Zhbëhet projekti i operës “Ibrahim Rugova”, shkojnë huq 1.000.000,00 euro

Afro një milion euro që janë shpenzuar në emër të objektit të shtëpisë së teatrit dhe operës, “Ibrahim Rugova”, do të bien në ujë. Kabineti i ministrit aktual të Kulturës, Memli Krasniqi, ka marrë vendim ta shpallë të pavlefshëm projektin e vjetër. Së shpejti do të hapet një konkurs ndërkombëtar me të cilin do të zëvendësohet projekti i gjermanit Kai Auffermann, i përzgjedhur gjashtë vjet më parë, kur ministër kulture ishte Astrit Haraqija. Prej atëherë janë shpenzuar fiks 880 mijë euro për “Ibrahim Rugovën”. Hartimi i projektit u ka kushtuar taksapaguesve kosovarë 420 mijë euro, derisa 420 mijë të tjera janë ndarë për fazën e parë të punimeve, në kohën kur Ministria udhëhiqej nga Valton Beqiri. Edhe 40 mijë euro tjera janë shpenzuar për revidim në kohën e ish-ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri.

Kabineti aktual i ministrit Krasniqi thotë se vendimin për zhvlerësimin e projektit e ka marrë pas rekomandimeve nga një raport që e kanë trashëguar. Nuk u bëhet vonë që gati një milion euro do të shkojnë huq. Përgjegjësi për këtë nuk japin as ish-ministrat e kaluar, të cilët thonë se MKRS-ja duhet ta modifikojë projektin dhe jo të hartojë një të ri.

“Është definitive që do të hapet konkurs për projekt të ri dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Arsyeja është, sepse sipas revidimit që është kërkuar nga ish-ministri Lutfi Haziri janë identifikuar shumë defekte dhe pasi e kemi analizuar mirë kemi ardhur në përfundim se nuk duhet të vazhdojmë punimet”, ka thënë Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi

Sipas tij, për të qenë sa më cilësor projekti i ri, Ministria e Kulturës do të hap konkurs ndërkombëtar.

“Do të hapim konkurs ndërkombëtar duke ditur se është projekt i madh dhe kërkojmë që të jetë sa më cilësor”, ka thënë Haxhijaj.

Shtëpia e teatrit dhe operës “Ibrahim Rugova” kur ishte projektuar qe llogaritur të kushtonte mbi 25 milionë euro.

Për këtë projekt në dhjetor të 2010 ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, bashkë me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejudiu, dhe me kryeministrin Hashim Thaçi, kishin vënë gurin themeltar të ndërtimit të objektit pranë Fakultetit Teknik në hapësirën prej 2 hektarësh e 62 arësh

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri