KOMPOZICIONI I DRAMËS




            Meqë drama parimisht shkruhet për t’u shfaqur në skenën teatrore, kompozicioni i saj mbështet para së gjithash në unitetin e të folurit dhe të veprimit, dmth. në unitetin e aksionit që e paraqet drama. Këtë e ka theksuar edhe Aristoteli, një nga teoricienët e parë të teorisë së dramës në letërsinë evropiane, i cili pohonte mbi nevojën e unitetit të veprimit në dramë, pohim i cili përfshin kuptimin e dramës si “imitim i një veprimi të përkryer e të tërë” (Poetika, f.41) se struktura e dramës është e caktuar nga tërësia e veprimit i cili domosdo ka “fillimin, mesin dhe mbarimin”( po aty, f.41). Unitetit të veprimit teoricienët e mëvonshëm ia shtojnë edhe unitetin e vendit dhe të kohës, dhe kështu u krijua teoria mbi tri njësitë e dramës, të cilat në kohë të ndryshme vlenin si rregull sipas të cilit duhet shkruar veprat dramatike. Nga këto tri njësi jo të gjitha vlejnë për hartimin e veprës dramatike. Vetëm uniteti i veprimit mund të kuptohet si shprehje e stukturës kompozicionale të dramës të cilin duhet ta respektojë çdo krijues. Në mbështetje të unitetit të veprimit që nënkupton nevojën e zhvillimit të veprimit pa ndërprerje, pa episode dhe digresione, i cili duhet të zhvillohet përmes pjesës hyrse, të mesit dhe mbarimit, në të cilën veprimi përfundon.
            Struktura e brendshme e dramës shihet në zhvillimin dhe në dinamizimin e  ngjarjeve, në zbulimin dhe theksimin e problemeve shoqërore ose filizofike, në renditjen e  pandërprerë të situatave dhe në krijimin e konflikteve. Shumë teoricienë konsiderojnë se drama ideale përbëhet prej shtatë pjesëve kryesor, të cilat përbëjnë etapat (fazat) përmes të cilave kalon veprimi dramatik. Këto janë: ekspozicioni, thurja, kulminacioni, peripecia, ndërprerja dhe shthurja ose katastrofa (në tragjedi). Këto shtatë shkallë përmes të cilave zhvillohet veprimi dramatik janë trashëguar nga tragjeditë klasike dhe, pak ose shumë, janë respektuar deri në kohën tonë. Dramaturgët bashkëkohorë (Myler, Tenesi, Jonesko) kanë braktisur këtë skematizëm të ngurtë në zhvillimin e shkallëshkallshëm të veprimit dramatik.
            Ekspozicioni – shënon pjesën hyrëse të dramës dhe ka formën e bisedës. Në këtë pjesë që shënon fillimin e dramës, shkallëshkallë shtohet lënda dhe theksohet tema dhe ideja dhe me këtë bëhet ndarja (distancimi) midis personazheve. Kësaj i shërben e ashtuquajtura lista teatrore, afisha ose programi, kurse në disa tipa dramash pjesa hyrëse shpjegohet me anë të pologut, ku aktori i veçantë, para shfqjes, shpjegon situatën nismëtare të fabulës. Për shkak të qëllimeve të veçanta, planeve dhe dëshirave, veprimi në dramë, sipas rregullit, thuret në aktin e dytë dhe, forcohet kureshtja që të parashihet rrjedha e tij.
            Thurja – krijohet me futjen e motivit dinamik, i cili e vë në lëvizje veprimin duke shkaktuar kundërthënie të caktuara midis personazheve, dmth. kur pjsëmarrësit në veprim konfliktohen për shkak të ideve ose karaktereve të tyre. Është momenti kur të gjithë personazhet i kanë shfaqur cilësitë e tyre dhe janë vënë ndaj heroit kryesor haptas ose kanë marrë qëndrim armiqësor.
            Kulminacioni – shkaktohet kur tensioni rritet deri te zgjidhja  e domosdoshme e veprimit, dhe nuk dihet ende  se ç’drejtim do të marrë zgjidhja. Kulmi ose nyja e dramës se njëra palë duhet të pësojë disfatë, por ende nuk dihet se cila anë do të jetë fituese dhe cila e fituar. Për një kohë të shkurtër bëhen ndryshime të vogla në jetën e heroit kryesor dhe dukshëm zbulohen qëllimet negative të palës (anës) së kundërt.                               
          Peripecia – respektivisht, kthesa, është ajo pjesë e dramës kur veprimi në dramë menjëherë merr një kahje të caktuar, dhe ngadalësohet veprimi, bëhet një lloj ndalje e veprimit dhe bëhet një pushim i shkurtër. Në këtë çast fitohet përshtypja se heroi i dramës do t’i shmanget rrezikut që i kanoset.
           Shthurjaështë ajo pjesë e dramës kur zgjidhen të gjtha kundërthëniet, kontradiktat dhe konfliktet. Kjo pjesë në tragjedi quhet edhe karastrofë.
           Në fund të theksojmë se nuk është e domosdoshme që secila dramë t’i ketë këto pjesë kompozicionale për të cila folëm më lart. Po kështu pjesët kompozicionale nuk është e detyrushme të jenë të ndara njëra nga tjetra, as që duhet të zhvillohen sipas rendit të paraqitur më lart. Megjithatë në esencë secila dramë duhet të jetë e ndarë në disa pjesë, nga të cilat disa janë pjesë hyrëse, disa të mesit dhe disa përfundimtare.          
                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                       

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri