Socializëm për çdo ditë, tani edhe ekspozitë






Socializmi i viteve '70-'80, jeta, puna, arsimi, ëndrrat dhe dëshirat treguar nga rrobaqepës, punëtorë, sportistë, por edhe gazetarë, artistë, politikanë. "Diktatura e Përditshme", ekspozita e ngritur nga gjimnazistët duke lexuar në të shkuarën

Burimi: Shekulli


Objektet personale, fotografitë, përvojat dhe kujtimet në letër, janë dëshmi të jetës në socializëm në vitet '70-'80. Janë lënda që një grup nxënësish kanë mbledhur nga njerëz të afërm, familjarë, artistë, publicistë, gazetare, politikanë. I prezantojnë deri më 3 mars në ekspozitën "Diktatura e përditshme", Qendra "Ten". Njerëzit flasin për jetën, punën, ëndrrat në Shqipërinë e begatë të rrethuar e të izoluar prej Perëndimit. Përmes dëshmive personale vizitori i ri kupton çfarë ndodhte asokohe në jetën e përditshme, në fronte pune, art, kulturë dhe sporte. Në bazë të konceptit dhe organizimit nga Magdalena Saiger, punuan: Mikaela Avdia, Migena Hajdaraj, Ornald Hajdari, Klaudia Hasanllari, Fiona Kopali, Romina Limanaqi, Entjolla Kullolli, Xhesi Matraku, nxënës të gjermanishtes në shkollën e mesme "Asim Vokshi" në Tiranë. Projekti u mbushtet nga Fondacioni "Robert Bosch", Ambasada Gjermane në Tiranë, Instituti "Goethe" dhe fondacioni "Konrad Adenauer"
Nuk janë sende
Objektet sjellin të gjallë kohën, prandaj nuk janë thjesht sende. Radioja Stern Sonnerberg, është prurë në ekspozitë nga organizatorja gjermane Magdalena Saiger, e cila ia ka huajtur të zonjës shqiptarë së shtëpisë së saj në Tiranë. Një paketë duhani "Shqipëria", një komplet qelqurinash dhe enësh të Artistikes "Migjeni" ku syri të kap një kupë me karamele "Zana", një anije lodër e bllokuar në një shishe qelqi të taposur, një kornizë ku është "balsamosur" një zog artificial i ngrirë mbi degën e një peme. Janë zbukurime dhe objekte që mbanin të gjitha familjet shqiptare në vitet 1970-'80. I njëjti dekor për të njëjtin tip mobilimi dhe arredimi të shtëpive. Ashtu siç nuk kishte biblioteka pa vepra, albume, fotografi të diktatorit shqiptar. Gjimnazistët kanë zgjedhur "Shënime për Kinën 1962-1972" (Tiranë, 1979), "Gjithmonë Vigjilencë" (Tiranë 1986) të shkruara nga Udhëheqësi Hoxha, pjesë e "Ditarit Politik". Kanë futur në ekspozitë libra të ndaluar, një Kanun shqip dhe një në gjuhën arabe. Në Bibliotekën e "njeriut socialist" janë 6 numra të revistës "Shqiptarja e re" e themeluar më 1976. Në një shfletim të shpejtë bien në sy: "Problemet e Brigatës bëhen probleme të familjes", "Do ta ushqejmë tokën siç ushqejmë fëmijët tanë", "Gruaja përmetare merr pjesë aktive në Bujqësi" apo artikuj nga bota ku njerëzit "luftojnë kundër shfrytëzimit të egër dhe për të drejtat e tyre". Nëse je në këtë kënd të ekspozitës, ndesh një rrëfim të çiltër dhe të sinqertë nga sekretarja, Neta A. Rrëfimin e saj nxënësit e kanë titulluar "Shija e të panjohurës". Ja si tregon Neta për bananen: "Ishte diçka e panjohur, diçka shumë abstrakte. Dihej që ishte diçka e ngrënshme - por mënyra sesi duhej të konsumohej ishte një enigmë. Dhe kur është momenti për ta ngrënë bananen? Ishte diçka aq e vlefshme saqë e mbanim për një kohë të gjatë dhe e ruanim për një rast të veçantë. Por çudia më e madhe ishte ndërrimi i ngjyrës së bananes. I ngjashëm ishte edhe rasti me kivin, për mungesë informacioni, kivi konsumohej me gjithë lëkurë".
Arsimi, kultura, ëndrrat
Arsimi, puna në fabrikë e hidrocentral, heronjtë e punës. Në fund pak kënaqësi që njerëzit e gjejnë te sporti, muzika, arti. Në fotografitë nga jeta shkollore vajzat janë të veshura me grykëse të bardha, djemtë me pulovra të gjera dhe pantallona terital. Ndonjërit sikur i pëlqen të dalë pak nga turma, duke i lënë flokët më të gjata, me balluke, alla "Beatles". Tregon gazetari Pandeli Cani: "Sapo shkelnim në oborrin e shkollës mbrapa derës qëndronin roje që kontrollonin nëse flokët ishin mjaftueshmërisht të shkurtër apo nëse nuk kishim veshur rroba që vinin nga perëndimi. Pantallona kaubojsi dhe "shfaqje të huaja" duheshin luftuar". Në revistën "Shqiptarja e re" shihet moda e diktuar, punime me puplinë, mëndafsh, terital dhe skotland. Po në punë kush i meritonte trofetë, ato stema të rënda ku është gdhendur figura e njeriut socialist me kazmë në krahë dhe yll në ballë? Shpend Hajdari është një punëtor i dalluar. Medaljet i rëndojnë në xhaketën e vjetruar, por prapë ka një fytyrë të ngrysur e të vuajtur. "Por, gradat nuk të mbushnin barkun" thotë Elfan Matraku, rrobaqepëse. Në këtë klimë të zymtë kishte nga ata që nuk ishin lodhur, luftonin dhe vidhnin pak liri, gjenin një mënyrë për të parë ç'bëhej në Perëndim. Pak liri dhe kënaqësi duke u futur në klubet sportive, qoftë dhe në atë të Kukësit, por të paktën ishin të privilegjuar. Mund të udhëtonin, "kishin mundësi të konsumonin ushqime më të mira dhe pa pagesë". Përkthyesi dhe publicisti Ardian Klosi në disa fletë ka hedhur tekste këngësh nga Xhon Lenon dhe Pink Floyd: "Empty Spaces", ose "Another Brick in the wall", "What shall we do now", si për të na thënë se edhe kështu mund të rrëzohej Muri, duke "dalë kundër kulturës së njehsuar". Heinz Eggert, prift dhe mbrojtës i të drejtave civile në DDR, pas rënies së DDR, Ministër i Brendshëm i Sanksenit, i është bashkuar këtij diskutimi: "Është për t'u vënë re se si njerëzit që donin të mbijetonin silleshin pothuajse njëlloj. Mekanizmi i shtypjes dhe mekanizmi i mbijetesës ishin pothuajse të njëjtët."
Izolimi, dënimi
"Figura që ne pamë nuk përshkruhet me fjalë. Trupa të pafuqishëm, të tharë, njerëz me një këmbë, me paterica primitive dhe pjesë trupi të përgjysmuara, plagë të hapura në krahë dhe këmbë, të verbër dhe njerëz me një sy, sy që gati po i dilnin, njerëz me të gricura, tek të cilat njollat e bardha iu vareshin në qafë si ushtri me bletë, memecë, të paralizuar, të cilët do furnizoheshin, ndihmoheshin dhe mjekoheshin nga bashkëvuajtësit e tyre. Disa nga plagët ishin si pasojë e torturave dhe sëmundjeve, disa të tjera nga dëmtimet trupore që njerëzit i bënin vetë vetes. Dhoma fjetjeje me dritare të thyera dhe krevate marinarësh, pothuajse pa dyshekë e jorganë, një ndarje jo e veçantë për rastet e tuberkulozit, po kujdes mjekësor. Uji i pijshëm merrej nga çisternat e mëdha dhe ishte aq i errët dhe aq i pistë-që vetëm etja e padurueshme mund të joshte për ta pirë. Ky është një lajm i Fondacionit Ndërkombëtar të Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pas një vizite në kampet shqiptare pak para hapjes në 1991. Por ka gjurmë edhe më të freskëta në ekspozitë. Arkitekti Maks Velo ka realizuar në vitet 1990-'93 skica me tituj Diktatori, Tortura, Hetuesia. Pranë tyre ndodhet akti i ekspertimit për dënimin e Velos, i vitit 1979: "Që me punimet e tij ka rënë në pozitat e një arti formalist të rrymave dhe drejtimeve borgjeze dhe revizioniste, duke u referuar dhe mbështetur në veprën reaksionare të ekspresionistëve gjermanë, në krijimtarinë famëkeqe të Pablo Pikasos, Brakut, Matisit, Kandinskit". Para se të lësh ekspozitës, bie në sy një komodinë e vjetër. Mendon se është rastësisht aty. Më kuriozët mund të gjejnë një dokument të vjetër që nuk duhet të jetë vendosur rastësisht në sirtar. Është një relacion "mbi të implikuarin Xhevahir Spahiun, Tiranë më I.VI. 1979, i miratuar nga ministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu". Lexojmë: "I pandehuri Fadil Paçrami, në proçeset hetimore ka deklaruar:..Në Poezitë hermetike të cilat në vetvehte paraqisnin paqartësi, linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembëra te lexuesit, më të dhënë në këtë çështje kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu. Kjo është një tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kolosal kohët e fundit në Kosovë e si rrjedhim edhe në vendin tonë u fut si rezultat i kontakteve tona me politikën dhe krijimtarinë tonë në Kosovë". Relacioni mbyll ekspozitën.

Fiona Topalli

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri