7/8/12

RRYMAT LETRARE AVANGARDE TË SHEKULLIT XX


            


Në dhjetëvjetshat e parë të shekullit XX në vendet e ndryshme evropiane lindën dhe u zhvilluan rryma letrare që u quajtën rryma letrare avangarde (fr.avant-garde - pararojë, term nga zhargoni ushtarak). Këto rryma lindën si reagim estetik i rrymave paraprake letrare duke kërkuar mënyra të tjera të shprehjes letrare. Avangarda formohet rreth vitit 1910. Ndonëse këto rryma janë të ndryshme dhe me programe të ndryshme, megjithatë ato janë unike për nga veçoritë e zhvillimit dhe të strukturës së tyre, varësisht nga kushtet shoqërore dhe politike si dhe traditës letrare dhe vendeve në të cilat lindën dhe u zhvilluan. Sipas studiuesit kroat, Aleksandër Flaker, avangardën si nocion dhe formacion letrar e karakterizon “uniteti i të kundërtave”, kurse artin avangard ky autor e sheh si një shesh ku ndeshen rregulli me aventurën, individualja me kolektiven, racionalja me iracionalen (cituar sipas Agim Vincës te vepra “Kurs i teorive letrare”, Shtëpia botuese Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 210). Ndërkaq sipas studiuesit tonë të njohur Agim Vincës, arti avangard i ngjan një arene ku takohen: racionaliteti dhe iracionalitetin, glorifikimi i teknicizmit dhe kthimi kah primitivizmi, individualizmi i tepruar dhe gatishmëria për t’iu nënshtruar kolektivit, hermetizmi dhe krijimi i një gjuhe për masat, me një fjalë ai është një sintezë e vërtetë e të kundërtave.
           Rrymat letrare avangarde që janë shfaqur para dhe pas Luftës së Parë Botërore janë: futurizmi (në Itali dhe Rusi), ekspresionizmi (në Gjermani dhe në Austri) dadaizmi (në Zvicër), surrealizmi ( në Francë) dhe letërsia sociale (në Rusi dhe në shtetet e Evropës së mesme). Disa nga këto lëvizje shumë shpejt do të ngriten në lëvizje artistike botërore (surrealizmi francez), disa do të mbeten këvizje të ngushta nacionale (futurizmi në Itali dhe dadaizmi në Zvicër), kurse disa do të humbin cilësitë primare estetike (bashkimi i futurizmit dhe fashizmit në Itali dhe i dadaizmit me anarkizmin në Zvicër). Ajo që është e përbashkët e këtyre lëvizjeve janë shkaqet e lindjes së tyre: së pari, gjendja depresive e para dhe e pas luftës, në disa nga këto vende ku janë shfaqur këto lëvizje paralajmëronte trishtimin dhe parandjenjën e artistëve mbi gërmadhat e botës së atëhershme (Lufta e Parë Botërore, Revolucioni i Tetorit në Rusi, luftërat ballkanike, shfaqja e fashizmit), së dyti, pakënaqësia e artistëve me të arriturat e deritashme në krijimin e veprës letrare dhe dëshira e tyre për thyerjen e normave të qëndrueshme estetike (së paku për një kohë), dhe disa përkufizime në zbatimin e veprimeve (qasjeve), metodave dhe mjeteve në krijimin e veprave letrare dhe, së treti, zbulimet e ndryshme shkencore në fushën e psikanalizës të Zigmund Frojdit, Gustav Jungut dhe Xhon Votsonit, të cilët në atë kohë kanë qenë senzacion i dorës së parë.
            

No comments:

Post a Comment