2/24/13

Kritika letrare, në krizë të rëndë


Kritika letrare në Kosovë prej vitesh është e mangët dhe jo shumë produktive. Kryesisht kritikët shkruajnë për veprat e miqve në superlativ, duke mos vënë në dukje mangësitë që ka një vepër. Kjo, ka bërë që letërsia shqipe në Kosovë të jetë larg zhvillimeve botërore.

Letërsia nuk është në krizë


Shkrimtari Reshat Sahitaj * thotë se në Kosovë letërsia shqipe nuk është në krizë, por kritika letrare. “Letërsia shqipe nuk është në krizë të thellë sa është kritika e mirëfilltë në krizë të rëndë. Për një vepër letrare artistikisht të realizuar nuk është më rëndësi a do të vlerësohet sot, nesër a pasnesër, ngase ajo një ditë do vlerësohet patjetër. Në letërsi kemi shumë shembuj kur një vepër letrare ka kaluar në heshtje për vite të tëra e pastaj gjenerata tjetër e ka vlerësuar në superlativ”, shton ai, duke thënë se kritika letrare në Kosovë jo vetëm që është në krizë, por janë shumë të paktë kritikët letrarë, të cilët dinë të vlerësojnë një vepër letrare. “Lexueseve tanë shpesh u bie rasti të lexojnë recensione letrare, të cilat nuk janë të kapshme, sepse janë të palogjikshme. Objekti i një studimi letrar është analiza e një vepre nga kënde të ndryshme dhe zbërthimi i kodeve të veprës që autori qëllimisht ose në raste të rralla rastësisht i ka përdorur në veprën e tij. Shumica e kritikëve tanë (jo të gjithë) janë shabllon dhe ende kanë mbetur në epokën e fillimit të shekullit të kaluar”, thotë  publicisti shqiptar Reshat Sahitaj.

Thëniet e huaja

Studiuesi Reshat Sahitaj thotë se edhe ata kritikë që janë mundohen që me thënie të autorëve të huaj të bëjnë kritika letrare. “Disa kritikë tanë në recensionet e tyre përdorin thënie të autorëve të huaj, të cilat i gjejnë në botime të veçanta ose në internet, por të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë më recensionin që e kanë shkruar. Kjo metodë është kontraproduktive dhe tregon injorancën e tyre se ata nuk kanë lidhje me zbërthimin e një vepre letrare”, tha ai.

Ai ngre një çështje që duhet diskutuar, pra kritikët shkruajnë në bazë të miqësisë dhe mirë për ndonjë zyrtar shtetëror. “Pjesa më e madhe e kritikëve tanë shkruajnë për t’ia plotësuar dëshirën ndonjë zyrtari që është bërë krijues, ndonjë të dashure të tyre që vetë ua shkruajnë librat, ndonjë “miku” që ka fituar ndonjë tender nga ministria, e në këtë mënyrë ne stagnojmë”, nënvizoi  Reshat Sahitaj.

Ndjeshmëriandaj gjykimit kritik

Ndërkaq, kritiku dhe sociologu Avni Rudaku * tha se moskritika e duhur rrjedh nga arsimimi i dobët. “Kritika mbetet problem i arsimimit të dobët, gjendjes së rëndë socio-ekonomike të kritikëve, mungesa e debateve mbi letërsinë në mediet dhe hapësirën shqiptare, ndjeshmëria ndaj gjykimit kritik nga ana e krijuesve dhe relacioni emotiv që krijojnë me kritikët, organizimi i dobët i klubeve kulturore dhe letrare në Kosovë, decentralizimi i burimeve të njohjes së veprës letrare, mentaliteti postkolonial që kritikën e konsideron si ‘qortim’, ‘presion’, ‘shtypje’, ‘nënçmim’, etj. Kur e themi mentaliteti postkolonial e kemi fjalën se kemi të bëjmë me ndikimin e të kaluarës sonë nën sundimin e huaj dhe kritikën e barazojmë me qortimin, sikur kritika të ishte armiqësore”, mendon  Avni Rudaku.


---------------------------
Reshat Sahitaj.jpg

Reshat Sahitaj ka lindur më 1952 në fshatin Sopijë të Therandës. Ka një veprimtari letrare, kulturore dhe atdhetare. Për shkaqe politike, autori qe i detyruar të largohej më 1979 nga Kosova dhe të vendosej në Belgjikë. Në Bruksel ndjek studimet e gjuhes frenge dhe diplomon në Ecole Superieur de l’Etat. Atje ishte ndër organizatorët e shumë demonstratave kundër terrorit serb në Kosovë. Me 1983 emërohet sekretar për marrëdhënie me jashtë në Komitetin e Mbrojtjës së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me kryetar Enver Hadrin. Pas vrasjes së Enver Hadrit, vazhdon veprimtarinë politike në Byronë Informative të Republikës së Kosovës deri në përfundim të luftës në Kosovë. Ka dhënë një kontribut të çmuar në miratimin e të gjitha rezolutave për Kosovën në Paralmentin Europian që nga viti 1989 deri më 1998. Reshat Sahitaj ishte ndërmjetësues i kontaktëve të para diplomatike në mes të të gjithë personalitetëve kosovare në Parlamentin Europian, Senatin Belg, dhe NATO. Ne verën e 1998, në lokalet e OKB-së në Gjenevë, Reshat Sahitaj në bashkëpinim me zonjën Anne Marie –Lizin, arriti të organizon konferencë për shtyp të UÇK-së, ku mori pjesë edhe Bardhyl Mahmuti.

Avni Rudaku.JPG

Avni Rudaku lindi më 1984 në Gjilan, është poet, publicist letrar.
Avni Rudaku është Baçelor i Psikologjisë dhe Sociologjisë në Universitetin Publik të Prishtinës. Vazhdoi studimet master në Sociologji, në të njëjtin universitet dhe, aktualisht është duke mbaruar temën për master. Ka botuar një mori refleksionesh të karakterit publicistik, shkencor dhe letrar. Është fitues i çdo burse vjetore të Universitetit të Prishtinës. Libri “Poezi pa frymë”, është njëherazi libri i tij i parë, i botuar në janar të vitit 2010. Është ngacmuar të shkruaj poezi para një viti, ku përmes vargut dëshiron më pak të transmetojë emocion (frymë), e për më tepër të shqyrtojë tema e nëntema të konteksteve të ndryshme socio-kulturore dhe psiko-filozofike, e veçmas sfidat e jetës bashkëkohore.
Aktualisht është asistent i ri për lëndë psikologjike, në Kolegjin Universitar "Iliria", dega në Gjilan.
Jeton dhe punon në Gjilan.

Përgatiti Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment