7/8/12


Në procesin krijues poetët dhe prozatorët shpesh fjalëve u japin kuptime të reja, më të gjera dhe kuptime figurative. Këto kuptime të reja, kuptime figurative, të fjalëve quhen figura stilistike.  Në krijimet popullore dhe të letërsisë artistike ndeshim në shumë figura poetike – figura stilistike.

            Figurat stilistike ndahen në: figura të falëve (trope), figura të diksionit, figura të ndërtimit (sintaksës) dhe figura të mendimit.
           
Figurat e fjalëve – ose figurat kuptimore përftohen nga zhvendosja kuptimore e fjalëve, të cilat në retorikën e vjetër janë quajtur trope (nga greqishtja tropos – kthesë, kuptim i zhdrejtë), kurse në latinishte quhen traslate.
            Fjalët, krahas kuptimit të tyre themelor, shpesh marrin edhe kuptime të tjera, pra, kuptim figurativ, bartës. Me këtë rast ndryshon domethënia themelore dhe e zakonshme e tyre. Me kuptim të tillë figurativ p.sh. kemi shprehjet: agimi i jetës – mosha e parë e jetës, rinia; njqind krahë – njëqind njerëz; detihapësirë e pafund; det rëre _ Sahara etj. Si figura të fjalëve njihen: metafora, metonimia, personifikimi, sinekdoka, eufemizmi, epiteti, alegoria, simboli.
           

Alegoria (gr. allostjetër, agoreu – flas, të folur të tërthorët) – është një formë shumë e shpeshtë e shprehjes së mendimeve në veprat letrare dhe në të folurit e përditshëm, kurse shumë krijime artistike në tërësi janë alegorike – mendimet thuhen në kuptim të kundërt dhe të fshehtë. Ajo ka ton përqeshës dhe kritik, prandaj më shpesh e gjejmë në ktijimet letrare humoristike dhe satirike. Ajo është një trop shumë i afërt me metaforën, por një – metaforë e zgjatur dmth. kuptimi i fjalës në kuptim tjetër ku fshihet një mendim tjetër. Me këtë figurë ndërtohen fabulat si dhe shumë figura biblike – parabola. Po kështu edhe poetët satirikë dhe humoristë kryesisht shërbehen me alegorinë, pra, me mendime të fshehta, me çka arrijnë qëllime efektive të kritikës dhe të satirës. Shpesh alegoria përfshin një vepër të tërë. Me këtë figurë ndërtohen fabulat, ku kafshët zëvendësojnë njerëzit, marrëdhëniet dhe veprimet e tyre zëvendësohen me marrëdhëniet dhe veprimet që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Të tilla janë fabulat e Fedrit, të Lafontenit, të Krillovit. Fabula të tilla të bukura  kanë krijuar Naimi, Çajupi, Nonda Bulka, Spiro Çomora etj. Figurat e kafshëve dhe të bimëve në fabula kanë kuptim alegorik. Kështu, p.sh. gomari paraqet njeriun budalla dhe kokëfortë, delja njeriun e urtë dhe të padëmshëm, gjarpri njeriun tinzak, zemërkeq, ujku njeriun e lig dhe gjakpirës e tiran etj. Alegorike nga ana e formës janë proverbat (Delen e ha ujku; Qengji i butë pi dy nëna etj.). Alegori kemi në poezinë Shkëndij’e diellit ndaj manushaqes të Naim Frashërit, Kangë vete të Migjenit etj. Pataj te fabulat e Çajupit Të dy qetë dhe ujku, Qeni dhe dhija, Ujku dhe qengji etj., Komedia hyjnore e Dante Aligierit, Vaji i bylbylit i Ndre Mjedës etj.
Manushaqe bukuroshe!
Pse s’ngre kryet përpjetë,
Po rri e mpitë dhe e qetë?
...Shpendëra, hithëra, ferra
Përsipër të kanë rënë,
Dritën ta kanë zënë,
Me fletë shumë të gjera!
(Naim Frashëri, Shkëndij’e diellit ndaj manushaqes)

Në poezinë në fjalë manushaqja që s’e ngre kryet përpjetë, është Shqipëria e robëruar, kurse shpendërat, hithërat dhe ferrat, janë sundimtarët turq dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë etj.


            Apostrofa (gr.apostrofé – nga apolarg, strofékthesë) – është një figurë stilistike përmes së cilës poeti u drejtohet sendeve sikur ato të ishin qenie të gjalla, ose kur i drejtohet një personi që mungon, sikur ai të ishte i pranishëm. Këta mund të jenë qenie të gjalla ose të vdekura, të vërteta ose të imagjinuara.

Kruj’o i qytet i bekuar!
prite, prite Skënderbenë,
po vjen si pëllumb i shkruar,
të shpëtonjë mëmëdhenë.
(Naim Frashëri, Historia e Skënderbeut  kënga VI)
           
Në vargjet e sipërme poeti i drejtohet Krujës sikur të ishte qenie e gjallë. Është kjo një thirrje plot gëzim që buron nga zemra e poetit e që shkakton plot emocione te lexuesit.                                                   
                                                 
Ose
Lamtumirë, o mori Shkodër!
Lamtumirë, o ti Cukal!
Zhduket Buena nën nji kodër,
Zhduket Drini nën nji mal.
(Ndre Mjeda, I tretuni)
           
Si shihet nga shembujt e sipërm, apostrofa vështirë dallon nga personifikimi, por dallon nga ai vetëm nga aspekti thirrmor, që nuk e ndeshim te personifikimi.

            Epiteti (gr. epitheton – shtesë) – në stilin artistik ka rolin të cilin e ka atributi në fjali. Ky është një mbiemër që qëndron pranë një emri për të përcaktuar veçoritë e tij: bar i gjelbër, krahët e gjërë, druri i degëzuar etj. Në këta shembuj mbiemrat i gjelbër, i gjërë, i degëzuar kanë funksionin e atributit dhe si të tillë bëjnë pjesë  në kategoritë gramatikore-sintaksore. Por, nëse këta mbiemra shprehin emocione në strukturën e fjalisë dhe marrin veçori estetike, atëherë ata kalojnë në epitete. Vetëm kështu do të mund ta dallonim një mbiemër të rëndomtë nga një mbiemër epitet. Këtë mund ta vërejmë më mirë përmes shembujve nga letërsia artistike.


E zeza Andrianopojë,
q’u bëre burimë i zisë
vure botën në nevojë,
në helmin e ligësisë!
(Naim Frashëri, Histori e Skënderbeut, kënga III)

Në vargjet e sipërme fjala e zeza nuk tregon ngjyrën e qytetit, por ka kuptim të fytyruar, që përhap zi. Përmes këtij epiteti autori shpreh dhembjen që ndjen për qytetin (turk) të Andranopojës, prej nga u përhap vala e zisë, e helmit dhe e ligësisë. Nga kjo epiteti ka rëndësi për vlerën e tij shprehëse. Me anë të epitetit shkrimtari përcakton cilësitë karakteristike të sendit, fenomenit apo të ndonjë personi, me çka dëshiron të tërheqë veëmendjen e lexuesit.
            Epitetet kanë rëndësi të madhe në stilin letrar nëse përdoren me vend, nëse janë të freskët dhe origjinalë dhe nëse janë të përshtatshëm me konceptet pranë të cilëve qëndrojnë. Ata i gjejmë dendur si në letërsinë artistike, ashtu edhe në letërsinë gojore. Përveç epiteteve të rëndomta, ekzistojnë edhe të ashtuquajturit epitete të përhershme, të qëndrueshme ose të ngurosura, ose të ngulitura: qafa (e bardhë, qoftë kjo edhe te arabët), ose te Homeri kemi epitetet si, Akili madhështor, Flokëbukura Lete, malet hijesore etj. qeni turk (në letërsinë arbëreshe).
           
            Eufemizmi (gr. eufemismós – zbutje, të shenjuarit e gjësë së keqe me fjalë të buta; nga folja eufemeo – mirë, flas njerëzisht) – është trop, një lloj metonimie, ku një fjalë a një shprehje e ashpër e cila zëvendësohet me një shprehje më të butë, por pa e ndryshuar kuptimin, domethënien e saj. Kështu, përmes saj ndryshohet forma e shprehjes, pa ndryshuar asgjë në përmbajtjen e saj. Kjo figurë është shumë e lashtë dhe e ndeshim shumë në popull. Zbutja e fjalëve të veçanta ose e frazave mund të jetë e ndryshme: prakatike, për shkaqe bontoni, shoqërore, etike, filozofike, kurse shumë shpesh edhe religjioze. P.sh. kollës së keqe e të rëndë të fëmijëve, në vend që t’i thuhet kollë e keqe, i thuhet kollë e mirë. Eufemizëm kemi në shprehjet: s’është më i ri në vend të është plak; ndërroi jetë – vdiq; nuk e thotë të vërtetën – gënjen; i paudhi – qoftë largu (djalli); Kepi i shpresës së mirë – kepi i rrezikshëm; bushtër mortajë – zonja mortajë etj.
           
            Ironia (gr. eironeia – tallje e fshehur) – është një trop përmes të cilit shprehet e kundërta e asaj që thuhet, do të thotë se paraqitja e një objekti bëhet me anë të kundërtës së tij. Pra, me anë të saj e themi të kundërtën e asaj që e mendojmë në të vërtetë për ndonjë fanomen apo njeri. Mbi bazën e kasaj figure letrare zhvillohet humori, satira, ma të gjitha format e tyre. Përmes ironisë shkrimtari shpreh zemërimin, urrejtjen e tij për ndonjë shoqërore. Kur ironia kalon në një shkallë të urrejtjes dhe të hakmarrjes, ajo kalon në sarkazëm. Shembuj të tillë të sarkazmës gjejmë në shumë krijime të autorëve tanë, siç jaë Çajupi Punërat e prëndisë, Klubi i Selanikut, Poema e mjerimit e Migjenit etj. Përmes këtyre krijimeve autorët kanë shprehur përbuzjen dhe urrejtjen e tyre ndaj tradhtarëve të kombit etj. Ironinë e ndeshim edhe në fabula. Kështu, p.sh. te fabula Korbi dhe dhelpra, dhelpra i flet korbit si vijon:

Mirëdita, mik i vjetër!
Bukurinë tënde nuk e ka zok tjetrë,
Me pendë të bardhta. Në di të këndosh,
Përmi zoq të tërë do të mbretërosh;
(Çajupi, Korbi dhe dhelpra, Vepra, f.114,Beograd, 1963).

            Në vargjet e sipërme dhelpra s’e lavdëron me të vërtetë korbin, por ajo flet me ironi, sepse korbi s’është  ndonjë zog i bukur. Sarkazmën e ndeshim edhe te Klubi i Selanikut të Çajupit: “ T’u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka, more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qenke veshgjatë, more beu ynë! Në klub të shqiptarëve na the se si duhet të sillet Turqija, që të shpëtojë nga rreziku i soçëm dhe të rrojë për jetë. Pse s’fole një fjalë edhe për Shqipërinë! Apo s’keshe ç’të thoshe? Apo keshe frikë nga Xhon Turqit që të dërguan met-e-sarif ndë Seres, që të haç pilaf? Ps’tu thaftë gjuha ndë gojë?...”
           
Metafora (gr. meta – përtej, phero – mbaj që andej: metaphore – bartje, transferim) – është një nga figurat kryesore poetike. Nga këndej është një trop shumë i rëndësishëm dhe përmendet më së shpeshti në analizën e teksteve poetike. Roli i saj është shumë i madh në pasurimin e gjuhës, sepse me anë të metaforave fjalët marrin kuptime dhe nuanca të reja. Kjo figurë, në të vërtetë, është bërë tipar kryesor i poezisë moderne. Ajo e nxit lexuesin të mendojë për atë se ç’do të thotë dhe ç’tregohet me të, pra e nxit lexuesin të zbulojë kuptimin e saj. Veçoria themelore e saj qëndron në kalimin e zakonshëm të një fjale a togfjlëshi në kuptimin figurative të saj, dmth. se ajo përftohet kur një fjalë a togfjalësh përdoret në lidhje të re me kuptim të figurshëm në bazë të ngjashmërisë. Kjo do të thotë se metafora është një fjalë e figurshme  me të cilën emërtojmë një send me një fjalë tjetër, që i ngjan asaj. Shumë teoricienë e përcaktojnë metaforën si krahasim të shkurtuar ose  si krahasim, ku shprehet krahu i dytë i krahasimit. Kështu, në vend që të thuhet: Ai është frikacak si lepuri, thuhet Ai është lepur.Pra, këtu është hequr lidhësja si, duke rënë kështu një nga elemntet e krahasimit, por megjithatë krahasimi ndjehet vetvetiu. Ose në shembullin: Në mesin tonë s’ka lepur, humb krahasimi dhe se me fjalën lepur mendohet për njerëzit me karakter të dobët. Me anë të metaforës autori dëshiron t’i theksojë tiparet e ngjashmërisë ose ndryshimet e sendeve apo të fenomeneve. Për shembull në vargjet:
                                               
Molla t’kuputna nji deget
dy qershija lidhë n’ji rrfanë,
ku fillojnë kufijt e Geget;
rrijnë dy çika me nji nanë.
(Ndre Mjeda, Andrra e jetës)
           
Ndre Mjeda, në vend që të thotë se vajzat ishin të bukura dhe e donin njëra-tjetrën, përdor fjalët molla dhe dy qershija.
            Sendet ose fenomenete ndryshme të jetës mund t’i përngjajnë njëri –tjetrit me anë të veprimeve ose me anë të cilësive, ose pamjes së tyre. Metafora mund të jetë disa llojesh. Ajo mund të jetë metaforë e ndërtuar me emra, mbiemra dhe folje, p.sh. qafë mali, buzë deti, grykë mali, këmbët e tryezës, kryet e vendit, kryet e punës, anija e shkrtëtirës, pranvera e jetës (në këta shembuj është bërë përgjasimi i pjesëve të sendeve të pajetë me pjesët e organizmit të gjallë); lind dielli, bleron pylli, valon deti, era fryn, shpërthyen trëndafilat, u veshën lisat, natyra qesh, qielli vrahet (në këta shembuj përgjasimi është bërë përmes veprimit të foljeve); vullnet të fortë, vullnet të çeliktë, zemër të butë, tabllo e gjallë, rrethanë e trishtuar (përgjasimi i cilësisë së një objekti është trguar me anë të mbiemrave, të cilët tregojnë cilësinë e mendjes, të ndjenjave dhe të gjendjes shpirtërore të njeriut). Metaforën e ndeshim edhe në proverbat popullore: Gardhi ka sy e muri vesh; Dardha e ka bishtin mbrapa; Trimi i mirë me shokë shumë; I hodhi hi syve; I ra në qafë etj.
            Metaforat e krijuara nga populli i përdorin edhe shkrimtarët në veprat e tyre, por ata krijojnë edhe vetë metafora. Andaj në letërsinë artistike ndeshim në shumë shprehje metaforike.
                                               
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërmeti
Trim tribun ‘i vegjëlisë
Dif-Dragoj i Dragobisë.

O bajram, bajrak i gjallë
More nam me gjak në ballë
Te një shpellë e Dragobisë
Yll i rrallë i burrërisë.

Than’u shtri e than’u vra
Po ti s’vdiqe, or Baba
As te shkëmb’i Dragobisë
As te zemëre Djalërisë.
As je vrarë e as po vritesh,
Legjendar Ante po rritesh
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
(Fan Noli, Shpell’e Dragobisë)

            Një lloj metafore kemi kur shpirtëzohen sendet a dukuritë, dmth. kur nga një frymor kalohet te një jofrymor, p.sh. një metaforë të tëllë e ndeshim te vjersha Mërgim të Lasgush Poradecit:

U nis burimi zemërak
Prej shkëmbit të ronitur,
Dhe shkoj i pastër si zëmbak
E dyke pëshpëritur.

Ahere jargavan’i ri
Q’e pa me shpirt të gjorë,
Një degë t’ulur sipër ti
J-a sgjati si një dorë...

Ahere dega që vështroj
Ndaj shkëmbeve si thyet,
E drodhi lulen e rënkoj
Dhe j-a veniti kryet...

Dh’ahere luleja q’u tund,
E ndoqi larg së koti,
Pa që prej degës mun në fund,
Pikoj si pikë loti...-

Ish dora që më përqafon,
Ish kryet e anuar,
Ish lot’i Vashës që pikon
Pas Trimit që pat shkuar.
(Lasgush Poradeci, Trimi, Poezi, Prishtinë, 1968, f.132)
           
Lloj tjetër të metaforës kemi kur kalohet nga një frymor te një frymor tjetër. Llojin e këtillë të metaforës e ndeshim sidomos në fabula, kur kafshët flasin, mendojnë etj. si njerëzit ose anasjelltas, kur njerëzit bëjnë si zogjtë, si kafshët, marrin vetitë e tyre. Këtë lloj metafore e ndeshim në vjershën Shko dallëndyshë të Filip Shirokës.
            Lloj tjetër të metaforës kemi kur nga një jofrymor kalohet te një frymor, dmth. kur bëhet sendëzimi i së gjallës ose i vetive psikologjike. (Ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore – ku fjala të rëndë përgjason me peshën fizike të njeriut dhe lidhet me gjendjen shpirtërore të tij).
            Metonimia (gr. metonimia – meta = pas, përtej dhe onoma – emër, ndërrim, zëvendësim emrash) – është një trop i cili tregon një objekt me anë të një objekti tjetër në bazë të afërsisë dhe jo të ngjashmërisë siç ndodh me metaforën, dmth. metonimia krijohet kur një nocion (objekt) shprehet me një nocion tjetër, i cili ndodhet në lidhje logjike me të parin ose është simbol material i tij, në vend që të merret shprehja e rëndomtë, adekuate: Ai ka flokët e thinjura, ku shprehja flokët e thinjura nuk paraqet vetëm sendin ose dukurinë me të cilën ka të bëjë, por me të kuptohet koncepti i pleqërisë me të cilin është në lidhje logjike (me kuptimin e parë). Kjo do të thotë se në vend të emrit të natyrshëm, përdoret një fjalë tjetër, që ka lidhje të ngushtë me të. Shembuj të metonimisë kemi në këto shprehje: Marsi (perëndi e luftës) themi për luftën; dimri për të ftohtit; djersën për mundin etj. Lidhjet midis këtyre sendeve, Marsit dhe luftës, dimrit dhe të ftohtit, djersës dhe mundit, kanë raport varësie, sepse të ftohtit varet nga dimri, është efekt i dimrit, djersa është efekt i mundit, i lodhjes.
            Meqë raportet midis varësisë së objekteve janë të shumëllojshme, si pasojë e kësaj edhe shumë lloje metonimish.
            Ndër llojet më kryesore të metonimisë numërohen:
-kur përdorim shkakun për pasojën (efektin): Dimri prishi pemët (në vend të themi të ftohtit, si shkak i dimrit, kurse të ftohtit është si pasojë (efekt) e dimrit (dimri – shkak i të ftohtit – që është efekt i tij).
-kur përdorim pasojën (efektin) në vend shkakut: E fitova bukën me djersën e ballit në vend të E fitova bukën e gojës me punë ku djersa – pasojë, efekt i mundit, kurse puna – shkak i djersës.
-kur në vend të veprës përdorim autorin: Lexova Naimin, Shekspirin, në vend të Lexova veprat e Naimit, Shekspirit etj.
-kur përdorim gjënë abstrakte në vendt gjësë konkrete: Virtytin të gjith e duan, kurse vesin e përbuzin (dmth. njeriun e virtytshëm e lëvdojnë të gjithë, kurse njeriun me ves e urrejnë).
-kur konkreten e përdorim në vend të abstraktes: I ka hyrë lepuri në bark (I ka hyrë frika në bark).
-vendin a sendin që përmban diçka në vend të asaj që ndodhet në të: hëngra dy pjata; piva një filxhan.

Perifraza (gr. peri – rreth, fraso – flas) – është një figurë stilistike përmes së cilës paraqitet (thuhet) me shumë fjalë ajo që do të mund të thuhej me një fjalë të vetme, kështu krijohet një metonimi e zgjeruar, që quhet prifrazë. Dmth. në vend që sendet t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë, përdorim një grup fjalësh për të treguar silësitë e atij sendi. P.sh. Fatosi i Krujës (Skënderbeu); Foleja e shqiponjave (Shqipëria); E njoha me shtatë prill: Breshka këmishë-zezë me lëkurë luani dhe pendë këndezi, e njohu dhe ajo (Italia fashiste). Më vonë e njohu edhe huni i motorizuar (nacizmi) (Nonda Bulka, Kënga e shqiponjave); pasardhës hyjnor i Jupiterit (Herakle); zjarret e qiellit (yjet); zalli mëngjesor digjet (dielli) etj. Perifraza e përfocon patetikën dhe retorikën e stilit: prandaj me të drejtë edhe quhet metaforë retorike. Me anë të saj me më shumë fjalë ose fjali përshkruhen konceptet, objektet, cilësitë, veprimet, përjetimet etj.

            Personifikimi (lat. persona – personi, facare dhe facere – bëj, punoj) është një nga figurat më të vjetra, në mos më e vjetra dhe më e përdorura në folklor. Përmes kësaj figure artistike, gjërave, sendeve abstrakte, kafshëve e bimëve u jepen cilësi njerëzish. Dmth. me anë të personifikimit shpirtëzohen gjërat e pashpirtë, sendet e pajetë, duke i bërë ao të mendojnë, të veprojnë e të kuptojnë si njerëz. Në entuziazmin dhe në përjetimin e tij të natyrës njeriu mendon se edhe sendet ndjejnë, se edhe ato kanë shpirt dhe kështu i personifikon duke treguar veçori të cilat u përkasin njerëzve. Personifikime mjaft të goditura gjejmë si në folklor, ashtu edhe në letërsinë artistike.
                                               
Tridhjet’e nëntë mos ardhtë kurrë
që na rrëzove flamurë!
“Ç’ke, oflamur, që s’valon?
“Jam sëmurë, po rënkoj,
jam goditur bri’më brinjë,
që kur sollën Italinë.
(Këngë popullore)
           
Në këngët popullore këngëtari popullor i shpreh ndjenjat e veta fuqishëm me anë të personifikimeve, sepse natyrës së qetë, kafshëve dhe trupave qiellorë u ka dhënë fuqinë e të folurit, vetëdijen dhe vullnetin për të kryer (bërë) veprime njerëzore dhe t’i ndjejnë gëzimet dhe vuajtjet njerëzore. Në këtë mënyrë fiton bukurinë e vet dhe bëhet gjithëpërfshirës në zhvillimin e figurave poetike. Personifikime mjaft të qëlluara gjejmë edhe në ciklin e Veriut, në këngët e vjetra legjendare, në këngët e LANÇ-së etj. Kështu p.sh. në rapsodinë Martesa e Halilit, dhitë, hëna, zogu etj. marrin pjesë aktive në veprimet e Halilit dhe e ndihmojnë atë.  Kjo figurë mjaft dendur ndeshet edhe te poetët e Rilindjes dhe të Pavarësisë, si te Naimi, De Rada, Çajupi, Noli, Mjeda, Migjeni dhe te poezitë e poemat e Ll. Siliqit, D. Agollit, I. Kadaresë, F. Arapit etj.
Lulet të dinin,
mike, sa të dua,
këtu do të vinin
të qajnë me mua.

zoqtë të dëgjonin,
do t’më rrinin pranë
dhe do të këndonin
të harroj sevdanë.
(Çajupi, Dashuria D1, f. 45, Vepra, Beograd, 1963)

Nata shkon kaluar mbi kurriz të maleve
(Fatos Arapi, Alarme të përgjakura)

“...Fshiu lot dhe më tha Tomorri:
O shqiptarët e gjorë
Dëgjoni Baba Tomorrë...”
(Çajupi, Baba Tomorri)

            Në këtë poezi kemi personifikimin e natyrës, gjegjësisht malin e Tomorrit që flet sikur të ishte i gjallë.
            Mbi pesonifikimin jan bazuar përrallat popullore mbi kafshët, në të cilat kafshët, zogjtë, peshqit, përfytyrohen si qenie të ndërgjegjshme. Ato flasin me njëra-tjetrën, merren vesh, shfaqin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Kështu p.sh. në fabulën Të dy qetë dhe ujku të Naim Frashërit, ujku, pasi vërejti se të dy qetë ishin bashkuar (lidhur) mesveti për ta lufuar atë, i thotë në një anë njërit ka:
...Ty fort të dua,
Se t’ët atë e kish mik,
Ti pse më bije? Po shko mblidh mënt,
Pse tregohesh i lik?
Ty s’të ngas, Zoti, a, mos e dhëntë!
(Çajupi, Të dy qetë dhe ujku(fragment)
           
            Propopeja (gr. prósōpon – person + poiéō – bëj) është një lloj personifikimi në të cilin poetët sendet e pajetë i paraqesin si të gjalla:

U ngrit fat’i Shqipërisë,
si vdekuri nga varri,
mori udhën’e Azisë,
duke ikur si marri.
(Naim Frashëri, Histori e Skënderbeut, k.V, f.111, Poezi,)


Satira (lat. satira – e ndryshme, përzierje) – në kuptimin e ngushtë quhet vjersha me karakter demaskues. Format e para të satirës janë epigramet dhe epitafet, por atë e hasim në lirikë, në epikë dhe në dramë. Satira kanë shkruar poetët e mëdhenj romakë Horaci dhe Juvenali. Në kuptimin më të gjërë këto janë vepra letrare të gjinive të ndryshme (roman, tregim, pjesë teatrore) në të cilat kritikohen ashpër dhe përqeshen fenomenet e dëmshme të jetës shoqërore dhe personale; janë të njohur veprat satirike të shkrimtari francez Fransua Rable (shek.XVI), të shkrimtarit anglez Xhonatan Suift (shek. XVIII), pastaj të Bajronit, Pushkinit, Gogolit, Dantes, Servantesit, Konicës, Fishtës, Çajupit, Gramenos, Sh. Musarajt etj.


Simboli (gr. symbolon – shenjë, shenjë konvencionale njohëse te grekët e vjetër për anëtarët e organizatave të fshehta) – është një ndër figurat më të ndërlikuara të përfytyrimit. Përmes tij bëjmë zëvendësimin e ndonjë fjale, dukurie jetësore me shenjën e saj kushtëzuese alegorike. Në stilin artistik, më së shumti në poezi, dukuri të ndryshme në natyrë, lulet, bimët dhe shkëmbinjtë, shumë herë edhe kafshët, merren si shenja të përhershme, si figura ose përfaqësues të ideve, ndjenjave dhe koncepteve të ndryshme. Kështu, p.sh.  simbol i fatkeqësisë është korbi, i dinakërisë – dhelpra, i marrëzisë – gomari, i trimërisë – petriti, i pikëllimit – kukumjaka etj. Pra, me anë të simbolit paraqesim një ide konkrete, një mendim a një dukuri, p.sh. agimi, mëngjesi, janë simbole të rinisë, të fillimit të jetës, nata është simbol i vdekjes, i fundit të jetës; bora – simbol i të ftohtit, i ndjenjës së ftohtë etj. Shumë fjalë nga jeta, nga historia, kultura e sidomos nga krijimtaria folklorike kanë marrë kuptim simbolik. Kështu, në poezinë popullore thëllëza e lulja simbolizojnë vashën, bilbili djalin e dashuruar, kali Trojës nga historia simbolizon tradhëtinë (“Kali i Trojësi Ismail Kadaresë), qiriri i Naim Frashërit simbolizon poetin që shkrin gjithçka për të ndriçuar popullin. Krijime simbolike të bukura janë Vaji i bylbylit i Ndre Mjedës, vjershat Fyelli, Fjalët e qiririt të Naim Frashërit, Prishtina e Llazër Siliqit,  Shqiponjat fluturojnë lartë e Iasmail Kadaresë, Vdekja e Nositit dhe Gjeniu i anijes të Lasgush Poradecit etj.  
            Disa teoricienë mendojnë se simbolin nuk duhet numëruar në figura, sepse ai nuk dallon nga metafora. Në gjuhën greke fjala simbol do të thotë shenjë, kurse në të shprehurit poetik ndjenjat kryesisht shprehen me figura, dmth. përmes shenjave, simboleve, e këtë veçori e ka pikërisht dhe metafora. Për këtë arsye, sipas mendimit të këtyre teoricienëve, simbolin duhet veçuar nga kategoria e figurave e të lidhet me poezinë e një drejtimi të caktuar – me poezinë e simbolizmit, por edhe më tej – me simbolizmin si lëvizje. Megjithatë, simbolizmi si drejtim në letërsi, e sidomos në poezi, veç veëorive të veta stilistike dhe synimit që me anë të toneve akustike dhe muzikore të shprehen motivet dhe ndjenjat poetike, para së gjithash do të thotë qëndrim ndaj natyrës dhe jetës, një dispunim shprehës të jashtëzakonshëm dhe bindjes se çdo gjë në natyrë u nënshtrohet ndryshimeve të përhershme, kalbjes dhe vdekjes; kurse ndjenjat dhe pikëpamjet e tilla nuk duhet të jenë dhe  nuk shprehen me anë të simboleve si figura stilistike, por shumë herë tregohen me shprehje direkte dhe përshkrimet e koncepteve reale. Prandaj simboli si figurë duhet veçuar nga simbolizmi si drejtim dhe si lëvizje letrare.
            Si figurë, simboli ka lidhje të drejtpërdrejtë me krahasimin dhe shpesh në një simbol gjenden përherë edhe figura të tjera. Simbol quhet edhe figura artistike që personifikon tiparet karakteristike të një fenomeni, p.sh. Harpagoni është simbol i koprracisë, Tartufi simbol i hipokrizisë etj.
            Simbolin e ndeshim shpesh edhe në poezinë popullore, sidomos në këngët e dashurië e të dasmës.  Kështu kemi poezi popullore në të cilat thëllënza simbolizon vajzën në të cilën flitet vetëm për thëllënzën dhe ambientin ku gjendet ajo, duke nënkuptuar këtu vajzën me tërë bukurinë dhe ambientin ku ndodhet ajo.

            Sinekdoka ( gr. synekdoke – nga syn – bashkë dhe ekdehomai – kuptoj, marr vesh) – është një lloj i veçantë i metonimisë Sinekdoka krijohet krijohet kur përdorim një fjalë për të shfaqur një ide më të gjërë ose më të ngushtë se ideja që duam ta shfaqim, kur përdorim numrin njëjës në vend të numrit shumës, të tërën në vend të pjesës, pjesën në vend të tërës, gjininë në vend të llojit ose lëndën prej së cilës përbëhet sendi në vend të sendit vetë: kryet në vend të njeriu, mbrojtje në vend të mbrojtësit; Migjenët në vend të poetë si Migjeni, Shqiptari kurdoherë me gjak e ka mbrojtur lirinë në vend të Shqiptarët...Bota u çudit me punët...në vend të njerëzimi..., sivjet patëm të korra të mira në vend të gjatë stinës së verës etj. Sa më pa i qeshi fytyra – u gëzua; gjëja e gjallë – lopët, delet etj. rregulloi qelqurinat – enët prej qelqi etj.
                                               
Shqipërinë e mori turku
i vu zjarr,
shqipëtar, mos rri po duku,
shqipëtar.
(Çajupi)

                                               
Figurat e diksionit – janë figura të cilat fjalës i japin efekt tingëllor. Me anë të këtyre figurave shprehja gjuhësore fiton në intensitet, duke e pasuruar përmbajtjen kuptimore dhe domethënien emocionale të saj (shprehjes gjuhësore). Përmes këtyre figurave fjalëve u jepen dimensione të reja në raport ndaj fjalëve të mëparshme ose të atyre që vijnë pas. Figurat e diksionit ia japin muzikalitetin vjershës dhe sa më të pasura të jenë ato, aq më i pasur do të jetë edhe muzikaliteti i vjershës. Në figurat e diksionit bëjnë pjesë: asonanca, aliteracioni, onomatopeja, anafora, epifora, anadiploza, simploka.
           

            Aliteracioni (lat. littera – shkronjë, germë) – është përsëritje e bashkëtingëlloreve të njëjta ose e togjeve të tingujve, ose përsëritje e bashkëtingëlloreve të njëjta ose e rrokjeve të njëjta në fillim të më shumë fjalëve, sidomos në vargje, të cilat i japin forcë shprehëse ligjëratës artistike.
                                               
Vendi dridhej, ay mbeti,
Se s’tronditej nga tërmeti,
Dif-dragoi i Dragobisë,
Trim tribun i vegjëlisë.
(F. Noli, Shpell’e Dragobisë)


            Anadiploza (gr. anadiplóō – dyfishoj) – është figurë e përsëritjes ku përsëriten fjalët  e fundit të një vargu në fillim të vargut vijues.
                                               
Po kjo gjamë qi ban natura
Kjo duhi qi s’ka pushim
E kësaj zemre a pasqyra
A pasqyra e vajit tim
(Ndre Mjeda, I tretuni)

gjallë prej kulls pashën s’e lamë
s’e lamë pashën kurrë për t’gjallë
(Këngë popullore, Priti djemtë e Mimleqetit)

Ku i ka çadrat, ku i ka t’part,
m’ka çue mreti me ja çartë;
me ja çartë, m’ka çue dovleti,
don me kanë shah ner veti;
shah ner veti don me kanë,
kurrgja mretit mos me i dhanë,
as redifë, as nizamë!- (redif,ushtar rezervist )                

(Këngë popullore, Shumë asqer po qet pamporri)

Seç e hodhi lumin,
lumin për matanë...

Ç’e kërkova urën,
urën nuk e gjeta...
Ç’e kërkova trarin
trarin përmbi lumë...
 (Dritëro Agolli, Nat’e errët)
                                   
            Anafora (gr. anaphero – përsëris) – një nga figurat e përsëritjes, ku në fillim të vargut përsëriten fjalët e njëjta.

... drejt qytetit
ku unë jetoj,
ku unë ngre mur,
ku unë shtroj
rrugën me asfalt,
ku unë vargje thur,
ku unë shkoj në teatër,
ku unë ngre flamur...
(Drtëro Agolli, Hapat e mia në asfalt)

            Asonanca (lat. assonare – bashkëtingëlloj) – krijohet me përsëritjen e një ose disa zanoreve të njëjta brenda një vargu a strofe, për t’u arritur pëlqim tingëllor ose efekt zanor. E ndeshim mjaft në poezi dhe shërben si mjet për arritjen e të ashtuquajturës eufoni (gr. eufonia – zë i këndshëm).
                                               
O i zhgryer, i zhyer, i vyer për hu
(Fan Noli, Marshi i Barabajt)

            Asonanca është një lloj rime, por jo e plotë, sepse në rimë të dyja klauzolat janë të njëjta si në bashkëtingëllore, ashtu edhe në zanore, kurse te asonanca janë të njëjta vetëm zanoret, kurse bashkëtingëlloret ndyshojnë.
                                               
Fryni era u çil taraba,
n’kambë Halil, se Abdyl aga,
me trqind sejmenë përmbrapa
t’tanë n’opanga e pa çorapa.
(Këngë popullore)

Kush t’ma gjejn vorrin e tij,
un ja nap kullë e shpi,
ja nap dhent me gjith dhi.
(Në fushë t’Kosovës a lidhë jezeri, Këngë popullore)

Dalip bej, mre i biri bushtrës,
ta fus shpirtin n’grykë të pushkës.
(Dil aty ku derdhet gjaku, Këngë popullore)

            Epifora (epiphero – shtesë) – është figurë e përsëritjes, ku në fund të vargut përsëritet fjala, ose një pjesë e fjalisë. Është e kundërta e anaforës. Përdorimi i saj i jep forcë të madhe shprehjes dhe e shton forcën emocionale të saj.

Në pazar thirri tallalli,
në kafe u mblodh taborri,
në kafe u mblodhe taborri
ç’po lufton Rexhep sokoli!
..........................................
Mos kjaj, nanë, e mos kjaj, grue,
në Gyrçar jami rrethue;
në Gyrçar jemi rrethue
shtatë sahat kemi luftue;
(Këngë popullore, Luftë po ban Rexhep trim)

            Onomatopeja (gr. onoma – emër dhe poiemo – bëj, krijoj) – është një figurë përmes së cilës  imitohen zhurma të caktuara në natyrë, zëra kafshësh ose zëra që na kujtojnë ndonjë send. Imitimi i zërave mund të bëhet në dy mënyrë: në mënyrë të artikuluar dhe të paartikuluar. Kështu, kur i përdorim shprehjet bam, fiu, miau, kërc etj, pak a shumë kemi të bëjmë me fjalë të paartikuluara, sepse janë krijuar me imitimin e fjalëpërfjalshëm të natyrës, kurse fjalët shushuris, bubulloj, kakaris etj. tregojnë se këto i ka krijuar njeriu dhe i ka përpunuar në bazë të asaj që ka mundur të dëgjojë në natyrë, por magjithatë i ka ndarë nga imitimi total me atë se ka përdorur zëra të artikuluar, të përcjellë, të përpunuar me intelektin dhe emocionin e tij. Mjaft onomatope ndeshim në poezinë Korbi të Edgar Alan Poes, të shkaktuara prej tingullit sh që japin fëshfëritjen e perdeve prej mëndafshi: Era frynte që përjashta, rrihte perdet e mëndafshta etj.


            Simploka (gr. symploke – thur, gërshetoj, mpleks) – është figurë e përsëritjes ku kemi përsëritjen në fillim dhe në fund të vargut, pra, simploka është bashkim i anaforës dhe i epifoës.
                                               
Dibër e male renda-renda,
gjithë me houta e me openga,
gjithë me houta e me openga,
Menduh Pashës i hinë mbrenda.
..................................................
Bajër Merkja e Sheh Zërqani
janë mbledhë ke Mane Cami;
janë mbledhë ke Mane Cami,
përpara u del Shaqir arsllani.
(Këngë popullore, Na me mretin pushkë le t’bojmë)

Sesi ndritesh përsëri!
Sesi ndizesh përsëri!
Sesi djek me dashuri,
Posi yll margaritari!...
(Lasgush Poradeci, Vallja e yjve).

           


Figurat e ndërtimit (sintaksës) – përfshijnë në vete ato figura që krijohen nga rendi i fjalëve në fjali, ku kemi shmangie nga renditja e zakonshme e fjalëve në fjali, duke çrregulluar sistemin e natyrshëm të tyre, të cilat nuk përkojnë me rendin logjik e gramatikor të tyre. Në këtë grup të fjalëve bëjnë pjesë: anasjella, asindeti, elipsi, pyetja retorike, polisindeti,
shkallëzimi.

            Anasjella (gr. inversio – të vendosurit gjetkë) – është figurë në të cilën mund të ndërrojmë vendin e zakonshëm të gjymtyrëve në fjali, të cilën poeti e bën për qëllime shprehëse dhe për nevoja të vargut, duke shkelur kështu rregullin e zakonshëm të fjalëve: Vaj e mjerime qet kjo tokë e jona në vend të kjo tokë e jona qet vaj e mjerime ose
                                               
...luftojnë rrebtas: nën breshën plumbit
që karajfilat lëshojnë e breshanat
turren, o Shqype, si rrjedha e lumit,
trimat si zanat
në vend të:
Luftojnë rrebtas: o shqype, trimat si zanat
turren si rrjedha e lumit
nën breshën plumbi
që lëshojnë karajfilat e breshanat.
(Ismail Kadare)

            Asindeti (gr. asyndeton – pa ndërlidhje, syndein – bashkoj, lidh) – është mënyrë e shprehjes poetike që ndërtohet pa përdorur lidhëzat midis fjalëve dhe fjalive. Mungesa e tyre u jep fjalëve dinamizëm, gjallëri dhe intonacion të shpejtë.
                                               
Ku e lamë e ku na mbeti
vaj vatani e mjer’milati,
anës detit (por) i palarë,
anës dritës (por) i paparë,
pranë sofrës (por) i pangranë,
pranë dijes (por) i panxanë,
lakuriq dhe i dregosur
trup e shpirt i sakatosur?
(Fan Noli, Anës lumenjve)

Nëpër skaje t’errta, bashkë me qiejë, mijë, mica
Mbi pecat e mykta, të qelbëta, të ndyta, të lagta
(Migjeni, Poema e mjerimit)

            Elipsi (gr. elleipsis – mungesë, lëshim) – është figurë stilistike me anë të së cilës shkrimtari heq një ose më shumë fjalë, ashtu që domethënia e tërësisë mund të kuptohet. Elipsi përdoret jo vetëm në letërsinë artistike, por edhe në gjuhën e përditshme. Zakonisht elipsi përdoret në rastet kur njeriu është i shqetësuar, duke lënë kështu jashtë përdorimit fjalët e parëndësishme.

Labëria
hakërrim i rreptë i maleve
përqark,
Shkëmbinj shumë, shumë
tokë – fare pak.
(Fatos Arapi)
Kafaz ka qiellin
epshin – pengim.
(Ndre Mjeda)
Krahët e zez’të nji të pafund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi – askund,
vetëm errësirrë e skam.
(Migjeni, Lagja e varfun)

            Pyetja retorike (gr. rhetor – orator) – përdoret në veprat artistike dhe në ligjëratat oratorike, jo vetëm për të pritur ndonjë përgjigje, por t’i dhënë fjalisë forcë e intonacion të ngritur.

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara nesh,
e ata trima sqimtarë
të shpejtë e si rrufe?
(Pjetër Budi)

            Pyetja e shtruar nënkuptohet vetvetiu, sepse ata pleq nuk janë më.
                                   
Opopo!kshu pse më vini përpara syve pa pa pushim,
O ditët e djalërisë, o moj kohëz e të rit tim?
(Naim Frashëri)

Ku e latë ndoren, more diell?
ku e ke ndoren, mori zanë?
po e kjo a besa, qi mpatë dhanë?
(Rapsodia, Martesa e Halilit)

            Pyetja retorike është figurë familjare e ligjëruesve (oratorëve). Shembuj të tillë kemi mjaft nga letërsia jonë. Kështu, p.sh. Ndre Mjeda në vjershën I tretuni drejtohet me këto pyetje që vjen nga vendi i tij:
                                               
Ah!m’kallxo të vërtetën
A len dielli edhe m’atë anë?
A xixëllojnë, si para, m’t’shkretin
Shqyptari e hyj e hanë?
A lulzojnë ma lule t’ershme
Mal, fushë si m’kohë
t’at-herhme?
           
Ndodh shpeshherë që vetë shkrimtari, poeti, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje retorike me një përgjigje prapë retorike. Me këtë rast figura quhet subjeksion.

            Polisindeti (gr. polysyndeton – shumëlidhëza) – është figurë e kundërt me asindetin: formohet duke shtuar numrin e lidhëzave, të cilat nga ana gramatikore nuk janë të nevojshme, por fjalët i bën të spikasin, ngadalëson intonacionin dhe shton forcën shprehëse të fjalës poetike.
                                               
O stërnip i Kainit, tepdil si bari,
ti na shtyp e na shtrydh, e ti gjakun na e pi,
ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
o kukudh e lubi: Hosana, Baraba!
(Fan Noli, Marshi i Barabait)

Po vjen sulmon dragoj shqiptar
Si lajm i Zotit çpërblimtar
E bën urgji për Shqipëri
E dridhet tok’e det – e ti:
Ti gjakatar;...
(Lasgush Poradeci, E fundit mërzitje)

Duart e tua që u rëgjuan nga puna
Dhe gishtërinjtë që zunë kallon nga këmbët e dyfekëve
Dhe supet që u varën nga xhokja e nga puna,
Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve...
(Dritëro Agolli, Nënë Shqipëri)


            Shkallëzimi (gradacioni, nga lat. gradatio – gradualisht, shkallëzim) – është figurë stilistike sipas së cilës shkrimtari i rendit fjalët sipas shkallëzimit të caktuar (ngjitës apo zbritës), duke filluar nga fjala më e fortë e drejt më të butës, ose duke shkuar gradualisht nga fjala e butë drejtt më të fortës.
Thueja kangës, rini, pash syt’e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxiti me dshnu
(Migjeni, Kanga e rinisë)

Çuka, kodra, brigje, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar
(Naim Frashëri, Bagëti e bujqësia)

O rrëmet’i njerëzisë,
Zër’i fyellit s’ësht’erë
Ky është zjarr’i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!

I ra qiellit e ndriti,
I ra zemrës, e nxehu,
I ra verës, e buçit
I ra shpirtit dhe e dehu.

I dha erë trëndafilit,
I dha dritë bukurisë,
I dha këngët bilbilitë,
I dha shije gjithësisë.
(Naim Frashëri, Fyelli)

Figurat e mendimit – përveç figurave të fjalëve dhe tropeve, retoristët e vjetër flasin edhe për figurat e mendimit, të cilat lidhen me kuptimin me atë që është thënë me to. Në këtë grup të figurave hyjnë: antiteza, hiperbola, krahasimi, litota, oksimoroni, paradoksi.

            Antiteza (anthisesis – kundërvënie, anti – kundër dhe thesis – vendosje) – është figurë stilistike përmes së cilës vihen përballë njëra-tjetrës dy fjalë a dy mendime të kundërta të një personazhi për të vënë në dukje tiparet dalluese të tyre.

Atje nisi, atje mbaroi,
atje krisi, atje pushoi
(Fan Noli, Shpell’ e Dragobisë)

Bylbyl, ky shekull orë e çast ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet.
(Ndre Mjeda)

Nëno, moj, mbaj zi për vllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
na i thanë tradhëtor.

Se të desht dhe s’të deshnin,
se të qante kur të qeshnin,
se të veshte kur të zhveshnin,
nëno, moj, të ra dëshmor.
(Fan Noli, Syrgjin vdekur)
           
Përdorimi i antitezës e bën mendimin, idenë e shkrimtarit më shprehëse dhe më të fuqishme, duke vënë përballë njëri-tjetrit mendimet kundërthënëse. Nga aspekti gjuhësor ajo, antiteza, mbështetet në antonimet. Mjeshtër antitezash ka qenë Fan Noli. Por atë e ndeshim mjaft shpesh edhe në letërsinë e sotme. Në disa vepra letrare këtë e ndeshim edhe në kundërvënien e dy personazheve kryesore të një vepre letrare. Kështu, p.sh. kemi kundërvënien e Skënderbeut Sulltanit në veprën e Naim Frashërit “Histori e Skënderbeut”, ose te Otelloja me Jagon në tragjedinë “Otello” të Shekspirit etj.
           
            Hiperbola (gr. hypérbole – teprim, stërsmadhim) – është figurë e teprimit e cila zgjedh fjalë të fuqishme në zmadhimin në përmasa jonormale. Përmes saj jepen tiparet e një sendi jashtë mase me qëllim që të godasë më mirë dukuritë që i paraqet. Hiperbolën e ndeshim dendur në eposin tonë dhe në këngët e kreshnikëve, por edhe në letërsinë e shkruar. Ajo në shkrimet humoristike gjendet në kufi të groteskut.
                                               
Përmi kryet topuzi i ka fjurue:
dymbëdhetë pash n’lëndinë u ngul topuzi!
dymbëdhetë pash përpjetë si re u çue pluhni!
(Kënga popullore, Gjergj Elez Alia)

            Krahasimi (lat. comparatio – krahasim) – krijohet me krahasimin e ndonjë sendi, personi ose ngjarjeje me konceptet, të cilat janë të afërt dhe të njohur. Është një nga tropet më të thjeshta. Atë e hasim shpesh edhe në gjuhën e përditshme. Edhe nga ana e ndërtimit është trop shumë i thjeshtë: ai përbëhet prej tri elementesh: sendi i cili krahasohet, sendi me të cilin krahasohet dhe lidhësja (kopula) si, sikurse, ashtu si, posi, me të cilat lidhen të dy sendet. Nga këto dy pjesë, pjesa e dytë është e figurshme, sepse ngjashmëria nuk qëndron në anët thelbësore, por në anën që bie në sy dhe që tërheq si përfytyrim, si imazh: në krahasimin E ka syrin si ulli, kokrra e ullirit merret figurativisht si përfaqësuese e ngjyrës së zezë të ndritshme e të bukur. Krahasimet përdoren dendur edhe në ligjërimin bisedor. Krahasime mjaft të goditura dhe me vlerë të madhe artistike, përdoren dendur edhe në këngët popullore së bashku me figurat e tjera artistike.
                                               
Hunda si qiri
Goja si kuti
Buza si qershi
Vetullat si gajtan etj.
(Këngë popullore)
           
Në vargjet e sipërme këngëtari anonim përmes krahasimeve përshkruan tiparet kryesore të një vajze të bukur.
            Edhe pse krahasimi si trop haset si në prozë dhe në poezi, si në një vepër epike, ashtu edhe në një vepër lirike, ai, varësisht nga gjinia, merr trajta të vçanta gjatë përdorimit të tij. Në një poezi lirike ku poeti shpreh ndjenjat e veta, krahasimet janë më të shkurtër, më ekspresivë (shprehës) dhe më emocionalë.
                                               
Bukuria jote, leshrat e tua
posi pëndë korbi, të gjata mi thua,
ballët si diell, faqet si mollë,
qafa jot’e gjatë, mesi yt i hollë,             
sisët si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,
buzët si burbuqe, sytë si gështenjë...
(Çajupi, Bukuria)

            Litota (gr. litotes – zbutje, zvogëlim, pakësim) – është figurë e kundërt me hiperbolën. Përmes saj synohet të jepet në formë të zvogëluar shprehja e vërtetë, duke e zbutur atë: Nuk është keq – është mirë; ai s’është budalla – është i mendçur; s’ke vepruar mirë – ke bërë keq etj.
                                               
E dini si kam luftuar
për Sulltan e për Turqinë
dhe qysh ai më ka shuar
vllezërit’e shtëpinë!
vllezërit’e shtëpinë!
s’janë punëra të lehta

këto që janë punuar
dhe nuk rinë të fshehta
as janë për të harruar.
(Naim Frashëri, Histori e Skënderbeut)

No comments:

Post a Comment