7/8/12

STRUKTURA E VEPRËS LETRARE




            Vepra letrare paraqet një tërësi të pandashme. Ajo përbëhet prej dy bërësve kryesorë, të cilët janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin e këto janë: forma dhe përmbajtja. Ndërkaq struktura (nga lat. structura nga struere – ndërtim, radhitje, përbërje, ndërthurje, lidhje) e veprës letrare ka të bëjë me përbërjen e asaj vepre. Do të thotë se çdo vepër letrare në përbërjen e saj ka përmbajtjen dhe formën e saj, të cilat janë njësitë themelore të veprës letrare. Atë janë të pandashme nga njëra-tjetra. Kështu, forma e veprës letrare nuk mund të mendohet, as të përcaktohet jashtë veprës dhe e pavarur nga përmbajtja e saj. Nga këndej forma është nocion themelor dhe kryesor në teorinë letrare. Nocioni i formës as që mund të mendohet, as të përcaktohet nëse në të njëjtën kohë nuk mendohet edhe korelati tjetër – përmbajtja.
            Për dallim nga forma, përmbajtja paraqet rendin e fakteve të një vepre letrare ashtu si mund të tregohen e ,që me këtë rast, të mos jepen kurrfarë vlerësimesh. Termi përmbajtje në historinë e mendimit mbi letërsinë si dhe në përdorimin e sotëm, shfrytëzohet për qëllime të ndryshme historike, analitike dhe të përcaktimit të vlerave. Ndërkaq, forma paraqet mënyrën se si janë organizuar faktet materiale dhe shpirtërore, si dhe raportet midis tyre në veprën letrare. Edhe forma edhe përmbajtja e vepërs letrare janë të lidhura midis tyre në mënyrë të pashkëputshme. Nuk mund të ketë përmbajtje pa formë, dhe anasjelltas, nuk mund të ketë formë pa përmbajtje. Ato varen dhe kushtëzohen ndërsjellshmërisht midi tyre. Meqë përmbajtja paraqet thelbin e sendit a dukurisë, ajo luan rolin vendimtar në një vepër letrare, përcakton edhe formën e sendit a dukurisë për të cilat flitet në vepër. Çështja e formës në teoritë letrare evropiane fillon që me konstatimin e  Aristotelit në veprën e tij të njohur me titull “Poetika”, ku mes tjerash thuhet: “Po diskutojmë mbi vetë artin poetik dhe mbi format e tij, se ç’është secili në esencë, dhe ç’formë duhet dhënë materialit poetik, nëse dëshirohet që vepra poetike të jetë e bukur”[1]. Pra, sipas Aristotelit, materia është ajo prej së cilës është ndërtuar vepra artistike, e cila është formësuar sipas një forme të caktuar, adekuate. Më vonë problemi i formës kryesisht është vështruar si problem i pajtimit me tipin e përmbajtjes së zgjedhur, gjegjësisht si problem i harmonizimit të formave të gjinive dhe llojeve letrare me përmbajtjen e zgjedhur. Me këtë problem ka qenë i preokupuar edhe Horaci në letrën e tij drejtuar Pizonëve, e cila është e njohur me titullin “Mbi artin poetik”. Përcaktimi i Aristotelit të disa ligjeve themelore të ekzistimit të formës poetike, përfundimisht u konsolidua dhe u zhvillua si kanon në mesjetë, renesansë dhe më vonë, me çka e bëri të mundur lindjen dhe zhvillimin e poetikave, retorikave dhe teorive të shkruara të letërsisë. Ndërkaq Ivan Foht mendon se për artin nuk është e rëndësishme se ç’materie trajton në vepër, por në ç’mënyrë e trajton atë. Mendimi i këtij esteti i shprehur në veprën e tij “Fshehtësitë e artit” dhe në vepra të tjera, përkon plotësisht me mendimin e Gëtes kur thotë se “në letërsi nuk është qenësore se ç’tregohet, por si tregohet”. Në fillim të shekullit XX formalistët rusë përmbajtjen e kanë zëvendësuar me materien, kurse formën me parimin konstruktues dhe veprën letrare e kanë kuptuar si tërësi të organizuar dinamike. Njërin nga esetë e tij Boris Ejhenbaumi e ka emërtuar me titull “Si është konstruktuar Kapota e Gogoli”, kurse eseja e Viktor Shklovskit mban titullin “Si është konstruktuar Don Kishoti i Mançës”. Ndërkaq, filozofi dhe esteti modern polak, Roman Ingarden, korelatet formë dhe përmbajtje i zëvendëson me korelatet “objekt” (fakt ose në përgjithësi materie) dhe “mënyrë” (ekzistimi i veprës letrare). Në kohën tonë koncepti i formës dallon nga pikëpamjet estetike dhe teorike të antikitetit dhe të epokave dhe drejtimeve të tjera letrare. Tash nuk respektohen parimet e vjetra estetike: rendi, simetria, uniteti i kohës antike. Kjo vërehet në veprat e Pablo Pikasos, në prozën e Franc Kafkës, në prozën e Migjenit (“Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqur”), pastaj në shkrimet e Anton Pashkut etj. Duke i lexuar veprat e këtyre autorëve dhe të autorëve të tjerë, vërejmë se në to kemi deformimin e fenomenit, si p.sh. deformimin e njeriut etj.
            Teoricieni modern rus, Mihal Bahtin, flet në lidhje me atë që është themelore në çdo krijim letrar. shënon Nocioni formë mënyrën në të cilën është thënë diçka, respektivisht, që është përfshirë, shprehur apo paraqitur diçka; kurse nocioni përmbajtje shënon atë që është thënë në veprën letrare,   respektivisht atë qëpërmban ajo. Analiza e veprës letrare, duke u nisur nga forma dhe përmbajtja e saj, është trajtuar edhe në “Poetikën” e Aristotelit. Materia e caktuar që formësohet me anë te techne-s (mjeshtërisë së caktuar) do të ishte përmbajtja e veprës, kurse veprimet që përfshihen në techne do të përbënin artin, mjeshtërinë e krijimit, që rezulton në formën e dhënë të veprës letrare.
            Dallimi në aspektin e përmbajtjes dhe të formës do të jetë bazë e teorisë së gjinive letrare. Ka pasur përpjekje që herë forma e herë përmbajtja të ngriten në vlerën absolute për veprën letrare. Ithtarët e përmbajtjes shtrojnë para letërsisë kërkesa shoqërore dhe ideologjike, kërkesa që lidhen me pikëpamjen se përmbajtja e veprës letrare është realiteti shoqëror dhe që shpreh kërkesat e një kohe. Sipas kësaj pikëpamjeje minimizohet rëndësia e kriterit artistik dhe estetik. Kritika marksiste i jep më tepër rëndësi përmbajtjes sesa formës. Kështu mendojnë teoricienët Leonid Timofejev, Gjergj Lukaç etj. Përkundër të parëve, qëndrim të kundërt kanë ithtarët e formës sipas të cilëve vepra letrare shikohet si mjeshtëri, parësore është realizimi i efekteve artistike, estetike, të cilat arrihen me anë të organizimit, ndërtimit të jashtëm, të përdorimit të një varg mjetesh me të cilat arrihen efekte kompozicionale, ritmike e muzikore. Vetëm tema, edhe atëherë kur është qenësore dhe aktuale, nuk garanton sukses. Vetëm atëherë kur përmbajtja merr trajtën e duhur, atëherë arrihet suksesi i një krijuesi. Kështu, p.sh. simbolisti frëng Artur Rembo, shkrimtari rus, Anton. P. Çehov, madje Nonda Bulka, Migjeni etj., janë frymëzuar nga tema të rëndomta, andaj krijimet e tyre kanë vlerë të theksuar artistike dhe paraqesin interes edhe për lexuesin e sotëm. Nëse me përmbajtje kuptojmë idetë dhe emocionet, formë do të quanim elementet gjuhësore me anë të të cilave shprehet përmbajtja. Ngjarjet e rrëfyera në një roman janë pjesë e përmbajtjes, kurse mënyra në të cilën janë organizuar ato në një “subjekt” është pjesë e formës. “Struktura” është një koncept që përfshin edhe përmbajtjen edhe formën për aq sa ato janë të organizuara për qëllimie estetike” (R. Velek-O. Voren, “Teoria e letërsisë”, 1993).
            Mendimi i sotëm teorik e konsideron veprën letrare të pandashme, si një tërësi unike, si realizim i një përmbajtjeje të caktuar në një formë të caktura. Sipas Gani Lubotenit, “vepra letrare âsht nji tanësi e pandashme, e cila përbâhet nga përmbajtja, forma dhe mjetet” (Gani Luboteni, Teoria e letërsisë, Beograd, 1964, f.121) etj.
            Përveç përmbajtjes dhe frormës së veprës letrare, pjesë përbërëse të veprës letrare janë edhe: tema, motivi, fabula, personazhi, ideja etj.  
            Tema - është pjesë përbërëse e veprës letrare. Fjala temë vjen nga fjala greke théma – që ka kuptimin e asaj që është shtruar në veprën letrare, si kuptim i tërësishëm i veprës letrare. Përveç këtij kuptimi, tema ka edhe kuptime të tjera si, lëndën, materialin ose objektin e përpunimit artistik. Kështu, p.sh. në aspektin tematik poezinë mund ta ndajmë në poezi patriotike, erotike, religjioze etj., pastaj mund të flasim për tema mitologjike në letërsi, për tema historike në roman ose në dramë etj. Dmth. tema paraqet fushën e jetës të cilën e ka zgjedhur shkrimtari për bazë të veprës së vet. Ndonjëherë tema e veprës është problemi të cilin shkrimtari e shtron si bazë të veprës së tij. Nga kjo rrjedh se tema paraqet problemin kryesor që shkrimtari e ka ngritur dhe që është treguar në bazë të materialit të marrë nga jeta. Secila vepër letrare ka temën e vet. Ato mund të jenë të llojllojshme. Kështu p.sh. si tema të një vepre letrare mund të jenë ngjarjet, personazhet a dukuritë shoqërore etj. Por shpesh në përcaktimin e temës së një vepre letrare dalin shumë vështirësi. Kjo nga pamundësia që ajo (tema) të përfshihet brenda një pohimi të përgjithshëm, ajo që është thënë në një vepër letrare në lidhje me një objekt të paraqitur, me një person etj. Përcaktimi i temës jepet në mënyrë të përgjithësuar. Kështu, p.sh. tema e romanit të Turgenievit “Etër dhe bij” është  konflikti i dy gjeneratave; tema në dramën “Prometheu i lidhur” të Eskilit, janë fuqitë religjioze; tema e romanit “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, është emancipimi i femrës shqiptare në vitet e ’30-ta të shekullit të 20-të; tema e komedisë “Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër”e Çajupit, është martesa në moshë të papërshtatshme etj. Shpesh tema e veprës letrare lidhet me titullin e veprës letrare dhe atë e shpreh drejtpërdrejt. Kështu, p.sh. titulli i veprës së Dostojevskit “Krimi dhe ndëshkimi” sugjeron edhe temën e shqyrtuar nga shkrimtari, ose titulli i “Odisesë” shpreh temën e kësaj vepre: aventurat e këtij heroi për t’u kthyer në atdheun e tij, në Itakë etj. Temat që shfaqen dhe përsëriten në të gjitha epokat historike dhe në të gjitha letërsitë kombëtare, quhen tema jetike. Të tilla janë dukuritë themelore të jetës së njeriut, si: dashuria, vdekja, bukuria, përkohshmëria e fatit të njeriut në jetë, kotësia e jetës etj. Përveç termit temë, shpesh përdoret edhe termi tematikë, i cili ka kuptim më të gjërë se nocioni temë, por ndonjëherë ndryshimi është minimal dhe relativ. Tema, veç tjerash, mund të jetë aktuale ose joaktuale.
            Motivi – është një përbërës i rëndësishëm i veprës letrare, nga i cili varet shumë vlera artistike e veprës letrare. Motivi në letërsinë artistike është njësia më e vogël tematike, që paraqet strumbullarin rreth të cilit zhvillohet veprimi në vepër. Fjala motiv ka origjinë latine – moveo -  lëviz dhe në latinishten mesjetare motivum – nxitje, lëvizje, shkak.
            Numri i motiveve në veprat e veçanta letrare dhe mënyrat e lidhjes së tyre, varet në masë të madhe nga lloji letrar të cilit i takon vepra. Po theksojmë se rëndësia e motiveve të veçanta është më e madhe në llojet vogla letrare (shih analizën e motiveve në vjershën lirike, në kapitullin ku flitet për strukturën e vjershës lirike),  ndërsa në veprat  më të mëdha letrare përfshin tërësi më të mëdha ose vetëm motive tipike. Në teorinë e letërsisë motivi shpesh kuptohet dhe në mënyra të tjera: duke qenë se ai ka të bëjë me realitetin jashtëletrar, disa kritikë e kondiserojnë si situatë tipike jetësore, dmth. e përcaktojnë si situatë tipike jetësore mbi të cilën bën fjalë vepra letrare. Duke marrë parasysh se motivet në shumë vepra letrare përsëriten, disa teoricienë, pra, konsiderojnë se motivi duhet kuptuar si një njësi tematike e cila mund të dallohet në shumë vepra letrare (kështu flitet për motivin e ndarjes së të dashuruarve, për motivin e unazës, e cila e bën njeriun të padukshëm, për motivin e dashnorit fatkeq, për motivin e vëllait dhe motrës, të cilët martohen dhe rinjihen etj.). Kuptimi i tillë i motivit, ndërkaq, lidhet me kuptimin e fabulës.
            Sipas funksionit që luajnë motivet mund të jenë dinamikë dhe statikë. Të parët, pra, motivet dinamikë e nxitin veprimin e ngjarjes që të zhvillohet më tej, duke e ndryshuar kështu situatën në veprën letrare (motivi i ndjekjes së fajtorit, sjellësit të Doruntinës në romanin e Isamil Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” etj.). Motivet që përshkruajnë një situatë të qetë ose një peizazh, quhen motive statike. Motivet dinamike dhe statike (aktive dhe pasive) nuk paraqesin kurrfarë kategorie të veçantë të motiveve, sepse ato nuk kushtëzohen nga natyra personale, por nga raporti i shkrimtari ndaj problemeve të cilat i përpunon, pra, kushtëzohen nga angazhimi i shkrimtarit për realizimin e idealeve të tij shoqërore. Motivi do të jetë pasiv atëherë kur shkrimtari nuk e orienton drejt një qëllimi të caktuar; do të jetë i vakët, i zbetë dhe i pangjyrë, dhe kur shkrimtari i dalldisur nga entuziazmi i tij, atëherë edhe motivet e tij aktivisht do ta vënë në lëvizje veprimin dhe do të ndikojnë në përcaktimin e lexuesit. Në tregime, drama dhe romane më së mirë realizohen motivet si etapa të veçanta në krijimin e veprës, më tepër se në vjershën lirike, sepse këtu, në këto kompozicione më të mëdha, ato veçohen nga tema dhe nga elementet e tjera, nga të cilat është ndërtuar vepra. Herë-herë në vjershën lirike motivi dhe tema shkrihen në njëri-tjetrin dhe krijojnë një unitete të pandarë, kurse në tregim dhe në roman rrallë bëhet shkrirja e tillë e plotë. (Poema “Milosao”e Jeronim de Radës na mundëson që të veçohet motivi nga tema, invencioni nga ideja. Motivi është dashuria e pafat e vajzës së Kallogresë dhe e Milosaos, bir i sundimtarit të Shkodrës. Në të përshkruhet përjetimi i vajzës së varfër, së cilës përkatësia klasore nuk i lejon të martohet me djaloshin nga një familje e pasur. Kjo ngjarje i ka shërbyer De Radës si motiv ta parashtrojë temën dhe ta zhvillojë tablon mbi njerëzit fatkëqij, të cilët janë ndarë nga murojat shoqërore, sepse u takojnë shtresave të ndryshme shoqërore. Këtu është lehtë të vërehet se motivi ka një vëllim më të ngushtë, sepse ka të bëjë me diçka individuale, të vetmuar dhe të jashtëzakonshme në shoqëri, kurse tema merr dimension më të gjërë dhe më të përgjithshëm, shkrihet në rendin shoqëror, në mjedisin, në gjininë njerëzore. Raporti i individuales ndaj së përgjithshmes në natyrë dhe në shoqëri, është raporti i motivit ndaj temës. Prandaj fati i Milosaos dhe i Rinës në poemën “Milosao”, si përjetim personal i tyre, i ka shërbyer poetit si motiv për të treguar një problem shoqëror, për dukurinë e përgjithshme të njerëzve të pafatë në rendin shoqëror klasor në Shkodër ku zotëronin raportet feudale të tipit lindor. Motivet e zgjedhura dhe të fuqishme kontribuojnë në suksesin e veprës letrare, sepse sa më origjinalë të jenë, aq më tepër shkrimtari më me ngrohtësi dhe më me pasion do ta ndërtojë veprën e tij).  
            Në vjershat lirike zotërojnë motivet e brendshme, sepse shprehja e tyre është ndjenja poetike dhe përjetimi personal. Kështu, p.sh. vjershat lirike të dashurisë, thuajse pa përjashtim, janë krijuar në bazë të motiveve të brendshme, sepse poeti niset nga shqetësimet personale, entuziazmi dhe ngjarjet në raportet e tij erotike. Kurse, në vjershat patriotike, sociale ose në vjershat e llojeve të tjera siç janë odja, balada dhe të ngjashme, poeti më shpesh këndon për atë që ndodh “jashtë” vetes së tij, por e gjithë ndodhja e “jashtme” përcillet dhe përshkohet nga ndjenjat e tij. Sipas mendimit të teoricienit rus, Boris Tomashevskit, ekzistojnë motive të lidhura dhe motive të lira. Të lidhura janë ato motive që lidhen organikisht me rrjedhën e rrëfimit dhe si të tillë, nuk mund të lihen jashtë, kurse motive të lira janë ato që nuk lidhen me ngjarjen dhe si të tillë mund të mënjanohen nga vepra, pa e prishur rrjedhën e veprimit. Veç këtyre kemi motive të çastit dhe të përhershëm (gjegjësisht, bredhës ose të përgjithshëm). Këto dallojnë nga njëri-tjetri sepse janë të kushtëzuar nga koha dhe vendi. Motivet e çastit më shpesh lidhen me një kohë të caktuar, në pjesën më të madhe me kohën e shkurtër në jetën e njeriut e ndonjë mjedisi ose të një pjese të popullit. Motivet e tilla më tepër kanë karakter historik (motivet e vjershave të Naimit, Çajupit e të tjerëve lidhen me gjendjen historike nacionale të popullit tonë gjatë robërisë turke dhe dominimin e të huajve në viset tona). Motivet e tilla sot nuk janë aktuale, sepse janë evituar rrethanat të cilat i kanë kushtëzuar ato, por kjo nuk do të thotë se vjershat e tyre kanë humbur vlerat e tyre. Edhe vjershat e tilla e kanë mbijetuar kohën edhe si krijime artistike, edhe si dëshmi historike. Motivet e përhershme (bredhës ose të përgjithshëm), janë ato motive të cilat i ndeshim te shumë shkrimtarë dhe në çdo letërsi. Raporti nënë-fëmijë, pleq-të rinj, ves-virtyt, dinjitet-përçmim, heroizëm-mjerim (njerëzor), lufta për drejtësi, ideali dhe fati njerëzor, të gjitha këto i ndeshim si motive  të përhershme në letërsinë botërore dhe këto shkrihen, gërshetohen dhe bredhin nga një letërsi në letërsinë e popujve të tjerë dhe nga një kohë në tjetrën.
            Fabula (lat. fabula – kallëzim, rrëfim, tregim). Në lidhje me fabulën jepen shpjegime të ndyshme. Kështu, p.sh. në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se fabula paraqet tërësinë e ngjarjeve të renditura në një vepër letrare njëra pas tjetrës, subjekt.[2] Ajo, pra, fabula paraqet rrjedhën koherente të ngjarjeve në një vepër letrare dmth. përmbajtjen e reduktuar në vijat kryesore të një vepre, renditjen themelore të ngjarjeve për të cilat flet shkrimtari. Në teorinë e letërsisë përmendet shpesh edhe termi syzhe (fr. sujet – objekt) që përdoret në kuptimin e njëjtë të fabulës në latinishte. Kjo do të thotë se syzheu paraqet boshtin, strumbullarin e temës së një vepre letrare, skeletin e vetë ngjarjes. Sipas Emil Zolasë kuptimi i fabulës do të ishte ndonjë “dramë e vogël, histori e cila i nevojitet shkrimtarit për formuar skeletin e kaptinave të saj”. Nga ky pohim nxirren përfundime se në veprën e gjerë letrare ekzistojnë më shumë fabula, dmth. se veprimi i romanit, i dramës ose i epit, lëviz në disa drejtime dhe në shumë episode, por se heroi kryesor i veprës është bartës kryesor i fabulës themelore.
            Në teorinë e sotme të letërsisë shpesh gërshetohen termat: fabul – përmbajtje – syzhe dhe në praktikë në mënyrë të papërcaktuar përdoret njëri në vend të tjetrit. A mund ta njëjtësojmë fabulën me përmbajtjen dhe ç’do të ishte atëherë syzheu në këtë rast? Duke marrë parasysh se përmbajtja ka vetëm kuptim teknik dhe ajo jepet në fund të veprës ose të përmbledhjes ku numërohen të gjitha vjershat dhe tregimet, të përfshira në vepër, koncepti i tillë përjashtohet nga terminologjia. Prandaj është i mundshëm vetëm përdorimi i shprehjes përmbajtja e veprës, i cili përfshin edhe fabulën edhe syzheun, sepse me konceptin përmbajtje nënkuptohet e tërë ajo që rrëfehet në veprën letrare, pra, e tërë rrjedha e ngjarjeve e përmbledhur sipas temës. Shumë herë lexuesi i ndonjë vepre letrare thotë: fabula në këtë vepër është e mirë, interesante, po e përpunuar dobët dhe e kundërta: përpunimi i mirë, rrëfimi i rrjedhshëm dhe i fuqishëm, por me një fabul të parëndësishme. Kjo tregon se fabula ekziston si kategoti e veçantë në strukturën e veprës letrare dhe nga kjo edhe në teorinë e letërsisë. Për t’u përgjigjur në pyetjen se ç’është fabula dhe çfarë përbërësi është ajo, gjegjësisht ç’element paraqet ajo në strukturën e veprës letrare, duhet të mbështetemi në roman, sepse në këtë lloj letrar më qartë shihen të gjitha bërësit në procedimin e krijimit artistik (analizohet një roman, p.sh. romani “Përsëri në këmbë” i Dhimitër Xhuvanit).

            Nëse nisemi nga pikëpamja se fabula është “tërësia e ngjarjeve në lidhjen e tyre të ndërsjellë” (Tomashevski), e cila nga realiteti përpunohet dhe bartet në veprën artistike, atëherë, sipas pohimit të disa teoricienëve, mund të vërehet dallimi midis fabulës dhe syzheut në atë se me fabul do të kuptonim ngjarjet, respektivisht realitetin jetësor i cili ende nuk është formësuar në veprën letrare, kurse syzheu do të ishte fabula e komponuar artistikisht dhe stilistikisht e lëmuar, sepse ekziston edhe pohimi sipas të cilit “syzheu është fabula e cila është përpunuar në veprën artistike”. Sipas kësaj, fabula e përpunuar artistikisht kalon në syzhe, i cili, s’është gjë tjetër, por vepër e gatshme, e përkryer, artistike. Megjithatë, teoria e letërsisë merret vetëm me krijimet e formësuara artistike, andaj këtu mund të bëhet fjalë vetëm mbi atë fabul e cila është e “shndërruar” në syzhe. Për këtë arsye, në raport të tillë, këto dy terma janë vetëm sinonime të një koncepti të njëjtë, sepse në vepër nuk mund të bëhen dallime mdis fabulës si materie e përpunuar dhe syzheut si materie e cila është bërë formë artistike.
            Letërsia tregimtare klasike, në vargje dhe në prozë, mbështetej në fabul, kurse shkathtësia dhe talenti i shkrimtarit shiheshin në aftësinë që fabula të zhvillohej sipas logjikës kronologjike dhe sipas rrjedhës së natyrshme të ngjarjeve dhe të jetës njerëzore. I ashtuquajturi fabulim, dmth. degëzim i veprimit dhe lidhja e të gjitha detajeve nga jeta e personazheve në një tërësi organike, ka qenë njëri nga mjetet kryesore në karakterizimin dhe tipizimin e personazheve, e me këtë edhe formën e përshtatshme që shkrimtari ta shprehë qëllimin e tij. Në letërsinë e sotme, sidomos nga shfaqja e tregimit – novelës impresioniste, objekti dhe ngjarja  shtyhen në prapavijë dhe në plan të parë shtrohen përshtypjet dhe ndjenjat e shkrimtarit. Këtu lëshohet “skeleti i vjetër” dhe fabula dhe vijnë në konsideratë meditimet e shkrimtarit, asociacionet, reminishencat e drejtpërdrejta ose shqyrtimet dhe filozofimet mbi jetën. Në letërsinë botërore, nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore e deri më sot, nuk mund të flitet më për fabulën në romanet dhe tregimet, me përjashtim të atyre shkrimtarëve të cilët zbatojnë metodën tradicionale, realiste në thurjen e veprave të tyre. As Kafka, as Xhojsi, as Fokneri nuk nisen nga fabula në veprat e tyre, por nga parafytyrimet e veta mbi fatet njerëzore dhe nga koncepsionet filozofike mbi jetën.  Kështu, sot, si në romanin modern, ashtu edhe në dramën moderne, ndeshim në të ashtuquajturin defabulizim të ngjarjeve dhe të veprimeve në vepër dhe në vend të fabulës së caktuar kemi një ndërtim asociativ, një strukturë simbolikisht të lidhur (Franc Kafka, Semjuel Beket, Anton Pashku, Ismail Kadare etj.)
            Nga ajo që folëm më lart del se jo të gjitha veprat kanë fabul. Kështu, në poezinë lirike nuk kemi fabul, sepse në të nuk kemi ngjarje, nuk kemi veprim, kurse fabula është bazë e veprave epike dhe e atyre dramatike. Nga e gjithë kjo del se fabula paraqet renditjen e ngjarjeve në vepër, kurse syzheu tregon mënyrën  se si rrjedhin ngjarjet në vepër dhe si janë organizuar ato në vepër. Nga kjo vepra letrare duhet të analizohet si unitet i pandarë i gjitha pjesëve të saj.
            Personazhi (lat. persóna – person, individ, protagonist) – është bartësi kryesor i veprimit në veprën letrare. Ai është mishërim (inkarnim) i vetive morale, ideore, ndiesore të një individi në veprën letrare. Ai, pra, përfshin në vete një grumbull të veçorive të cilat e bëjnë individin njerëzor dhe sipas të cilave ai dallon nga njerëzit e tjerë. Në lidhje me personazhin  ndeshim edhe në nocione të tjera si, figurë, hero, karakter, tip, portret. Të gjitha këto nocione përdoren në kuptimin e tyre të gjerë ashtu që mund ta zëvendësojnë ndërsjellshmërisht njëri-tjetrin. Në disa formacione letrare, si në letërsinë antike, mesjetare, të renesansës dhe atë klasiçiste, personazhi ka shërbyer shpesh si stilizim i përgjithshëm vetëm për disa tema të caktuara, dhe nuk janë dhënë veçoritë individuale të tij. Kështu, te “Karakteret” e Teofrastit (shekulli III para erës sonë), personazhi paraqitet në formën e definicionit të ndonjë vesi (ceni), pas të cilit vjen përshkrimi i të folurit dhe sjellja e atij njeriu të cilin e përcakton vesi i tillë. Në këtë formë të përgjithësuar, edhe pse jo gjithmonë në formën e tillë të skematizuar, personazhi konstituohet në përrallëz, alegori, moralitet, si dhe te pasardhësit klasiçistë të mëvonshëm të Teofrastit (La Brijer, A. Poup). Edhe në këto vepra personazhi shpesh ka një specificitet psikologjik dhe shoqëror, por vetëm në letërsinë e re evropiane, sidomos në dramën dhe në romanin e renesansës të shekujve XVIII, XIX dhe XX, ky specificitet psikologjik individual dhe shoqëror bëhet aq i rëndësishëm dhe aq shprehës sa që personazhi letrar nuk paraqet më ilustrimin e ndonjë teme të një rëndësie të përgjithshme sesa shprehjen e preokupimit të shkrimtarit me një lloj të fatit individual njerëzor. Individualizimi i këtillë i pesonazhit  s’është më vetëm bartës i ndonjë veprimi ose pjesëmarrës në të, por mishëron dhe pikëpamjen e artikuluar intelektuale të tërë asaj që ndodh në vepër; personazhi nuk është vetëm bartës apo pjesëmarrës i ngjarjeve, por ai shpreh edhe pikëpamjet e autorit në veprën letrare në tërësi. Shumë peronazhe mbeten mishërim i veçorive karakteristike morale dhe shoqërore të një epoke, duke marrë ndonjëherë edhe statusin e heronjve mitikë, herë-herë duke dalë nga konteksti i veprave në të cilat janë krijuar, ata bëhen vendstrehim i synimeve themelore ose kundërthënie të një epoke, të një populli, të një kulture dhe civilizimi (Odiseu, Don Kishoti, Robinson Kruso, Fausti, Xha Gorio, Rastinjaku etj.).
            Personazhet, sipas formësimit të tyre mund të ndahen në personazhe të pandryshueshme dhe në personazhe që ndryshojnë gjatë zhvillimit të ngjarjeve në veprën letrare. Të parët jepen ashtu të formësuar dhe nuk ndryshojnë, kurse të dytët ndryshojnë në formësimin e tyre në veprën letrare.
             Personazhi i cili merret si bartës kryesor ose si njëri nga bartësit kryesor të veprimit në veprën artistike në kuptimin e ngushtë të fjalës quhet “hero”. Një personazh i tillë mund të jetë hero pozitiv dhe është bartës kryesor i ideve dhe i pikëpamjeve të autorit. Personazhe të tilla konsiderohen të gjitha ata që shprehin synimet, tendencat dhe aspiratat progresive të epokës së tyre, të popullit të tyre apo të mbarë njerëzimit. Të tillë ndeshim thuajse në të gjitha letërsitë: Prometheu i Eskilit, Hamleti i Shekspirit, Fausti i Gëtes etj. Personazhe të tilla kemi edhe në letërsinë tonë si: Skënderbeu i Naim Frashërit, i Haki Stërmillit, i Sabri Godos etj., Adili te “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, Galani te “Fëmijët e lumit tim” të Hivzi Sulejmanit, Hafizi te “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit etj. Përveç personazhit pozitiv, kemi edhe personazhin negativ që shpreh tendenca regresive që shkojnë në dëm të njeriut, të popullit, të mbarë njerëzimit, që me sjelljet, veprimet dhe qëndrimet e tij ngjall neveri dhe urrejtje ndaj atdheut dhe popullit në përgjithësi (Tartufi, Çiçikovi, Hlestakovi, Jagoja etj. në letërsinë botërore; Kapllan Beu te “Ata nuk ishin vetëm” të Sterjo Spasses, Tuç Maku te “Toka jonë” të Kolë Jakovës, Galani te “Fëmijët e lumit tim”të Hivzi Sulejmanit etj.). Në teorinë e letërsisë njihet edhe termi “tip” (gr. tipos – mbresë, figurë) do të thotë se shkrimtari e ka krijuar nga imagjinata e tij. Përmes tij shkrimtari shpreh tiparet kryesore, karakteristike të një grupi njerëzish, rrethi shoqëror. Në lidhje me këtë shkrimtari i madh rus Leon Tolstoi ka shkruar: “Duhen vërejtur shumë njerëz të ngjashëm për të krijuar një tip  të caktuar” (tipi i ushtarit mburracak, plaku koprrac, djali mendjelehtë, sahanlëpirës etj.).
            Protagonisti (gr. prōtagonistēs – udhëheqës, prijës) – paraqet aktorin e parë në dramën greke, i cili luante rolin kryesor. Si term fjala protagonist fillon të përdoret nga Plutarku. Konsiderohet se protagonistin e ka ndarë nga kori Tespisi (533 p.e. s), duke mundësuar kështu dialogun. Në Greqinë arkaike dhe klasike aktori i parë nuk quhej protagonist, por në përgjithësi hipokrites – aktor. Rol shumë më të vogël ka pasur deuteragonisti, kurse aktorin e tretë, tritagonistin, e ka futur Sofokliu dhe atij i takojnë rolet më të vogla dhe të parëndësishme. Tritagonisti zakonisht shqiptonte prologun. Kundërshtar i protagonistit është antagonisti. Në kohën e re protagonisti përgjithësisht shënon personazhin kryesor të një vepre letrare.
            Karakteri (gr. karakter, fr. character – shenjë, tregues, kualitet distinkiv) -  përdoret edhe në kuptimin e personazhit ose të heroit të veprës letrare. Ai paraqet tërësinë e veçorive etike, intelektuale, emotive të ndonjë personazhi ose heroi në një vepër letrare. Dallimi i karaktereve njerëzore ka qenë moti objekt i interesimeve filozofike dhe letrare. Shqyrtimin e parë mbi karakterin e ka dhënë Aristoteli në shkrimet e tij etike, kurse Teofrasti në veprën e tj “Karakteret” ka paraqitur tipa të ndryshëm të njerëzve, që më vonë kanë shërbyer si bazë për studimin e formave të veçanta të sjelljes dhe të tipave të njerëzve (njeriu mendjelehtë, grykës, llupës, makut etj.). Përndryshe, si produkt i karakterizimit, karakteri është paraqitur ose realizuar në prozën narrative, poezinë epike dhe në dramë, qoftë si personazh kryesor ose dytësor etj.
            Portreti (fr. portrait – vizatim, portret) – më tepër përdoret në artet figurative, në pikturë dhe në skulpturë: paraqitja e njeriut, sidomos e fytyrës së tij, e cila zakonisht synon t’i jetë besnike origjinalit dhe që vizuelisht t’i shquajë vijat e tij karakteristike, veçoritë ose gjendjen shpirtërore të tij. Edhe estetika klasike tregonte një ngjashmëri midis pikturës dhe letërsisë në paraqitjen e figurës njerëzore dhe, në pajtim me parimet e saj themelore, veçanërisht shquante nevojën që në atë paraqitje të theksonte atë që është e përgjithshme, tipike, ideale. Në letërsi portreti ka kuptimin e përshkrimit të jashtëm të ndonjë heroi apo figure letrare, të fytyrës së tij, të trupit, të veshjes etj. Ai shpesh bëhet bazë kompozicionale e ndonjë romani apo poeme romantike (Gëte “Vuajtjet e Verterit të Ri”, Xhojsi “Portreti i një artisti”, Bajroni “Çajld Haroldi”), apo edhe tregimi ose skica (Migjeni “Luli i vocërr”) etj.
            Prototipi (gr.prōtotīpon, nga prōtos – i pari dhe tipon – tip) – në kuptimin e gjerë do të thotë model në bazë të të cilit është formësuar diçka. Në këtë kuptim në letërsi vepër ose figurë letrare e cila shërben si model në krijimin e një figure letrare, duke u mbështetur te njeriu real, të cilin autori e ka vëzhguar më parë. Shumica e karaktereve letrare e ka zanafillën, gjenezën, origjinën, te ndonjë person real, jetësor, të cilin autori e ka si pikënisje. Kësht, p.sh. “Don Kishoti” është prototip i romanit realist. Kështu kanë vepruar shumë shkrimtarë në letërsi, duke filluar nga Balzaku, Turgenievi, Gorki etj.
            Individi dhe personazhi – ekzistojnë dallime midis individit dhe personazhit. Fjala person nënkupton individin që shpreh vetitë individuale, të cilat shkruhen në një distancë të caktuar kohore (memoaret, kujtimet). Ai, individi, është një qenie e vërtetë shoqërore që i përket një kohe të caktuar (memoaret, kronikat historike), kurse personazhi, përveç si qenie reale, mund të jetë edhe fytyrë e trilluar nga imagjinata e shkrimtarit.
            Tregimtari (narratori) – paraqet personin në emër të të cilit autori rrëfen për ngjarjet dhe njerëzit në një vepër letrare tregimtare (tregimtare – lat. naration – të rrëfyer). Tregimtari luan rol të rëndësishëm në kuptimin e elementeve të tjera të veprës letrare: temës, fabulës dhe motivimit etj. Tregimtari nuk mund të indentifikohet me autorin e veprës letrare, sepse ai vetë është personazh i veprës së cilës i jep formën. Ai është krijim i veprës letrare edhe atëherë kur paraqitet si autor i tregimit të ngjarjes. Nga ky aspekt ai paraqet vetëm një perpektivë të mundur nga e cila rrëfehet.  Rolin e tij mund ta luajë edhe një personazh i veprës. Por ndodh që tregimtari të paraqitet si autor, pra person që gjendet jashta botës së romanit. Tregimtari mund të jetë edhe ndonjë personazh i shpikur, i trilluar, që futet në fillim të veprës, si dëshmitar i ngjarjes ose bartës i ndonjë perspektive nga e cila shihen ngjarjet e caktuara (këto janë raste kur si tregimtar paraqitet ndonjë kafshë ose send). Tregimtari në veprën letrare del si një figurë e veçantë, të cilin mund ta karakterizojmë nga mënyra se si i tregon ngjarjet dhe njerëzit, ç’qëndrim mban ndaj tyre, ç’mendon dhe ç’ndjen ai për ta. Prandaj tregimtari luan rol të rëndësishëm në një vepër letrare. Tregimtari, pra, ose është vetë personazh i romanit ose i formëson personazhet, rrëfen për njerëzit e veçantë, për veçoritë dhe fatet e tyre. Nga këndej personazhi paraqet poashtu faktor të rëndësishëm të analizës së veprave të shumta letrare. Nëse bëhet fjalë kryesisht për veçoritë psikologjike të personazhit, i cili paraqitet në vepër, më shpesh bëhet fjalë për nocionin karakter, për të cilin folëm më lart.
            Ideja – luan rol të rëndësishëm në analizën e veprës letrare. Ajo përdoret në dy kuptime themelore: ose është një mendim themelor, i cili  është i pranishëm në vepër, respektivisht ndonjë qëndrim ndaj problemeve të caktuara, të cilat mund të hetohen në veprën letrare, ose ajo është mendimi themelor i veprës, thelbi i asaj për të cilën flitet në vepër, respektivisht mendimi themelor i porosisë së tërësishme të cilën vepra ia ofron lexuesit. Pra, ideja e veprës letrare mund të kuptohet edhe si një nga elementet strukturore të veprës letrare. Qëndrimet të cilat i përfaqëson vepra, ose të cilat në njëfarë mënyre janë të pranishme në vepër, mund dhe duhet të jenë faktor i rëndësishëm i analizës, por edhe si element strukturor i cili në lidhje me të gjitha elementet e tjera e bën veprën më pak ose më shumë të suksesshme. Po ta marrim idenë si një element strukturor të veprës letrare, analiza e qëndrimeve ideore e shumë veprave letrare mund të ketë rëndësi të jashtëzakonshme: mënyra me të cilën vepra e veçantë arrin të futë në botën e mendimeve edhe ato elemente të cilat përndryshe mbeten të fshehura për shqyrtimin filozofik ose shkencor, ndikon shumë për ta kuptuar veprën edhe pasurojnë njohuritë tona mbi letërsinë.
            Në analizën e veprës letrare, përveç shtresave të saj kryesore si: tema, motivi, fabula, tregimtari, ideja, duhet të merren parasysh edhe të ashtuquajturat raporte jashtëtekstore (analiza filologjike, rrethanat e krijimit të një vepre letrare, tradita, relacioni i një vepre me veprat e tjera të ngjashme, sistemi i gjinive dhe i llojeve letrare të një kohe etj.).     

             


                                       




[1] cituar sipas Rečnik književnih termina, Nolit, Beograd, 1986, f.209
[2] Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, f.445

No comments:

Post a Comment