SHPËTONI “REPUBLIKËN” E KOSOVËS



Deklaratë Publike
Nga Bordi Drejtorëve i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane
 
The Albanian American Civic League www.aacl.us
 Hyrje
 
Trembëdhjetë vjet pasi fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë përfundoi fushatën e gjenocidit të Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, dhe katër vjet pas “pavarësisë së mbikëqyrur” që filloi në vitin 2008, ne ndihemi të detyruar që publikisht të adresojmë përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike në Kosovë. Të gjithë faktorët janë të përgjegjshëm: komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të gjejë një zgjidhje politike të drejtë dhe të qëndrueshme ndaj konfliktit shqiptaro-serb. Udhëheqësia kosovare ka dështuar të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e Republikës. Dhe elita serbe nëpërmjet fushatës lobuese multimilionëshe dhe mbështetjes së strukturave paralele në Kosovën veriore ka qenë e suksesshme në përpjekjet e tyre për ta destabilizuar Kosovën dhe një pjesë të madhe të rajonit. Me vetëm një kundërshtim në formë retorike boshe nga perëndimi, Beogradi ka arritur ta kontrollojë Kosovën veriore që nga viti 1999. Në ndërkohë, Serbia kurrë nuk është vënë para drejtësisë për okupimin dhjetë vjecar të Kosovës, të pasuar nga krimet e luftës dhe shkatërrimi në Kosovë.
Fokusi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 2012 – tani në një shtytje përfundimtare për të zgjidhur konfliktin mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për të dal nga rajoni – është në pjesën veriore të Kosovës, ku qëllimi i përsëritur shpesh i Beogradit për ta bërë de juro ndarjen de facto të kësaj ane me shumicë serbe po i afrohet suksesit gjithnjë e më shumë.  Beogradi ka qenë i suksesshëm në bindjen e shumicës së komunitetit ndërkombëtar se minoriteti serb në veri është në rrezik. Në realitet, konflikti në veri gjithmonë ka qenë për qëllimet ekspansioniste të Serbisë. Qysh kur trupat e Miloshevicit pushtuan Kosovën në vitin 1998, qëllimi i fundit i Serbisë ka qenë gjithmonë ndarja e veriut, njësoj si në Bosnje, ku Serbia ishte në gjendje të krijojë enklavën etnike serbe të quajtur Republika Srpska.
Presioni i pasluftës mbi Kosovën dhe pranimi i tij nga politikanët kosovarë
Udhëheqësisë politike në Kosovë i është bërë presion që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 për të kënaqur perëndimin në mënyrë që të përmbushen kërkesat e Serbisë. Fatkeqësisht, elita politike kosovare bëri pak për ti rezistuar kërkesave që iu bënë asaj për shkak të një besimi përtacor se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do ti përfaqësojnë interesat e Kosovës. Në mënyre që të fitonte “pavarësinë e mbikqyrur” në një vend me 92 perqind shqiptarë dhe 5 perqind serbë, Kosova pranoi kompromise nëpërmjet “Planit të Ahtisaarit” dhe masave të tjera, duke përfshirë:
  • Ndërrimin e emrit shqiptar të “Republic of Kosova” në atë serb “Kosovo”
  • Heqjen e flamurit shqiptar dhe pranimin e një flamuri dhe himni nacional për Kosovën që janë pa kuptim kulturor dhe historik
  • Dhënien serbëve të Kosovës më shumë të drejta se çdo minoritet etnik në Evropë, duke përfshirë shtetësi të dyfishtë, krijimin e lidhjeve direkte mes komunave serbe në Kosovë dhe Beogradit, marrjen njëkohësisht të fondeve të pataksueshme nga Serbia si dhe atyre nga qeveria Kosovës, dhe marrjen e 10 vendeve të rezervuara për Serbët nga 120 vende në parlamentin e Kosovës përveç atyre vendeve ata mund ti fitojnë përmes zgjedhjeve
  • Dhënien e “statusit extraterritorial” dhe të pataksuar monastireve dhe kishave ortodokse serbe, edhe pse shumë prej tyre ishin së pari pjesë e kulturës shqiptare dhe mbroheshin prej shqiptarëve
Problemet e brendshme politike dhe ekonomike të Kosovës
 
Mungesa a një qeverie të fortë demokratike, rritja e korrupsionit, sundimi i pamjaftueshem i ligjit dhe shtypit të lirë, papunësia e lartë bashkë me zhvilimin e vogël ekonomik, dhe institucionet e edukimit me cilësi nën standardet ndërkombëtare, e kanë bërë të vështirë për vendin që ti mbrojë interesat e saj në skenën ndërkombëtare.  Shumë prej këtyre janë rezultat i Kosovës nën protektoratin nëntë vjecar dhe kater vite pa pavarësi të vërtetë – duke e lënë atë në limbo në fushën ekonomike, politike, dhe sociale, dhe të pambrojtur ndaj ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Mirëpo, pjesë e fajit duhet të bie mbi udhëheqjen dhe publikun shqiptar për arsyet në vijim:
  • Egziston një indiferencë dhe pavullnetshmëri nga ana e shumë kosovarëve të aftë e të edukuar që të bëhen pjesemarrës aktiv në procesin demokratik
  • Egziston pothuajse një përkulje totale e publikut dhe klasës politike ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe përfaqësuesve të tjerë perëndimorë në Prishtinë. (Nuk duhet të ketë iluzion se Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore do të jenë në gjendje të zgjidhin problemet e shqiptarëve kosovarë). Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të përkujdesen për Kosovën shpesh përdoret si një shfajësim nga politikanët dhe profesionistët shqiptarë që të mos punojnë për ti zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet.
  • Egziston një mungesë gjithnjë në rritje e interesit për të zgjidhur kauzën kombëtare shqiptare në Kosovë dhe si rrjedhojë një mungesë empatie ndaj shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, dhe Çamëri.
Ne besojmë se politikanët që nuk janë duke ruajtur dhe mbrojtur interesat e shumicës duhet të largohen përmes votave, dhe që kosovarët duhet të rimarrin aftësinë për të zhvilluar shtetin në barazi me homologët e tyre në pjesët tjera të botës që duan të sigurohen se pergjegjësia dhe transparenca janë baza e jetës së tyre civile.
 
Pika kthesë: bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të sponsorizuara nga BE-ja
 
Bisedimet Prishtinë-Beograd që filluan nën sponsorizimin e Bashkimit Evropian në Mars të vitit 2011 ishin me qëllim “teknike,” por diskutimet mbi statusin final (qëllimi kryesor i Serbisë) janë tani prioritet. Bisedimet, që deri në një shkallë ishin krijuar për të ndihmuar Serbinë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duke e prezentuar atë si një komb i përkushtuar për stabilitetin rajonal, u ndërpriten vjeshtën e kaluar pas konfrontimeve të serbëve të mbështetur nga Beogradi në veri për shkak të përpjekjeve të Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës, lanë një polic shqiptar të vrarë dhe katër ushtarë të NATO-s dhe 16 civilë serb me lëndime të rënda. Kryeministrja gjermane Angela Merkel, në një devijim principiel nga shetet tjera anëtarë të BE-së u pergjegj duke bllokuar Serbinë nga marrja e statutit të vendit kandidat dhjetorin e kaluar dhe insistoi që barrikadat e ngritura nga serbët lokal në të gjithë veriun duhet të hiqeshin dhe të gjitha struktura paralale ilegale në Kosovën veriore duhet të shuheshin para se bisedimet për anëtarësim në BE të fillonin.
Me bisedimet Prishtinë-Beograd gati për të filluar në Mars (kur BE-ja prapë planifikon të votojë mbi praniminin e Serbisë), Beogradi vazhdon hapur të refuzojë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ende nuk ka tërhequr mbështetjen politike dhe financiare për strukturat paralele ilegale në Kosovën veriore. Për më tepër, serbët në Kosovën veriore mbajtën një referendum ilegal me 15 shkurt, ku 99.7 përqind të votuesve votuan kundër pranimit të legjitimitetit të qeverisë së Prishtinës.
Pranimi i Kosovës në forumet rajonale, deri më tani të bllokuar nga serbët, do të jetë fokusi i takimit në Bruksel në Mars. Gjatë javëve të diplomacise fluturuese, negociatorët perendimorë janë përpjekur ta bindin Prishtinën se mund të arrijë të pranohet në forumet rajonale nëse është e gatshme të identifikohet si “Kosovo” pa fjalën “Republikë” dhe me nje “fusnotë” që i referohet Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara duke e identifikuar Kosovën si krahinë të Serbisë nën protektoratin e KB-ve, si dhe deklaratës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës.
  • Ne besojmë se Kosova nuk duhet të pranojë ta shlyej fjalën “Republikë” para emrit të saj; nuk duhet të pajtohet që të referencojë Rezolutën 1244 të KB-ve, e cila u shfuqizua kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore me 17 shkurt të vitit 2008. Që nga përfundimi i luftës, Kosovës i është kërkuar që ti bëj Serbisë lëshime. Është koha për Kosovën që të tërheq vijën këtu.
  • Ne besojmë se Kosova nuk duhet të vazhdojë bisedimet me Serbinë derisa ajo të njoh pavarësinë e Kosovës. Bisedimet e tanishme (për të cilat pala shqiptare kurrë nuk është dashur të pajtohej pas pavarësisë) nuk do të sjellin paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore përderisa Serbia refuzon të njoh shqiptarët kosovarë si palëe barabartë dhe të njoh sovranitetin e Kosovës.
  • Ne besojmë se qeveria e Serbisë duhet të kthejë trupat e pagjetur të shqiptarëve kosovarë të cilet u transportuan me kamionë me frigoriferë dhe u varrosën në dhe rreth Beogradit kur lufta përfundoi në qershor të vitit 1999 dhe të paguajë dëmshpërblimet e luftës.
  • Përderisa ne besojmë se nuk duhet të ketë privilegje të vecanta për minoritetin serb në Kosovë, ne gjithashtu besojmë se të drejtat e tyre duhet të mbrohen fuqishëm ashtu si janë mbrojtur të drejtat e popullsive Turqe, Roma, dhe Ashkalinjve në Kosovë. Pas nënshtrimit ndaj okupimit brutal usharak dhjetëvjecar dhe pastrimit etnik e gjenocidit dyvjecar në duart forcave ushtarake dhe paramilitare të Slobodan Miloshevicit, shqiptarët kosovarë duhet të jenë në frontin zhvillimit të të drejtave të njeriut në Evropë.
Marrëdhënja shqiptare me komunitetin ndërkombëtar
 
Shqiptarët e respektojnë dhe i besojnë Shteteve të Bashkuara për shkak të rolit historik të Presidentit Woodrown Wilson në themelimin e shtetit sovran të Shqipërisë në fund të Luftës së Parë Botërore, kur Rusia dhe fuqitë Evropiane ishin të përgatitura që ti copetonin të gjita trojet shqiptare.
Megjithatë, me luftën në Afganistan dhe krizën në Lindjen e Mesme, është koha që të pranojmë se Shtetet e Bashkuara ka çështje shumë më urgjente në agjendën e saj të politikës së jashtme dhe nuk mund të mbështetemi në të që të përcaktojë të ardhmen e Kosovës.
Është koha që të pranojmë se administratat amerikane nuk kanë vepruar gjithmonë në interes të popullit të Kosovës. U desh njëzet vjet lobim në kongresin amerikan nga ana e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane që të bindnim Presidentin e atëhershëm George W. Bush që të mbështes deklaratën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Dhe do të duhet një tjetër përpjekje në kongresin amerikan (dhe në parlamentet e pesë shteteve anëtare të BE-së që refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës) që të përfundohet konflikti shqiptaro-serb dhe ti sillet Kosovës pavarësia e vërtetë. Përderisa administrata e Obamës ka mbajtur qëndrimin publik se ndarja de facto e Kosovës veriore nuk duhet të bëhet de jure, ajo nuk ka marrë ndonjë veprim për të mbështetur këtë qëndrim. Në realitet, admnistrata e Obamës ka zgjedhur që të marr një vend prapa karshi Evropës kur vjen puna te Kosova dhe Ballkani.
  • Ne besojmë se udhëheqja politike dhe publiku kosovar duhet fuqimisht të kundershtojë ndarjen e veriut, e cila në formën e saj de facto ishte produkt i spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë nga paramilitarët serb të mbështetur nga Beogradi. Për më tepër, nuk ka nevojë që të krijohet nje entitet special në veri, kur shumica e serbëve të Kosovës (80,000 prej gjithsej 120,000) jetojnë në Mitrovicën jugore dhe në pjesë të tjera të Kosovës.
  • Udhëheqja politike e Kosovës duhet të sfidojë përpjekjet e Beogradit për të krijuar mbështetje ndërkombëtare për planin “Ahtisaari Plus,” që kërkon të avancojë statusin e serbëve në veri duke krijuar një entitet politik autonom, përderisa i dhunon të drejtat civile dhe njerëzore të popullatës shqiptare shumicë në Serbinë jugore – në Preshevë, Medvegje, dhe Bujanoc.
Shpëtojeni “Republikën”
Që nga viti 1986, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën udhëheqjen e Joseph DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit (duke filluar në vitin 1994), ka bërë një kontribut të madh për promovimin e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar në Ballkan dhe në gjithë botën. Ne do të vazhdojmë të punojmë për zgjidhjen e kauzës shqiptare kombëtare dhe për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropën Juglindore. Edhe një herë, Kosova është bërë problemi dhe sfida kryesore e kombit tonë. Ne shpresojmë se shqiptarët në të gjithë botën do të kontribuojnë kohën, talentin profesional, dhe resurset e tyre që të ndihmojnë në shpëtimin e “Republikës” së Kosovës.
Bordi i Drejtorëve
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
Përktheu: Luan Mazreku

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit