Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)


Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)



Dy breza pas Gjon Buzukut vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë. Pjetër Budi(17) (1566-1622), autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare u dorëzua prift katolik dhe u dërgua menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkëvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.

Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
Më 1599 Budi u emërua famullitar i përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, post që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Pozita e tij kishtare ishte nga shumë anë vetëm një mbulesë për aspiratat e tij politike.

Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë. Më 1616 Pjetër Budi vajti në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një pelegrinazh

__________________________________________________ _________________
17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.
__________________________________________________ _________________


tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e kurisë romake kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621 u bë peshkop i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), d.m.th. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe më fort e natyrës politike se fetare. Një nga synimet e tij ishte që klerikët e huaj të zëvendësoheshin me shqiptarë vendës, veprimtari kjo që nuk duhet të ketë qenë pritur mirë nga disa eprorë të tij në Itali. Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta(18).
Mjaft nga të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën Budi ia drejtonte kardinal Goxadinit (Gozzadini) në Romë, e në të cilën ai parashtron planet dhe strategjinë për një kryengritje në Ballkan. Në këtë letër ai theksonte edhe:

"... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave fetare tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
Vepra e parë e Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe ruhet një kopje origjinale në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

"Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."

(Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i kishës së shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga Reverend Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e eprorëve.)

E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër

__________________________________________________ _________________
18 kr. Zamputi 1958, 1985.
__________________________________________________ _________________


gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
Me interes më të madh letrar se katekizmi vetë janë pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:

"Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv."

(Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."

Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
Në shikim të parë Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është

__________________________________________________ _________________

19 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246.

1986.

20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli
__________________________________________________ _________________


më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë
të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22)
.
Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):

"Dies irae, dies illa
Solvet saeclum in favilla,
Teste David cum sibylla.

Quantus tremor est futurus
Quando judex est venturus,
Cuncta stricte discussurus.

Tuba mirum spargens sonum
Per sepulcra regionum
Coget omnes ante thronum..."

"Ajo ditë me mënii
Qi të vinjë ndë e vonë
Këtë shekullë të zii
Ta diegë e ta përvëlonjë,

Si Profeta ban dëshmii
Me sibilënë, po thonë,
I madh gjyyq e mënii

Të vinjë për mkate tonë.
Saa dridhmë e cokëllimë
Të jeenë përgjithanë,


__________________________________________________ _________________

21 kr. Riza 1979, f. 120.

22 kr. Ashta 1966.
__________________________________________________ _________________


E n qiellshit shkepëtimë
Nd'ajërit e madhe gjamë...(23)"

Tërheqëse në poezinë e Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut. Ajo nis kështu:

"O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s'shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s'prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s'prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s'prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;



__________________________________________________ _________________
23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.
__________________________________________________ _________________


Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuom(24)..."

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri