5/17/12

Promovohet abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë


Tashmë nxënësit e klasave të para të Shqipërisë dhe Kosovës do të mësojnë me një abetare të përbashkët. Ceremonia e inagurimit të abetares së përbashkët është zhvilluar në Qendrën Sportive ku përveç kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha kanë qënë të pranishëm edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha ndërsa e ka cilësuar abetaren e përbashkët si kryevepër të dijes u ja bërë thirrje të gjithë shqiptarët të çirohen nga ajo të cilën ai e cilësoi si shqiptaro-fobia. “Çlirohuni nga shqiptaro-fobia. Shqiptarët janë një komb por gabojmë rëndë nëse vazhdoni të shquani shqiptarët me skena si ato të Preshevës të cilat faktojnë se shumë prej jush janë në stadet primitive. Abetarja është hapi i parë pasi tekste të tjera duhet të botohen” ka theksuar Berisha.

“Abetarja e njehësuar vjen sot këtu në këtë qytet si një bukuri e rrallë e shqiptarëve që ka rendur në shekuj për të ardhur tek ju fëmijë e Prizrenit, fëmijët e kombit shqiptar. Falenderoj dy ministrat për vendosmërinë, përkushtim që treguan në realizimin e abetares së parë të të gjithë shqiptarëve. Faleminderit që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve Prizrenin, kryeqytetin e idealit kombëtar për promovimin e saj” theksoi më tej Berisha.

Ndërsa i është drejtuar fëmijëve, kryeministri Berisha theksoi se abetarja që ata sot marrin në duar është ëndrra e qindra gjeneratave të shqiptarëve për një abetare të përbashkët. “Të dashur fëmijë! Libri që ju merrni sot është abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare, por ajo së bashku me gërmat, figurat e mrekullueshme mbart ëndrrën e dhjetra, qindra gjeneratave të shqiptarëve që donin të kishin një abetare të përbashkët. Mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohorat e Skënderbeut deri tek luftrat çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Mbart idealin e përjetësisë kombëtare” shtoi më tej Berisha.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se sot është një ditë historike për të gjithë kombin shqiptar. “Sot është një arritje historike. Ne po prezantojmë abataren e përbashkët të kombit tonë. Jo rastësisht jemi mbledhur në Prizren ku çdo shqiptar do të donte të ishte. Por çdo shqiptar sot është me zemër në Prizren ku po promovojmë abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në qytetin historik, dhe qytetin mes kryeqyteteteve, Tiranës dhe Prishtinës” ka theksuar Thaçi.
Sipas tij abetarja e përbashkët është një tjetër fitore e kombit shqiptar në këtë 100-vjetor të kombit shqiptar. “Sot në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë po promovohet abetarja e përbashkët. Kjo është fitore e kombit shqiptar, është firore e shteteve tona. Abetarja e përbashkët është shprehje e shkallës së lirisë dhe demokracisë. Kjo abetare është shprehje e ndërgjegjës dhe emancipimit të kombit tonë. Është abetare e lirisë, është abetare e Kosovës dhe Shqipërisë europiane” ka theksuar më tej Thaçi.

Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë u përzgjodh nga komisioni vlerësues në 24 prill. Abetarja ka si bashkë autorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu.
“Abetare e Përbashkët Shqipëri-Kosovë” do t`u ofrohet edhe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporë.
Ministria e Arsimit ka theksuar se unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive dhe do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.

No comments:

Post a Comment