AFSHI PËR CENSURIM


Xha Xhai

Disa njerëz motivohen të marrin pjesë në jetën publike vetëm nga urrejtja ose ndonjë ndjenjë tjetër negative – përçmimi, frika, racizmi.

Kohët e fundit, këta po i shohim të shtohen mes bashkatdhetarëve.

Edhe ata që deri dje kishin turp të dilnin kështu hapur, tani kanë marrë zemër, falë degradimit të përgjithshëm të jetës publike.

Madje ka edhe më: mu nën sytë tanë, po krijohen solidaritete të mbrapshta, mbi baza urrejtjesh të tilla.

E tillë ka qenë dhe mbetet vala e mllefit kundër historianit zviceran Oliver Schmitt, i cili gjithnjë e më shpesh po i prezantohet publikut si njeriu “që ka hedhur baltë” mbi Skënderbeun.

Natyrisht, librat e përkthyer të Schmitt-it shiten për bukuri; në Panairin e tanishëm të Librit në Tiranë, esenë e tij për shqiptarët nuk e lanë të binte në tokë.

Meqë kam të drejtë të supozoj se këtij autori librat nuk është se po ia blejnë për t’ia shkatërruar ose gjithsesi hequr nga qarkullimi, atëherë s’më mbetet veç të nxjerr përfundimin se atyre që e vlerësojnë historianin zviceran u mungon guximi t’i dalin atij në mbrojtje publikisht.

Kjo është për t’u shqetësuar: frika e disave, përballë mosfrikës së disa të tjerëve.

Kohët e fundit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës e zgjodhi Schmitt-in anëtar me korrespondencë të kësaj akademie.

Unë do ta përshëndetja këtë vendim, edhe sikur të bazohej vetëm në veprën e Schmitt-it për Arbërinë venedike, ose duke lënë mënjanë veprat e tij kushedi më kontroversiale.

Të tjerë nuk mendojnë kështu. Kështu, sot në MAPO Jusuf Buxhovi – nga pozitat e “shkrimtarit, historianit dhe qytetarit të Kosovës” – e konsideron skandaloz këtë veprim të akademikëve në Prishtinë.

Për Buxhovin, Schmitt-i është i njohur “për qëndrimet rrënuese pa kurrfarë bazash shkencore ndaj historiografisë shqiptare, të cilat ai prej kohësh po mundohet t’i promovojë në emër “të rishqyrtimeve” historike”; dhe gjithashtu për qëndrimin e tij “fyes” ndaj Skënderbeut; sikurse edhe për faktin që në një vepër të tij për Kosovën, Schmitt-i ka “delegjitim[uar] rolin historik të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në dobi të tezave hegjemoniste serbomëdha”.

Buxhovi, i cili e quan Schmitt-in “sllavist” dhe ia konsideron mendimin si të kushtëzuar nga filtrat e historiografisë hegjemonistë serbomadhe, e konsideron pranimin e tij në Akademinë e Kosovës si rrezik “hendikepimit që mund t’u bëhet historianëve të Kosovës në rrugën e tyre për të studiuar të vërtetën historike”.

Fatkeqësisht nuk e njoh veprën e Schmitt-it për Kosovën, së cilës i referohet Buxhovi; por te Shqiptarët historiani zviceran më duket se ka shprehur qëndrime mjaft të drejtpeshuara dhe aspak antishqiptare, në lidhje me popullimin e atyre trojeve në Mesjetë; dhe kam të drejtë të besoj se ky autor nuk do ta ketë ndryshuar dramatikisht pozicionin e tij ndaj kësaj çështjeje, nga një vepër në tjetrën.

Kështu, kur analizon, te Shqiptarët, dinamikën e marrëdhënieve shqiptare-serbe në Kosovë gjatë Mesjetës, Schmitt-i e pohon shprehimisht se “nuk mund të qëndrojë teza serbe e një migrimi të vonë [të shqiptarëve, 2Xh] drejt Kosovës dhe Maqedonisë” [f. 146]; dhe unë këtë nuk do ta quaja kurrsesi “delegjitim të rolit historik të shqiptarëve”! Te kjo vepër, autori duket se dallimin mes shqiptarëve dhe sllavëve (serbëve) në Kosovë e sheh si një dallim kryesisht vertikal, ose të lartësisë së vendbanimeve – shqiptarët më lart, sllavët më poshtë; dhe këtë përfundim ai e nxjerr jo si sllavist, por duke iu referuar burimeve katolike dhe regjistrave osmanë.

Duket sikur arsyeja kryesore, për të cilën Schmitt-i u dashkësh lënë jashtë Akademisë në Prishtinë, është se ky thotë gjëra që i bien ndesh një farë diskursi kombëtarist skematik dhe ndonjëherë esencialist, i cili mbahet e përcillet si historiografi nga disa qarqe politike kombëtariste në Tiranë dhe në Prishtinë.

Edhe sikur tezat dhe hipotezat e këtij historiani të mos i qëndrojnë dot kritikës së mirëfilltë, atij nuk mund t’i mohohet puna e jashtëzakonshme që ka bërë, për të ndriçuar aspekte të historisë së shqiptarëve në Mesjetë; si dhe interesi që ka ngjallur dhe ringjallur, në qarqet akademike shqiptare dhe gjetiu në Europë, për çështje të mprehta të historiografisë sonë kombëtare.

Kaq do të mjaftonte, për të përligjur pranimin e tij si anëtar korrespondent i një Akademie modeste dhe në kërkim të profilit dhe të prestigjit të vet mes simotrave, si ajo në Prishtinë.

Që Schmitt-i është “sllavist”, siç e quan gati me përçmim Buxhovi, nuk është gjë arsye për ta lënë jashtë tryezave të dijes albanologjike, përkundrazi. Shqiptarët dhe sllavët kanë ndarë shumë gjëra mes tyre në Mesjetë; dhe një sllavist veç mund të përfitojë nga specializimi që ka, kur vjen puna për të ndriçuar çështje të errëta të Mesjetës shqiptare.

Madje edhe debati i rihapur me Schmitt-in, në rang akademik, jo në nivel rrugaçësh dhe fanatikësh kombëtaristë me shkumë në gojë, vetëm do t’i ndihmonte historiografisë shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë. Veç të mirë i vjen albanologjisë, nga autorë si Schmitt, Clayer, Bartl, Nadin, Matzinger, Fischer, Schramm, Vickers, Malcolm dhe të tjerë historianë, antropologë dhe historianë të gjuhës, të cilët u janë qasur aktivisht shqiptarëve në këto njëzet vjet.

Natyrisht, që të ndodhë kjo, është e nevojshme që debati të rikornizohet në mënyrë të tillë, që tanët ta kuptojnë dhe ta pranojnë, mundësisht në publik, se historianët perëndimorë nuk kanë për synim të ushqejnë mitin tonë kombëtarist, as të konfirmojnë tezat e ekzagjeruara shqiptarocentrike të historiografisë sonë.

Nuk përjashtohet kurrsesi, që edhe mes historianëve të huaj të ketë të tillë që të frymëzohen, për arsye të ndryshme, nga antishqiptarizmi (sikurse nuk përjashtohet që të ketë të tillë edhe mes historianëve shqiptarë); por edhe këta mund të luftohen vetëm në atë masë që dija historiografike albanologjike mbetet e hapur ndaj kontributit të të gjithëve.

Dhe, në çdo rast, është e papranueshme që Schmitt të futet në radhët e këtyre “antishqiptarëve” vetëm e vetëm ngaqë nuk ka ecur me hapin e togës, dhe ka kërkuar të vërtetën historike ashtu si ka mundur, në vend që t’i kruante bishtin legjendës kombëtariste.

Prandaj shpreha keqardhjen për klimën e përgjithshme të censurës, që është krijuar në hapësirën publike – e cila legjitimon një lloj militanti provincial nga shpirti dhe paranojak nga leximi që i bën realitetit; militant i cili sheh prapa çdo kundërtie dhe provokimi intelektual dorën e “armikut”.

Me qëndrime të tilla veç drejt një izolimi të ri mund të shkohet.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri