Arjan Kallço - Poezia dhe fati i saj në kohët moderne

Arjan Kallço.jpg
Arjan Kallço lindi në vitin 1967 në qytetin e Korçës. Pasi kreu shkollën e mesme në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” ndoqi studimet e larta në degën e Gjuhës italiane, në UT, në vitet 1986-1990. Punon si mësues në shkolla të Korçës dhe pedagog i jashtëm në Universitetin “F. S. Noli”. Pasioni i tij janë poezia dhe përkthimi. Ka botuar librin me përkthime “Proverba të gjuhës italiane” si dhe librin me poezi “Poezi italiane për dashurinë” me 37 autorë. Boton vazhdimisht në faqet e internetit të Klubit Italian të Poetëve duke marrë pjesë dhe në konkurrimet e përmuajshme që zhvillohen në Itali. Bashkëpunon me poeten italiane Gabriela Gruber për të nxitur tek të rinjtë pasionin për poezinë nëpërmjet pjesëmarrjes në konkurset e klubit “Poezi dhe solidaritet”. Boton dhe në revistën “Poeteka” dhe në gazetën “Albania Press” që botohen në Greqi.



Arjan Kallço - Poezia dhe fati i saj në kohët moderne

Kur flasim për jetën shoqërore të një vendi apo edhe të botës, na vijnë në mend të gjitha ngjarjet që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Çdo gjë në jetë, të paktën është vërtetuar në çdo ndryshim, e përshkon ciklin e vet herë të plotë herë të lënë në mes dhe më pas nis rënia, deri në zëvendësimin e një thelbi më një tjetër, akt që në shoqëri merr forma nga më të ndryshmet. Nuk mund të përjashtohet nga kjo dialektikë edhe kultura, por me të vetmin ndryshim se shpirtrat e saj përbërës, natyrisht kanë vazhdimësinë e zhvillimit, mund t’i rikthehen forma të mëparshme pa qënë nevoja që të konsiderohet një kthim prapa. Këtë rigjenerim e përcakton vetë shpirti njerëzor I poetëve dhe shkrimtarëve që kur shohin realitetin e zymtë, kërkojnë prehje tek e shkuara, jo si jetë në vetvete, por në format e shprehjes së shpirtit. Nëse I referohemi historisë së Letërsisë, do të shohim se ndryshimet janë shoqëruar shpesh edhe me rikthime në format e shprehjes letrare, si p.sh Klasicizmi. E gjithë kjo përpjekje globale, nuk ka vend ku joshja ndaj formave të shkuara të letërsisë të mos ketë patur zhvillim, apo edhe tundimi në mendim, tregon qartë se shpirtrat e çdo kombi, të ndikuara nga rrethanat, janë ripërkundur me këmbë në jetën reale dhe me ndjenja tek e shkuara. Nuk janë ndjenjat e jetës së jetuar, por ato ndjenja sublime që ngrihen mbi realitetin dhe dalin të lira nga kurthet e kushtëzuara të rrethanave. Janë ato ndjenja që na “flakin” sa tek gjenitë e antikitetit, pa joshje edhe poeti bëhet realist pa përfytyrime dhe ëndrra, e deri tek koha jonë që po jetojmë. Një rrugëtim ku poetët mund të lëvizin tepër të sigurtë dhe të natyrshëm, pa qënë nevoja të transformohen dhe kushtëzohen nga një sistem. Askush më shumë se poetët mund ta meritojë fjalën filozof, pasi poezia është filozofia më e vërtetë e mendimit. Por poetët kanë edhe një tipar tjetër, pasi janë edhe filozofë të ndjenjave dhe qënia dy herë filozof i rendit ata mes njerëzve më të shquar të historisë së njerëzimit. 
Një kritik Italian shkruan kështu për poezinë: Është një fat i veçantë i poezisë që i kthehet me melankoli të shkuarës dhe njëkohësisht është e projektuar drejt së ardhmes hiperteknologjike. Nga njëra anë na duket si një gjuhë gjithnjë e më shumë e vjetëruar dhe nga ana tjetër u ngjan modaliteteve jolineare, hipertekstuale të rrjetit dhe korrespondon me modalitetin analogjik të mendimit emotiv. Por është një gjuhë e zotërueshme, konform një epoke të bazuar tek shpejtësia dhe njëkohësia. Vetë kritiku shtron një pyetje që edhe ne shqiptarëve duhet të na lindë në mendje sa herë që dalin libra të rinj apo bëhen promovime librash. Në to duhet mund të gjejmë gjithçka që shkruam më sipër, si dhe pyetjet e shumta që na lindin gjatë diskutimeve apo debateve. Kemi kohë që përpiqemi edhe ne t’i japim një përgjigje pyetjes : Ku po shkon poezia shqiptare? Mendimet janë të ndryshme të ndikuara nga shumë faktorë, midis të cilëve edhe humanë. Është shkruar shumë rreth këtij argumenti, por përsëri disa faktorë të tjerë nuk na lejojnë që t’i japim përgjigjen e duhur. Kritiku Italian e bën pyetjen pak ndryshe :Ku është poezia e sotme (italiane) në lartësinë e synimeve tona? Pra nuk thotë destinacionin ku po shkon, por ku është dhe është mëse e drejtë që të përcaktojmë se ku jemi, për të thënë se ku do të shkojmë.
Poetët italianë aktualë më në fund, të çlirët nga skorjet e fundit afazike* të hermetizmit, të larguara nga sugjestioni neo-orfeist dhe nga epigonizmi* manieristik i postmodernizmit, të huaj nga tundimi i prozës, nuk u vjen më turp të thonë diçka, si dhe të impenjohen të mendojnë, të tregojnë, të bisedojnë, të argumentojnë në vargje, pasi në origjinë kanë shembullin e madh të poezisë danteske dhe të të gjithë estetikës dhe moralit të modelit të tij. Ky mendimi i kritikut italian ka parë dritën e botimit në revistën Annuario di poesia. Sipas tij  në gati njëzet vjet revista u prir të regjistronte, sistemonte, vlerësonte galaksinë e madhe të poezisë në Itali. Sipas statistikave në Itali ka rreth dy milionë poetë, nëse merret parasysh edhe rrjeti social i internetit. Pas një bilanci, renditjesh, apo hipotezash-rregulla, gjykimesh me vlera jo konformiste, revista tash ndihet e lodhur dhe e ka përmbushur detyrën e vet. 
Sentencën e vet lidhur me pyetjen e mësipërme, e jep në mënyrë tepër kategorike : Poezia pushoi së qëni referenciale dhe e mbyllur në gjergun hezoterik. Në skenë mbeten një dyzinë poetësh me vlerë të sigurt që reagojnë ndaj arbitrit të paformës dhe përpiqen ta shprehin botën përmes gjuhës që është e kohës sonë, ndërsa populli i tepërt i poetëve priret të përdorë gjuhën poetike arkaike të vulgarizuar dhe ta injorojë një leksik dhe një artizanat poetik bashkëkohor. Nevoja e poezisë në mijëvjeçarin e  tretë : shkencë e vecantë e lidhjeve të padukshme mes sendeve, përmbysje apo intensifikim i fjalës së zakonshme, me qëllim që të zbulojë diçka jo të sigurtë, autobiografi të brendshme, aspak hezoterike, por të aftë të aderojë në ritmin e vetë realitetit.
Disa poezi italiane që ai i ka sjellë si shembuj të  grupit të dytë të poetëve që janë avangarda e kohëve moderne, bile dhe të shkëputura nga universi femëror. 
Rosella Tempesta
Në një prej poezive të saj ajo i hedh një vështrim qytetit magjik të Napolit:
Këtë mbrëmje qytet grazhd
I zbrazët nga barinjtë dhe i populluar
Me shtëpi dhe ditëza
Të ndezura, me sallonet, me kuzhinat..

Laura Liberale
Autorja jep një një përcaktim të poezisë duke e pasuruar fondin e thënieve që lidhen me të:
Do të na e hedhësh, ke për ta parë
Me fjalë
Mund të krijosh antologji
Të krijosh lidhje të padyshueshme
Një fjalorin tënd hezoterik…

Isabella Leardini
Me mendimin e saj ajo fikson lumturinë ditore të jetës :
Kush e humb kohën duke qënë
I lumtur
Së pari humb të qeshurat
Që ta mbajnë frymën, pastaj dikush
Zbret brenda shikimit dhe nxin
Si argjendi i mbyllur në sirtarë…

Maria Grazia Calandrone
Filozofia jonë nuk është vetëm tokësore dhe poetja i lidh ditët në perceptimin kozmik:
Dielli është një kafshë bujare
Dhe e ngadaltë
Në vrimën oqeanike të ditës
Me syrin e vet
Me syrin e vet rrethor…

Laura Pugno
Por gjejmë edhe një portret rrjedhshëm të veshur me kajak:
Është një vajzë me shpinë të drejtë
Veshët e vegjël dhe të bardhë
Me vathë perlash
Nuk i duken këmbët…
Nuk e sheh formën e saj si sirenë
Uji gjendet i palëvizshëm poshtë…

Alida Airaghi
Si çdo epokë edhe kjo e tanishmja ka zërin poetic më original sipas kritikut:
Nuk janë valë. Do ta kishin ndoshta
Synimin, maja të lehta
Rrudhat e ujit dhe kaq.
Nuk do të bëhet kurrë furtunë
Ky liqen, kurajo e paktë
Të shndërrohet në det, kur
Pret një lumë
E qetëson
E shndërron në një qetësi
Të pafajshme…
* Vështirësitë e kuptimit të vargjeve dhe fjalëve
 * Imitues pasiv
Arjan Th. Kallço

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri