Prof.Dr.sc.Beqir Meta: Enver Hoxha mbështeti gjenocidin çam


Prof.Dr.sc.Beqir Meta


Historia e Çamërisë është e cunguar në tekstet shkol lore. Madje mungon edhe në botimin e akademisë së Shkencave. Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë i tërheq vëmendjen Ministrisë së Arsimit për pasurimin e teksteve shkollore me historinë e çështjes çame. Në intervistën për Shqiptarja.com ai thotë se "kjo ka qenë një çështje tabu në kohën e monizmit". Por pse nuk përfshihej asgjë nga historia, kur edhe në shkallë ndërkombëtare ishte bërë aq e njohur çështja e gjenocidit të grekëve ndaj çamëve? Si u trajtuan çamët në atdheun e origjinës gjatë diktaturës dhe si qeveria e Enver Hoxhës u bë bashkëpunëtore e grekëve për pasojat dhe për fshehjen e gjurmëve të këtij gjenocidi. Si u persekutuan nga regjimi ata çamë që kërkuan kthimin në vendbanimet e tyre dhe si u bë zhdukja e menjëhershme e pasaportave greke nga shteti komunist shqiptar. Urdhri nga qeveria komuniste e Shqipërisë për kthimin e menjëhershëm në shtetas shqiptarë dhe probleme të tjera të trajtimit të çamëve të Shqipërisë nga grekët pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, përshkruhen nga Prof. Dr. Beqir Meta. Intervista me të na bën më të qartë sesi territori ku banonin çamët kaloi në pronësi të Greqisë. Gjenocidi ndaj çamëve myslimanë dhe asimilimi në grekë i çamëve ortodoksë sipas Metës ka vijuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, mes një procesi arbitrar të asimilimit të çamëve që janë në Greqi. Prof.Dr. Meta tha se, jo vetëm në shkolla, por dhe në tekstin akademik të "Historisë Kombëtare" flitet shumë pak për Çamërinë.

Zoti Meta, pse është injoruar historia e çamëve ne tekstet shkollore?

-Është bërë për qëllime dhe arsye politike. Në radhë të parë regjimi i E. Hoxhës ishte i përzier në çështjen politike çame. Ka ndihmuar vendosjen e procesit të spastrimit etnik. Kjo politikë nisi me përpjekjen që çamët t'i mobilizonte në luftën civile në Greqi dhe ka dokumente për këtë. Dështoi në këtë ndërmarrje të shumë të rrezikshme për vetë popullsinë çame dhe për Shqipërinë. Kështu vijoi ndaj popullsisë çame një proces të goditje politike dhe persekutimit politik, pasi kishte dështuar shteti komunist në këtë ndërmarrje. Sigurisht deshi ta mbyllte çështjen çame me dhënien e shtetësisë së detyrueshme shqiptare dhe me grekët e kishte mbyllur fare diskutimin. Çamët ishin shtetas grekë, ishin dëbuar nga pronat e tyre dhe ishin të pajisur me pasaporta greke. Në Shqipëri ua morën të gjitha pasaportat dhe u dhanë menjëherë shtetësinë shqiptare. Ua bënë të pavlefshme pasaportat.

Protestuan ata?

-Një pjesë po, por regjimi mori masa të rrepta që të mos ndodhte kjo. Kthimi i tyre nuk u lejua, sepse regjimi ishte i përzier në këtë proces. Atij i interesonte të heshtej për gjenocidin që kryen grekët mbi shqiptarët çamë, edhe pse regjimi thoshte që monarko-fashistët grekë janë agjentë të imperializmit etj, etj. Nuk donte ta acaronte Greqinë, sepse kishte dëshirë të kishte marrëdhënie sa më të qeta me të, për arsye të dobësisë së tij brenda vendit dhe të izolimit ndërkombëtar. Kështu që gjitha këto arsye bënë që nga regjimi i kohës të heshtej ndaj çështjes çame.

Kjo ka qenë arsyeja e mirëqenies së minoritetit grek në Shqipëri?

-PO. sigurisht. Por kjo bëhej edhe nga karakteri ideologjik i elitës politike. Në Shqipëri, grupi drejtues politik përcaktonte gjithçka: që të heshtej në mënyrë kriminale për tragjedinë çame, për fatkeqësinë e saj. Kjo heshtje, gjithsesi, u pasqyrua edhe në tekste shkollore, ku nuk shkruanin asnjë fjalë për këtë gjë. Heshtja vazhdon ende sot që shteti grek po bënë përpjekje për të mos e përfshirë çështjen çame. Shteti grek është përgjegjës për atë që ka ndodhur me çamët, për krimin etnik ndaj Çamërisë. Pavarësisht se nga kush u krye dhe si u krye, shteti dhe qeveritë greke kanë qenë vetë ideatorë dhe zbatues të gjenocidit.

Cilat veprimtari historike e argumentojnë që qeveria greke ka qene ideatore dhe zbatuese e gjenocidit ndaj Çamërisë?

-Kjo ka filluar që me aneksimin e Çamërisë dhe ka vazhduar si proces që ka shkuar në kreshendo dhe vijoi si proces në vitet '23-'26 me shkëmbimin e detyrueshëm të çamëve me popullsitë greke që vinin nga Turqia. U bë spastrimi i pjesshëm etnik i Çamërisë, dhe më pas edhe spastrimi i plotë etnik i fshatrave shqiptare të Follorinës e Kosturit, pastaj territoret shqiptare që ishin jashtë zonës së Çamërisë dhe vijon procesi kur vjen Lufta e Dytë Botërore ku Zerva, drejtuesi i forcave ultra-nacionaliste greke gjeti rastin dhe bëri spastrim të plotë të shqiptarëve myslimanë. Qeveria greke pas luftës bënë "arritje" të nacionalizmit grek. Nuk i lejoi më çamët në shtëpinë e tyre

Pra, ishte një përpjekje e dyanshme: zhdukje e çdo gjurme të identitetit për çamët myslimyslimanë dhe asimilim i atyre ortodoks?

-Po, dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoks vazhdoi dhe gjatë dekadave. Ndaj qeveria greke nuk është e interesuar që kjo histori të trajtohet në tekstet shkollore. Ndërgjegjja djeg në politikat greke dhe në veprimet e shtetit grek.

Çfarë kapitujsh të historisë çame duhet të hyjnë në tekste shkollore, si më imediate?
-Ne historianët po bëjmë përpjekje për të futur të plotë e të saktë historinë çame. Që në vitin 1994 është bërë përpjekje që u fut një pjesë e çështjes çame në tekste shkollore nga Instituti i Historisë. Përfaqësues të kësaj nisme ka? Sigurisht. Ishte drejtori i atëhershëm i këtij instituti profesor Kasëm Biçoku, profesor Myslim Myzyri dhe një grup studiuesish, që kërkuan që çështja çame të trajtohej në tekstet shkollore dhe që të saktësohen të dhënat në to. Cilat fragmente historike të kësaj historie janë përfshirë? -Që nga momenti i parë që Çamëria pushtohet nga forcat greke, nga perandoria Osmane kalon në pushtimin grek, edhe deri tek spastrimi i plotë etnik që ka ndjekur shteti grek. Po tani cilat fragmente historike duhen plotësuar? -Tekstet shkollore duke u lehtësuar nga informacionet e kanë të vështirë zgjerimin. Por kjo histori është domosdoshme të futet, sepse njihet pak akoma, dhe duhet të jetë edhe integrale me Historinë e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm në tekste, por edhe në materialet jashtëshkollore; si tekste ndihmëse të nxënësve dhe mësuesve, me materiale formuese specifike për këtë temë.

Ku t'i gjejnë materialet?

-Sigurisht duhen përgatitur nga Ministria e Arsimit. Ata që janë përgjegjës për këtë punë. Ne historianët e kemi bërë detyrën tonë një farë niveli. Kemi bërë kërkime serioze. Janë libra në dispozicion. Çështja është se mësuesit tek ne nuk e kanë formimin dhe nuk lexojnë literaturën e re historiografike. Kanë mbetur te tekstet dhe një pjesë e madhe e mësuesve deri në vitet '90 nuk kanë mësuar asgjë në shkollë vetë. Ata e kanë këtë mangësi. Ata që merren me shkollën duhet ta kenë parasysh këtë fenomen që Historia e Çamërisë të trajtohet dhe të jepet me kompetencë.

Mund të specifikoni një nga shqetësimet tuaja si historian për rishkrimin akademik të Historisë Kombëtare?

-Specifike është çështja që: periudha nga 1912 deri në fillim të viteve 1920 mungon, për arsye se nuk ka pasur një bazë burimore shumë solide. Burimet greke nuk kemi si t'i marrin. Dokumentet shqiptare janë të varfra, sepse shteti në një fazë të paorganizuar mirë u përball me dy luftërat botërore.

Pra kjo histori është e patrajtuar edhe nga akademikët?

-Jo tamam, por kërkon një informacion më të plotë dhe sigurisht do investime. Edhe në botimin aktual të Akademisë që është libri i madh "Historia e Shqipërisë", në vëllimin e dytë dhe të tretë e të katërt ku jam dhe vetë autor nuk u është dhënë hapësira e duhur trajtimeve historike të çështjes çame. Atëherë kaq na është dhënë mundësia e atij projekti. Unë kam qenë i pakënaqur më këtë dimension. Duhet shtuar informacioni i detajuar dhe pritet një botim i madh akademik "Historia Shqiptare në shekullin e 20-të" me dimensione të mëdha. Profesor Marenglen Verli p.sh. ka ngritur çështjen e pasqyrimit të kësaj çështjeje në fjalorin enciklopedik të akademisë së shkencave. Fjalori '84- '85 nuk ka pasur shënime për historinë e çamëve. Në fjalorin enciklopedik duhet të ketë një vend shumë të madh

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri