1/22/13

Institucioni i Auditorit të Përgjithshëm “duhet të mbyllet”






Institucioni i Auditorit të Përgjithshëm “duhet të mbyllet” duke qenë se funksionimi i tij nënkupton vetëm harxhimin e parasë publike dhe asgjë më shumë. Gjykuar mbi efektet e punës së tij, del që për punën e këtij institucioni të lartë të auditimit nuk ia vlen madje as shtypja në letër e raporteve të tij.

Qysh prej themelimit të këtij institucion, që me kompetencë ka auditimin e organizatave buxhetore, të gjeturat e tij thuajse nuk i kanë shërbyet aspak prokurorive për të filluar ndonjë hetim.

Preportr, që publikohet nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, shkruan se në të gjitha raportet e Auditorit pothuajse evidentohen parregullsi, por prokurorët në pak raste i fillojnë hetimet. Zyrtar të Prokurorisë së Shtetit, thonë se kryeprokurori i Shtetit i analizon në detaje për çdo vjet raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

Por e gjithë kjo vëmendje e kryeprokurorit nuk ka rezultuar më fillim të hetimeve. Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, ka njoftuar se në vitin 2012 kanë filluar hetimet vetëm në dy raste të cilat janë në procedurë e sipër. Përderisa, për vitet paraprake, ky Njësit nuk ka qenë në gjendje që të ofroj të dhëna se sa raste hetimi janë iniciuar bazuar në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

Pavarësisht që evidentohen parregullësi me bollëk, Auditori me ligj e ka të përcaktuar mos t’i auditojë rastet që janë nën hetime. Në këtë kuptim, shumë projekte të Ministrisë së Infrastrukturës që e ka një shumë të madhe të buxhetit në dispozicion nuk janë audituar.

Ministri Fehmi Mujota në një mbledhje të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike i mbajtur në fund të vitit të kaluar, ku është diskutuar për të gjeturat e auditorit për këtë ministri, ka thënë se sa i përket projektit më të madh, atij të ndërtimit të autostradës, i cili nuk është audituar nuk është çështje që MI nuk ka ofruar të dhëna “por auditori ka vlerësuar kështu sipas ligjit”.

Zyrtarë të ZAP-it nëpër konferenca të ndryshme për medie kanë shpjeguar se ZAP nuk i auditon rastet që janë nën hetime, sepse kjo është ndërhyrje në punën e prokurorisë.

Përveç që nuk iniciohen hetimet mbi te gjeturat e Auditorit, as rekomandimet e dala në raporte nuk adresohen gati kurrë ashtu si duhet. Ndodhë shpesh që në raportet e viteve pasuese, ZAP jep rekomandime të njëjta për institucione të caktuara sikur në vitet e kaluara.

Përgjegjësitë e ndara

Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se vitin e kaluar bazuar në raportet e ZAP-it kanë filluar hetimet vetëm në dy raste. Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive ka njoftuar se në bazë të të dhënave që i ka marrë nga prokuroritë del që bazuar në raportet e ZAP-it kanë filluar hetimet në dy raste, që kanë qenë duke u trajtuar në ish- Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Ky njësit nuk ka njoftuar se për cilat raste bëhet fjalë.

Në Prokurorinë e Shtetit, thonë se nuk qëndron fakti që ata nuk i marrin raportet e Auditorit seriozisht.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit, çdo vit shqyrton me vëmendje raportet e publikuara nga Auditori i Përgjithshëm”, thotë Liridonë Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.

Zyrtarë të Auditorit ndërkaq nuk flasin për hetimet që mund t’i fillojë Prokuroria bazuar në të gjeturat e tyre. Zëdhënësja e ZAP-it Qëndresa Mulaj, thotë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë më prokurorinë, mirëpo kanë edhe përgjegjësi të ndara.

“Në nuk mbikëqyrim punën e Prokurorisë. Raportet tona janë publike dhe të gjitha të gjeturat e prezantuara në to mund të përdoren nga secili institucion përgjegjës qoftë për qëllime hetuese apo hulumtuese apo edhe nga vet entitetet e audituara për të përcjellur dhe implementuar rekomandimet e dhëna”, thotë Mulaj.

Me këtë ZAP-i e heq përgjegjësinë për të ndërhyrë në punën e ndonjë institucioni tjetër.

“Qëllimi ynë është që me anë të raporteve dhe rekomandimeve të dhëna të rrisim transparencën dhe të shtojmë vlerën e parasë publike, duke bërë që përdorimi i saj të jetë sa më efikas. Por assesi ne nuk dëshirojmë dhe nuk ndërhyjmë në punën dhe përgjegjësinë e ndonjë institucioni tjetër”, thotë ajo.

Prokurorëve u duhen emra konkret

Një prej përgjigjeve se pse nuk po hetohen rastet e paraqitura gjërsisht në raportet e Auditorit, prokurorët shpesh e kanë përmendur se në ato raporte nuk ka emra. Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ua rikujton prokurorëve se auditori nuk merret me emra konkret por me çështje në sektor të caktuar ku identifikohet keqmenaxhimi dhe prej tij keqpërdorimi i buxhetit.

“Roli i auditorit kudo është të bëjë matjen e perfomancës dhe auditori nuk merret me emrat konkret por me çështje në sektor të caktuar ku identifikohet keqmenaxhimi dhe prej tij keqpërdorimi i buxhetit”, thotë ai. Musliu thotë se, raportet e Auditorit i shërbejnë hetuesisë për ndjekje penale individuale të përgjegjësve që kanë keqpërdorur.

Në këtë drejtim, sipas tij këto raporte do të duhej të konsideroheshin pasuri e madhe për hetuesit, “të cilëve ua identifikojnë pistat e hetimeve dhe përgjegjësit për keqmenaxhim të financave dhe pasurive, që lehtësisht të gjithë mund të ndiqen penalisht”.

Megjithëse ZAP-i ua lehtëson kaq shumë punën prokurorëve, këtë të fundit sipas Musliu, kanë dështuar në vazhdimësi që të shfrytëzojnë brumin e ofruar nga Auditori i Përgjithshëm për të ndjekur penalisht keqpërdoruesit e buxhetit publik.

“Secili raport që publikohet dhe nxjerr në shesh keqmenaxhim të cilin e cilëson auditori duhet të vihet nën llupën e hetuesve të policisë dhe prokurorisë”, thotë ai.

Pak raste nën hetim

Prokuroria e Shtetit përveç që i analizon në detaje të gjitha raportet e ZAP-it, nuk duket që i merr fort seriozisht ato në fillimin e hetimeve.

Një rast ku ZAP kishte konstatuar shkelje të rëndë ishte ai i vitit 2011, ku Komuna e Prishtinës kishte blerë një kamion zjarrfikësish, në vlerë prej 300 mijë eurosh.

“Çmimi i paguar është 27 herë më shumë se sa që ishte vlera e mallit e vlerësuar nga doganat,” thuhet në raportin e ZAP.

“Nuk ishim në gjendje të gjejmë ndonjë shpjegim se si komisioni vlerësues kishte arritur deri në këtë shumë (300,000 euro) në lidhje me dhënien e kontratës”, thuhet në raport.

Prokuroria kishte filluar hetimet në këtë rast, jo pas publikimit të raportit të ZAP-it, por pas raportimit në medie. Si edhe në rastet e tjera, edhe në këtë rast, prokuroria kishte mbyllur hetimet në mungesë të provave. Vendimi i prokurorisë për pushim të hetimeve i ka mjaftuar Komunës së Prishtinës që kompaninë “All Zone”, që e kishte blerë kamionin në shumë aq të madhe, ta shpërbleje me dy tenderë për ndërtimin e shesheve “Ibrahim Rugova” dhe “Zahir Pajaziti”.

Një rast tjetër që tani po zhvillohen hetime, është ai i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor rreth rregullimit të shtratit të lumit Shushica, Komuna e Istogut.

Për këtë projekt Auditori i Përgjithshëm i kishte dhënë vërejtjet e tij që në vitin 2008. Hetimet filluan nga Prokuroria Speciale jo pas publikimit të raportit të ZAP-it, por pasi që banorët ishin ankuar kundër këtij projekti, vitin e kaluar.

Auditori kishte konstatuar se në këtë rast, Ministria e Mjedisit kishte kryer pagesa përkundër mungesës së raporteve teknike të kryerjes së punëve. Kontraktorit të këtij projekti kompanisë “Albes”, sipas raportit të ZAP-it i ishin paguar një shumë prej 271 mijë eurosh, ndërsa që kontrata ishte lidhur në vlerë prej 249 e 130 eurosh. Më vonë për këtë projekt ishte lidhur një aneks kontratë në vlerë prej 24 mijë eurosh.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka raportuar se koordinatorja e projektit kishte konstatuar se mbikëqyrja nuk ishte bërë në mënyrë profesionale, pasi nuk ishte ofruar libër pune si dhe kishte pasur vërejtje rreth realizimit të punimeve nga operatori ekonomik.

No comments:

Post a Comment