Kryeministri Thaçi Nuk propozohet dëshmitar



Foto: Facebook, PDKFoto: Facebook, PDK
nga  Liridona Hyseni

Prokuroria nuk e ka propozuar dëshmitar Hashim Thaçin ndonëse ai ia kishte dorëzuar, sipas rrëfimit të Fatmir Limajt në aktakuzë, një kopje të printuar të përgjimeve inkriminuese telefonike në Zyrën e Kryeministrit.

Në aktakuzën e prokurorit special Johannes Pickert shtjellohet një incizim telefonik i cili mendohet t’i jetë dhënë ish-Ministrit Fatmir Limaj nga Kryeministri Hashim Thaçi, por ky i fundit nuk është propozuar dëshmitar në rastin më të madh të korrupsionit të ngritur deri më tash në vend. 

Nëse konfirmohet aktakuza për "Limajn-MTPT", prokuroria i ka propozuar gjykatës të dëgjohen dëshmitë e personave si Hasan Preteni, Mevludin Krasniqi, Akan Ismajli, Try Willkison, Durim Limaj, Ibrahim Mislimi etj., por jo edhe Thaçi. Në këtë listë nuk figuron as emri i Adem Grabovcit, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe tash shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Transkripti i sms-ve është korrespondencë mes Endrit Shalës, këshilltarit të Fatmir Limajt, dhe Florim Zukës, pronar i kompanisë “Tali” nga Gjilani. 

Zuka është akuzuar për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi si dhe për dhënie të ryshfetit, të dyja këto vepra të dënueshme sipas kodit penal të vendit. Zuka akuzohet se, për një tender të mirëmbajtjes të një rruge më 2009 në Gjilan, nëpërmjet ndërmjetësit Endrit Shala, ka paguar 250 mijë euro ryshfet për Fatmir Limajn dhe personat e tij të afërt. 

Shala akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, abuzim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pranim të ryshfetit si dhe për pengim të hetimit. 

Në prill 2010, shtëpia e Fatmir Limajt ishte bastisur me urdhër të prokurorit dhe, sipas akuzës, “aty ishte gjetur një version i printuar i mesazheve inkriminuese telefonike të fshira si dhe një version ‘i pastruar’ i sms-ve në një USB”.

Fatmir Limajt i ishte dhënë më pas nga prokurori një kopje e sms-ve. “Ajo përmban të dhëna shumë inkriminuese kundër Fatmir Limajt, Endrit Shalës dhe Florim Zukës”, thuhet në aktakuzë. 

Kopja specifikon marrëveshjen e ryshfetit mes Endrit Shalës dhe Florim Zukës për një tender të mirëmbajtjes së rrugës më 2009, në rajonin e Gjilanit, përfshirë edhe shumën e 250,000 eurove. 

Kur prokurorët kishin kërkuar kopjen zyrtare të sms-ve të numrit të Endrit Shalës në PTK, më 2011, vetëm mesazhet inkriminuese mungonin. Edhe në USB-në e gjetur në shtëpinë e Fatmir Limajt, rrugës për Çagllavicë, fjalli për sms-të kishte për autor vëllain e vozitësit të Limajt dhe ai ishte version i pastruar nga sms-të në kopjen në letër që mungonin aty. 

Fatmir Limaj kishte thënë se ishte marrë shumë me këtë rast dhe dikush i kishte zbukuruar sms-të. “Janë dy ose tre vende ku tekstet janë ndryshuar, ku është vendosur tjetër tekst”, u kishte thënë ai, prokurorëve. 

I pyetur se përse kopja e sms-ve në letër ishte gjetur në shtëpinë e tij, Limaj kishte thënë: “Këshilltari im erdhi dhe më tha se ka fabrikime të këtij dokumenti”. 

“Shkova në Zyrën e Kryeministrit. Dikush ia kishte ofruar atë Kryeministrit”, kishte thënë Limaj, duke mos mundur të specifikojë datën kur kopja mendohet t’i jetë dhënë nga Kryeministrit. 

“Kryeministri ma dha dhe ai më tha, ‘shikojë këtë’. E shikova dhe ishte shumë serioze për mua. Isha alarmuar. E lash aty. E thirra këshilltarin tim (Endrit Shala) dhe i thashë: ‘Ma sqaro çfarë ka ndodhur’. Ai tha: ‘Jo, ma jep një orë’”, citohet Limaj, në akuzë. 

Ish-Ministri kishte shtuar se më pas në versionin e teksteve në PTK ishte parë se ato ishin fabrikime. “Kam pasur menduar të ngrehë padi, por e kisha humbur dokumentin…Kjo është e vërteta. Nuk e kam pasur idenë nëse Endrit Shala e mbante atë ose se a e kisha unë. Për këtë arsye ishte gjetur në banesën time”.

Kur i ishte kërkuar ta tregojë historinë nga një kënd tjetër, Limaj kësaj here kishte thënë se nuk e kishte lënë kopjen e printuar në Zyrën e Kryeministrit dhe pastaj e kishte thirrur Edrit Shalën të cilit ia kishte dhënë. “Ai (Endrit Shala) e pa emrin e tij aty dhe numrin si dhe bëri krahasimet e kopjes me ato nga PTK-ja…”.

I pyetur se a do të mund ta ftojë mbrojtja si dëshmitar Kryeministrin Hashim Thaçi, nëse konfirmohet akuza, avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, tha se nuk mund të përgjigjet për këtë aktualisht. 

“Fillimisht duhet që të mbahet seanca për konfirmimin e aktakuzës, të marrim aktakuzën, të shohim ku është bazuar ajo, në cilat fakte, dhe vetëm pas kësaj seance do të shohim si do të veprojmë”, tha Rrecaj. “Për momentin, nuk mund të deklarohem asgjë më tepër për këtë”.
Ish-këshilltari Endrit Shala, ndërkohë, thotë se nuk e di pse mbahet në këtë aktakuzë nga prokurori pasi "mesazhet ishin të falsifikuara".
"Ata sms janë të montuar, është e faktuar se janë të montuar", tha Shala për Gazetën Jeta në Kosovë. "Unë e di kush i ka bërë këto falsifikime dhe si ka shkuar rrjedha e kësaj montazhe. Për ketë do të flas në gjyq".

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri