EMËRTIMI “LUGINA E PRESHEVËS” – KONCEPT ANTISHQIPTAR



Shkruar nga Prof. Dr. Muhamet PIRRAKU

Sipas onomasiologëve, emërvendi është tapia e një vendi. Madje, do të thosha, letërnjoftimi i një vendi në takimin e parë me të. Për këtë shkak akëcili pushtues në një vend, emërvendet i përshtat për gjuhën e tij, dhe njëkohësisht për të ardhmen e pronësisë së tij të pretenduar. Së këndejmi, të ardhme, së fundi të vonuar, kanë vetëm popujt e okupuar, të cilët nuk heqin dorë nga emërvendi - dëshmi e prekshme e tapisë së pronësisë. Kjo aftësi e rezistencës më shumë se akëcilit popull i ka munguar shqiptarit dhe veçanërisht bajraktarëve të këtij populli, të cilët, për interesa të tyre politike me synim të përjetshëm, janë treguar dhe tregohen, kurdoherë, shkurtëpamës dhe servilë para kërkesave dhe interesave të të huajve. Nuk mund të ta përdorë konceptin “klasë politike”, siç po përdoret në përditshmërinë tonë, sepse klasa politike ka afat të përdorimit që skadon pas akëcilit dështim të parë. Nuk ka dështim më të madh se të heqësh dorë nga emërvendi që dëshmon tapinë e pronësisë, siç ka ndodhur dhe po ndodhë aktualisht me heqjen e emërvendit “Kosovë Lindore” dhe futjen e konceptit me kuptim gjeografik “Luginë” përkatësisht “Luginë e Preshevës”.

Presheva

Se cila është rëndësia e emërvendit si tregues i pronësisë historike dhe etnike nuk kemi nevojë të bredhim nëpër përvojat e popujve të ndryshëm. Ndalemi vetëm në përvojën e pushtuesit serb të tokave shqiptare. Shumë vite para se Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria Osmane, ish- Vilajetin e Kosovës, i cili kishte mbi 43 000km2 të pjesës qendrore të provincës romake të Dardanisë, nisi t’i quante “Stara Srbija”. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit këtë koncept e zgjeroi deri në Adriatik, për tërë pjesën gege të Shqipërisë Etnike. Pas ricopëtimit të Shqipërisë më 1913, dhe gjatë periudhës së Jugosllavisë versajese, në vend të nocionit “Stara Srbija” u fut emërtimi “Južna Srbija”, por tashti ky koncept përfshinte vetëm pjesën shqiptare të aneksuar Serbisë. Në periudhën e Jugosllavisë avnojiste koncepti “Južna Srbija” u ngushtua vetëm për një pjesë të viseve të cilat Cfijiq i quante “Moravska dolina”. Ky territor tashti kapte rrafshlartën nga Vranja deri në kufirin me shtetin kominternist Maqedoni.

Në periudhën e ekzistimit të Vilajetit të Kosovës viset e Kosovës Lindore, quheshin, si edhe akëcila pjesë e Kosovës, me atributet nahi e kaza, të Leskocit apo Preshevës, në kohë të caktuar, por gjithmonë pjesë të Vilajetit të Kosovës. Konceptin Kosovë Lindore e hasim gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në observimet e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, përkatësisht për viset kufitare etnik juglindore të Shqipërisë. Në periudhën e Lëvizjes Gjithëpopullore të Unitetit Kombëtar Shqiptar përmes faljes së hasmërive, më 1990/92, koncepti “Kosovë Lindore” gjeti përtëritje veçanërisht në shkrimet afirmative për Lëvizjes së Pajtimit. Këso kohe këtë koncept e gjejmë të përvetësuar nga pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare dhe në shtyp. Mirëpo, në Referendumin për “Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”, të marsit 1992, emërvendi “Kosovë Lindore” u mbivotua nga liderët e moderuar, siç do të thoshte Skënder Latifi, të cilët preferuan konceptin “shqiptarët e rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”. Pra, “klasa politike” e këtyre viseve shqiptare etnike hoqi dorë nga koncepti “Kosovë Lindore”, hoqi dorë nga tapia e vendit, ndonëse kjo tapi tashti kishte gjetur vend në librat shkollor e studimor historiografikë, etnografikë e gjeografikë. Në janar të vitit 1995 doli nga shtypi libri: “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951”, të cilën autori, recensuesit dhe kritikët e kanë mbiquajtur “Tapia Shqiptare e Kosovës Lindore”. Ishte titulluar kështu për të vetmin qellim: Dëshmi e argumentuar e shqiptarësisë së vendit, e kultivuar dhe e fisnikëruar me gjakun shqiptar.

Një ekzemplar i kësaj dëshmie iu dhurua “liderit” Rizah Halimi, aso kohe kryetar partie e kryetar komune në Preshevë. Se si e priti ai, dhe partia e tij, këtë fitore të shkencës shqiptare të fituar me mund dhe me shumë sakrifica, në rrethana të aparteidit më të egër serb antishqiptar, mund të kuptohet edhe vetëm nga e dhëna e mëposhtme. Për shitje, anëtarëve të partisë së tij, e cila tregohej mullëza e shqiptarisë së “shqiptarëve të rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, iu lanë 32 ekzemplarë. Pas rreth dy vjetësh, kur autori i librit shkoi për t’i marrë lekët, për habinë e tij, zyrtari i partisë, një profesor i shkencave ekzakte, i thotë: “Librat nuk janë shitur, sepse këtu nuk shkojnë librat fetar...!” Që habia të jetë edhe më e madhe, paketat me libra fare nuk ishin hapur. U kuptua qartë se as ekzemplari i falur për Partinë nuk ishte lexuar, fare!?! Nuk duhet kuptuar këtë fakt si mllef personal të autorit. Të quhej ai libër “fetar” ishte më shumë se shkelje mbi gjakun e martirëve dhe të dëshmorëve të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Lindore, e më gjerë, ishte mohim i tapisë shqiptare të Kosovës Lindore.

Nuk është më pak antishqiptar as koncepti “Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë” që i ofrohej konceptit “shqiptarët e rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”. Pra, edhe themeluesit e UÇPMB-së, ndonëse me pushkë në dorë, në male, në pozitë më të mirë se politikanët e moderuar, hoqën nga tapia shqiptare e vendit, nga dëshmia e prekshme e pronësisë që tregonte se pjesë e cilit vend, dhe të cilit komb, janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Ky koncept Uçëpëbëmëist ndoshta ishte si alternativë për ta anashkaluar konceptin “Lugina e Preshevës” të cilin e përfoli, me gjasë, për të parën herë në arenën ndërkombëtare, sekretarja e shtetit të SHBA-ve, Zonja Medlin Ollbrajt. Koncepti “Lugina e Preshevës” do të përligjësohet veçanërisht me Marrëveshjen e Konçulit, më 12 maj 2001, përkatësisht më 1 gusht 2002, me rastin e formimit të Këshillit Koordinues të Përfaqësuesve Politikë Shqiptarë të Luginës së Preshevës. Tashti vetëm mund të vajtojmë.

Nga kjo pasqyrë e shkurtër e lëvizjes së konceptit gjeopolitik të mësipërm del qartë se shqiptarët, pikërisht bajraktarët e tyre në rend të parë, kanë hequr dorë nga argumenti i prekshëm i tapisë së vendit. Koncepti “Kosovë Lindore” ngërthente në vete këtë tapi të pronësisë, kurse koncepti “Lugina e Preshevës” nuk tregon përkatësinë e tapisë. Ajo mund t’i takojë, dhe do t’i takojë atij vendi dhe atij kombi që është më i forti. Pra, mund ta posedojë Serbia, e cila përmes gojës së Nebojsha Çoviqit, ka nisur ta quaj “Jug Centralne Srbije”, por mund t’i takojë edhe Bullgarisë, aktualisht përmes Maqedonisë kominitenisto-amerino-evropiane. Duhet gjak tjetër që t’i rikthehet tapia e vendit amë, Kosovës, sepse liderët e saj politikë e luftarakë kanë hequr dorë nga tapia e saj historike dhe etnike kosovaro-shqiptare. Së këndejmi, edhe me një pezëm të humbësit, kumtesën time e titullova, doradorës, Emërtimi “Lugina e Preshevës” - koncept antishqiptar. Ky gabim është i pariparueshëm.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit