Dramaturgjia shqiptare në Kosovë



Sikundër në Shqipëri, dramaturgjia në Kosovë kurrë nuk ka njohur ndonjë traditë të shëndoshë. Fillimet e dramës shqiptare (6) në Jugosllavi gjenden, për çudi, jo brenda Kosovës, por në bregdetin e largët dalmat. Ashtu si poeti e tregimtari i hershëm Shime Deshpali (1897-1980), edhe Josip Rela (7) (1895-1966) lindi dhe u rrit në fshatin Arbanas (Borgo Erizzo), sot rrethinë e Zarës (Zadar), fshat i themeluar më 1726 nga shqiptarë të ardhur prej Brisku e Shestani në perëndim të liqenit të Shkodrës. Rela, i cili ka punuar mësues, drejtor teatri dhe drejtor shkolle në Zarë, është autori i një numri pjesësh melodramatike të shkruara në gegërishten e tij arkaike, pjesë që mund të thuhet se përbëjnë orvatjet e para serioze të dramës në gjuhën shqipe në Jugosllavi. Më e mirënjohura nga veprat e tij është tragjedia në katër akte Nita, e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, e zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Nitën e rrëmben një ushtar turk, por e shpëton Zefi, i cili e vret ushtarin. Për të shpëtuar nga hakmarrja e turqve, i gjithë fshati shtrëngohet të marrë arratinë. Vetëm Zefi, pasi u ka dhënë fjalën se do t'i ndjekë, mbetet në fshat, kurse Nita i jep fjalën se do ta presë. Kalojnë tre vjet. Për t'i shpëtuar trysnisë që po i bëhet për t'u martuar me dikë tjetër në vendin e ri ku kanë vajtur e për të mbajtur fjalën e dhënë, Nita, duke mos pasur më shpresë që të takohet me Zefin, bëhet sipas kanunit virgjineshë (8). Gjendja bëhet dramatike kur pas pak kohe mbërrin e del në skenë Zefi. E dëshpëruar, Nita e shkel betimin, diçka kjo që nuk mund të merrej me mend në shoqërinë tradicionale shqiptare. Edhe pse Zefi në fund arrin t'i bindë pleqtë e fshatit se Nita kishte bërë një betim tjetër më parë për ta pritur dhe se kanuni nuk duhej zbatuar në mërgim, Nita nuk gjen rrugë tjetër përveç vetëvrasjes.


__________________________________________________ _______________




6 Mbi dramën shqiptare në Kosovë në përgjithësi, kr. Shita 1991, dhe Rexhaj 1994.



7 kr. Qosja 1968.

8 Virgjinesha është një institut i kanunit në Shqipërinë e veriut, sipas të cilit femra, kur nuk dëshiron të martohet, betohet se do të ruajë virgjërinë dhe, nëse merr miratimin e dymbëdhjetë pleqve të fshatit, fiton statusin e burrit. Që nga ky çast ajo ka të drejtë të mbajë armë, të vishet si burrë e të shoqërohet si e barabartë me burrat e fisit. Virgjineshat kanë ekzistuar deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, disa edhe deri në kohët e fundit. Në një rast në Mal të Zi, të afërmit e të vdekurit e morën vesh vetëm pas vdekjes se xhaxhai i tyre plak kishte qenë hallë.

__________________________________________________ _______________


Murteza Peza (1919-1981) është dramaturg dhe prozator shqiptar nga Maqedonia. Ka lindur në Elbasan dhe është shpërngulur në Jugosllavi më 1941, ku dhe mori pjesë në lëvizjen partizane në Maqedoni. Ndonëse disa nga pjesët e tij teatrore, më e mira prej të cilave është Parajsi i humbur, janë të cekëta dhe thjesht moralizuese, ndihmesa e tij për fillimet e dramaturgjisë shqiptare nuk mund të mohohet.

Dramaturgë të tjerë me emër të kësaj periudhe janë Hivzi Sulejmani (1910-1975) nga Mitrovica, i njohur më shumë si prozator; Xhemil Doda (1915-1976) nga Prizreni, i cili ka përdorur mjaft material folklorik për dramatizimin e tragjedisë vetjake të një malësori në pjesën Halit Gashi; Kristë Berisha (l. 1923) nga Peja, i cili, me komedinë e tij burleske Kryet e hudrës në zhanrin 'commedia dell' arte' hodhi themelet e komedisë në Kosovë; gazetari dhe politikani Jusuf Kelmendi (l. 1927) me veprën e tij dramatike Hakmarrja, një hetim i hakmarrjes; aktori dhe kinoregjisori Muharrem Qena (l. 1930) nga Mitrovica, i shquar sidomos për dramën në tri akte Bashkëshortët, Prishtinë 1982, të nderuar me çmim.

Shfaqja e parë teatrore në gjuhën shqipe më Kosovë thuhet se ka qenë organizuar nga Mati Logoreci (1867-1941) nga Shkodra, i cili pati hapur të parën shkollë në gjuhën shqipe në Prizren më 1 maj 1889. Por përdorimi publik i gjuhës shqipe qe ndaluar si nën sundimin e Perandorisë Osmane ashtu edhe më vonë, kur Kosova u përfshi në Mbretërinë e Jugosllavisë më 1918. Ky ndalim natyrisht e pengonte zhvillimin e teatrit dhe të dramaturgjisë shqiptare. Gjatë pushtimit italian dhe gjerman nga 1941 deri më 1944 u hapën shkolla shqipe, kurse në mbarë Kosovën, për herë të parë, ndonëse në kushte mjaft të vështira, u dhanë shfaqje nga grupe teatrore amatore. Menjëherë pas 'çlirimit' më 1945, u ngrit një teatër profesionist, Teatri Popullor, në Prizren, i cili asokohe qe kryeqendra administrative e krahinës. Ky teatër jepte shfaqje në të dy gjuhët, shqip e serbokroatisht, por jetoi vetëm një stinë, sepse kryeqendra administrative u transferua në Prishtinë. Teatri Popullor Krahinor në Prishtinë u themelua në shtator 1948 dhe shfaqjen e vet të parë në gjuhën shqipe e dha më 1 maj 1949. Viti 1949 qe vit me rëndësi për kulturën shqiptare në Kosovë, sepse shënoi edhe themelimin e së parës revistë letrare në gjuhën shqipe Jeta e re, të botuar nga poeti Esad Mekuli (1916-1993). Me këtë revistë për herë të parë fituan një tribunë jo vetëm poetët dhe prozatorët, por edhe dramaturgët shqiptarë në mbarë Jugosllavinë jugore. Vitet pesëdhjetë dëshmuan edhe themelimin e Teatrit të Kombësive në Shkup, kryeqytet i Maqedonisë me një bashkësi të madhe shqipfolëse (9). Teatri i Shkupit tani konkurron me atë të Prishtinës dhe të Gjakovës si qendër e dramës në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi.

Pengesat më të mëdha për përdorimin publik të gjuhës shqipe e për evoluimin e kulturës shqiptare në Jugosllavi u ndërprenë me Plenumin historik të Brioneve të Komitetit Qendror më 1966. Më 1968 në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë u ngrit një kurs dyvjeçar i dramaturgjisë, i cili u përfshi në programin e Institutit Pedagogjik për të përmirësuar nivelin e lojës së aktorit e të regjisurës në Kosovë. Dhe përmirësimi u ndie vërtet menjëherë. Deri në mesin e viteve gjashtëdhjetë, repertori i teatrove të Kosovës ishte përbërë thuajse tërësisht nga vepra jugosllave e të huaja të përkthyera shqip. Më 1967 poema shqiptare e fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e Muhamet Kyçykut (1784-1844) Erveheja u përshtat për skenë me sukses nga Muharrem Qena, drejtor i Teatrit Popullor Krahinor dhe nga Ahmet Qirezi. Erveheja u vu në skenë më pas në Tiranë më 1972. Më 1969, në epokën e Samuel Beketit (Samuel Beckett, 1906-1989), Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960), Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) dhe Eugjen Joneskos (Eugène Ionesco,1912-1994), dramaturgu dhe romancieri kosovar Anton Pashku (1937-1995) nga Grazhdaniku i solli për herë të parë publikut shqiptar 'teatrin absurd' me pjesët e tij që ngjallën mjaft diskutime, Sinkopa, Prishtinë 1969, dhe Gof, Prishtinë 1976. Këto drama natyrisht nuk u vunë në skenë në Tiranë, ku eksperimente të tilla

__________________________________________________ _______________

9 Për teatrin bashkëkohor shqiptar në Maqedoni, kr. Ndoci 1991.
__________________________________________________ _______________

shpalleshin kategorikisht të dëmshme për rininë e për përparimin shoqëror.
Në fillim të viteve shtatëdhjetë një liberalizim i politikës së Jugosllavisë ndaj 'pakicës' shqiptare dhe një përmirësim i përkohshëm i marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë sollën një shtim të kontakteve kulturore midis Prishtinës dhe Tiranës, me shkëmbime ansamblesh, regjisorësh, aktorësh, shkrimtarësh dhe profesorësh universiteti. Ndonëse këto shkëmbime qenë të frytshme për të dyja palët, dobinë e patën të kufizuar. Dogmatizmi i rëndë në politikë dhe propaganda staliniste e palës shqiptare shihej me mjaft dyshim nga autoritetet jugosllave, kurse gama më e gjerë dhe natyra eksperimentale, eklektike e një pjese të mirë të teatrit në Kosovë shihej po me aq dyshim nga autoritetet e Tiranës. Në këto rrethana barrierat politike përsëri u bënë pengesë për zhvillimin e një kulture shqiptare të njësuar. Pas kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë, të gjitha kontaktet kulturore me Shqipërinë praktikisht u ndërprenë.

Nga dramaturgët e tjerë të sotëm në Kosovë mund të përmenden sidomos studiuesi Rexhep Qosja (l. 1936), autor i Mite të zhveshura, Prishtinë 1978; poeti Azem Shkreli (1938-1997), autor i pjesëve Fosilet, përshtatje për skenë më 1969 e romanit të tij Karvani i bardhë, Prishtinë 1960, dhe Varri i qyqes; romancieri, poeti dhe kritiku Teki Dërvishi (l. 1943), autor i tragjikomedisë Pranvera e librave, Prishtinë 1990, dhe Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Prishtinë 1990, në nëntë pjesë, që rikrijon botën e humbur të këtij autori shqiptar të shekullit të shtatëmbëdhjetë; Beqir Musliu (1945-1996) nga Gjilani; shkrimtari prodhimtar dhe krijues Ymer Shkreli (l. 1945), autor i Trilogjia e re, Prishtinë 1990; kritiku dhe poeti Sabri Hamiti (l. 1950), pjesa në pesë akte e të cilit Fata, Prishtinë 1988, ishte një refleksion politik për kryengritjen e vitit 1981; dhe poetja e arkeologia Edi Shukriu (l. 1950) nga Prizreni, drama e parë e së cilës Kthimi i Euridikës u botua më 1987.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri