EDI RAMA ERDHI NË VENDIN E KRIMIT PËR TË BËRË KRIME TË REJA KUNDËR SHQIPTARËVE





Rexhep Kastrati

Kur Edi Rama erdhi në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar, pra në muajin e 100 vjetorit të pavarësisë, për të bërë një ekspozitë me flamuj shqiptarë, pata bërë një shkrim, në të cilin shtroja çështjen e mundësisë së përpjekjeve për ribashkimin e së majtës shqiptare (partitë e majta të Tiranës dhe ato të majta të Kosovës: PDK e Hashim Thaçit dhe AAK e Ramush Haradinajt). Ndonëse ishte herët për të argumentuar qenësisht një mundësi të tillë, konteksti sociopolitik në të cilin ndodheshin shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë, si dhe e kaluara e afërt e bashkëveprimit të së majtës shqiptare për të rrënuar politikisht të djathtën dhe qendrën e djathtë, më bënë që ta shtroja këtë tezë, me sugjerimin që kjo çështje të shihej me vëdmendje.
Konteksti sociopolitik i shqiptarëve, si kontekst i një ballafaqimi me një të majte në Tiranë, e cila kurrsesi të fitojë pushtet me votë, si dhe i një të majte në Prishtinë që në pushtet ka ardhur me vota të vjedhura dhe, siç kanë dëshmuar kabllogramet e wikileaks-it, nëpërmjet përgjërimeve dhe shantazheve ndaj bashkësisë ndërkombëtare se nëse nuk vjen në pushtet, do të tërhiqet nga proceset politike dhe diplomatike në dhe rreth Kosovës, kishin bërë që përballë të djathtës, edhe pse me probleme të shumta, të shihnin pafuqinë demoratike të tyre. Dhe pafuqia demokratike nënkuptonte pamundësinë që me votë të vinin, përkatësisht të qëndrojnë në pushtet, e që e përkthyer konkretisht do të thotë pamundësi e së majtës së Tiranës për të ardhur në pushtet me anë të zgjedhjeve, si dhe pamundësi e së majtës së Prishtinës për të mbajtur pushtet me anë të votave, pasi që edhe këtë pushtet që ka, siç e tha edhe njëri prej tyre, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka me votat e vjedhura.


Në gjithë këtë angazhim, del hapur se qëllimi themelor i së majtës është ardhja, përkatësisht mbajtja e pushtetit, pra qëllim themelor është pushteti. Në pikëpamje teorike të përkufizimit të partive politike, synimi i pushtetit është një nga qëllimet kryesore se përse ato formohen dhe ekzistojnë për të ardhur në pushtet, që nëpërmjet pushtetit të realizojnë programin politik-qeverisës. Por, po në pikëpamje teorike, thuhet se ardhja në pushtet, qeverisja realizohet nëpërmjet shumicave zgjedhore (votave) dhe shumicave kuvendore. Dhe këtu është karakteri kundërdemokratik i së majtës shqiptare, pasi që e majta kurrsesi nuk po pranon fuqinë e votës, përkatësisht të ardhjes në pushtet nëpërmjet fuqisë së saj, e jo të fuqisë për të bërë keq për vendin.
Në këtë kontekst moraliteti politik as që shtrohet, pasi që e majta shqiptare ka treguar se gjithçka mund të ketë, por moral politik jo, pasi që do të shtrohej çështja se ku është moraliteti i manipulimit politik të emocioneve të qytetarëve që kishin humbur paratë në skemat piramidale, e që përdorën për të rrënuar mundësitë për afrimin me BE-në dhe NATO-n, pasi që dihej botërisht se shteti aktual shqiptar ishte shumë afër marrëveshjes për stabilizim-asociim me BE-në dhe me mundësinë e afrimit të këtij shteti me NATO-n. Ata që kanë ditur të lexojnë atëherë dhe të dëgjojnë e shikojnë, këtë e dinë mirë, pasi që ishin lajme të shpeshta në media të shkruara e eletronike të kohës.Dhe ky rrënim u bë me shndërrimin e revoltës qytetare për humbjen e parave të tyre, në një anarki politike për rrënimin e të gjitha hallkave shtetërore që e mbjanë shtetin: policinë dhe ushtrinë, dhe këtë e bëri me premtimin e pamoralshëm politik për rikthimin e parave 100%. Dhe ky ishte mashtrimi më i madh që iu bë popullit, të cilit kurrë nuk ua ktheu ato para. Dhe edhe në këtë kontekst, ishte aleanca e së majtës shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare që e dogji shtetin shqiptar, me qëllim të vetëm ardhjen e dhunshme në pushtet. Dhe pushteti me çdo kusht, ky është qëllimi i së majtës shqiptare. Dhe e majta shqiptare ka dhënë prova se për pushtet rrezikojnë edhe interesat kombëtare: në shtetin aktual shqiptar u shkatërrua shteti, u shkatërruan proceset me BE-në dhe me NATO-n, sepse shteti që ishte shumë afër tyre, mbeti thuajse e fundit në këto procese, sepse iu desh gati një dekadë për t’u realizuar; në Kosovë, po kjo e majtë e bashkuar rrënoi bazat e shtetit dhe të gjithë angazhimit të shqiptarëve në Kosovë që nga viti 1990 e këndej.




Goditjen e fuqishme ia dha kryeministri i kohës, Fatos Nano dhe qeveria e Partisë Socialiste nëpërmjet një takimi me Milosheviqin, pas të cilave ky Nano shqiptarëve të Kosovës u tha, nuk është Prishtina kryeqytet e juaji, por është Beogradi, dhe ju nuk jeni komb, por jeni grup etnik, bile as pakicë kombëtare. Dhe marrëveshja me Milosheviqin, duket se paska qenë që Tirana e atëhershme të jepte kontributin për rrënimin e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës kishin arritur me sakrifica të mëdha, dhe të bënte gjithçka që në Kosovë të bëhej siç donte Beogradi: të ndahej Kosova në baza etnike, ashtu edhe siç ndodhi. Dhe kjo ishte thika që e majta ia nguli shqiptarëve pas shpinës, kjo është thika që e majta shqiptare ia nguli Kosovës, dhe të cilën Kosova nuk ia fal kurrë kësaj së majte, dhe po bëhet gati që edhe pjesës së majtës në Prishtinë që në halucioacione dhe shpërfytyrime quan veten të djathtë, ta degdisë nga pushteti, dhe kjo është arsyeja se e majta e Tiranës nuk ka se çka të kërkojë në Prishtinë. Në këtë kontekst, përveç tjerash, mund të thuhet se Edi Rama, duke ardhur në Prishtinë, erdhi në vendin e krimit të së majtës shqiptare.
Por një arsye tjetër se përse e majta e Tiranës nuk ka se çka të kërkojë në Prishtinë, është pikërisht gjithë ai dëm që iu bë atij trohë shteti gjatë tërë këtyre viteve: propaganda kundërshtetërore më e zezë dhe më e mjerë se e Beogradit dhe e çdo shteti tjetër pjesëtar i aleancave gjeopolitike kundërshqiptare. Në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës nuk kanë mundur t’i kuptojnë ndryshe, përveçse si çirrje kundërkombëtare, thirrjet e së majtës dhe e të dërguarve të Edi Ramës në Bruksel se po ia hoqët Shqipërisë vizat, do të vërshojnë një milionë shqiptarë nëpër shtetet evropiane. Shqiptarët e Kosovës, që këto 20 e sa vitet e fundit, por edhe më parë, janë bërë popull politik dhe me vetëdije të lartë politike, nuk kanë parë qoftë edhe një opozitë të ndonjë shteti që të nxijë aq shumë shtetin e tyre, që të përgjërohen dhe të kërcënojnë për mos-heqje të vizave. Dhe vjen burri i botës, vjen në Prishtinë dhe u thotë shqiptarëve të Kosovës se po erdhi në pushtet, do të ndihmojë për heqje të vizave. Pse kaq budallenj po na zë neve shqiptarëve të Kosovës sa të mos e dimë se njeriu dhe linja politike që ka bërë aq shumë për mos-heqjen e vizave për shtetin në të cilin do pushtet, të bëjë të kundërtën për neve shqiptarët e Kosovës? Aq budallenj po na zë neve shqiptarëve të Kosovës ky burri i botës sa të mos e dimë se heqja e vizave për shqiptarët e Kosovës nuk varet nga Tirana, e më pak nga e majta, por nga Brukseli, dhe se është e kushtëzuar nga kompromiset që pjesëtari i së majtës shqiptarëve, Hashim Thaçi dhe me mbështetjen shumë të madhe të pjesëtari tjetër të së majtës shqiptare, Ramush Hardinaj., do të bëjë në dëm të Kosovës dhe në llogari të Serbisë. Dhe shqiptarët e Kosovës, kur shohin se çfarë surrealizmash, pllavrash dhe rrenash politike po mundohet t’u shesë atyre ky burri i botës, po e kanë edhe më të qartë se çfarë rrenash dhe pallvrash politike po u shet zgjedhësve në shtetin aktual shqiptar.
Por nuk janë vetëm këto arsye se përse shqiptarët e Kosovës nuk e duan të majtën as të Tiranës e as të Prishtinës, dhe nuk i besojnë fare, ama fare, përrallave të Edi Ramës, pasi që përderisa shqiptarëve të Kosovës u premton ndihmë për heqje vizash, shtetit dhe qytetarëve të cilëve ua kërkon votën, ua mohon statusin e vendit kandidat në BE; derisa shqiptarëve të Kosovës u premton ndihmë për heqje vizash, qytetarëve të cilëve ua kërkon votat, ua ka vështirësuar edhe anëtarësimin në NATO, si dhe ua rrezikon vendin në KE dhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë.
Prandaj, shqiptarët e dinë se e majta e Tiranës, Kosovës vetëm di t’ia ngulë thikën, që shqiptarëve di t’ua ngulë thikën, që interesave kumbëtare di t’ua ngulë thikën. E shqiptarët e Kosovës janë të ndjeshëm. Janë të ndjeshëm, sepse këtë e kanë përjetuar tepër rëndë: e majta shqiptare ua rrënoi tërë angazhimin politik, diplomatik e ushtarak që nga viti 1990 e deri më 1997, e që ishte angazhim i organizimit më të paparë politik, institucional dhe shtetëror; ua rrënoi bazat strategjike të interesave kombëtare që duhej të çonin drejt bashkimit kombëtar: realizimi i plotë i shtetit të Kosovës, autonomia politiko-teritoriale për territoret shqiptare në Maqedoni, Kosovë Lindore e që sot po quhet Luginë e Preshevës, si dhe për territoret shqiptare në Mal të Zi; realizuan interesin strategjik të Serbisë për ndarjen etnike të Kosovës, faljen e pasurisë historike-fetare të shqiptarëve të Kosovës. Dhe për të bërë këtë, e majta e Prishtinës, njësoj si e majta e Tiranës, kushtëzonte proceset politike, diplomatike dhe shtetërore me ardhjen e saj në pushtet. Dhe shqiptarët e Kosovës e dinë mirë, dhe këtë e thonë edhe organizma ndërkombëtarë se e majta e Prishtinës, si pjesë e së majtës shqiptare është më e korruptuara, e lidhur me krimin dhe me trafiqe droge e qeniesh njerëzore.
Dhe Edi Rama erdhi në Prishtinë, në fakt erdhi në vendin e krimit për të takuar këtë të majtë të akuzuar botërisht për korrupsion, për krim të organizuar, për trafiqe droge dhe qeniesh njerëzore, e jo për të takuar shqiptarët e Kosovës, dhe për t’u premtuar ndihmë për heqje të vizave.
Dhe tashmë mund ta them me bindje të plotë, i nxitur edhe nga debatet në Kuvendin e Shqipërisë, se teza e mëhershme dhe e përmendur në krye të këtij shkrimi, për ribashkim të së majtës shqiptare për të ripërsëritur edhe një herë anarkinë e vitit 1997, sepse sipas gjasash, kjo është e vetmja mënyrë se si e majta mund të ekzistojë dhe të shpëtojë nga faktet e shumta për lidhje me krimin, me trafiqe droge, me trafiqe qeniesh njerëzore, e për më tepër edhe me shërbime sekrete kundërshqiptare.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri