2012-03-03

nga Flori Bruqi:Kush është Julia Gjika(1949-Jeton)



http://letersia.zemrashqiptare.net/images/articles/2008_08/5601/u1_JuliaGjika2.jpg

Julia Gjika u lind më 11 Korrik 1949 në qytetin e Gjirokastrës. Ka kryer gjimnazin "Ajet Xhindole" në Berat. Studimet e larta i kreu në Tiranë ne degen e Finances (Akademia Ushrarake) dhe ka ndjekur me korespondencë pranë Universitetit në Fakultetin Histori Filologji degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ka punuar si redaktore në revistën 10 Korriku e më vonë shefe finance në reparte të ndryshme ushtarake në Korçë dhe në Tiranë. Qysh herët u dashurua me poezinë, që zë vendin kryesor në krijimtarinë e saj, shumë prej të cilave i ka botuar në organe të ndryshme. Në duart e lexueseve janë vëllimet poetike Ditelindje (1971) dhe Ku Gjej Poezinë (1978). Në vitin 1996 u vendos në SHBA, ku vazhdon të jetojë së bashku me familjen e vet. Krahas punës për të mbijetuar në këtë vend ka vijuar të shkruajë e të botojë poezi, portrete e kronika në gazetën shqiptaro-amerikane “Ilyria” dhe organe të tjera. Libri i say Muzg: Vëllim Poetik u botua ne 2008.
JETIMIT NË BOTË

Puthja ëndërr mbeti.
Përkëdhelitë u endën larg.
Nuk u afruan, nuk gjetën prag.
Zëri i vrazhdë, i ngjirur,
sëmundje kronike,
akuzon braktisjen.
Nuk të ngrohu asnjë preher.
Kur s’të panë sytë,
si do të shihnin qepallat?
Gjumi nga kënga nuk erdhi,
as nga përrallat.
Puthja ëndërr mbeti.


LUFTA PER PARA


Kjo botë,
qe ka rënë në gjumë të thelle
Duket e qetë,
pas 12 të natës.
Mezi prêt të zgjohet,
për të vazhduar
ku e la dje,
luftën për para.
Në plan të parë ka.


NESER, NESER

Zgjohemi,
Ngrysemi,
Një mendim në kokë,
Si cekan rreh.
Të kemi për nesër,
C’do bëjmë për nesër?
Të rendim për nesër
Sot zemra na le.
Oh,jetë që qesh me ne,
na bën të cmendur,
të rendim ,të rendim
Pas asaj që askush s’e sheh.
RREKE ME KENGE QIELLI

Rrëke që zbret nga mali
Me melodinë e pyjeve
Me ngrohtesinë e diellit
Me këngë qielli
Me hënën e menduar.
Baraz me një vijë
Baraz me nje trup elegant vajze.
I bën naze malit
I bën naze yllit të mëngjezit
Kristal e kulluar
Nuk prêt të derdhesh
Në shtrat lumi a deti
Dhe prehje kërkon
Në oqeanin e trazuar.



RRUGICA IME NE PARKUN E RI

Rrugica ime përse po hesht
Kur unë kaloj përmbi asfalt
Mos vallë veshtrimi yt po prêt
Dy silueta të duken bashkë

Apo ke rënë në qetësi
Buzëqeshjet prêt e lumtur
Në zhurmën që ruan thellë në gji
Të ngrohtë mbeten zërat tanë
Sic mbeti mbi buzën time një e puthur.


1974


PRILLI

Kushtuar vellait tim qe u vra
aksidentalisht nga shembja e nje ballkoni te nje
ndertese pesekatshe ne Korce ne 7 Prill 1992

Vetëm jam këtu,
Në këtë qytet që nuk ka zgjim,
Ftohtësi e mermerit të bardhë,
Eshtë muaji Prill,
Ditët e fundit të tij,
Majit i thotë Mirësevjen.
Përpara meje, një mal me dhimbje,
Një zë dua të dëgjoj,
Asgje s’pipëtin, vec frymës sime.
Me vehte flas:
Kthehu, kthehu serish,
Unë jam këtu, kam kohë që pres,
Ngrihu, bëhu Llazar vëllai im Vladimir.
Gurin ledhatoj,
Kam frikë se të lëndoj
Nga fotografia dy syte e tu
Me shohin ne sy
Bota s’qënka e plotë pa ty,
Derdh lotë,
Kujtimi yt më prek ne cdo qelize
Nga malli petalja hapet,
Dheu a është i lehtë?


“FOLE E ZOGUT” NE PEKIN

“Fole zogu” gjigande, brilante.
Cudite botën, kur derën hape.
Mijra krahë, mijra mendje,
miresevini i thanë globit
me buzëqeshje zemre.

Sikur këto duar,
të panumurta të njerëzimit,
pëllumba të lëshonin
drejt qiellit,
sikur krahët e planetit
trëndafila të rritin
dhe të mbajnë
balancën e vështirë
të drejtpeshimit,
si në trarin e ekuilibrit

Medalioni më i cmuar
do t’i shkonte gjoksit të Paqes.
Le të mos kish asgjë kjo botë,
vec Paqe!
Pak më parë
se “Foleja e Zogut” celi derën
Një luftë e re filloi,
mbi glob, e egër.

Njeri, mos rend pas Adamit.
Kënaqu me c’ke në duar sot
dhe falendero të madhin Zot!..
Do të mjaftonin retë,
Lotët e botës të mblidhnin.
Pastaj të shkarkojnë gëzimin .
Me brohoritje të këndojnë
Zemrat.
Per paqen e perbotshme
kampine mbi kampione

Gusht 11 , 2008
TE RIFILLOSH JETEN
Pas cdo lufte
kur vendi shkretohet,
urrejtja mbetet gjallë.
Kaq shumë egërsohet,
nuk ka Zot ta ndalë.
Dashuria e trëmbur arratiset.

Dikush fillon të rindërtojë.
Duhen vite,
të bëhen gjërat përsëmbari.
Që të mos kthehet një luftë e re,
duhet varrosur urrejtja më parë.
Duhen djegur rrënjët e saj.
Në se jo,
më e egër , më cfarosëse vjen
se në fillim të saj.

Duhet përgatitur gjithcka,
që dashuria të kthehet në vatra.
Po si të kthehet,
ku rrëndon tragjedia,
ku zemrat janë cveshur,
nga ndjenjat njerëzore?
Ku egzistenca mallkohet
Te rifillojë jeta, s’e ka të lehtë.

Sa e vështirë,
dashuria provon të ngjizet.
në akuj dhe acar,
e brishtë, lëkundet,
sa nuk thyhet.
Të ngrihet, të rritet,
do duar e zemra nënash,
ato që përkundin paqen.

Drejt brigjeve te reja
Ato u takuan buzë oqeanit,.
Flisnin gjuhë brigjesh,
Pulëbardha fluturonin,
Vizatonin hapësirën e kaltër,
Me sqepat e hollë dhe krahët e tyre.
Na duhej force,- tha njëra,
Shpirti ynë ishte rrëzuar brenda nesh,
por kishim shpresë.
Rrëmbyem vaporë, barka peshkimi,
U arratisëm.
Tmeri i largimit,
Çorri faqet e nënave,
Shkuli flokët,
Baballarët braktisën pragjet,
U mbyllën brenda,
U thinjën brenda natës.
Zemrës i vumë një gur.
Si miza të një lisi,
Ju ngjitëm vaporit,
Kur binte një në ujra,
Kur duart nuk e mbanin,
Një tjetër zgjatej drejt shpresës,
Drejt brigjeve të panjohura.
Shumë trupa,
Formuam një,
Puzzle,
Krijuar nga duar te padukshme,
Me një frymëmarje,
Një fytyrë,
Një vështrim,
-E imagjinoni?
Ti njeh vec vuajtjen tënde-thanë të tjerat,
Ne nuk mbimë rastësisht në këto ranishte,
Ikëm, u arratisëm,
Të ngopura me skamjen, fyerjen,
Shpirti ynë ishte në pranga,
Shumë nga ne i gëlltiti dallga,
Oqeani i di.

I VETEM BRENDA KATER MUREVE
Kushtuar babait tim
Brenda katër murreve babai,
Qëndron me orë të tëra.
I shtrirë në divan.
Ngrihet, sa për të shmpirë këmbët,
Hedh sytë nga ballkoni
Tulla të kuqe të pallatit tjetër.
Shkon në dhomat e fjetjes,
Të ftohta,
Flet me objektet memece.
Del në ballkon
Prek gjethet e gjelbëra të mëllagave
I gëzohet lules që cel.
Këput piperkat e kuqe djegëse
Në dimër do ti shijoje me fasulet.
Shikon orën që nuk ecen
Minutë pas minute.
Kur i telefonon dikush
Flet si femijë i braktisur, gati qan
-Me kë je atje?- e pyes në telefon
-Vetëm, vetëm, me kë tjetër.
-Te vizitoi njeri sot?
-Një javë më parë ime moter
me pleqërinë e saj.
-Si i shtyn ditët?
-Me albumet, thotë dhe qesh.
Ju kam të gjithëve në albume
Gruan, fëmijët, fëmijët e fëmijëve,
Më duhen ca albume te tjere…
Kur dikush i troket në derë,
Ai nuk e dëgjon,
Dhe po të dëgjojë
Nuk beson
Se dikush troket për të.
Babai jetim në pleqëri


***

Ne pranine tende
Nuk ndjehem mire
Sepse nuk mendoj njesoj si ty
Per shume gjera qe ti thua
Me mire t’a mbaj gojen kycur
Kycur me dyzet kyce
Se po te flas e di
Nje lufte e re do te pelcase
Po t’a filloj
E di qe do t’a humbas
E kuptoj, ti di t’a vertitesh kaq mire gjuhen
Me ty cdo beteje e imja eshte e humbur


*******



Vlera shqiptare në Amerikë



Gjatë këtij viti e pa dritën e botimit në Tiranë, vëllimi i tretë i poeteshës shqiptare me banim në Amerikë, Julia Gjika, bashkëshortja e respektuar e shkencëtarit të mirënjohur shqiptar, Thanas Gjika. Libri mban titullin Muzg, redaktor: Stavër Sharrëxhiu. Lënda poetike shtrihet në një hapsirë tipografike prej 240 faqesh, duke patur për autor të parathënies poeteshën Natasha Lako. Kjo vepër me vlera të padiskutueshme letrare strukturohet në këto cikle: Lirika, Cikli për Kosovën, Të ndryshme, Emigracioni, Ikonat, Shtegëtime dhe Haiku. Julia sipas autorit të parathënies «shquhet për thjeshtësinë dhe çiltërsinë e ndjenjës së hapur, aq sa të habit me theshtësinë dhe sinqeritetin. Ajo e ka përpara syve botën e sotme urbane, por kulloshtra që derdhet në poezinë e saj është tejet e lashtë» (f.7). Në bregdet ishte verë, thekson poetesha, duke u dashuruar njëherësh «me ty dhe detin». « Një re e bardhë/ mbështetej te mali/ një zambak i bardhë/ hapte fletëtë në ranishte/ Unë vrapoja e zbathur/ mblidhja rrezet/ që binin nga qielli/ Ti, bregu im». Julia Gjika është një grua që pikturon retë me fjalë. Fjala e saj është një magji që i çon ujërat të rrëshqasin: « M’u çelën sytë në magjinë e saj/ dhe botën preka me gishta nga vesa e larë » (f.15). Poetesha shqiptare tejmatanë brigjeve të mëndafshta të Atlantikut shkruan me shpirt të lirë. Shpirtin e vargut të saj e flladit era: « ku e zë dimri nuk e zë vera ».

Edhepse flet për kope me kuaj e turmë me njerëz që i sodit në botë, ajo s’e harron kurrë Gjirokastrën e saj ku u lind (1949), as Beratin, Tiranën e Korçën, ku studjoi, punoi dhe redaktoi një revistë, për të botuar në ndërkohë vëllimet poetike Ditëlindje (1971) dhe Ku gjej poezinë (1978). Në vitin 1996 u vendos me familjen e vet në SHBA, ku vazhdon të shkruajë e botojë poezi, portrete e kronika në gazetën shqiptaro/amerikane Illyria dhe në tribunat e tjera të komunitetit të atjeshëm shqiptar. Sipas Klara Kodrës, poezia e Julia Gjikës në këtë vëllim vjen më e pjekur si poezi lirike meditative ku ndjenja fshihet pas një cipe vetëpërmbajtjeje, një poezi moderne ku ruan qetësinë dhe nuk tërhiqet aspak nga errësira si modë. Ajo nuk e përbuz qartësinë si mungesë thellësie e supozuar. Kjo poezi karakterizohet nga një varg i lirë me ritëm të shqetsuar ku mendimet dhe ndjenjat alternohen si trokitje të shpejta me një diapazon të gjerë : ajo ngre tema të përjetshme si dashuria, jep tabllo e portrete, prek plagë të ndryshme të shoqërisë së sotme si emigracioni, lufta e Kosovës, racizmi etj. Realiteti aty shtrihet në dy botë: Shqipëri dhe Amerikës.



Jam një re në qiellin tend



Julia Gjika është gjirokastritja që mediton për Kosovën, shkruan për Flamurtaren e Kosovës, klith nga ngazëllimi i çrobërimit të Dardanisë : Po vij te ty, Kosovë, kalon kufirin, vjen në Prizren e thot: Jam një re në qiellin tënd, shkon në Krushë të Vogël, viziton Kodrinën e Jasharajve, shkruan për muzgun e Prishtinës dhe qytetin që të jep energji shpirtërore, duke i përkujtuar dëshmorët e kombit dhe « Zërat që janë mbledhur lart në qiell » (f.66). Julia Gjika është poetesha e emigracionit ku grimcat shkëlqejnë në vete, drejt brigjeve të reja. Kënga e saj është vallja e fjalëve dhe “vajza e valëve” që priste dashurinë në brigjet e detit ku “dallgët vetë vajtonin me zë”. Ajo është një meteor i shkëputur nga qielli i brishtë i Atdheut të çrobëruar nga demonët e komunizmit. Julia Gjika shkon gjurmave të Mardenës e Mondës, Rozi Theoharit e Vlashi Filit, Shefqet Dibranit e Ramiz Gjinit, Ilir Kosovës, Visar Zhitit dhe Mazllum Sanesë, Gjin Markut, Arif Molliqit, Engjëll Koliqit, Dalip Grecës, Rizah Sheqirit, Petraq Palit, Brahim Avdylit, Jeton Kelmendit, Jusuf Zenunajt, e sa e sa mërgimtarëve të tjerë që e kanë zgjedhur fjalën si instrument për ta afirmuar Shqipërinë tejmatanë brigjeve të Saj.

Ku e gjen poezinë kjo pendë e frymëzuar! Julia Gjika është një botë fjalësh që pyet botën: “Ç’po bëj unë këtu?”. Ajo është ajo që e bën atë që ia dikton zëri I zemrës, shpirti dhe ndërgjegja e nusëruar me frymëzim fjalësh që mbështesin kokën gjoksin e malit. Ajo dëgjon gurgullimën e krojeve atje ku ndjen se bulojnë miliona këngë. Julia Gjika ndjen pemët si lëshojnë sythe, ndjen aromën e nënës e të motrës, dhe pranverën që e rriti me këngë. Edhepse mban mbi supe një turmë pranverash të frymëzuara, Julia Gjika është një këngë e re e lirikës shqipe në mërgim.
(Baki Ymeri, Bukuresht)





Julia GJIKA

BISEDA KAFENEJE


Në Worcester MA të Amerikës, shqiptarët e moshuar të këtij qyteti, mblidhen në disa kafene, midis të cilave shquhet kafeneja e xha Dhorit. Aty zjejnë biseda nga më të ndryshmet për ngjarjet në Shqipëri dhe në diasporë, për librat e reja, për veprimet e politikanëve tanë, etj. Xha Dhori nuk di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë. U buzëqesh të gjithëve, për t’i mbajtur myshterinj. Kur dikush kërkon që ai të shfaqë mendimin e tij, ai ngrihet dhe bën sikur e kërkon banakjerja, bukuroshja Ana, e cila është nusja e djalit të tij. Midis myshterinjve bien në sy dy grupe, njëri prej gjashtë a shtatë vetësh, dhe tjetri prej katër, të gjithë pensionistë. Grupi më i madh përbëhet prej ish nëpunësa, mjekë, artistë. Këta shquhen për besnikëri ndaj figurës së Enverit e politikës së Partisë. Ata vijnë gjithnjë bashkë. Kompaktësia e tyre të kujton mbledhjet e celulave të dikurshme komuniste. Me ta nuk mund të flitet për krimet e kryera gjatë diktaturës, sepse ata mendojnë se gjithcka u krye për të mirën e popullit, për zhvillimin e vendit, për të siguruar pavarësinë, etj. Anëtarët e grupit më të vogël kanë mendime të djathta, por nuk i kursejnë kritikat edhe ndaj pushtetarëve të sotëm demokratë. Ata vijnë jo gjithnjë bashkë, por takohen tek klubi. 
Amerikanët që vijnë këtu, blejnë diçka dhe ikin me nxitim për në punë, duke hedhur nga një sy tek tavolinat zhurmemedha. Ata çuditen me shqiptarët që rrijnë me orë të tëra e flasin gati njëkohësisht dhe me zë të lartë.
Shumë biseda e diskutime të tyre, të cilat i kam dëgjuar vetë ose m’i ka treguar Ana, mendova t’i mbledh e t’ua jap lexuesve, pa ndryshuar gjë. Mendimet janë të diskutantëve dhe jo të miat. Anës i kërkoj ndjesë që nuk i mora lejë për t’i publikuar diskutimet e tyre. Kurse diskutantëve u kërkoj ndjesë se u kam ndryshuar emrat e vërtetë pa i pyetur.
* * *
Në kafene hyn një ish ushtarak. Ka qenë komunist, por ka vite që ka evoluar, e quajnë Majk. Ai i përket grupit demokrat, prandaj shkoi dhe u ul tek tavolina e vogël. Grupi i ish komunistëve e konsideron renegat sepse ai e shan Enver Hoxhën duke e quajtur tradhëtar të idealeve partizane, diktatorin më të egër të Lindjes, etj… 
- Po ti more Majk a nuk ke turp që shan Enverin?! - iu ndërsye prej tavolinës së madhe Labushi, konservatori më i madh dhe anëtari më i zjarrtë i grupit kompakt, që e mban veten për lab 24 karat.
- E ç’turp të kem, - ia pret Majku, - unë shëmbullin e tij po ndjek. A nuk e dërgoi Mbreti Zog Enverin me bursë në Francë, dhe kur ky e la shkollën, ai e emëroi konsull në Belgjikë? Kurse Enveri e mohoi mirësinë e mbretit, e quajti tradhëtar, maskara, ia mbylli derën e kthimit, etj. Edhe mua më dërgoi qeveria e Enverit me bursë për studime jashtë shtetit, u bëra komunist, m’u dha punë e mirë, dilja jashtë shtetit, etj. Tani e quaj Enverin maskara, kriminel, po ashtu si e quajti Enveri mbretin Zog. Kësaj i thonë të vësh në jetë mësimet e tij, ejo si ju, që i bini daulles sipas avazit të vjetër…
- Ti je një loço që nuk e ke shokun, - hidhet i revoltuar Republikani. (Po e quaj Republikan ngaqë mban kapelë republikë dimër verë, ndërsa nga bindjet është vetëm komunist e aspak republikan, siç do t’ia donte kapela).
- Ke të drejtë, - i përgjigjet Majku, - vërtet duhet të jem një loço që nuk e kam shokun. Javën që shkoi vajta tek zyra e policisë dhe i thashë sportelistit: - Zoti polic njoh disa shqiptarë ish komunistë që marrin asistencën nga shteti amerikan pa punuar asnjë ditë në Amerikë dhe shajnë demokracinë amerikane dhe lëvdojnë komunizmin. - Mirëpo polici më pyeti: - Këta njerëz a vjedhin, a dëmtojnë pronën e shtetit a pronën private të ndokujt? - Jo nuk dij që të kryejnë veprime të tilla, i thashë, por nuk pushojnë së shari Amerikën dhe së lëvduari komunizmin.
- Shko në shtëpi e qetësohu dhe mos eja më për të tilla deponime, - ma preu polici. Mirëpo unë mbas disa ditësh, kur ju përsëri ma sollët në majë të hundës me diskutimet tuaja, shkova për së dyti tek polici dhe i thashë të njëjtat ankesa. Polici kësaj radhe mu hakërrye: - Ti nuk marrke vesh, ne nuk pranojmë deponime për mendimet e njerezve, ne pranojmë deponime vetëm për veprime antiligjore. Dëgjon apo jo? Po erdhe përsëri për të tilla deponime, do të të fusim ty në burg, sepse ky është veprim antiligjor! - Sa çudi, në Shqipëri, kur bëja ndonjë deponim të tillë merrja shpërblim, ose lavdërim në organizatën e partisë, këtu të këtcënokan me burg. U largova i mërzitur e me bishtin në shalë, se në vend t’ju bëja keq juve për pak e pësova vetë, tamam si loço… 
Pastaj duke u drejtuar nga shokët e vet, Majku shtoi me zë të ulët: as kam vajtur gjëkundi për t’u ankuar me anglishten time treqindfjalëshe, por kam qejf t’i ngacmoj këta të paevolueshëm.
- Majk, dëgjo këtu! - iu kthye Labushi, duke u ngritur në këmbë. - Enver Hoxha të dha shkollë, të dërgoi të studioje jashtë, të dha grada, të bëri anëtar partie dhe tani ti thua se ai paskej qenë birbo, shërbëtor i jugosllavëve, kriminel, diktatori më i keq i Evropës Lindore… Ti je një bukëshkalë.
Majku pa e kthyer kokën nga ai, i u përgjigj:
- Në kohën e diktaturës, kur hanim vetëm një lloj sillazhi, atë që prodhonte Partia e xhaxhi Enveri, mendoja dhe unë si ti e si shumica servile, por tani, mbasi kam lexuar shumë libra të atyre që kaluan vite e vite nëpër internime e bugje, kuptova se Enver Hoxha paska qenë një karrierist dhe demagog që ka maskuar djallëzisht luftën e tij për pushtet me të quajturat interesa të larta të atdheut e të Partisë.
- Hajde Majk, hajde, - u krekos Labushi, po me veprat e burgaxhinjve na vlerësoke jetën dhe bëmat e Enver Hoxhës?
- E kam fjalën për artikujt dhe librat e patriotëve At Zef Pëllumbi, Uran Butka, Visar Zhiti, Pëllumb Kulla, Pjetër Pepa, Agim Musta, Lek Pervizi, Tomor Aliko, Eugjen Merlika, Mërgim Korca, Uran Kostreci, Makensen Bungo me shokë. Në këto shkrime ndjehet zjarri i njerëzve të ndershëm për të thënë të vërteta të paditura. Burgaxhinjtë ordinerë që u dënuan për vjedhje e shpërdorim pasurie a posti edhe unë i urrej si kushdo që ka dy para mend në kokë. Le që këta burgaxhinj nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë gjë, se nuk kanë ç’të thonë. Po, a më sqaron ti Labush, - vijoi Majku qetë qetë, duke parë me vëmendje nga tavolina e grupit kundërshtar, - si ta merr mendja ty, ata dy të dërguarit e Titos, Miladini dhe Dushani, nuk do të përpiqeshin për të mbrojtur interesat e shtetit të tyre jugosllav? E këto interesa a mund t’i mbronin duke zgjedhur në krye të partisë komuniste shqiptare, komunistë me ndjenja patriotike të formuar në Perëndim si Zef Mala, Zaj Fundo, Sadik Premtja, Anastas Lulo, Aristidh Qendro, Ymer Dishnica, etj., apo ndonjë të paformuar e me shkollë të pambaruar, si Enveri, që mund ta përpunonin lehtë?
- Ik more, ti qenke droguar prej librave të burgaxhinjve, - thirri Labushi dhe u ul në karrike duke parë nga shokët e grupit të tij, për të gjetur mbështetje për ato që tha, por shokët kishin ulur kokat...
-Ik ti, - ia preu Majku, - ti, që nuk të ka dalë ende droga e formave të edukimit komunist. Më quan mua kuadër i Enverit, sikur nuk i paskam marrë diplomat e gradat me aftësitë e mia, po m’i paska dhënë Enveri. Po të rinjtë që mbarojnë sot shkollat e larta në Shqipëri u dashkan quajtur kuadro të Sali Berishës dhe u dashka t’i shërbejnë atij qorrazi, se përndryshe qënkan bukëshkalë? A ke dëgjuar ti këtu në Amerikë, që ky apo ai kuadër të quhet pjellë e këtij apo atij presidenti, meqë paska mbaruar shkollën në kohën e udhëheqjes së tij. Im bir që mbaroi kolegjin në kohën e drejtimit të George Bushit na qenka kuadër i Bushit… E ç’na thënke more Labush! - e mbylli fjalën Majku, - lexo disa nga librat e të përndjekurve politikë se ke për t’u kthjelluar si unë…
Labushi me kolegët e tij ulën kokat e vijuan bisedën me zë të ulët, nuk donin ta zgjasnin muhabetin meqënëse nuk iu ndezi.
Edhe në tavolinën tonë u ndërrua tema e bisedës dhe u ul toni i zërit.
Feraku, më i gjati e më simpatiku i grupit demokrat, emri i të cilit sqarojmë se nuk ka lidhje me fjalën ferrë, po e kemi sajuar si dhe emrat e tjerë, hodhi një pyetje shumë intriguese:
- Shqiptari, filloi ai, në shekuj e ka mbrojtur pronën e vet në rrugë personale, pa gjyqe, po me plumb. Për një pëllëmbë tokë ai e ka vrarë atë që ia ka marrë, edhe sikur ky të ishte vëllau i vet. Pushteti komunist u mori pa gjyq e pa shkak, jo nga një pëllëmbë tokë, po krejt tokat e pasuritë, florinjtë, shtëpitë, gjënë e gjallë, i rasi nëpër burgje e kampe internimi mijra e dhjetra mijra familje shqiptare. Mirëpo as gjatë diktaturës, as mbas shkërmoqjes së diktaturës nuk doli ndonjë ish i përndjekur e i shpronësuar të vinte në vend padrejtësinë që i ishte bërë familjes së tij. Askush nuk shkoi t’ia numëronte në ballë diktatorit a pasuesit të tij, ose së vesë së diktatorit, ose prokurorit të përgjithshëm që u kishte dhënë dëmimin pa të drejtë, as ministrit të brendshëm apo atyre që i kishin torturuar çnjerëzisht në hetuesi.
Feraku duke parë nga ne, shtoi: - Si e shpjegoni ju këtë fakt? 
Pyetja e tij, si e shpjegoni ju këtë fakt, i vuri në mendime. Filluan të shihnin njëri tjetrin, pastaj ulën vështrimet tek filxhanët e kafes dhe filluan të vrisnim mendjen Nga situata na nxori i zoti i pyetjes.
- Le të mendohemi nëpër shtëpitë tona, - tha ai, - dhe përgjigjet t’i japim kur të takohemi herën tjetër. 
Kur u mblodhën ditën e shtunë, u ndrisnin sytë të gjithëve, sejcili mendonte se kishte për të dhënë përgjigjen më të saktë ndaj pyetjes intriguese të Ferakut.
- Unë, - filloi Naku, ai që mbahej për historian, - së pari dua të sqaroj se kujt i përket më shumë detyra e shlyerjes së borxhit ndaj kupolës komuniste. - Dhe vijoi: - Populli ynë gjatë kohës së diktaturës përbëhej nga tri shtresa kryesore. Shtresa e lartë ishte ajo e pushtetarëve, ku futen ata që kanë pasur në dorë fatin e njerëzve, si udhëheqësit e partisë me sekretarët e rangjeve të ndryshme, anëtarët e qeverisë me gjithë kryetarët e komiteteve e deri tek drejtorët e ndërmarrjeve, prokurorët e gjykatësit, hetuesit, drejtorët e burgjeve, spiunët e paguar, etj. Kjo shtresë ka përbërë rreshtat e sipërm të piramidës. Ajo përbënte një pakicë. Nga kjo shtresë nuk mund të delte ndonjë hakmarrës, mbasi të gjithë këta kanë qenë dhe janë përgjegjës ndaj krimeve që u kryen gjatë kohës së diktaturës. Shtresa e mesme ishte ajo e bashkëvuajtësve dhe bashkëfajtorëve, ku futen gjithë punonjësit e ndryshëm të qytetit e të fshatit, dhe komunistët e thjeshtë me gjithë inteligjencën krijuese. Kjo shtresë ishte shtresa më e gjerë e shoqërisë shqiptare, e cila përbente rreshtat e mesit të piramidës, duke përfshirë gjithë rreshtat që vinin nën ato të majës deri tek rreshti i dytë mbi tokë. Çdo anëtar i kësaj shtrese, duke mos i kundërshtuar krimet e diktaturës, tregoi se ishte pajtuar me diktaturën për motive të ndryshme. Ata ngushëlloheshin nga fakti se nuk ishin krejt në fund, por diku mbi të tjerë. Pra kjo shtresë ka qenë e përlyer si bashkëfajtore. Këtu bëjmë pjesë edhe ne, që jetuam gojëkyçur, pa e kundërshtuar hapur diktaturën, po vetëm duke treguar ndonjë anekdotë a shaka me zarar. Edhe ne bashkëfajtorët e kemi të vështirë ta vemë në vend nderin e kombit të marrë nëpër këmbë. Shtresa e poshtme ishte ajo e të përndjekurve dhe të shpronësuarve, ku futen gjithë nacionalistët e patriotët e ndershëm dhe intelektualët, të cilët partia e pushteti i konsideroi armiq dhe i vrau pa gjyqe ose me gjyqe fallco, ose i futi nëpër burgje e kampe internimi, madje mjaft prej tyre për disa breza. Kjo shtresë paska qenë shumë më e gjerë sesa dinim ne gjatë diktaturës. Ajo përbënte themelet e nëndheshme të piramidës dhe rreshtin e parë mbi tokë të saj. Ndaj kësaj shtrese jemi borxhli të gjithë, sepse mbi pjesëtarët e saj rëndoi gjithë pesha e diktaturës. Nga kjo shtresë pritej të dilte heroi që do t’ia bënte bamp, për të marrë hakun e aq viteve burgimi e internimi, për grabitjen e pasurive dhe të nderit. Në këtë shtresë nuk hyjnë ish pushtetarët komunistë të dënuar si armiq e tradhëtarë prej njëshit të tyre. Këta ish të dënuar me gjithë bijtë e tyre, nuk mund të delnin kundër bëmave të diktaturës, as para as pas dënimit, sepse ata i patën lyer duart me gjak shqiptari të pafajshëm. Ndonjë tip me kurajo të jashtzakonshme guxoi të shprehte pendimin e vet me fjalët: Ne komunistët e vjetër që sollëm këtë sistem duhet ta lyejmë veten me benzinë e ta djegim tek Sheshi Skënderbej. Por kjo pendesë u shpreh vetëm me fjalë. Shumë prej tyre shkruajnë kujtime për trimëritë e luftës pa përmendur asnjë nga krimet e udhëheqjes gjatë luftës e pas saj. Kurse Todi Lubonja, mbasi doli nga burgu, në kujtimet që botoi, nuk i përmendi poshtërsitë që kishte bërë kur ishte pushtetar, dhe as që kërkoi të falur. Shkroi vetëm për vuajtjet kur ishte në burg dhe në fund e mbylli librin me thënien e njohur komuniste: Sikur të më jepej edhe një herë jeta, unë do ta jetoja atë si komunist! Ky autor përmend në burgjet e diktaturës shqiptare vetëm ish pushtetarë si Bedri Spahiun, ish gjenerali Halim Xhelo, Koco Tashkon, etj po asnjë nga të dënuarit e ndërgjegjes, ose nga patriotët e shpronësuar e të quajturi armiq të pushtetit. Duket se hipnoza e luftës së klasave këtij ish pushtetari nuk i paskej dalë as gjatë burgut e as mbas burgut. Todi Lubonja, prej të cilit pritej shumë, nuk guxoi të bënte asnjë analizë kritike ndaj diktatorit ose pasuesit të tij. Edhe e shoqja e tij nuk shkoi më tej. Në kujtimet e saj ajo tregoi me egoizëm vetëm vuajtjet e saj në internim dhe të asnjë bashkëvuajtësi, madje as të nuses së djalit të saj. Në librin e vet ajo nuk bëri asnjë analizë për sistemin shoqëror, si shkaktar i fatkeqësive. 
Pepja, e ndërpreu:- Shkurt muhabeti, diktatura komuniste me sundimin e gjatë e të egër, arriti të kultivonte tek çdo shqiptar frikën dhe prishjen e karakterit. Edhe pse nuk u kërkua asnjë e falur publike prej ish pushtetarëve, askush nuk guxoi të merrte hakun e vet e të familjes së tij të dëmtuar rëndë.
- Nuk besoj se ka qenë çështje frike, - ndërhyri Feraku, - unë them se të gjithë shqiptarët që kanë pësuar prej diktaturës, e sidomos bijtë e shtresës së të përndjekurve e të shpronësuarve, kanë treguar këto njëzet vjet shumë kurajo dhe vetmohim për të dëshmuar vlerat e tyre të mohuara. Këtë e kanë bërë si me jetën e tyre dinjitoze dhe me shumë artikuj, kujtime, vepra letrare e shumë bema të tjera. A nuk janë plumba e gjyle vdekjeprurëse veprat e botuara të të përndjekurve? A nuk i sollën ata faktet për diskreditimin e karakterit të diktaturës si sistem dhe të diktatorit e bashkëpunëtorët e tij? Po ish pushtetarët tanë komunistë nuk kanë sedër, prandaj as skuqen as kërkojnë të falur.
- Nxjerrja në shesh e dimensioneve të vërta të diktaturës, - shtoi Naku, - është një meritë e madhe e ish të përndjekurve. Evoluimi ynë si dhe i shumë krijuesve nga e djathta, duhet pranuar se ndodhi jo thjesht nga predispozicioni ynë, por edhe nga leximi i veprave të tyre. Madje njohja me jetën dhe veprat e të përndjekurve kanë ndikuar edhe në evoluimin e Ismail Kadaresë. Kohën e bëjnë njerëzit dhe njerëzit që kanë ndihmuar më shumë në këto njëzet vjet, për ecurinë e mendësisë shqiptare, janë pikërisht ish të përndjekurit. Vlerësimi ose mos vlerësimi i tyre sot është vija që ndan atdhetarët e vërtetë nga antikombëtarët. Komunistët e paevolueshëm kanë alergji ndaj tyre. Unë, mbasi kam lexuar shumë artikuj e libra të tyre, e kam ndjerë veten shumë borxhli ndaj tyre. Madje shpesh, u jam drejtuar me letra e shkrime vlerësuese dhe me telefonata falenderuese.
- More, - ndërhyri përsëri Pepja, - të vdesë nga perëndia diktatori ynë, e veja e tij, vijuesi i diktatorit, prokurori i përgjithshëm etj, për mua është krim i madh dhe një gabim që nuk do të na e falë e ardhmja.
- Zotrote, - e ndërpreu Naku Pepen, armët di t’i përdorësh, Shqipëria është plot me revolverë e automatikë kallashnikov, pse nuk shkon atje e t’ia bësh bamp?
- Para meje e kanë radhën ata që u persekutuan më shumë. Pastaj një 73 vjeçar - shtoi Pepja, - si unë që më dridhen duart, nuk është për t’ia bërë bamp.
- Të përndjekurit, - shtoi Naku, - nga vuajtjet e shumta janë bërë si shenjtorë. Shenjtorët dhe demokratët nuk përdorin armë zjarri, po fjalën. Pastaj hakmarrjes alla kanun, i ka kaluar koha, si kudo dhe në Shqipëri. Nuk shikoni sa qesharakë e të urrejtshëm bëhen sot ata që marrin hakun në rrugë personale sipas kanunit e jo në rrugë shtetërore sipas ligjit? Hakmarrjet sipas kanunit na turpërojnë para botës së qytetëruar. Feraku e tha qartë se hakmarrja sot bëhet në plan moral, artistik e politik. Puna është që demokratët duhet t’i shtojnë përpjekjet për të sqaruar popullin deri në atë nivel, sa ky të kuptojë se ish sigurimsat e ish komunistët nuk duhet të votohen kur kandidojnë për deputetë e bashkiakë…
- Mua, si ish komunist, - tha Majku, - më vjen turp e inat që edhe sot Nexhmia, Ramizi etj, flasin e botojnë shkrime për të mbrojtur e zbukuruar politikën e vjetër të dështuar të partisë, në vend që t’i kërkojnë me burrëri të falur popullit, veçanërisht të përndjekurve. Por ama unë e konsideroj po aq të dënueshme edhe moskthimin e pronave prej qeverive të quajtura demokratike të këtyre njëzet vjetëve. Shumë prej politikanëve të sotëm meritojnë po ashtu një ndëshkim shëmbullor. Lidhur me Sali Berishën, unë jam i bindur se shpejt a vonë, ky ish sekretar partie, që lufton të jetë udhëheqës i pazëvendësueshëm i demokracisë, ka për të dalë agjent i kupolës së vjetër komuniste. Këtë e kanë shpallur shumë vetë, tani së fundi Pëllumb Kulla e quajti Pal Mëlysh të Demokracisë. Unë bashkohem me këtë akuzë, sepse nuk ka si shpjegohet fakti që të përndjekurve nuk u janë dhënë as pronat as poste qeveritare që duhet t’i merrnin mbas ndërrimit të sistemit politiko-shoqëror.
- Sali Berisha, - ndërhyri Feraku, - mund të ketë qenë futur në lëvizjen demokratike prej udhëheqjes komuniste, por ama ai ka evoluar shumë nga e djathta dhe ka bvrv shumë më tepër se sa mund të bënte kushdo tjetër.
- Opozita e vërtetë e partisë komuniste, vijoi Majku, - përbëhej prej nacionalistëve, intelektualëve të formuar në Perëndim, pronarëve të mëdhenj e borgjezisë. Atëhere pas dështimit të pushtetit komunist duhej të vinin në pushtet kundërshtarët e tij. Mirëpo sot klasën e re politike, në shumicën dërmuese, e përbëjnë pjellat e komunizmit. Ata hiqen si socialistë të rinovuar, si demokratë, si të persekutuar, por në fakt janë lojtarë të ish kupolës komuniste. Ata bëjnë shumë tym e zhurmë antikomuniste për të maskuar pasurimin e bijve dhe shërbëtorëve besnikë të ish kupolës. Ua kam thënë dhe herë tjetër, se mbas shtypjes së kundërrevolucionit hungarez, Mehmet Shehu u dha shefave të Ministrisë së Punëve të Brendëshme këtë porosi të dërguar prej KGB-së sovjetike: Duhet të punojmë në mënyrë që po të ndodhë tek ne një përmbysje e sistemit politik, të vijnë në udhëheqje njerëz që të duken si armiqtë tanë, por në fakt të jenë agjentët tanë. Për këtë porosi është punuar me seriozitet në gjithë vendet e Lindjes, që nga viti 1957 deri më 1990. Mos u bëni naivë, çdo qeveri, sidomos ato diktatoriale, punojnë jo vetëm për shkatërrimin e kundërshtarëve të tyre, por edhe për përjetësimin e pushtetit…
Naku, sikur të kishte zbuluar diçka të re, e ngriti zërin: 
- Me këto që thua ti Majk, u kuptoka pse në vitet 1990-91 sigurimi i shtetit u përpoq që familjet kryesore të të persekutuarve, si familjet Gjonmarkaj, Kupi, Merlika, Pervizi, Dosti, etj, etj t’i këshillonte e ndihmonte që të shkonin jashtë shtetit tek njerëzit e tyre të arratisur në Perëndim. Sigurimit të shtetit që i kishte masakruar ato viktima nuk mund t’i vinte keq për ta, por paska qenë porosi e partisë që të rralloheshin sa më shumë opozitarët e vërtetë, të mos organizoheshin në Shqipërinë pasdiktatoriale. Pra edhe hapja e ambasadave të huaja, hipjet nëpër vaporë dhe lagimet masive nëpër kufirin grek, paskan qenë hapje e valvulave të shkarkimit, për të pakësuar sa më shumë të pakënaqurit e vërtetë.
- Komunistët kanë ecur me strategji për të pakësuar kundërshtarët e tyre brenda vendit. Kjo del dhe nga rezultatet e zgjedhjeve, - tha Feraku. - Më 1992 partia socialiste fitoi 28 përqind të votave, kurse në zgjedhjet e sivjetme ajo fitoi dyzet e nëntë përqind. Këtë rritje të lektoratit zgjedhor në favor të PS unë e shpjegoj me dy arsye: së pari, populli mbahet ende nën frikë dhe së dyti, shumica e ne të larguarve nga atdheu mbas 1992-shit i përkasin lektoratit demokrat. 
- More, - ndërhyri Pepja, - më duket se edhe këtu në emigracion, Sigurimi ka dërguar aktivistët e vet. Ne dhe shumë të tjerë kemi ardhur nga nevoja dhe shohim punën, por kam vënë re se disa të tjerë që merren gjoja me aktivitete patriotike, që formojnë shoqata ose forume mediatike, stacione televizive, etj punojnë për të na e bërë kokën dhallë, përpiqen nën dhe për të mbajtur gjallë mentalitetin komunist, dhe lidhjet e informatorëve.
- Ty, Pepe, të është bërë mendja Sigurim, - ndërhyri Feraku. - Sigurimi i vjetër u shkërmoq në Shqipëri e si mund të vijojë punën këtu në Amerikë?!
- More, - kundërshtoi Pepja, - nuk e kam fjalën thjesht për Sigurimin, por ata që kanë marrë njerëz më qafë, që kanë lyer duart me gjak, bashkë me bijtë e tyre dhe me bashkëpunëtorët e tyre, do të punojnë derisa të vdesin për të mbajtur fshehur krimet. Nuk shikoni se ç’bëjnë këtu, sesi aktivizojnë e popullarizojnë ca mediokër, kurse intelektualët e vërtetë i lenë në hije. Kam frikë se komunistët, ashtu si erdhën në fuqi më 1944-45 mund të vijnë përsëri në pushtet në shumë vende ish komuniste… 
- Komunistët, - ndërhyri Feraku, - kanë punuar gjithnjë të organizuar me disiplinë të hekurt, duke përdorur një propagandë të fuqishme, kurse demokratët shikojnë punën e tyre, pa çarë kokën se ç’bëjnë fshehurazi komunistët. Disiplina e hekurt dhe propaganda e fuqishme ua siguroi partive komuniste ardhjen në pushtet, por qeverisja e tyre diktatoriale monopartiake, i shpuri ato vende në katastrofë ekonomike. Prandaj, Pepe, hiqe atë lepurin nga barku, se bota shkon përpara dhe nuk mund t’i kthehet një eksperimenti të dështuar që i kushtoi shumë gjak e sakrifica. 
- Rrugët dhe ndërtimet e mëdha që po bëhen në Shqipëri, - ndërhyri Naku, - tregojnë se Evropa dhe Amerika kanë vendosur ta pastrojnë e ndërtojnë pjesën shqiptare të oborrit evropian. Prandaj duan apo nuk duan fqinjët tanë dhe ish komunistët shqiptarë, Shqipëria do të hyjë në Evropën e Bashkuar. Në atë bashkësi do të gjallërohen tiparet tona positive: zgjuarësia, guximi, bujaria, mikpritja, inisiativa për të kapur të renë, etj.
- Qeveria demokratike shqiptare, - e mori fjalën Feraku, - ka bërë shumë ndryshime pozitive, por ama ajo ka përgjegjësi për mos dënimin e krimit komunist si i takonte. Tek ne duhej zbatuar një Nuremberg, sepse diktatura shqiptare ishte më gjakatarja midis vendeve të tjera të Evropës Lindore. Gjithashtu kjo qeveri pa tjetër duhet t’u kthejë pronat pronarëve të vërtetë gjatë kësaj legjislature, përndryshe nuk besoj se vjen më në fuqi dhe do t’i shkaktojë së djathtës një dëm të madh. 
- Ndryshimi i mentalitetit të një populli, - shtoi Naku, - ecën më ngadalë se ndryshimet ekonomike. Brezi ynë kam frikë se do ta pësojë, si Mojsiu i Biblës, që vdiq para se të mbrinte populli jude në vendin e premtuar. Lufta për demokratizimin e mendësisë shqiptare mund të bëhet më efektive duke shkuar e punuar atje në atdhe. Në rast se shumë nga ne që morrën rrugën e mërgimit, tani mbas 15 vjetësh kthehen në atdhe për të investuar e jetuar atje, atëhere mendësia demokratike do të forcohet. Kthimi i mërgimtarëve në atdhe në mjaft vende ka sjellë ndryshime pozitive në mendësinë e bashkatdhetarëve.
- Shkoni, shkoni,- tha Pepja, - po komunistët, ato pak pare që keni do t’jua përlajnë si bakshishe, ndërsa për investime do t’ju duhet të ktheheni këtu përsëri që të punoni nja 15-20 vjet të tjera. Nuk është koha e mbretit Zog, kur respektoheshin ligjet dhe baballarët tanë ktheheshin e bënin prokopi me kursimet e tyre? Pa hyrë Shqipëria në Evropën e Bashkuar nuk duhet menduar kthimi në atdhe, sepse aty nuk ka shtet ligjor.
- Më duket se neve na pengon të kthehemi mungesa e shpirtit idealist dhe jo mungesa e shtetit ligjor, - tha si autokritikë Naku. - Na ka plogështuar bollëku i Amerikës, dhe tregoi barkun e tij të fryrë. Pëllumb Kulla u ka bërë thirrje Kadaresë e Agollit të mos arratisen nga trajtimi i problemeve të jetës së sotme, por të angazhohen në luftën ndaj dukurive negative të së sotmes. 
Këta dy personalitete po t’i mprehin penat e tyre kritike mund të luajnë rolin e opozitës së vërtetë, që i mungon shoqërisë shqiptare. Sa me vlerë do të ishte sikur këta dy personalitete t’u përgjigjeshin genjeshtrave të Nexhmies e Ramizit, të cilët po vijojnë në rrugën e tyre të krimit duke zbukuruar bëmat e diktaturës e të diktatorit. 
- Kadareja edhe ka guxuar, kurse Agolli nuk doli kurrë kundër Ramizit e Nexhmies, mbeti një ushtar besnik i tyre, - shtoi Pepja.
- Sot, kur Putini në Moskë kritikon ashpër nostalgjikët e Stalinit e të diktaturës staliniste, - vijoi Naku, - të mbrosh e zbukurosh Enverin dhe enverizmin, është një krim monstuoz. Sa për thirrjen e z. Kulla mendoj se duhet ta marrim sikur na bëhet edhe neve, derrave të kënaqur të kurbetit. A nuk do të ishte më mirë ta hanim pensionin tonë atje në Shqipëri? A nuk do të ishim neve më të dobishëm në atdhe qoftë dhe duke diskutuar me të njohurit, komshinjtë tanë? Pa le sikur të shkruanim ndonjë artikull kritik e të flisnim në televizion.
- Rrugën e ke të hapur xha Nako, - u ngut të thosh me të qeshur Pepja, - por atje shumica e gazetave dhe stacioneve televizive janë në duart e ish komunistëve. Këta kanë krijuar opinionin se ne kurbetllinjtë jemi të tepërt e të pavlefshëm. Ti mund të botosh vetëm në gazeta që dalin me tirazh të vogël dhe mund të flasësh në stacione televizive që nuk i shikon njeri. E një ditë mund të na kthehesh i deziluzionuar këtu…
- Sikur sejcili nga ne të ndikonte në atdhe në mendësinë e dhjetë miqve e komshinjve dhe të dhjetë lexuesve e spektatorëve, do të ndjenim një gëzim që nuk na e jep asnjë punë këtu, - tha Naku.
- Moj, më duket sikur ky paska marrë vendim për t’u kthyer, - tha Ana, duke më parë në sy. – Nuk më ngjan me thëniet që kam dëgjuar nga të tjerët. Këto fjalë nuk janë thjesht nostalgji pleqërie për baltën, që Cajupi e quante më të ëmbël se mjalta. Më duket tjetër gjë… 

No comments:

Post a Comment