhe një vëmendje të veçantë i kanë kushtuar një shtetasi turk, i cili punonte së bashku me Ilia Bashon në laboratorin dentar që kishte ai dhe Eleni. Agjentët e antidrogës kanë kaluar në filtër edhe shtetasin turk, së bashku me disa persona të tjerë, duke dyshuar se pas vrasjes mund të kenë qenë motive edhe më serioze sesa thjesht xhelozia apo divorci. Megjithatë, deri në këtë moment hetuesit kanë thënë se nuk ka asnjë fakt apo të dhënë konkrete që të sugjerojë një implikim të tillë të Ilia Bashos, ndonëse verifikimet nga ana e policisë vazhdojnë ende.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri