Mësuesi një ambasador në mbretërinë e dijes

I madh sa një det, i pasur si një mbret

Njeriu ka nevojë për arsim si bima për ujë. Si pema që thahet, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po s’u edukua qysh në fëmijëri, më tha mësuesi im Shefqet Abdullahu, një javë pa i mbyllur sytë

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Më mësuesin Shefqet Abdullahu jam takuar kur i kisha tetë vjet. Isha në klasën e tretë fillore, në shkollën e lyer me lloç, midis vendlindjes. Shpesh u shpjegoja fëmijëve të mi, por sot edhe mbesës sime, Violës (nxënëse në klasën e katërt) se unë, ky që sot jam baba, gazetar, shkrimtar, jam gjysh i shumë nipave e mbesave, klasën e parë fillore e kam mbaruar pa asnjë libër shqip, pa asnjë fletore, pa laps, pa gomë...E ku shkruanin atëherë fëmijët shqiptarë të Kosovës? Në një mini dërrasë e zezë. Aty shkruanim, në të i bënim detyrat e shtëpisë, aty mësonim shkronjat e alfabetit shqip... ‘Tabllicën’ e kishim libër, pentagram, fletore... Dhe, kur u rrita për dy klasë, në të tretën, mësues im u bë Shefqet Abdullahu, nga Zabeli i Poshtëm i Drenicës. Për mësuesin tim shkurt e shqip do të flas më poshtë, por, kur u bëra mësues edhe unë, u takuam, me përqafoi ngrohtë, dhe me tha mësuesi Shet, gjithë i buzëqeshur: Për mësuesit thuhet se janë të mëdhenj atëherë kur në kohë të errëta, në skamje e në katrahura të jetës, shohin dhe e marrin matanë bjeshkëve dritën e diturisë, dritën e lirisë,dëgjojnë dhe ndjejnë thirrjen e robit e të Atdheut për ndihmë, kurse në mbretërinë e guximit ngrënë filozofinë e besimit!

Vargje poetike për mësuesin

Unë, bimë në arën e magjishme me emrin: Drenicë, për mësuesit e mi, kur u rrita dhe u bëra shkrimtar, këndova dhe buzëqesha me kujtimin për mësuesit e mi, për ambasadorët e Kosovës në shtetin e Dijes, këndova, shpesh thura vargje, tregime për mësuesit e mi, i quaja perandorë, i quaja det me valë mbushur shkronja shqip, e quajta mësuesin tim Shet, e quajta: mbret! Dhe, në kallëzime dhe përralla pata mësuar nga gojë e mësuesit tim, për mbretër, për perandorë, për princër, për të shenjtët, por, ama, nuk pranoja tjetër mbret e det, s’pranoja tjetër perandor, pos mësuesit tim, Shetit, siç e quanin shkurt, kur ai hynte buzagaz me libër në dorë, shpërndante rreze gëzimi e krenarie me ata sy si dy yje, shpërndante urata të Zoti, lutej mësuesi për ne, për fatin e librit shqip, për fatin e flamurit kombëtar, të cilin s’e kishim pa kurrë me sy. Dhe, shkrova, vargje poetike i kushtova mësuesit tim, këndova me loçkën e zemrës për të: Sikur retë që falin shi (Sikur ara që rritë farën) Si bilbili në atë bli (Dukeshe ti me abetaren!). Sikur kroi që rrjedh me pika (Si pranvera me shyhret ), Mësuesi im shpirt prej prindi (Vinte n’klasë sikur një mbret), Fjalë më t’ëmbël s’kam shijuar (Fytyrën diell, shpirt ylber!), Jetë e mot kam me t’kujtuar (Mësuesi im, mësuesi Shet!)

Dëftesa e maleve...

Shumë ditë të jetës me kanë ikur duke biseduar me mësuesin tim, Shet. Shumë net na kanë ikur duke biseduar për gjithçka që lidhet me librin, me dijen, me intelektualët, me shkollën, por mësuesi Shet qe besa shpesh hynte edhe në tema të nxehta: Interesohej të mësonte më shumë për vrasjen e mësuesit e poetit Fazli Greiçevci, interesohej për malet dhe për atdhetarët e veprimtarët që vërr-mërr s’u bënte syri,duke kërkuar lirinë, barazinë, flamurin e kombit, shkollën shqipe, Kosovën e lirë. Dhe: pak ditë pasi në Drenicë ishin kthyer ata që kishin pasur ymrin, ani pse halli i parë i popullit të lodhur e të dërrmuar ishte hapja e varreve dhe futja e xhenazeve në dhe, sepse, trupat e vrarë kutërbonin sa ta zinin frymën... Ndjehej tepër i fortë mësuesi Shet, fliste për UÇK-n, për sakrificën e popullit, për fitoren e gjakut mbi tmerrin e vrasjet e mizoritë e kriminelëve çetnikë serbë, por, interesant, ishte i mbushur me shpresë se fitorja mbi të keqen shekullore ishte e garantuar: edhe nga Amerika, edhe nga Zoti! Me pati ardhur keq kur i pashë lotët teposhtë faqeve të mësuesit Shet për vrasjen mizore të të madhit Ymer Elshani, me tërë familjen e tij - pos Teutës, s’ndodhej në Drenicë. Sapo kërkova leje për izën, ai brofi në këmbë aq lehtë si djalë, nga rafti kapi me dorë një letër dhe m’u afrua: Këtë letër e kam hartuar si dëftesë e suksesit mësimor për ty. Ma dha në dorë atë dëftesë, me mbështeti për gjoksi, dhe me uroi: paq fat, shëndet, ti dhe familja jote! Këto janë notat e mësuesit Shet që i hodha në këtë dëftesë, të cilën e hartova atje sa isha në male, për ty, nxënësi im, që ma dërgova amanetin që ta dhashë në shkollë: Unë juve nektarin e diturisë, ju maleve pushkën e lirisë! Në të gjitha lëndët mësimore atje në male, i ke pesa. Por, në lëndën më të re mësimore: Guximi, me penë e pushkë, ta jep notën: Shembullore! Ju shtatë fish ma keni kthyer të mirën që unë ua dhashë në shkollë!

Jeta është sikur një libër: Çdo faqe e saj është një faqe e re e jetës

Duke me përcjellë, ani pse kisha një det emocionesh, fola: Faleminderit, o mësuesi Shet! Të shpërbleftë Zoti me shëndet e qetësi. Po, e vërtetë, o mësuesi Shet, ti na mësove shkronjat, na e fale librin, lapsin, dijen, kurse ne Ty të dhuruam vetë, atë që patëm mundësi, dhe e patëm për fat që ishim ky brez. Luftën e bëmë, ju o mësues ishit në ballë kësaj, ju ishit komandant, ishit gjeneral, dhe me armët tuaja, me shkronja, me libra, me këngë, me dije, ne fituam atë që s’e patëm me shekuj: Pavarësinë! Luftën e bëmë: Në emër të Zotit dhe për Kosovën. Megjithëse, jeta, sido që të jetë, është e ëmbël. Dhe sot jemi këta që deshëm dje të jemi sot. Mirë, tepër mirë. Dhe, ku ta dija se këto fjalë do të mbetën të fundit që m’i tha afro njëjarë pa ndërruar jetë mësuesi Shet: Njeriu ka nevojë për arsim si bima për ujë. Si pema që thahet, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po s’u edukua qysh në fëmijëri. Populli është sikur një libër: në dish ta lexosh dhe të kuptosh atë që është e shkruar në atë libër,e ke të hapur rrugën e përparimit, urën e besimit, nderin e kombit, madhështinë e maleve...! Po, po, jeta është sikur një libër: Çdo faqe e saj është një faqe e re e jetës! Me përqafoi ngrohtë si diell i verës, dhe, s’dua ta pranoj se mësuesin Shet s’e takoj më, s’e shoh me sy më, por betohem se s’do të shkoqet kurrë nga mendja e zemra ime! Këta rreshta shkrimi t’i pata borxh, o mësues, hallall 100 e 1000 herë! I lehtë të qoftë dheu i vendlindjes sate!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri