Origjinaliteti i bërjes së poezisë së veçantë- pikëpamje dhe vështrime analitike të disa krijimeve të autores Silva Tërnava


Foto e Profilit


Mehdi Krasniqi



Krijimtaria artistike e autores Silva Tërnava, ( një poete e zgjuar ), është e ndërtuar nga mendimi i kompletuar dhe pa imponim për lexuesit.

Foto e Profilit
           Silva Tërnava



Poezitë e kësaj autoreje, kanë ndjenjën- karakteristikën themelore të lirikës.  Pasqyrimi aq ideor i ngjarjeve, në të cilat sigurisht, autorja rrëfen nga pika e fatit, si referim i saj i besueshëm, akte të përballjes normale, pika synimesh, kohë dhe shtrirje, emocione, kujtesë, gëzim, pak hidhërim që më pak zë e thotë hera-herës, mirëpo, si element më kyq, është durimi. Këmbëngulja e autorës për të duruar, sjellë notë proteste te lexuesi, sjellë brengë emocionale te lexuesi, pritje deri te durimi, pra, ashtu si autorja konfirmon durimin që e lidhë me pritjen, të njëjtën domosdo do ta bëjë dhe lexuesi- tash, këtu autorja paksa tenton imponim të mendimit të vetë, mirëpo nuk i referohet dhënies së elementeve, por marrjes së tyre, andaj edhe lexuesi këtu duhet t’i referohet secilit element të dojë vetë, ose marrjes, ose dhënies. E cilën do që e merr ai, kuptimi është i formësuar në atë mënyrë që te ketë alternativë!

Shtrirja në kohë, pikëpamje logjike

Poezia e Silvës, nuk është e lehtë të kuptohet, sepse ka elemente të bashkëkohores, ka gërshetim të elementeve që kthejnë vëmëndje kah e kaluara, shndërrohet herë pas herë në subjekt- kur komunikon me të tjerët përmes vetës, e në rrethana tjera, përpiqet të paraqes ngjarje të organizuar në poezi, gjë që e hasim rrallë edhe tek autorët, poetë që kanë renome. ( mirëpo nuk është renomea- vulë e dijenisë poetike, ngase rrallë bëhet tek ne kritikë e mirëfilltë, sepse filanokritika është berë degë e re e dhënies së mendimit sipas afërsisë dhe simpatisë )


            Pikëpamjet logjike, të cilat i hasim në tekstin e kësaj poeteshe, tregojnë pjekurinë e saj në mendimin poetik, tregojnë ballafaqimin e saj, por herë pas here, autorja lë në gjysmë paksa shpjegimin duke vënë trepikëshin, që i ndëpretë rrugën lexuesit.
Silva ka përkushtim serioz, sidomos kur trajton ato tema, për të cilat lexuesi kujton se autorja është personazhi, ndërsa ana tjetër e kuptimit logjik të poezive të saj, jep të kuptojmë se autorja ka rrethana tjera të fatit të saj. Prandaj, kjo autore, është problematike të kuptohet në herën e parë të leximit. Megjithëse është i thjeshtë në dukje ndërtimi i poezisë së saj, kuptimi është jo aq i thjeshtë, do kujdes për të nxjerrë në masë elemente të pikës së reales.
Pse autorja nuk tenton të krijojë dyanshmëri në stilin e saj, teksa bën atë farë shtrirjen dhe zbërthimin e elementeve, të cilat i mbledhë gjatë kohës. Sigurisht, ajo, nuk kërkon të dalë jashtë vetvetës, as të imitojë të tjerët. Këtë gjë, sa duket e sheh tashmë si fazë të kaluar...
Autorja niset nga mendimi strikt, nuk heziton të jetë vetë zgjidhja, prandaj, nëse e analizojmë në tërësi poezinë “ Durimi “, hasim në një farë forme, një pjesë të fatit të jetës, të shprehur përmes poezisë lirike. Ta lëmë anash pjesën tjetër, dhe ta marrim shtruar vetëm strofën e fundit të poezisë në fjalë :
e varfër do isha pa ty 
duet veç duet
thurim simfoni...?! 


Simfonia është një lloj vepre muzikore, që autorja e përsonifikon me lidhje jete, prandaj, e vëtdijshme pranon një hise tjetër me të cilën bashkon fatin e vetë, për të krijuar një jetë tjetër… për të cilën ajo ka pritur durueshëm! Por, pak më tej, në një poezi tjetër “ Gjurmë dashurie “, gjëjmë një skenë aktrimi mjaftë profesionale.  Prapë elementi është durimi dhe pritja, të cilat si duket janë formë e ndërtimit të shpirtit të saj. Përkujdesja për të krijuar ballafaqim me fatin, duket qartë si një sprovë interesante që nuk e mposhtë autoren assesi. Pse autorja zgjedh pritjen si armë të fitores së saj? Është pyetje që duhet të ketë pritje në kohë nga lexuesi. Dhe, a e shtyejnë lexuesin elementi PRITJE dhe Durim, që të hulumtojë biografinë e autorës? Them se po, ama nëse lexuesi nuk i referohet tash, atij elemenit që e kam cekë më lartë ( marrje-dhënie).


Krijimi i peizazhit

Loja me fugura stilistike, e ndihmon mjaftë shumë Silvën, të krijoj peizazhin. Kjo është gjë shumë e pëlqyer për lexuesin. Dhe thjeshtë, kjo është një lloj dije artitike, pa të cilën s’ka poetizëm. Por te kjo autore ne kemi të bëjmë edhe me shprehjen poetike, p.sh., “Në harkun e kohës, vallja e lotit vazhdon, unë fshij faqen “, tash pa i trajtuar ato pyetjet : pse po derdh lot njeriu këtu?  Pse pret autorja?, etj.,  Ajo, në rast se është vetë personazhi këtu,  haset e vetmuar duke dëgjuar melodinë e padëshiruar të Hutit ( shpend ),  melodi të cilës ajo i fletë me vargje heshtur, dhe këto vargje i bëhen si strofa këngësh, e madje edhe refren ngjarjeje..!  Loti në dritare dhe loti në faqe, janë dy elemente karakteristike, që ndjejnë thellë peshën e dhembjes kur shpirti nuk ndihet i qetë, trazuar tenton të fle...
Autorja, kur krijon atë që unë e quaj pikturë poetike, kujdesshëm formëson qëllimin e saj, për të bërë një pamje reale, me pikë referimi “ fiksim objektiv të syrit gjatë një intervali kohor “. Pamje të tilla, është vështirë të arrihen edhe nëse je poet, sepse ngjyrat duhet të shprehin emocion, duhet të flasin me ndjenja ato figura, prandaj, Silva, ka këto elemente, e për këtë gjë, arrinë të komunikojë fare lehtë me cilindo lexues, sepse ajo ka tashmë një stil gjuhësor.
 

Pesimizmi artistik dhe Egoja e autorës

Në disa poezi të Silva Tërnavës, hasim në një pësimizem jo dhe aq që sheh kah shpresa, por karshi kësaj, ajo e vë si element fortese të unit të saj, durimin. Ndërsa, te lexuesi, ngjallet interesimi për të kuptuar rrethanat e shtyrjes kah shkaku e situata, që autorja me përkushtim të madh  e krijon, duke e harruar kujdesin ndaj besnikërisë që e ka te poezitë tjera. Vetmia, si burim jete, i gërshetuar nga rrethana fati, personazhin e saj të pështjellur me elemente të vetës së autores, arrin paksa ta dërmojë, mirëpo autorja tregon kogja mjeshtërisht durimin e saj dhe pritjen si rrugë të daljes nga situata, gjithësesi pa e anashkaluar tash vuajtjen ( shih poezinë “ Vetmi “ ).
Nëse i lexojmë tash, poezitë e Silvës në aspektin kronologjik të kalendarit shkrimor, gjithherë në bazë të publikimeve të saja, atëherë gjëjmë edhe Egon. Te Ego, autorja ka harruar të tregojë durimin e saj dhe ato elementet tjera shtesë që i kam përmendur më lartë. Por a nisë ego bashkë me poezitë që autorja shfaq durimin si pritë, jo, në bazë të paraqitjeve letrare ( poezive ), ego, fillon më herët. Pikërisht në ato poezi që kjo përpiqet të bëjë përshkrime artistike, pa i vënë theks jetëshkrimeve poetike. Ego është vështirë të kapet te kjo autore, por nëse bashkojmë elemente nga rrënja e kuptimit logjik, nga teoria letrare e saj, atëherë, me një gjurmim profesional, jo të thjeshtë prej lexuesi, gjindet ( ego ). E në fund të fundit, edhe kur gjindet nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, sepse vetëm kalohet nëpër veta gjuhësore.
 
Rezistencë e autores ndaj rebelimit të vargut

Autorja, me gjithëse herë pas here tregon shenja rebelimi në varg, arrinë ta ruaj komunikimin gjuhësor, duke mos pranuar të dalë jashtë vetvetës. E tash, kur kjo, nuk del jashtë vetvetës, edhe kur është rebeluar vargu i saj, atëherë nuk ka ndonjë gjasë që ta ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar as poezia e saj. Kjo është bindeje e thellë, se Silva, e krijon poezinë dhe nuk pranon diktatin e rrethanës që personazhi e lyp. Kjo shihet më shumë si stil i saj.
Rebelimi në varg, paraqet qëllim, pavarësisht se autorja pak duket se është e përfshirë në atë krijim të situatës. Jeta, nuk t’i jep të gjitha gjërat, aq më pak, jo në një kohë. Ndodhë kur nevoja për pasje është e jashtëzakonshme, prandaj në rrethana të tilla, mund të jemi rebelues edhe ndaj krijuesit e krijimit, mund të jemi rebelues edhe ndaj shkakut, deri te një interval kur bindja tregon se ka gjëra që nuk mund të ndryshohen pavarësisht pretendimit. Silva është treguar e vetëdijshme në aspektin e tillë, prandaj, ka mbështetur ndjenjën e lënë peng për fatin.
 
Përfundim

Duke lexuar disa nga poezitë e Silvës, arrijmë në përfundimin se kemi të bëjmë me një pjekuri artistike, me një autore që krijon paanshëm.
Secila poezi e Silvës, ka një ngjarje, prandaj mund të thuhet, se poezia e saj, është një roman në vete.
Silva, e përkujdesur që të shtrojë para lexuesit risi të mendimit poetik, tregon forcën e shprehjes së saj, të mendimit të saj, krijimin e situatave të lloj-llojshme; e vetëdijshme se jeta ka vuajtje, ka ndarje, dhe këtë ajo e përcjellë te lexuesi si formë të porosisë ( mesazh ) artistike.

Poezitë e Silva Tërnavës, janë  të arrira artistikisht, kanë vlerë dhe janë të qendrushme në raport me kohën.
Ajo ka arritur të krijojë një përfytyrim objektiv, një përfytyrim subjektiv, duke bashkuar elemente dhe ngjarje, për t’i dhënë kështu lexuesit një botë të saj.

LITERATURA
* Poezi të Silva Tërnavës



Gusht 2012                                         

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri