Ne japim, Serbia merr




Shkruan:Ardian ZEJNAJ

Politika e Qeverisë së Kosovës: NE JAPIM, SERBIA MERR, i ndihmoi kësaj të fundit që ta fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës i dha premtimin për realizimin e ëndrrave të veta, mbase një ditë. Po kjo politikë, e cila është ndjekur gjatë procesit negociator në Bruksel, ka bërë që fqinji ynë verior të trimërohet dhe të rikthejë në skenë shantazhet në kufij, ekstradimet nga shtete e treta dhe arrestimet e kosovarëve posa të futen në territorin e tij, të gjitha këto në emër të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Në fakt, Serbia po i legjitimon këtë sjellje përmes marrëveshjeve që ka arritur me Qeverinë e Kosovës së fundi dhe rifuqizimit nga kjo e fundit të Rezolutës 1244 (përmes fusnotës), e cila rezolutë garanton “sovranitetin dhe tërësinë territoriale të RFJ-së”, i cili sovranitet pastaj është bartur tek Unioni Serbi-Mali i Zi dhe pas shpërbërjes së këtij unioni te Serbia.
Megjithatë, esenca e garës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë se kush po arreston më shumë nuk është mbrojtja e këtij sovraniteti, sa është përgatitje për një betejë të re, atë për sovranitetin mbi Veriun e Kosovës. Si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë po “maten para ringut”, në përpjekje për ta frikësuar kundërshtarin, duke u pozicionuar para se të ulen e të bisedojnë për të ardhmen e Veriut. Kjo gjë tashmë është një sekret publik, por që Qeveria e Kosovës bëhet sikur nuk po dëgjon asgjë, edhe pse heshtas po përgatit terrenin për t’u përballur me të gjithë ata që do ta kundërshtojnë një proces negociator që për temë diskutimi ka Veriun.
Në mes të dhjetorit këtë gjë na e pati thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Prishtinë, kur u shpreh se “edhe pala kosovare duhet të japë nga vetja në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të situatës në veri”. Po kaq e qartë në qëndrime e veta për këtë çështje ishte edhe SHBA-ja, përmes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Filip Gordon, kur deklaroi se “ne i inkurajojmë palët që të flasin për këto dallime”, për të shtuar se “ne besojmë se ka mënyra që t’u lejohet serbëve etnikë të veriut të Kosovës, që në mënyrë legjitime të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe që të drejtojnë vetë punët e tyre”. Madje, edhe njeriu që ndërmjetësoi negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Robert Kuper, duke folur për veriun, tha se “ky është një problem, me të cilin duhet të merremi shpejt,...dhe se veriu është shumë më shumë temë politike”.
Kësaj politike të “marrjes me të mirë të armiqve”, e cila po ndiqet nga Qeveria e Kosovës, do t’i vihet kapaku këtë javë, kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të takohet me presidentin e SHBA-së, Barak Obama. Kryeministrit Thaçi i është dashur dhe i duhet një takim i këtij niveli (dhe shumë më mirë për të që i është mundësuar me presidentin Obama, ngase shqiptarët besojnë dhe e vlerësojnë popullin dhe udhëheqësit amerikanë), për t’ia transmetuar shoqërisë kosovare “domosdoshmërinë” e të biseduarit me Serbinë për Veriun e Kosovës. Ky proces do të fillojë, sikur gjithë të tjerët deri më tani, duke u fshehur pas mesazhit të Amerikës, se SHBA-ja kurrë “nuk do ta detyrojë” Kosovën dhe popullin e saj të bëjë veprime që nuk janë në të mirë të tyre.
Kështu që, siç e tha edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, Kosova pas muajt maj (2012) do të jetë e ulur (sipas qeverisë tonë gjithnjë si shtet i barabartë), në një tavolinën me Serbinë duke biseduar për çështjen e veriut, por në një format tjetër negociatash, ngase siç e tha edhe Robert Kuper “nuk mund të imagjinohet që edhe me veriun të merremi në të njëjtën mënyrë sikurse me çështjet tjera”. Në ndërkohë që pritet të dihet fituesi i zgjedhjeve në Serbi, brenda Kosovës do të aktivizohen “agjentët” vendorë e ndërkombëtarë të qeverisë tonë për ta përgatitur terrenin për këto bisedime dhe realizuar politikën e Detantës (shtendosjes) së raporteve mes dy vendeve, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit.
Prandaj, shoqëria kosovare ka të drejtë që ndihet e shqetësuar. Duket se Hashim Thaçit i ka mbetur edhe Veriu pa i dhënë zgjidhje, nga përmbushja e urdhrave që kishte pranuar në vitin 2007. Kjo zgjidhje, që ai duhet ta pranojë para se të përshëndetet me pozitën e kryeministrit, është një autonomi substanciale për veriun e Kosovës, që duhet ta përsërisim, do të jetë një kancer për të ardhmen e vendit tonë, ndoshta më keq se sa ajo që shohim sot të ndodhë në Bosnjë me “Republika Serbskan”.
Kështu që krejt çfarë po shohim e dëgjojmë sot, nesër nuk duhet përjashtuar se do të mund të shohim e dëgjojmë edhe më shumë e më keq, është pasojë e politikës: NE JAPIM, SERBIA MERR, e ndjekur nga Hashim Thaçi dhe Edita Tahirit gjatë negociatave “ndërshtetërore” në Bruksel. Vetëm ta imagjinojmë, nëse sot Serbia i kidnapon policët brenda territorit tonë, çfarë mund të ndodhë nesër në barakat e përbashkëta kufitare, ku do të punonin policët e Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes (IBM) të arritur në Bruksel!
Po të ndiqej në Bruksel politika ‘ne nuk japim, derisa nuk marrim’, apo se ‘ne japim aq sa marrim’, edhe Serbia sot do të sillej ndryshe me Kosovën dhe njerëzit e saj! Mirëpo, duket se të gjithë e kanë kuptuar se nuk meritojmë më shumë dhe duan të na lenë të përpëlitemi me këtë qeveri që të turpërojë kudo që shfaqet, brenda dhe jashtë Kosovës!

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit