E drejta e autorit, duhet fuqizuar


E drejta e autorit, duhet fuqizuar

Shqipëria merr pjesë në Federatën Ndërkombëtare të Muzikantëve në Bruksel

Shqipëria ka qenë e pranishme përmes kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Reshat Ibrahimi, në takimin e tetë të Federatës Ndërkombëtare të Muzikantëve që u mbajt nga datat 15-16 mars në Bruksel. Në këtë event merrnin pjesë drejtues të sindikatave nga 23 vende të Europës dhe shumë organizatave ndërkombëtare. Ndër diskutimet e këtij takimi ka qenë dhe një projekt direktivë që ka propozuar Komisioni Europian lidhur me aspekte të pronës intelektuale, të drejtës së autorit dhe të dialogut social europian. Disa delegatë shprehën shqetësimin e tyre lidhur me pasojat negative që mund të sjellë ky projekt lidhur me të drejtat dhe përfitimet e artistëve përkundrejt aktorëve dhe faktorëve të tjerë që veprojnë në këtë fushë. Vend të veçantë në diskutim ka zënë dhe një klauzolë e propozuar nga Komisioni Europian, e cila i jep të drejtë një enti të caktuar që të tërhiqet nga një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të autorit, kur nuk është I kënaqur me të, duke administruar vetë këto të drejta ose duke ia kaluar një shoqate tjetër. Pothuajse të gjithë diskutantët pohuan se një gjë e tillë do të krijojë pabarazira dhe deformim të konkurrencës ndërmjet subjekteve të vogla dhe atyre të mëdha e më të fuqishme. Gjithashtu u diskutua gjerësisht lidhur me marrëdhëniet ndërmjet shoqatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit në vende të ndryshme të Europës.
Në këtë panel, kërkesa e përbashkët e pjesëmarrësve ishte që Komisioni Europian të konsultohet më mirë e më shumë me grupet e interesit dhe t’i shohë me frymë më praktike aspektet e ndryshme përpara se të hartojë e miratojë direktiva e rregulla të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat, përfitimet dhe rreziqet e artistëve.
Në një panel tjetër të posaçëm u diskutua për ndikimin e rregullave të konkurrencës mbi artistët e vetëpunësuar. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, përfaqësuesi shqiptar Ibrahimi foli mbi punën e bërë mbi mbrojtjen dhe përfaqësimin sa më të mirë të të drejtave të artistëve shqiptarë. Duke iu referuar mungesës së traditës në këtë fushë për shkaqe tashmë të njohura të trashëgimisë moniste, ai përmendi përpjekjet që bën sindikata me institucionet e ndryshme shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, e sidomos rritjen e nivelit të pagës gjatë tetë viteve të fundit.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri