HEU, ZOTI UA THEFTË QAFËN!


Do të gjendet patjetër një melodi për ta kënduar të nesërmen para popullit, por zor e ke të shlyesh gabimet e të së sotmes!)

"Mik, nëse përulesh, atëherë, çohu dhe vdis”

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Vdekja për së gjalli dhe vdekja për së vdekuri
Dakord, i tha Babagjyshi nipit, sytë janë me pa, veshët me dëgjuar: Zor e ke me e dallua të mirin nga i keqi, rrenacakun nga jorrenacaku, punëtorin nga pa punëtori, hileqarin nga i sinqerti, fetarin nga jofetarin. Dhe, qe pse shumë herë e ke dëgjuar, o nip Babagjyshin tënd duke ngrehur zërin: Ka të gjallë që është i vdekur, edhe për së gjalli, edhe për së vdekuri. Me i ndodh i ndodh, kujt tjetër, pos njeriut. S’ka rëndësi ku ndodh? Kur ndodh? E drejta është mirë për ty, o nip të dish pse i gjalli vdes për së gjalli? Kur vdes për së gjalli i gjalli dhe vdes për së vdekuri? Qysh bëhet kjo: Edhe i gjallë, edhe i vdekur? Më parë duhet ta dish, o nip: njerëzit e vdekur për së gjalli janë gjynahqarë. Janë primitivë. Skizofren. Janë mashtrues. Ata thikën ua fusin pas shpine, edhe maleve, edhe fjalës, edhe besës, edhe popullit. Janë lakmitarë. Janë zgrop. Janë sadistë. Ata dinë vetëm me urryer. Ata dinë vetëm me shembur. Ata gëzohen vetëm kur rrëzojnë, vetëm kur kapërcejnë nëpër trupin, nderin, moralin fatkeqësinë e tjetrit. Ata qeshin vetëm atëherë kur miku o shoku o populli, bien në krizë. Ata buzëqeshin vetëm atëherë kur populli bie në krizë ekonomike sociale. Ata përpiqen me u bë pushtetar, sundimtarë, të parë, vetëm me thikë pas shpine. Dhe fare rahmet as marre s’kanë. Mos paq punë me ta, o nip. Me ta: as mos u miqësofsh, as mos u shoqërofsh!

Matrapazët e shelegarët

Haj medet, haj. Po, nip, po. Të vdekurit për së gjalli janë matrapazë e shelegarë. Janë do bylmeza aguridhë e proletarë. Ata luftën s’e bëjnë me pushkë e me top e me gjak, por paqen e bëjnë me urrejtje, me sadizëm, me shembje, me thikë pas shpine. Shpesh të vdekurit për së gjalli i dëgjon duke bërtitur: Rroftë populli! Në emër të popullit! Lehtë e ke o nip me i njohur të vdekurit për së gjalli: Atyre po t’ua humbësh farën e urrejtjes, lakmisë, karrierës, pushtetit, ata vdesin për së gjalli dhe vdesin edhe për së vdekuri. Po, sepse, të vdekurit për së gjalli dinë vetëm me shembur. Me shkelur. Me rrëzuar. Me përplasur hundë e buzë mikun, shokun, e shpesh, pesë para s’i japin, e përplasin për tokë edhe populli. E pse bre me përplasë, me shurdhua popullin duke e thirrur me u ardhur në ndihmë ditën e natën? Vetëm e vetëm me hip vetë maje pushtetit. Lart e më lart. Aq i kanë në qejf lartësitë, pushtetet, karriget, pallatet, kullat shumëkatëshe... Prandaj, mos u habit o nipashi im: Ata edhe kur flasin, flasin në emër të popullit! Edhe kur besojnë, besojnë në emër të popullit. Heu, Babagjysh, po kurrkusha qenkan ata që vaiskan për së gjalli dhe vaiskan për së vdekuri, he Zoti qafën ua theftë!

Guximi: Mik, nëse përulesh, atëherë, çohu dhe vdis

Thuhet, guximi është fillimi i fitores. Të guxosh do të thotë të veprosh. Të kërkosh diçka të re, diçka që duhet ndryshuar nga ajo që e ke në duar. Të kesh guxim do të thotë të ecësh përpara. Të ecësh shtigjeve nga e ke drejtuar shikimin, nga e ke përqendruar qëllimin e ecjes sate, të veprimit, të synimit, për ku je nisur për të arritur, apo e dëshirës për të arritur atë që se ke. Të kesh guxim do të thotë të jesh i liruar nga frika, të mos e mendosh frikën as të mos e parashikosh se frika ekziston rreth teje, para teje, pas dhe përtej teje. Të kesh guxim është burrëri, shkëlqim i personalitetit dhe i species sate prej burri. Të jesh guximtar është punë burrash. Fjalët janë të tepërta. Guximi është cilësi e një shpirti të pastër, të shëndoshë të padjallëzuar, pa gjynahe, pa hile. Guximi është dhunti dhe cilësi e burrit, e trimit.

Kosova, sa dushk e bar me guximtarë

Shumë herë guximin e fusim aty ku s’duhet, ku s’mund të dalë, e tradhtojnë. Trimi tutet, frikacaku s’tutet fare. Trimi tutet nga marrja, nga mallkimi i popullit, nga mallkimi i maleve, nga mallkimi i gjakut. Trimi tutet nga mallkimi i mikut, i prindërve, tutet dhe kur tutet trimi kurrë nuk tutet. Shpeshherë guximin tonë e përdorim për gjera të liga, e përdorim për ta shembur vëllain, për t’ia ngulur thikën pas shpine popullit, miqve e shokëve. Po, sepse, vallë, a është guxim të harrosh malet mbushur me krisma lirie? A është guxim me ia futur në bir të fytit thikën e përçarjes vëllait, mikut, shokut, popullit tënd? A është guxim dhe patriotizëm me e shkel në sofër të bukës, në male, me shkel në besën dhe betimin e ushtarit, të luftëtarit, të atdhetarit që besën i ke dhënë popullit dhe je ngjitur në male, por tash lirisë, pavarësisë, popullit, atdheut, i kërkon 100 fish më shumë sesa meriton? A është guxim me dhunua, me vjedh? A është guxim me i mësua fëmijët me sha e me fye, me u bë hajna, poshtërues, dashakeq, tinëzarë, qyqarë, me i mësua keq, me u bë 100 herë ma i keq sesa që është prindi? A i duhen sot kaq shumë guximtarë Kosovës? Fjala është për guximtarë azganë! Ata që fjalën e kanë top, zemrën zog. Ata që shpresojnë që samari i gomarit ngarkuar me thasë floriri, bëhet flori. Ata që mendjen e kanë hu, punën pus. E Kosova me fusha e livadh, plot me azganë, kuaj, gomarë! Azganët çojnë krye, jo në male si çlirimtarë, por çojnë kokë pas luftës çlirimtare. E rrahin gjoks, e shtiren trima.
Azganët vdesin për së gjalli, kurse burri (trimi) jeton për së vdekuri!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri