Amaneti i fundit: Kur të vdes më varrosni në sallën e Operacionit


Amaneti i fundit:Kur të vdes më varrosni në sallën e Operacionit






Petro Cani lindi ne fshatin Kudhes,Himare, më 2 mars të vitit 1917, dhe vdiq ne Tirane, më 7 nëntor të vitit 1994, ishte mjek kirurg, profesor, pedagog shqiptar.
Studioi mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Athinës. Mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore duke u shquar si figura qendrore për shërbimin shëndetësor partizan. Në vitin 1950, ishte i pari në Shqipëri, që bëri bronkografinë pulmonare dhe në mars 1951 i pari që operoi kinokokun në Shqipëri. Më 12 shkurt 1952 ishte i pari në Shqipëri që realizoi operacionin e heqjes së mushkërisë. Në vitin 1954 eksperimentoi në zemrën e një kafshe, duke bërë hipoteminë e saj, dhe transplantimin e veshkës. Në vitin 1957 operoi për herë të parë zemrën: komisurotomi digitale. Më 5 tetor të vitit 1957 me iniciativën e tij filloi narkoza moderne endotrakiale. Në vitin 1958 iu dha titulli “Profesor”. U quajt babai i kirurgjisë bashkëkohore shqiptare.(Flori Bruqi)




Mjeku që operoi me një sharrë druri - Petro Cani babai i kirurgjisë shqiptare





Petro Cani lindi në Kudhës të Himarës, më 2 mars 1917. Ishte biri i mjekut të dëgjuar të krahinës Mihal Cani. Të dy, babë e bir studiuan në Athinë. 


Petro kreu shkollën e mesme në Greqi, në Korfuz që ishte një nga 7 ishujt e influencës franceze. 


Mësoi krahas lëndëve të përgjithshme edhe greqishten e vjetër,latinishten, italishten dhe frëngjishten. Gjatë jetës ai mësoi mjaft mirë serbo-kroatishten, rusishten dhe spanjishten. Ishte i prirur për gjuhë të huaj.


Nëse i ati përfundoi studimet e larta, Petro nuk arriti të diplomohet për shkak të luftës.

Me të ardhur në Shqipëri, ai përkrahu lëvizjen antifashiste dhe vihet në shërbim të luftës krahas të rinjve të tjerë. Gjatë jetës studentore, atij i pëlqen kirurgjia dhe ndjek urgjencat në spitalin ushtarak të Marinës. 


Kjo e ndihmon të jetë një kuadër i përshtatshëm për gjendjen e krijuar të luftës. 

Për herë të parë thirret për të hequr një plumb të ngelur në shpatullën e majtë të një partizani. 


Operacioni mahnit të gjithë nga precizioni dhe shpejtësia. Edhe vetë kirurgut kjo do t'i vlejë për të ardhmen. Gjatë luftës ai do të bëj gjëra që nuk do t'i kishin imagjinuar.


Operacioni me sharrë druri

Pandi Kocaqi po vinte me një fije shprese në duart e kirurgut të luftës.Dëbora e madhe në Operacionin e Dimrit i kishte marrë jetën të dy anësive.


Mjekët e kirurgjisë dhe ato ishin vrarë gjatë një prite disa ditë më parë. VetëPetro nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore. 


Çdo vonesë sillte vdekjen e të sëmurit. Kërkohet një sharrë dhe një thikë e zakonshme, e cila gjendet në fshat dhe pas një dezinfektimi me ato pak mjetet e ndodhura do të kryej operacionin shpëtues. Sharra, sot një relike në Muzeumin Kombëtar, nxori atë ditë pluhur kocke dhe palcë e gjak të përzier. 

Kirurgu i ri Petro Cani u ndesh me gramën e fundit të një rezistence njerëzore, klithmat e së cilës ishin të ngjashme me ulërimat dhe gulcimet e një kafshe të stërmadhe që po jepte shpirt. 


Dora e fuqishme qëndroi e papërkulur. Jeta dhe vdekja këtu kishin të njëjtin kuptim. 


Operacioni historik që kishte filluar shekuj më parë u realizua me sukses në kohët moderne. Njeriut iu shpëtua jeta nga një vdekje që kishte planifikuar prej kohësh viktimën e vet.


Vetoperimi

Pas këtij operacioni, Petro sëmuret. Ndoshta tensioni i madh që kaloi i keqësoi këmbët që edhe atij i kishin ngrirë. Habitet me nxirrjen e shojeve dhe më tepër kur me to kishte kryer operacionin. 


Edhe ai kishte të drejtë që të shpëtonte. Gangrena mund të përparonte dhe këto male të mbushura me dëborë e të pakalueshme do të ishin prehja e tij e fundit.


 Shpejt duhet të hiqte copat e zeza. Ai duhet të vetoperohej. Petro kishte vetëm një dyshim. Po sikur të mos ishte në gjendje të përballonte situatën e të vilanosej. Atëherë nuk do të ishte jo vetëm kirurg, por edhe luftëtar. 


Po shkonte drejt një sfide, kësaj radhe në provë të vetes. Në fillim preu dhe nuk ndjeu asgjë. Indet ishin pa jetë, por kirurgjia kërkonte të shkohej deri në kufijtë e shëndoshë. 


Ky do të ishte shërimi, ndryshe çdo gjë shkonte dëm. Petro i dinte të gjitha këto dhe nuk kurseu asgjë për vete, duke kryer gjithçka ashtu siç duhej.


 Ky ishte shpëtimi dhe ai vetëshpëtoi. Po nuk provove dhembjen tënde, nuk mund të ndjesh të sëmurin, kjo ishte kredo moale e tij që me vendosmëri donte t'ja kalonte të tjerëve.


Diplomimi në Zagreb

Më 11 nëntor 1946, Petro Cani i veshur major i ushtrisë shqiptare niset për të përfunduar studimet në Zagreb. Kishte 2 vjet që punonte në spitalin ushtarak dhe pa u diplomuar nuk do të realizonte ëndrrat e tij, të kohës së paqes. Dr.Tika Theodhosi, një nga bashkëstudentët e Zagrebit tregon: - Përshtypja e parë për këtë oficer të hijshëm, vetull-ngrysur e shtatlartë ishte jo aq e mirë.


 Ndoshta serioziteti i tepruar i një fillimi të ndrojtur e paraqiste kështu. Edhe ata që do ta njihnin më vonë do ta kishin me të një vështirësi relacionale që më vonë largohej. Eshtë interesant, thotë dr. Tika, se më vonë aibefasoi të gjithë. 


Pedagogët vunë re se kishin të bënin me një njeri të rrahur me punë të vështira, njeri të butë e të thjeshtë. Ata e trajtuan shpejt si koleg në mes të grupit të kirurgëve. Diplomën e mbrojti jo vetëm si student, por edhe si një mjek i sprovuar. Ai gjatë luftës e kishte kapërcyer disa herë këtë dokument, duke trashëguar kështu virtytet e rralla që arrijnë të gëzojnë vetëm njerëzit e luftës. 


Më 28 shkurt 1948, në moshën 31-vjeçare Petro Cani kërcen valcin e përfundimit të studimeve të larta, merr patentën për të ngarë një makinë të stërmadhe, të cilën kishte mësuar ta ngiste prej kohësh. Pak kohë kalon kur diplomanti martohen me të bijën e dr.Panos, një mjeku të dëgjuar.


 Nga kjo martesë lindin 3 fëmijë, 2 djem e 1 vajzë, të cilët nuk pati kurrë kohë t?i përqafojë e t'i dojë si të gjithë prindërit e tjerë. Operacioni i Mehmet Shehut


Petro Cani shumë shpejt u afirmua si kirurg i talentuar dhe novator, falë gjithë asaj përvoje të ngjeshur që mori gjatë luftës. Thuajse të gjithë të huajt e akredituar në Shqipëri, udhëheqësit e shtetit të izoluar në shumë rastesi vetë populli, njerëz me zë të Shqipërisë, miq e shokë nga lufta e jeta,bashkëfshatarë e tjerë kërkonin të operoheshin nga dora e Petros. Ai operoi ministra e zëvendësit e tyre, anëtarë të Byrosë së atëhershme si Mehmet Shehun e Haki Toskën, dekanin e fakultetit të Mjekësisë, shkencëtarin Hiqmet Dibra,kolegun e tij të talentuar Jul Koliqin etj. 


Mehmet Shehu mbahej nën kurën e një grupi mjekësh rus për një sëmundje që nuk ishte. Gjendja e tij shëndetësore sa vinte e keqësohej. Në një ndjenjë ëndrre dhe zhgjëndre, atij i del përpara figura më trimërore e luftës, Petro Cani. Komandantit të Brigadës së Parë po i vinte vdekja. 


Me një ndjenjë lutjeje dhe keqardhjeje, Kryeministri i ardhshëm i vendit kërkonte mëshirë. Petro e vizitoi mikun dhe vuri shpejt diagnozën. Kërkoje Federik Shirokën. 


Të dy, njëri kryekirurg i spitalit civil, e tjetri i atij ushtarak, ranë dakord për operacionin. Federiku me gjithë propozimin e Petros për të asistuar nuk pranoi. Një letër ishte dërguar kundër Shirokës në Ministrinë e Brendshme. Por Petro e kishte kuptuar mikun.


 Gjatë luftës,Petro Cani kishte marrë një tifo exantematike, të cilën ja kishte kuruar vetë Shiroka në shtëpinë e tij. U vendos që asistente do të ishte një kirurge ruse, me emrin Drozdova. Ishte ora 4 e mëngjesit dhe kirurgët po laheshin. 


sëmuri po merrte narkozë. - A jesli njet apendesit (po nëse nuk do të jetë apendesit), i foli rusisht Drozdova. - Eto stidna (kjo është turp), i përgjigjet Petro, diskutimi ka marrë fund atje, dhe i hodhi një shikim derës së jashtme.


- Ma largoni këtë kirurge disfatiste u tha Petro të tjerëve. Dhe kjo nuk ishte aq kollaj sa mund të tregohet. Drozdova ishte ruse. 


Petro e kreu operacionin me një tjetër asistent dhe çdo gjë doli me shumë sukses. Punët vajtën mbarë, Petro arriti suksese të tjera, por edhe miku që shpëtoi u bë Kryeministër i Shqipërisë.


 Në darkat e drekat e shumta që rrinin së bashku, Kryeministri asnjëherë nuk i foli për problemet e kirurgjisë dhe Petro për punët e shtetit.


Kur vinte nga Mehmeti ai shpesh na thoshte: - Vetëm kur shkoj te Mehmeti ndjehem i ngopur. 


Makina trupore e Petro Canit e vënë në veprim që në periudhën e luftës nuk do të pushonte së punuari, paçka se trajtimet nuk shkonin në përputhje me ato harxhime që bënte.


Petro Cani babai i kirurgjisë shqiptare


Në statistikat që kemi pasur mundësi të shfletojmë në Historikun e IKMU(Instituti i Kërkimeve të Mjekësisë Ushtarake) vëmë re se kryekirurgu i ushtrisë Petro Cani ka një aktivitet të ngjeshur pune me një vdekshmëri të përafërt me atë botërore dhe padyshim më e mira në Shqipëri, krahasuar me kirurgët më të mëdhenj të kohës. Ai është i pari profesor në kirurgji dhe ndër të parët Hero i Punës. 


Në fushën diagnostike, ai është primarius në aplikimin e bronkografisë, limforgafisë dhe i laparaskopisë. Petro Cani është eksperimentues. 


Në vitin 1954, kryen operacione te kafshët dhe kërkon të njoh sesa duron zemra në hypotermi (temperatura të ulëta) dhe se si mund të bëhet transplanti i veshkës, teknika që i arrin me një mjeshtëri të admirueshme. Vlen të theksohet se me botën është pak muaj me vonesë, gjë që tregon se ai është në kontakt me të
renë.

Gjatë një vizite zyrtare në Gjermaninë Demokratike, ai shkruan në ditarin e tij, që fatmirësisht e kemi të ruajtur. - Në pulmone dhe në zemër janë po atje ku jemi ne. 


Asnjëherë nuk ka qenë kaq afër kirurgjia shqiptare me kirurgjinë e vendeve evropiane më të zhvilluara. Kjo do të kujtohet si një ngjarje e madhe në historinë e mjekësisë shqiptare për të gjithë ata që merren ose duan të njihen me të. 


Më 1 mars 1951, dr.Cani operon në një moment ekinokokun e mushkërive, gjë që uli ditë qëndrimet në spital në formë krize. Ai lidharterien pulmonare dhe më 12 shkurt 1952 heq i pari në Shqipëri të gjithë mushkërinë e kjo vetëm me ndihmën e anestezisë lokale. 


Gjatë vitit 1953, ndërhyn në ezofag i detyruar të shpëtojë një ushtar që i kishte ngelur një kockë n fyt. Kjo është regjistruar si ndërhyrja e parë në këtë organ. 5 tetor 1957, me iniciativën e tij direkte kryhet për herë të parë në Shqipëri narkoza endotrakeale, që do të hapi rrugën e detyrimeve të vështira kirurgjikale. 


Pas kësaj arritjeje, Petro Cani është i papërmbajtshëm. Ai vendos në një nga damarët kryesorë transplantin artificial, hyn në ezofag, duke e hequr dhe zëvendësuar atë, në retroperitoneum, në zemër, tru, sistemin urinar, endokrin etj. 


Ai është kirurgu i parë që ndërhyri në të gjitha organet e organizmit njerëzor. Ai kreu kirurgjinë e fëmijëve dhe është themeluesi i saj, kirurgjinë ortopedike, onkologjike, të hipertensionit portal, kirurgjinë tradicionale të sistemit urinar etj. Petro Cani krijoi shkollën e instrumentistëve dhe të infermierëve të kirurgjisë. 


Ai themeloi shkollën e anestezisë dhe të kirurgjisë shqiptare,duke drejtuar punën e kirurgjisë në rolin e kryekirurgut për 33 vjet. 


Do të mbyll këto radhë me atë që kam shkruar në intervistën që i mora prof. dr. Ylli Popës, kryetarit të Akademisë në librin që i kam kushtuar Petro Canit. 


Ja çfarë thotë ai: - Petro Cani, një ndër të parët profesorë të mjekësisë tonë, me autoritetin e tij rrezatoi jo vetëm brenda specialitetit të kirurgjisë, por edhe jashtë tij. 


Prezenca e tij ndihej kudo. E kam njohur si një antikonformist të madh, gjë që ishte shumë e rrezikshme për kohën. Kjo tregon se liria ishte gjë e çmueshme për të. Prof. Petro Cani nuk mund të futej në klishet e kohës. Ai nuk duronte tutelën dhe kam mendimin se ato që thoshte ishin shumë pak me ato që kishte brenda vetes. 


Prof. Petro Cani ishte një rebel, në kuptimin e mirë të fjalës. Ai kishte një dinjitet personal të rrallë. Krahas kësaj pune sa voluminoze aq dhe cilësore në favor të kirurgjisë, ai luftoi si asnjë tjetër për lirinë e individit. 


Prof. Petro Cani s?e ka njohur servilizmin e ndoshta ishte kjo arsyeja që servilët kanë dashur ta denigrojnë, sepse shihnin tek ai atë që nuk mund ta realizonin vetë. 


Për çfarë ka bërë në kirurgji, duke qenë i pari thuajse kudo, nga operacionet trimësore në zemër e deri në përgatitjen e kirurgëve të rinj, ai e meriton plotësisht të quhet babai i kirurgjisë shqiptare.

Prof.dr. Lluka Heqimi Autor i librit "Petro Cani - babai i kirurgjisë shqiptare"

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri