Faik Konica: Shqipëtarët s’e duan shumë punën

Këto ditë një mik na shkruante për një këmbim fjalësh që kish bërë me një Shqiptar. -A do të të mësoj shqipen? Jo, or zot, ç’më duhen mua ato? -Po shqipja është gjuha tënde, duhet të dish ta shkruash. -Unë s’përzihem me të tilla punëra. Fund, e shoh që s’do. Po thuamë psenë e vërtetë të kësaj mosdashjeje. – Do të vërtetën? Nuk del ulefeja me shqipen.
S’del ulefeja…! aty është gjithë puna. Po të dilte ulefeja të gjithë ata shqiptarë që sot mohojnë gjuhën e tyre do ta gjenin të mirë, të bukur të shijshme…
Ç’është kjo e Shqipëtarëve që, përveç ulefesë s’duan gjësendi? Besoj se është përtimi. Shqipëtarët s’e duan shumë punën, që nga bujqësia gjer në tregëti të madhe ghithë mjeshtëritë duan, pak a shumë, punë dhe mundime. Po për kundre, a gjen më lehtë se të jetë njeriu “dragat” “memur” “zaptie” a “pasha”?
Është e vërtetë që tregëtia në Shqipëri s’bëhet dot, përveç në qytetet afër detit. Ngarko për tregtim ca barrë nga ato “peshqt” e verës aq të shijshme të Ohrit për t’i shpënë jashtë. Ca kuaj a mushka, duke shkuar anës pronave, nëpër rripa e thika, të ngushta e të rrezikshme, do të bien e do të mbeten në vent, më tutje, ndofta do të dalin kusarët, të të marrin ç’ke e në mbettë nonjë barrë, do t’a arrihne qëllimin pas shtat a tetë vjet e peshqtë do të jenë pak të prishur.
Prandaj rroftë “ulefeja”.
Me bie në ment një e pashfaqur (anektode) që rrëfen mirë dëshirën e Shqipëtarit për ulefenë.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë njoha në Shqipëri një fshatarak i cili dëshironte të bëhej kolhghi. Kish një arë e një vreshtë, por s’i punonte e s’kish bukë. Vente hante nëpër konakët, duke pritur ulefenë.
Dhjetë vjet pastaj e poqa përsëri, e ngaqë më ka pasur gjithmotin enda të kuvendoj me fshtarakët, e pyeta si vente. S’mbaja dot të qeshurën kur më tha që priste ulefenë. Dhjet vjet kish pritur edhe s’qe lodhur.
Me gjith këtë, le të mos harrojmë që Shqipëtari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se kanali i Korinthit, në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u-rrëmih më shumë prej punëtorësh shqipëtarë. Punonin, ata djelmt e shëndoshë të Shqipërisë, punonin e duke i parë, m’u mbush zembëra me shpresë për fatin e Shqipërisë, se ne komb përtimtar, është komb i ngordhur. Nga të gjith anët e Shqipërisë, gjer nga Prizreni, kishin vajtur të punojnë.
Njoha atje një Gegë, i cili, në pak kohë, kish mësuar të kuvendonte greqishten. Edhe e kuvendonte aqë të shtrembur e të shijshme, sa kurrë në jetë t’ime s’kam qeshur aq, -e u ndamë si miq të vjetër.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit