Polemikë: Ardian Puto i përgjigjet Ardian Ndrecës




NGA PUTO VERSUS NDRECA

Ka tërhequr vëmendjen një shkrim i Ardian Ndrecës në Mapo lidhur me librin Diktatorë e Kuislingë të Arben Putos, dhe sot, po në Mapo, ish një përgjigje e shkurtër e autorit të librit. Po i publikojmë të dyja, duke filluar me përgjigjen e shkurtër të Putos.

Arben Puto

(Reagim ndaj artikullit të Ardian Ndrecës, botuar në gazetën MAPO në datat 15 dhe16 shkurt)

Unë e dëgjoj për herë të parë këtë emër. Më thonë se nuk është historian. Atëherë e ka aq më të lehtë të më bëjë humbës të historisë dhe të më ngelë në klasë. A ka lexuar ndonjë libër tjetër nga librat e mi, veç këtij?

Nga leximi i shkrimit kuptohet se është intelektual, publicist, por është një intelektual i profilit të ulët. Artikulli nuk është kritik. Kritika është një gjë normale. Ai nuk kritikon. Ai shfren urrejtje, fyen, poshtëron, ai është i hidhur, halucinant. Nuk duhet të marrë pozën e një autoriteti në fushën e historisë. Është vetëm një diletant që hyn nga dera e prapme në histori. Nuk ka haber nga normat më elementare të historiografisë. Nuk i njeh burimet kryesore të ngjarjeve të periudhës dhe injorancën e shet për erudicion. Nuk i pëlqen ditari i Cianos, se është “fashist”; as “Tomorri”, se është gazetë.

Herë-herë nuk bën kritikën e librit, del krejt jashtë temës dhe bën digresione në politikën e madhe në Europë dhe në botë: Stalin, Molotov, Ribbentrop, Leon Blum, deri te japonezi Matsuaka.

Artikulli ka vetëm një kuptim: autori nuk më fal që libri denoncon kolaboracionizmin. Nuk i fsheh simpatitë, jo vetëm për kuislingët që dhurojnë hektarë toke shqiptare (Sh. Verlaci), por edhe për Mussolinin e Hitlerin, që “admiroheshin” për qëndrimin antibolshevik.

Se çfarë konceptesh ka ky intelektual, del edhe kur flet për angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut. Nuk është “konvertim”; asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë që në rini. Të rinjtë ishin për një Shqipëri të pavarur, të përparuara dhe për një shoqëri të drejtë. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e pandarë e shoqërisë së drejtë. Bëra thirrje për vendosjen e pluralizmit dhe për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Ai përflet veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të atyre që ai quan me përçmim “grekofonë”.

Artikullshkruesi është antikomunist, por jo edhe antifashist. Është avokat i kolaboracionizmit. Kolaboracionistët dhe kuislingët kanë dalë përpara gjyqit të historisë dhe nuk do të rehabilitohen kurrë.

Historinë e atyre viteve e bëri Lëvizja e Rezistencës, Lufta Nacionalçlirimtare, që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë me Jugun në dorë të Greqisë.

Le të vazhdojë me monolog.



Lufta e humbun e Arben Putos me historinë (II)

Ardian Ndreca

Vitin e fundit disa gazetarë kanë botue libra me karakter historik dhe prej atyne që un kam lexue veçoj atë të Ilir Ikonomit kushtue Faik Konicës, libër i shkruem me kulturë, me stil tregimtar të pëlqyeshëm, i mbështetun në fakte dhe pa gjykime emocionale. Para pak kohësh doli në qarkullim nji libër i autorit Arben Puto me titull “Lufta italo-greke.

Mbas leximit të vemendshëm të librit të Putos, konstatova se teksti i tij, edhe pse ai asht historian, nuk barabitet as me atë të Ikonomit e të ndonji tjetri, pse Putoja në librin e tij kur shkruen si historian thotë gjana të stërdijtuna, kur thotë gjana të vetat resht së qeni historian dhe kthehet edhe nji herë në radhët e nji partie që mbështetej në rrena, shpifje, banalitete të cekta e nëpërmjet tyne ushqente gjykime të mangëta e të shtrembta historike.

Prej titullit libri premton se do të sqarojë çeshtjen e konfliktit italo-grek. Në të vërtetë ai e anashkalon me nji shpengesë të çuditshme ketë luftë, tue mos ofrue të dhana as për forcat (armatat) në fushën e betejes, as për dislokimin e tyne, as për kontaktin mes ndërluftuesve dhe as për betejat ma të randësishme. Nga ana tjetër ai nuk jep asnji pasqyrë të besueshme, të mbështetun në të dhana konkrete, për pjesmarrjen e shqiptarëve në atë konflikt. Për shembull prej këtij libri nuk mëson se komandanti i forcave të armatosuna italiane në Shqipni, gjenerali U. Soddu, me nji urdhën sekret të datës 22.11.1940 autorizonte krijimin e “nuclei armati albanesi” me qëllim, jo pjesmarrjen në operacione luftarake, por mbrojtjen e territorit dhe ruejtjen e rendit publik. Këto forca përbaheshin prej 400 mirditasish, 100 matjanësh, 200 peshkopiasish dhe 200 çorovodasish të armatosun me pushkë mod. 91 dhe të paguem me nga 100 frang ar në muej (drejtuesit me 200 fr. ar.). Puto pretendon me folë për nji konflikt që ai vetë nuk e njeh në termat që duhet ta njohin nji historian. Për shembull flet për dezertimet e shqiptarëve, por nuk njeh as shkaqet dhe as masat e marruna. Po të kishte lexue dokumentat arkivore do të kishte mësue se dezertorët shqiptarë vinin ma së shumtit nga radhët e ushtarëve të zonave operacionale, siç njofton gjen. Geloso komandën e përgjithshme në nji telegram të datës 3.12.1940, ku flet edhe për zëvendsimin e tyne me elementë të zonave tjera. Putoja nuk flet për organikat dhe veprimet e batalioneve Dajti, Taraboshi, Gramozi, psh. nuk din se ky i fundit në qershorin e 1940 kishte 20 oficera, 20 nënoficera dhe 629 ushtarë, dhe komandohej prej maj. Rexhep Gjilanit e ma vonë prej maj. Adem Boletinit.

Solla këto pak fakte për me nënvizue se autori mëton me shkrue historinë e nji lufte që s’e njeh aspak përmes dokumenteve të dorë së parë. Ai nuk ka pa asnjiherë dokumentat e shtatmadhorisë italiane dhe asaj greke, nuk njeh literaturën përkatëse dhe madje as dëshmitë e atyne që kanë marrë pjesë direkt në atë konflikt apo kanë shkrue rreth tij, si për shembull: A. Serra, F. Benanti, G. Bonomo, E. Bucciol, M. Coltrinari, L. Ferrari, R. Gatti, A. Comel, A. Ventura, M. Laureati, G. Fusco, R. Panetta, V. Azzi, M. Rigoni Stern etj.

Gjithë pjesa e parë e librit s’asht tjetër veçse nji përsëritje gjanash të dituna: kush ishte Mussolini, kush ishte Hitleri. Mund të themi se deri në faqen 23, autori nuk ka thanë asnji gja të re apo të randësishme që mund të shkojë përtej nji libri shkollor të klasave të ulta. Për me besue ketë që un pohoj, mjafton leximi i 23 faqeve të para.

Bahet fjalë për nji libër plot me vlerësime emocionale që synojnë me denigrue me çdo kusht të gjithë ata që nuk i përkasin palës politike të autorit. Për shembull, Vërlaci quhet “beu i shumë flamurëve” (sic, f. 39). Për Konicën pohohet se aktiviteti i tij diplomatik ishte diçka e “dorës së dytë”, nji aktivitet “krejt i shpërfillun”, dhe në ketë konkluzion Putoja arrin mbasi: “Në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, në Tiranë, nuk është gjetur asnjë raport mbi veprimtarinë si diplomat” (f. 177). Edhe nji student i vitit të parë të historisë e din se nuk mund të organizojnë argumentime tue u nisë prej mosnjohjes së fakteve nga ana e tij. Ex silentio nuk mund të ndërtohet asgja pozitive, sidomos pohime të tilla të rreme.

Denigrimi që Putoja përpiqet me i ba Konicës, i ka rranjët përtej injorancës së tij, ai buron prej sensit të inferioritetit dhe prej metodës së “prozhmimit me çdo kusht” që karakterizon historianët komunista. Në fakt Putoja e njeh librin e Ilir Ikonomit, nepërmjet të cilit mund t’i kishte plotsue mangësitë e tij në lidhje me aktivitetin diplomatik të Konicës. Asht e çuditshme sesi, me dashje apo padashje, Putoja nuk mbërrin me e citue saktë as edhe nji herë të vetme emnin e autorit të atij libri të vlertë.

Ma poshtë, në faqet 178-185, Putoja nuk ban tjetër veçse perifrazon I. Ikonomin.

Në librin e Putos flitet për gjyqin e Jacomonit të zhvilluem në Itali mbas lufte (ff. 59-60, 63-64), por autori nuk njeh promemorien e botueme prej vetë ish-Mëkambësit mbas atij gjyqi. Quen Jak Koçin nji “individ anonim” (f. 60), gja që tregon se nuk njeh aspak rolin e këtij individi, negativiteti i të cilit asht i dukshëm gjatë gjithë traktativave mes Zogut dhe italianëve. Ndoshta Putos do t’i kishte shërbye në ketë drejtim libri me kujtimet e Alessandro Lessona-ës (Memorie, Firenze 1958), por me sa duket as atë nuk e ka gjetë në Arkivin e MPJ në Tiranë!

Në faqet 72-75, 80-87, nuk thotë asgja të re. Ah, po! Në nji shenj vendit autori e ka pa të arsyeshme me sjell tekstin e plotë të kangës “Faccetta nera” (f.77), studimi i së cilës me siguri do t’i hapin horizonte të reja lexuesit shqiptar për me kuptue luftën italo-greke dhe kuislingët!

Burimet e tij të dorë së parë janë shumë të kufizueme. Libri mbështetet kryesisht në pak autorë që sillen mbarë e mbrapsht simbas nevojave ideologjike të Putos. Së pari kemi kujtimet e Ciano-s, pohimet e të cilit merren si ar i kulluem, edhe pse ai ka qenë fashist dhe megaloman i pashembullt, por ndoshta kjo asht arsyeja që Putoja e parapëlqen. Nji tjetër autor, i “plaçkitun” pa mëshirë prej Putos, asht O. Pearson, mbi tekstin e të cilit bazohet 1/3 e librit të Putos. Në qoftë se do të lexoni Puton, s’keni nevojë me lexue Pearson, e po lexuet ketë s’ka çka ju duhet Putoja vetë.

Nji tjetër libër që simbas Putos përban burim të besueshëm për historinë tonë të asaj kohe asht R. Morozzo della Rocca, i cili na paska dhanë “nji pasqyrë shteruese” (f.162), anipse s’din as gjuhën shqipe! Që Morozzo della Rocca-ës nuk mund t’i besohet me sy mbyllë, po ju sjell vetëm disa shembuj prej librit të tij “Nazione e religione in Albania” (ed. Besa, Nardò 2002). Për Zogun, ky autor shprehet se për me u “oksidentalizue”, eliminoi pjesën arabo-turke të emnit Ahmet, dhe modifikoi Zogolli në Zogu, gja që acaroj shumë Ataturkun (bot. cit., f. 90). Nuk e dijmë që Zogu ta ketë eliminue emnin e tij Ahmet pse i qenka dukë i shëmtuem! Dikund tjetër Morozzo della Rocca thotë se At Anton Harapi po mbaronte (it. spasimava) për me u ba regjent (bot. cit., f. 189). E keqja asht se ky pohim i tij nuk mbështetet në asnji dokument. Ndërsa e keqja ma e madhe qëndron në faktin se Morozzo della Rocca nuk njeh deklaratën në të cilin Harapi spjegon pse ka marrë atë detyrë, madje ai nuk e din se Harapi e merr atë detyrë me kusht që mos me firmosë dënime me vdekje. Ka edhe ma, as ai as Putoja nuk e dijnë se Harapi e “braktisi” atë detyrë, i lodhun prej vllavrasjes që po ndodhte dhe shkoi në Austri, dhe vetëm kërkesat e shumta me u kthye e premtimet e qeverisë për mos me krye gjakderdhje mes shqiptarësh e bajnë me u kthye në Tiranë.

Aty ku përshkruen hymjen e partizanëve në Shkodër me 29 nandor 1944, Morozzo della Rocca shkruen: “Skena asht lirike e mjaft e njohun: kangë, valle, parada, flamuj të shpalosun, së bashku me të pamungueshmet gjuejtje dhe shpërthime” (f. 194). Skena asht aq e njohun, sa që historiani italian s’e ndien të nevojshme me citue asnji autor. Megjithatë, dikund ndër nota ai i referohet jo drejtpërdrejt nji teksti, bahet fjalë për përmbledhjen me titull: “Partizanët tregojnë… Kujtime, ditarë, shënime të pjesmarrësve në luftën nacional-çlirimtare” (Tiranë 1960), po aty citon edhe ndonji libërth tjetër me “përralla”.

Roli që Putoja i ka caktue vetes në ketë libër asht ai i nji historiani-prokuror që dënon me artikuj gazetash dhe me telegrame të rastit. Në fakt, e kjo asht çudija e radhës, ai e konsideron gazetën Tomori, e cila për nji komunist duhet të jetë nji “gazetë e fëlliqur fashiste” si nji burim të dorës së parë (shih ff. 92, 189). Mendoni nëse sot nji studiues serioz mund ta shkruente historinë e Shqipnisë së 50 viteve të fundit tue konsiderue si burim të dorës së parë gazetën Zëri i Popullit apo buletinin Rruga e Partisë? Të gjitha zbulimet e jashtëzakonshme të këtij libri, të cilat na i shiti për pak lekë edhe në nji të përkohshme shqiptare, kanë të bajnë me telegrame të rastit që personalitete të kohës, si Koliqi, Kruja, Fishta kanë dërgue asokohe (shih ff. 139, 158, 167). A mundet nji telegram urimi të impostojë nji personalitet historik me nji aktivitet prej pesëdekadash si Fishta?

Po të ishte kështu atëherë duhet ta gjykojmë pozitivisht Haxhi Lleshin për faktin që gjatë karrierës së tij ka dërgue nja 3000 telegrame urimi kryetarëve të shteteve të gjithë botës?! Në qoftë se 3000 telegrame urimit s’dalin për me shpëtue Haxhi Lleshin, i cili ka firmosë me qindra dënime me vdekje, kam frikë se edhe nji telegram i vetëm urimit nuk mjafton për me fundos figurën e Fishtës, që, siç dihet, s’ka firmosë dënimin e kurrkujt!

Njianshmënia e Putos asht aq e madhe, saqë edhe po të kishte qenë nji trans-oqeanik do të ishte fundosë në pak sekonda. Por ai s’asht tjetër veçse nji historian komunist i lidhun me njimijë fije me nomenklaturën komuniste, veprimet çnjerzore dhe antikombtare të së cilës mundohet me i mbulue me ketë libër xhevahir me të cilin mbyll, besojmë, karrierën e tij të palavdishme.

Ai mbërrin me interpretue bashkimin me Kosovën dhe krijimin e Shqipnisë etnike si nji hap për sulmin kundër Jugosllavisë (f.91). Pra, nuk ka asnji fjalë pozitive për andrrën e bashkimit me Kosovën, pse ketë gja e kanë ba “fashistat”. Kah ana tjetër çon në qiell përpjekjet diplomatike (?) që Enver Hoxha bani për me shpëtue coptimin e Shqipnisë prej grekëve mbas luftet (f. 196), por në mënyrë absolute nuk e thotë nji fjalë për humbjen e Kosovës apo për masakrën e Tivarit.

Putoja skandalizohet me qëndrimin e Anglisë ndaj pushtimit fashist të Shqipnisë (f.105), por s’na thotë pse nuk reagoi BRSS? Mund t’ia themi ne pse nuk reagoi Stalini. Tashma asht ba publik memorandumi i bisedës së mbajtun në Kremlin natën e 23 gushtit 1939 mes ministrit të Jashtëm të Reich-ut, Stalinit dhe komisarit të popullit, Molotov. Në protokoll lexohet sesi Stalini i drejtohet von Ribbentrop-it tue e pyet për qëllimet italiane në Shqipni. Stalini e pyet nëse italianët mendojnë me pushtue Greqinë? Pse, Shqipnia, shton me cinizëm diktatori gjeorgjian, asht e vogël, me male dhe pak e popullueme e s’ka çka i duhet Italisë. Ministri gjerman i pergjegjet se Shqipnia ka randësi strategjike për Italinë, çka nënkupton nji pohim të asaj çka e pyet Stalini.

Putoja flet në mënyrë të përgjithshme për dështimin e sulmit italian kundër Greqisë dhe për përgjegjsitë e gjeneralit Cavallero. Nga ana tjetër flet për nji projekt të Verlacit për me i dhurue gjen. Cavallero si mirënjohtje për triumfin ndaj grekëve1000 hatokë dikund kah Fieri (ff. 139-140). Njikohsisht Putoja pohon se Duçja e largoi Cavalleron dhe shkarkoi Verlacin për arsyen e kësaj “dhurate” që binte erë korrupsion. Pra, sensibiliteti moral fashist arrinte deri aty sa me shkarkue Verlacin dhe me heqë gjen. Cavalleron, i cili (ketë gja Putoja e injoron) ishte vjehrri i Jacomonit. Absurditete të pandieme!

Putoja përpiqet me çdo kusht me denigrue M. Krujën e ketë gja e ban kryesisht tue citue nji fashist si Ciano-ja. Fashist për fashist, pse nuk citon Koliqin? Pse fjala e Ciano-s duhet të ketë vlerë absolute në gjykimet e tij? Putoja citon dhe riprodhon disa ligjërata të M. Krujës, por për çudi harron me citue fjalimin e tij të 22 nandorit 1942 në teatro Savoia, fjalim që zemëroi shumë autoritetet e Romës për tonet nacionaliste dhe për paralajmërimin se Shqipnia mbetet Shqipní. Në anën tjetër Putoja nuk thotë as edhe nji fjalë të vetme për kontributin e qeverisë Kruja në shpëtimin e hebrejve. Edhe kjo gja i ka rrëshqitë historianit Puto që s’mëton me shkrue historinë “siç ka ndodhë në të vërtetë” (wie es eigentlich gewesen), siç shprehej dikur L. von Ranke, por si i pëlqen atij. Nji akuzë tjetër qesharake asht se Kruja gjatë mërgimit të viteve ’20-‘30 ishte spijun i italianëve (f.148). Shpifje e ulët edhe për nji si Putoja. Në qoftë se ai do ta kishte marrë mundimin me kontrollue si duhet në Arkivin e Farnesinës, do të kishte gjetë dokumente që tregojnë se Kruja ndiqej dhe kontrollohej prej qeverisë së Romës në vitet ’20 si person i rrezikshëm për planet italiane. Por kulmin Putoja e arrin me “moralin” që nxjerr prej gjithë aktivitetit të M. Krujës: “Në dreq atë strofkull Toskninë, të shpëtojmë Gegninë” (f.151).

Kolaboracionistave shqiptarë mund t’u faturojmë shumë gjana, por kurrsesi përçamjen veri-jug, gegë-toskë. Putoja harron ndoshta se qenë pikërisht partizanët e tij komunista ata që sapo mbërrijtën me hy në veri mbas largimit të gjermanëve, hiqnin vallen: “luaje luaje këmbën t’ia bëjmë Gegës nënën”! Kah ana tjetër miqtë ma të mëdhenj të M. Krujës, si Xhevat Kortsha, Qazim Koculi, Kostandin Kotte kanë qenë toskë, dhe andrra e të gjithëve bashkë ka qenë Shqipnia etnike. Nuk ka asnji dokument të vetëm historik që të vërtetojë ketë shpifje të ulët të Putos. Në librin e tij sillet si shkak i dorëheqjes së Krujës mossuksesi i tij (shih ff. 130, 140), por nuk përmendet as edhe nji herë të vetme arsyeja që vetë Kruja ka pohue: vrasja nga ana e italianëve e mikut dhe bashkëpuntorit të tij Qazim Koculi, i cili kishte qenë nji prej udhëheqësve të Luftës së Vlorës. Po të kishte pasë nji nuancë sadopak shkencore libri i Putos, do të ishte dashtë me e përmend edhe ketë fakt. Ndoshta e ka lanë në heshtje pse do t’i ishte dashtë me shpjegue se kush ishte Koculi dhe se cili ishte misioni i tij në Vlorë!

Tue lexue se çka shkruen Kruja mbas luftet, Putoja skandalizohet me “konvertimin” e ish-kryeministrit shqiptar nga fashist në demokrat (f.130). Edhe tjetërkund Putoja skandalizohet me “voltafaccia” e Konicës ndaj Zogut më 1939 (f. 173). Nuk e kuptojmë sesi mund të skandalizohet Putoja me kend, kur ai vetë, i lidhun kamb e krye me diktaturën e Enver Hoxhës, tue pasë qenë funksionar i naltë i nji regjimi gjakatar që mohonte edhe të drejtat ma elementare, u konvertue në vitet ’90 në korife të të drejtave të njeriut të Komitetit të Helsinkit, madje i asaj dege që preokupohej kryesisht për grekofonët e Shqipnisë!

Kur flet për Koliqin, Putoja improvizohet si nji kritik letrar (f.155), shi prej atyne që kishin dikur “shtëpitë e kulturës” së katundeve. Kalon me dy rreshta kontributin personal të Koliqit në zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa botimet e randësishme që u banë në kohën që ai ishte ministër nuk i kujton aspak. As që e përmend nji dëshmi të Petro Markos (shih: Intervistë me vetveten, Tiranë 2000, ff. 405-406), ku shkrimtari disident tregon sesi Koliqi i shpëtoi jetën kur gjermanët donin me e pushkatue në Romë, dhe sesi ndihmonte miqtë e Markos, komunista malazezë dhe grekë tue i pajisë me pasaporta shqiptare për me i lejue me ikë prej Italijet. Putoja duket se e ka shikimin e mveshun prej pasionit politik dhe prej urrejtjes, mbasi deri edhe te didaskalia e fotos (f.157), ngatërron Koliqin me Terenc Toçin, apo citon burime të paverifikueshme, tue i klasifikue si “konfidenciale”, kupto të Sigurimit të Shtetit shqiptar (f.160).

Tingëllon çuditshëm përkufizimi i fashizmit që sjell Putoja: “një sistem në të cilin çdo gjë është për shtetin, asgjë nuk është jashtë shtetit, asgjë dhe askush nuk janë kundër shtetit” (f.156). A s’ishte vallë ky koncept identik me atë të komunizmit? E me mendue se përkufizimi i masipërm asht i Mussolinit. Koncepti i shtetit në regjimin në të cilin Putoja ka shërbye me devotshmëni nuk asht aspak i ndryshëm prej atij që përcakton Mussolini.

Putoja citon Morozzo della Rocca-en edhe përsa i përket At Anton Harapit. Asht e çuditshme sesi ai sjell të gjitha gjykimet negative të Morozzo della Rocca-s për Harapin, të cilat nuk i referohen asnji burimi të mirëfilltë historik. Ndërsa kur Morozzo della Rocca, tue iu referue nji dokumenti të ruejtun në Bundesarchiv-Militärarchiv (Freiburg im B.), sjell gjykimin që kishte Wehrmacht-i për Harapin si: “nacionalist i zjarrtë dhe anglofil i pandehun” (glühender Nationalist; angeblich anglophil) – Putoja nuk e citon aspak (shih: Morozzo della Rocca, bot. cit., f.205, nota 95).

Nuk besoj se nji histori e mirëfilltë shkencore mund të shkruhet kështu siç vepron Putoja. Kam frikë se po të kishte qenë në krye të Bankës Shqiptare, Putoja do t’i kishte shtypë kartëmonedhat vetëm nga njena anë.
Gjithnji tue citue Morozzo della Rocca-n, Putoja e njollos Fishtën si spiun të sivëllazënve të tij pranë autoriteteve fashiste. Asht e çuditshme, por as Morozzo della Rocca (bot. cit., f.166) dhe as Putoja (shih f.165) nuk e mbështesin nji akuzë të tillë denigruese në asnji dokument historik.

Morali: historia e tyne asht nji histori shpifjesh e asgja ma tepër!

Ndërkaq Putoja përsërit në mënyrë jokritike nji absurditet tjetër të Morozzo della Rocca-s, i cili sheh nji dualizëm mes Fishtës dhe Ballit Kombtar (f.166). Morozzo della Rocca-s do t’i kishte mjaftue me dijtë vetëm pak shqip për me marrë vesht se Fishta ka vdekë në dhjetor në vitit 1940, ndërsa Balli Kombtar asht krijue në vitin 1942! Ndërsa Putos do t’i kishte mjaftue me përdorë sadopak arsyen për mos me përsërit teza kaq absurde.

Nuk po flasim për lajthitjet e thjeshta të Putos, p.sh. në vend të Antonio Baldacci-t përmend nji Giovanni Baldacci që s’ekziston (f.148); apo flet për “lektorët romakë” (f.156) që i paskan dhunue shpirtin Koliqit! Ndoshta ndonji lektor historiet do të kishte ba mirë me pasë shikue në kohë shtypajt e librit të Putos, përpara se të na servirte këto mrekullina.

Lajmi i “tmerrshëm” që ai na sjell asht telegrami shumë i përfolun i Fishtës, i cili njihej, pse asht botue te Hylli i Dritës. S’kam ndërmend me ba nji apologji të Fishtës përpara atyne që ma s’parit u janë shitë kambë e krye jugosllavëve të Titos, mandej Stalinit, mbas tij Mao Ce Dunit e mandej vetë dreqit, pse edhe nji gjysëm i shkolluem stepet përpara akuzave të tilla që s’mund të mohojnë veprën patriotike e letrare të Fishtës, të cilën s’e cënon nji telegram i vetëm urimit. Së pari, duhet t’i tregojmë historianit militant Puto se përceptimi i figurave të Mussolinit dhe Hitlerit në vitin 1939 nuk ka qenë i njejtë me përceptimin që ne kemi sot. Në anën tjetër, historiani nuk mund të gjykojë nji epokë të kalueme me kriteret dhe vlerat që ne kemi sot. Sa për ilustrim, i kujtojmë Putos se Léon Blum, hebre socialist i S.F.I.O. shkruente në të përditshmen Le Populaire në vitin 1933, menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej Hitlerit, se ky nuk do të ishte i rrezikshëm. Vetë Churchilli gjatë vizitës në Romë do të shprehej se admironte politikën e Mussolinit dhe qëndrimin e tij antibolshevik. Historianë si Henri Massis, eseista si Gonzague de Reynold vlerësonin te Mussolini qëndrimin antikomunist dhe rilindjen e qytetnimit romak; shkrimtarë si E. Waught, H. Miller, E. Pound shprehnin haptas admirimin për të. Këto vlerësime ishin shumë të përhapuna deri në fillimin e viteve ’40, mbasi te Mussolini shihej e ashtuquejtuna “rruga e tretë”, e mesmja mes komunizmit dhe demokracive parlamentare.

Meqë Putoja i thotë vetes historian, dhe duhet ta njohin landën e vet, ne e pyesim çka mendon për faktin se me 28 shtator 1939, me rastin e ndamjes së Polonisë mes Gjermanisë naziste dhe BRSS, forcat sovjetike dhe ato naziste festojnë me nji paradë ushtarake të përbashkët në qytetin tashma kufitar të Brestit? Çka mendon Putoja për telegramin që Stalini i dërgon Hitlerit me 17 qershor 1940 tue e përgëzue për marrjen e Parisit dhe mposhtjen e Francës?! Çka mendon për faktin se Kominterni përpara 22 qershorit 1941 nuk ka nxjerrë asnji direktivë kundër regjimit nazist? A din me na tregue Putoja nji dokument të vetëm, përpara 22 qershorit 1941, të grupit komunist të Enver Hoxhës ku dënohet nazizmi dhe Hitleri? Çka mendon për faktin se treni i fundit me drith prej BRSS, drejtue në Gjermaninë naziste, kalon kufinin sovjetiko-gjerman në mesnatën e datës 21 qershor 1941 dhe se importi ma i madh i Gjermanisë naziste ishte me BRSS?

Si e gjykon Putoja bisedën ndërmjet von Ribbentropit dhe Stalinit e Molotovit natën e 23 gushtit 1939, kur, ndër të tjera, ministri i Jashtëm i Reich-ut i thotë Stalinit se pakti anti-Komintern nuk kishte si qëllim me u drejtue kundër BRSS por kundër demokracive perëndimore, dhe Stalini përgjegjet se ai pakt ka friksue Londrën dhe tregtarët e vegjël britanikë. Atëherë von Ribbentrop shton se edhe Stalini shumë shpejt do të bashkohet me atë pakt! Stalini, shkruen në verbalin e tij zv/sekretari gjerman i shtetit për punët e jashtme A. Hencke, propozon në mënyrë spontane nji dolli për Hitlerin tue thanë: “E di sesa shumë e don populli gjerman Führerin e vet; prandaj do të pi për shëndetin e tij”. Të gjitha këto dokumente, pjesë e arkivit të MPJ të Reich-ut III, tashma janë botue prej Raymond James Sontag dhe James Stuart Beddie.

A din Putoja se kryeministri francez E. Daladier, mbas paktit Ribbentrop-Molotov, e nxori jashtë ligjit Partinë Komuniste franceze, mbasi kjo e fundit nuk pranoi me dënue politikën e Stalinit ndaj Hitlerit?!

Sigurisht të gjithë këto gjana Putoja nuk ka pasë se ku me i lexue, pse nuk gjinden në Arkivin e MPJ të Tiranës, ku ai ka bubrrue për me shkrue pamfletin e tij qesharak!

Çka mendon Putoja, meqë asht studiues telegramesh, për telegramin që konti Schulenburg, ambasador gjerman në Moskë, i drejton eprorëve të vet me 13 prill 1941. Ambasadori Schulenburg kumton në atë telegram sesi vetë Stalini kishte dalë me përcjellë ministrin e Jashtëm japonez Matsuoka, të cilit diktatori sovjetik e kishte sigurue se ishte nji mbështetës i bindun i forcave të Boshtit dhe kundërshtar (Gegner) i Anglisë dhe Amerikës. Ndërkaq, vijon Schulenburg, Stalini m’u afrue, më hodhi dorën në shpatulla dhe më tha: “Ne duhet të mbesim miq në çdo rast (auf jeden Fall) dhe ju duhet të bani gjithçka për ketë qëllim”.

Tue u kthye te libri i Putos, mundena me thanë se nuk janë të pakta pohimet ilogjike dhe jokoherente që ai ban. Për shembull, ai pohon: “I mirënjohuri E. Venizelos, politikani me prestigjin më të madh për mbrojtjen e paepur që i pati bërë “Megali Idesë” panhelenike në konferencat ndërkombëtare…” (f.19).

“I mirënjohuri” i kujt? Nuk kuptohet nëse Putoja e ndien veten grek apo shqiptar për me u shprehë kështu! Dikund tjetër, mbasi asht mundue me provue se pushtimi italian i hoqi pamvarësinë Shqipnisë, ai pohon se “bashkimi është fiktiv” (f.190).


Duket qartë se ka disa momente që profesor Putoja nuk takon aspak!

Ma tutje ai mohon vërtetësinë e neutralitetit shqiptar mbas 14 shtatorit 1943, tue thanë se Shqipnia nuk ishte neutrale si Zvicra (f.202). Putoja harron, e me mendue se ka qenë specialist pranë MPJ të regjimit komunist, se asokohe nuk ekzistonte vetëm nji lloj neutraliteti, mbasi edhe Turqia ishte neutrale ndryshe prej Zvicrës, edhe Persia ishte shtet neutral dhe si e tillë u pushtue prej anglo-sovjetikëve në gusht të vitit 1941!

Prap si specialist i marrdhanjeve ndërkombtare ai kundërshton shprehjen “grusht shtetit” në deklaratën e shkurtë që Kuvendi kombtar bani me 16 shtator për me spjegue shkëputjen prej Italisë dhe rimarrjen e prerogativave themelore të sovranitetit. Putoja, për shkak të moshës, duhet ta mbajë mend se me 8 shtator 1943 në Itali nuk ra shteti, u shpall vetëm nji armëpushim, vendi u nda dysh, në jugun e marrun prej Aleatëve dhe në veriun e Republikës së Salòsë, prandaj edhe akti i Asamblesë kombtare në Tiranë ishte formalisht nji “grusht shtetit”, pse i hiqte Italisë çdo të drejtë mbi sovranitetin shqiptar. Mos të harrojmë se Libia, për shembull, mbetet de jure koloni italiane deri në vitin 1947.

Ma poshtë Putoja, tue ju referue si gjithmonë O. Pearson-it, shkruen: “Njësitë partizane kryen aksionin e parë në Drashovicë, pikërisht ditën e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, më 14 shtator. Zunë barakat ushtarake dhe çliruan 7000 robër ushtarë italianë që u bashkuan me partizanët” (f.210).

Ngjarjet në të vërtetë kanë ndodhë ndryshe. Sulmi partizan i batalionit “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” kundër kampit të Mavrovës, për të marrë municionet panumërta që nji ploton gjerman ruente së bashku me 7 mijë robët italianë, shkaktoi viktima të panumërta mes robëve, por edhe i liroi ata prej gjermanve. Megjithatë, disa autoblinda gjermane që mbërritën me shpejtësi prej Vloret hodhën në erë depon e municioneve tue shkaktue nji numër të madh të vramësh e të plagosunish. Askush nuk mund të flasin për numrin e italianëve që u bashkuen me partizanët, pse pjesa ma e madhe u lëshuen me ikë përgjatë lumit, nji pjese iu grabitën këpucët dhe teshat, ndërsa me qindra të plagosun u lanë në mëshirën e fatit. Nji oficer italian, i cili mjekonte Hysni Kapon që kishte thye kambën, i kërkoi këtij të fundit disa mushka dhe njerëz për me tërheqë të plagosunit. Ku asht pra gjithë ai heroizëm për të cilin flet me aq patos Putoja!

A thue e din Putoja se partizanët kishin krijue në Punëmirë, në veriperëndim të Voskopojës, nji kamp përqendrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin me punue në shërbim të komandës së kampit! Figura ma e urryeme e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robët italianë. Ma vonë nji sulm gjerman detyroi partizanët me ia mbathë e vetëm atëherë robët fituen lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, por shumica vdiqën rrugës.
Edhe pse beteja e Putos me historinë asht krejtësisht e humbun, Klioja, muza e historisë, para se me e shpallë të mundun, e nxjerr edhe qesharak. Qe se çka shkruen ai: “Ky ishte Operacioni i Dimrit që zgjati tre muaj nga dhjetori deri në prill1944” (f.217).

Dhjetor – prill tre muej!? Putoja mirë se ka probleme me historinë, por edhe në aritmetikë nuk e kalon lehtë klasën!

Xh. Deva, për të cilin nuk kemi simpati as si politikan dhe as si inxhinier, quhet kudo në libër “terrorist” (ff. 219, 224 etj.). Sigurisht mbi të bjen përgjegjsia e nji akti terrori siç asht 4 shkurti. Po pse nuk quhet edhe Mehmet Shehu terrorist? Trimi i Çorrushit vrau krejt kot 67 nacionalista në Lushnjë, për ketë masakër madje ai do të bante autokritikë në plenumin e nandorit të vitit 1953. Përposë kësaj, Shehu pushkatoi me 2 prill 1943, 44 rob italianë. Jo vetëm, por pushkatoi me 5.6.1943 afër Çorrushit nënkolonel Ricci-n dhe kapitenin Raffaele, që mbaheshin si pengje, madje ketë të fundit e kishte pasë shok kursi në akademi.

A nuk ishin terrorista komandantat partizanë Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravecka, që pushkatuen 110 rob italianë të drejtuem prej nënkolonel Gamucci-t, që kërkonin me u bashkue me forcat partizane për me luftue gjermanët! Teshat dhe gjanat personale të robëve u ndanë mes partizanëve. Staravecka, për me shpëtue veten, do të dëshmojë në gjyq në Itali, në vitin 1952, se urdhni për pushkatim erdhi nga nalt.

Keto janë “dekorimet” për të cilat flitet në fonogramet e Enver Hoxhës, për të cilin Putoja nuk shpreh asnji gjykim, nuk jep asnji opinion.

Deri para 20 vjetësh ky libër i Putos do të kishte qenë i përshtatshëm me u lexue në “forma edukimit”, sot ai s’vlen asnji lek, pse asht thjesh propagandë ideologjike, e cekët, pa ide, pa horizont historik, pa kulturë, pa kujtesë, pa inteligjencë dhe mbi të gjitha pa ndershmëni qytetare dhe intelektuale.

Leximi i këtij libri qe për ne nji humbje e madhe kohet, por i nevojshëm për me tregue sesa marrina e sa paturpsina mbërrijnë me shkrue ende historianët mjerana, bishtukët e regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri