11/8/12

Të jesh femër në Shqipëri


Gazeta C


Të jesh femër në Shqipëri





















Elvira Haxhiu : Po a do mund të mbijetonte Shqipëria pa gruan? A do mund të jetonte kjo shoqëri maskiliste pa imazhin dhe frymën femërore? Në djall të gjitha; vendi që më quan shqiptare, shoqëria që e quan shpesh femrën të përdalë...
Çdo të thotë të jesh femër në shekullin e 21.. ?! Pyetje banale, por ta lexosh këtë pyetje në sytë e një femre do të thotë shumë. Kam 10 vjet që bëj punonjësen sociale në një nga zonat më problematike të Tiranës; kam parë gra të dhunuara që kanë harruar të buzëqeshin, por arrijnë të mbijetojnë, që rrisin fëmijë me frymeë e një nëne plot jetë, por që jetë s'kanë kurrë, që i zgjasin dorën shtetit e shteti s'dëgjon. Kam lexuar ligje mbi të drejtat e gruas; copy-paste e ligjeve më të mira të marra nga vende nordike, ku gruaja është mbi bazën e gjithçkaje e mbrohet denjësisht. Këtu ligjet janë por nuk gjejnë zbatim, pasi këtu jeta e një gruaje s'vlen . "Ka gra me shumicë". Këtu shteti e ka gruan vetëm numër matematikor, as relativ e as absolut,  thjesht numër. Duke marrë shkas nga vrasjet makabër që po i ndodhin gruas këto vite më vjen të ulëras dhe të kem frike pasi "Vdekja ka emrin Grua". U vra Erieta, Irena, Kozeta, Aurora, Aishja e tani së fundmi në lagjen time Jolanda që vritet në sy të djalit 9 vjeçar nga i shoqi edhe pse kishte urdhër mbrojtjeje.  Në trupin e saj u ngulën aq thika sa dhe vdekja pati frikë...Ndoshta nesër është radha ime, e motrës sime, shoqes sime e kjo më ngre peshë frikshëm. Pyes: Ku është shteti??? A janë kapur vrasësit? A doli ndonjë në bangën e të akuzuarit të mbante përgjegjësi për këto vrasje ??? Asnjw...? A është Shqipëria vend për gra? A mos vallë gruaja mban emrin Shqipëri...?!Revolta e brendshme më bën të shprehem në të tilla forma, por nëse
këto gra do ishin në një vend tjetër ndoshta do ishin akoma gjallë. Këtu, kur një grua denoncon burrin për dhunë fizike ndaj saj, polici qesh dhe e drejton në shtëpi, pasi edhe ky polic është edukuar që burri ka çdo të drejtë mbi gruan e tij; e ka pronë të vetën. Këtu gruaja dhunohet seksualisht nga shefi dhe ajo nuk mund ta denoncojë sepse shoqëria është patriarkale e të paragjykon pa një e pa dy, nuk mund të konkurosh për një vend pune me një mashkull se femra është gjithmonë e humbur para tij sado të mëdha të jenë kapacitetet e saj. Militantizmi i një mashkulli vlen më shumë se meritokracia e një gruaje. Të jesh grua në Shqipëri të vrasin lehtë, të përdhunojnë, të ngacmojnë seksualisht, të zhubrosin karakterin ,të pushojnë nga puna nëse si përgjigjesh egos së shefit, të vënë  damka...Gjithçka të bëjnë derisa zëri i një femre të humbasë në humnere e të mbetet të thuash: Shqipëri jam unë apo ti që po më detyron të të braktis? Çdo grua ka të drejtë të barabarta me një mashkull, por a ka barazi gjinore vallë? Çdo grua kërkon të jetë e lirë, por a ka vallë liri kjo grua në Shqipëri? Shpesh herë më frymëzon fantazia për të bërë diçka për gruan shqiptare dhe e vetmja dritë që i ndizet fantazisë sime në një tunel të errët është ta arratisësh këtë grua në një anije që ta shpjerë në atë vend ku fjala Femër është gur i rëndë, është peshë e madhe, është civilizim, është jetë e mbi të gjitha fjala vdekje nuk mban emrin femër. Në ato vende ku të ngresh dorë mbi gruan është si të kesh frike para Zotit, ku ta përdhunosh është si të jetosh i verbër. Po a do mund të mbijetonte Shqipëria pa gruan? A do mund të jetonte kjo shoqëri maskiliste pa imazhin dhe frymën femërore? Në djall të gjitha; vendi që më quan shqiptare, shoqëria që e quan shpesh femrën të përdalë, në djall ato pseudo politikane femra që s'janë veçse fytyra femërore me imazh mashkullor. Zëri femëror më thërret: kërko lirinë tënde grua, kërko dinjitetin e nëpërkëmbur, kërko imazhin që ti dëshiron, ndiq lirinë që kaq shumë e do. Gruas në këtë vend i ka mbetur vetëm ëndrra, por të ëndërrosh në të tilla kushte është privilegj më vete. Ta prekësh ëndrrën e ta kthesh realitet është sakrificë./

No comments:

Post a Comment