Oliver Schmitt: Skënderbeu ishte dhe mbetet arbër




“Historia e Shqiptarëve”, një përmbledhje ligjëratash e historianëve dhe albanologëve të huaj mbi aspekte të historisë së shqiptarëve, ishte fillesa e një debati mes studiuesve të huaj dhe atyre shqiptarë dje në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Libri që sapo është hedhur në qarkullim nga botimet “Përpjekja” sjell këndvështrimet e katër autorëve, Nathalie Clayer, Stephanie Sievers, Oliver Schmitt dhe Joachim Matzinger, mbi tematika të ndryshme të historisë së Shqipërisë. Autorët të pranishëm në promovimin e librit, përveçse mbështetën pikëpamjet e tyre, vunë theksin edhe në mungesën e komunikimit dhe bashkëpunimit mes historianëve shqiptarë dhe të huaj për teza të ndryshme të historisë së Shqipërisë. Botuesi Fatos Lubonja e konsideroi këtë libër tepër delikat dhe që ka për qëllim të evidentojë studimet historiografike shqiptare në periudhën e komunizmit dhe vazhdën e perspektivën pas rënies së sistemit diktatorial. Por ajo që në një farë mënyre ktheu në “nul” debatin e pesë viteve më parë ishte deklarata e historianit Oliver Schmitt se teza e tij e pesë viteve më parë, në monografinë e “Skënderbeut”, ishte keqkuptuar. Sipas tij, Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, ishte dhe mbetët arbër. “Ka një keqkuptim përsa i përket kësaj teze. Unë në monografinë time jam përpjekur ta përshkruaj Skënderbeun si ai që arriti të ndalonte për një periudhë të caktuar ekspansionin otoman. Skënderbeu ishte arbër dhe mendoj se i gjithë debati u hap për një tezë që në fakt nuk është e imja. Për mua ishte një debat artificial, që u ngrit mbi një keqinterpretim, që e bëri dhe media, të tezës sime. Të shkruash për një vend, duhet ta duash atë dhe unë e dua Shqipërinë”- tha Oliver Shcmitt. Në fund të vitit 2008 historiani Oliver Schmitt botoi në Shqipëri një biografi shkencore mbi heroin kombëtar Skënderbeun. Argumenti i Schmitt-it se origjina e Skënderbeut ishte ortodokse dhe jo katolike hapi polemika dhe një debat të gjerë publik ku u përfshinë historianë dhe jo historianë. Debati ngërtheu jo vetëm akademikë, por u përhap gjerësisht edhe në opinionin publik. Historiani Schmitt u akuzua se me tezën e tij cenonte heroin kombëtar të shqiptarëve. Ky keqkuptim ka ardhur dhe për një fakt që u diskutua gjerësisht në promovimin e librit “Historia shqiptarëve”, që ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit mes albanologëve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj. “Shkencat albanologjike fatkeqësisht kanë jetuar një ndarje midis studiuesve shqiptarë dhe joshqiptarë. Institucionet shtetërore që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, pas rënies së komunizmit, po kalojnë një fazë shumë të vështirë. Për rrjedhojë, studimet albanologjike janë ende në ndikimin e izolimit të mëparshëm dhe metodave të vjetruara të kërkimit.”- deklaroi historiani zviceran. Siç paralajmëroi dhe botuesi Fatos Lubonja, libri është tepër delikat dhe sigurisht që ai hapi debat që në prezantimin e parë të tij. Historiania Valentina Duka bie dakord me faktin se mungon bashkëpunimi mes historianëve të huaj dhe shqiptarë dhe, sipas saj, ky është një diskutim që është rrahur shpesh edhe mes vetë historianëve, por ajo për të cilën ajo nuk bie dakord është se situata në historiografinë shqiptare nuk është ajo që përshkruhet në librin “Historia e shqiptarëve”. “Pas viteve ’90 unë mendoj se situata në historiografinë shqiptare nuk është aq e zezë sa përshkruhet në këtë libër. Historiografia shqiptare vazhdon të ketë segmente që vazhdojnë të trajtohen bardh e zi, vazhdon të ketë individë që hedhin teza të politizuara dhe të sjellin produkte me doza folklorike. Por nuk duhet të mohojmë se janë hedhur hapa shumë të mëdhenj përsa i përket historiografisë. Debatet që këta studiues ngrenë sot në këtë libër ne i kemi të përditshme në auditorët tanë.”- tha Duka. Ky botim përmbledh ligjërata të albanologëve të huaj në fushën e historisë dhe gjuhës dhe mban firmën e katër autorëve. Përzgjedhja e historianëve dhe albanologëve të huaj është bërë qëllimisht për të sjellë këndvështrimin e tyre mbi problemet me të cilat ballafaqohet shkenca e historisë dhe gjuhësisë, teza që sigurisht do të hapin debat. Libri është përkthyer në shqip nga Pandeli Pani dhe Artan Puto.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri