FUNKSIONI SHOQËROR I LETËRSISË




            Meqë vepra letrare realizohet përmes gjuhës, kurse gjuha para së gjithash shërben si mjet marrëveshjeje midis njerëzve, është e qartë se edhe letërsia duhet trajtuar si krijim shoqëror, si diçka që ka kuptim vetëm brenda jetës shoqërore. Veprat letrare përfshijnë në vete përvoja dhe njohuri mbi dukuritë e ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, ato flasin poashtu tërthorazi dhe drejtpërdrejt mbi jetën shoqërore. Veç kësaj edhe shkrimtari i përket një shtrese të caktuar ose klase shoqërore. Nga kjo, ai, si përfaqësues i ndonjë bashkësie, në veprën e tij shpreh jo vetëm kundërthëniet në shoqëri, por edhe synimet dhe aspiratat e asaj shoqërie. Në vepër, qoftë ajo poezi, roman ose dramë etj. ai paraqet idealet e caktuara shoqërore dhe njerëzore. Duke qenë se shkrimtari i takon një shtrese a klase të caktuar shoqërore, edhe vepra letrare i takon një kohe dhe një vendi të caktuar. Kështu, p.sh. shkrimtarët antikë në veprat e tyre, përmes miteve dhe legjendave paraqesin shoqërinë e kohës, ndërkaq romantikët, përmes imagjinatës dhe ëndrrave të tyre e projektojnë shoqërinë e kohës, realistët prekin në natyrën klasore të shoqërisë duke u përpjekur ta ndryshojnë atë. Por kjo nuk do të ndodhë në të gjitha formacionet apo shkollat letrare, siç ndodh p.sh. me simbolistët që i shmangen (largohen) shoqërisë. Një dukuri të tillë e ndeshim p.sh. në Francë në teorinë e arti për art etj. Letërsia si art i fjalës, është dëshmi e jetës që kushtëzohet nga koha dhe jeta shoqërore në të cilën zhvillohet ajo. Letësia si art i fjalës, nuk flet vetëm për atë që ka ndodhur, por edhe për atë që do të ndodhë. Letësia luan rol të madh shoqëror, të cilin nuk e ka asnjë fushë njerëzore. Ajo, e lidhur me realitetin njerëzor, është dëshmi e atij realiteti. Porositë, mesazhet, që jepen përmes saj, jepen në formë të veçantë dhe ndryshojnë nga veprimtaritë e tjera. Kjo ka ndodhur me të gjithë krijuesit duke filluar nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Kështu ka ndodhur me veprat e Homerit apo me tragjeditë e Eskilit, të Sofokliut, të Euripidit e të tjerëve. Në to janë shprehur mendime dhe ndjenja që i përkasin jo vetëm asaj kohe, por edhe sot ato lexohen me admirim. Pas kësaj, nga fundi i mesjetës, shkrimtari i madh italian Dante Aligieri, në veprën e tij me titull “Komedia hyjnore”, ka paraqitur alegorikisht shoqërinë italiane të kohës; Shekspiri, njëri nga dramaturgët më të mëdhenj anglezë e botërorë, në veprat e tij ka paraqitur kontradiktat e thella të shoqërirsë së kohës; Balzaku në “Komedinë njerëzore” në mënyrë të thellë dhe realiste ka paraqitur raportet shoqërore të shekulit XIX në Francë. Madhështia dhe gjithanshmëria e veprës së Balzakut është pohuar edhe nga Engelsi kur thoshte se e ka njohur shoqërinë frënge më mirë nga veprat e Balzakut sesa nga të gjithë historianët, ekonomistët apo sociologët e kohës. Se ç’rëndësi kanë veprat e letërsisë aristike e dëshmojnë edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë siç janë veprat  Naimit, “Vargjet e lira” të Migjenit, të Ismail Kadaresë etj., që janë një dëshmi për shoqërinë shqiptare dhe që në vete ngërthejnë vlera të mirëfillta letrare artistike.
       Nga sa u tha më lart del se letërsia është arti më i popullarizuar dhe luan rol të rëndësishëm në aspektin edukativ dhe kulturor të popullit. Edhe kultura e një populli vlerësohet nga letërsia, kurse kultura e një njeriu sipas asaj se sa ai i njeh dhe i kupton veprat letrare. Nga këndej letërsia gjatë zhvillimit të saj historik pandërprerë ka luajtur rolin ndërmjetësues midis njerëzve dhe ideve të shkrimtarit; ajo ka luajtur rolin e edukatorit dhe të interpretit të natyrës nga e cila është rrethuar njeriu, sepse vepra letrare s’është gjë tjetër veç idesë së shkrimtarit mbi jetën dhe mbi dukuritë e ndryshme shoqërore. Letërsia luan rol të rëndësishëm  në jetën e njeriut, sepse kënaq një nevojë të veçantë të njeriut, karakteristike për të gjithë njerëzit: nevojën e përjetimit dhe të njohjes së botës me anë të shqisës së të vërejturit dhe të kuptimit të veprës letrare artistike. Përjetimi i tillë nxit një kënaqësi të veçantë , të cilën e quajmë kënaqësi estetike ose artistike, të cilën e studion shkenca filozofike e cila quhet estetikë.  Në vepër autori shpreh anët më të bukura dhe më fisnike të njeriut, ajo zhvillon ndjenjat humane dhe ndikon në kuptimin më të mirë midis njerëzve, duke u përpjekur për një jetë më të mirë e më të lumtur të tyre. Shkrimtari në veprat e tij shtron problemet e kohës së tij, të bashkëvendësve të tij, duke u bërë kështu interpret më i mirë i nevojave të shoqërisë dhe gjykatës i rreptë i mashtrimeve dhe i veseve të shoqërisë. Çështjet e lidhura me këtë problematikë i shqyrton sociologjia e artit, e cila studion bazën ekonomike të punës artistike dhe të jetës, origjinën dhe pozitën shoqërore të artistit, qëndrimet ideore të cilat shprehen në veprat e tij dhe në veprimtarinë dhe deklaratat e tij jashtëletrare. Por kur është fjala për pranimin e veprave letrare artistike nga publiku, mbi ndikimin shoqëror të artit si dhe për pranimin ose mohimin e veprave të veçanta artistike në kohët e mëvonshme, atëherë në vlerësimin e këtyre çështjeve, veç sociologjisë së artit merr pjesë edhe historia e estetikës, kurse për veprat letrare edhe historia e letërsisë.



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri