Kambanat që tund Thani Naqo !

Nga Përparim Hysi


Për lexuesin mbarëshqiptar Thani Naqo nuk është i panjohur. Përkundrazi ai është i njohur edhe si prozator, por dhe si një poet i bukur lirik. Duke lëvruar që të dy gjinitë, lexuesi e ka të vështirë që të bëjë dallimin: është poet a prozator ? Unë ( ma merr mëndja që nuk gaboj ) kësaj mëdyshjeje sikur i jap një përgjigje pak oportune: Thani Naqo i ka të dy dhuntitë. Por,siç mendoj unë, sikur poezia rrëmben paksa, gjersa edhe proza e tij ka poezi. Jo vetëm poezi, por, përjgithësisht, në prozën e THani Naqos gjen dhe një veçori tjetër që rrallë e kanë prozatorët. Proza e THanit sikur ka dalë nga një "banjë" humori (në mund të bëj një metaforë të tillë ). Aq humor ka sa të duket se nuk je duke lexuar një libër në prozë, po je duke ndjekur një shfaqje teatrale ku të gjithë personazhet kanë një komicitet të çuditshëm. Lexon librin e Thanit dhe buzëqeshja të rri varur mbi buzë aq, sa po të ndoqi kush me vëmëndje tek lexon, do të të marrë pa frikë për një të lajthitur që qesh me veten. Ka penë të hollë dhe di e sjell ngjarje e personazhe që, me të vërtetë, të gajasin. Dhe mos kujtoni se këta personazh vijnë nga larg ( po të përdor një eufomizëm nga astronomia, do të thosha si "mysafirë nga kozmosi"), ta zëmë nga parahistoria; jo ata janë aq larg në kohë, sa ç'është koha e Enverit (e koperativave?!!! po e shkruaj me një o, sipas muzikës gjuhësore së fundi) dhe po kaq afër, sa ç'është tranzicioni maratonë që vazhdon tek ne.

* * *

I fundmi i Shalgjatëve është një libër me rreth 200 faqe, por rrallë kam lexuar një libër që të ketë një densitet problemesh siç ndodh me këtë libër. Aty gjen jetën e "bukur" të socializmit "ngadhnjimtar" ku për një ditëpune blije" një pllakë bukë" dhe, për gjellën duhet të bëje dhe një normë tjetër. Ndryshe, në mos dilte të tepronte. Autori nuk zgjatet e stërzgjatet, por godet atje ku duhet.
Të shkuarën e sjell përmjet gojës së personazheve që, për çudi, qysh në emërtimet e tyre të bëjnë të qeshesh: mësues Marroku; kryeplak Çibuku,teto Dabucka, berber Shejtani, Paganini, Vjenezi, Gjermani, Kanadezi etj e tjerë, janë veç disa nga gjithë ajo galeri aq e pasur e këtij shkrimtari kaq me homor. Secili nga personazhet ka botën e vet, por secili për lexuesin tund ndonjë kambanë. Janë kambana të forta ato që tund Thani. Veç në i paçë zënë veshët me dyllë, atëherë nuk ka kush faj. Ti e lexon librin dhe aty-këtu sikur gjen veten. Në mos gjen veten, gjen fshatin që po rrënohet; gjen qytetin që rritet demografisht, por ka rrezikun evident të papunësisë apo dhe të tjera "kokolizje" që kemi mbajtur në kurriz që të gjithë, pa përjashtim. Dhe Thani, pothuajëse, si një mjek i mirë ka bërë anamnezën e kohës.
Natyrisht, të nxjerrësh në relief të gjithë vlerat që ka ky libër nuk është aq punë e lehtë. Por unë besoj nuk do ta bezdisë lexuesin , në se i përqas disa pasazhe apo dhe personazhe të këtij libri dhe,mandej, lë lexuesin që të gjykojë.

* * *

Simo Babjeni ( nuk di pse ky mbiemër më sjell në mëndje një nga kaçakët me famë të atyre anëve ku zhvillohen ngjarjet ) është një ishkapter i kohës së diktaturës. Ka qenë i martuar me Simovicën e cila ua ka bërë copë kurrizin me biografitë njerëzve *qe sekretare partie*. Por kjo nuk mjafton: arkivoli i saj qe i rëndë, jo se dërrasat qenë të njoma, por se brënda i vunë gjithë konspektet poltike dhe veprat e Enverit. Me kaq dhe lexuesi e rrënjos mirë në memorie se kushh qe Simovica. Autori shkon dhe më tej: martesa e tyre qe si në grykë të pushkës,tërë jetës.
Por Simo Babjeni të mbetë në mëndje edhe për dy aryse të tjera:
- Po t'ma takosh Gjermanin (është një nga djemtë e Simo Babjenit) , të m'i japësh një grusht, sa t'ia thyesh kërcin e hundës !!! Se nuk erdhi t'i hidhte një grusht dhe së ëmës kur vdiq.
Kjo porosi e Simo Babjenit është si një kambanë që bie dhe për mua. Qeshë në kurbet, kur vdiq ime ëmë dhe, nuk munda të vija. Më duket sikur Thani e ka shkruar për mua. Dhe jo vetëm për mua.
Simo Babjeni nuk mbahet mend për kaq. Kënaqesh kur sheh që ndrron kapelet apo si një "kcim Pindarik" (meritë e autorit që di mirë të vëjë pikat mbi i ) ky, Simo Babjeni, vjen në një ngushëllim si një djalë çapkën: ka veshur golf,xhinse dhe atlete të bardha (mos qesh po deshe) dhe jo vetëm kaq; Simo Babjeni zë e lëshon "lastar" pas vdekjes së shoqes, me teto Dabuckën dhe kjo 80-vjeçare.

Ose sa simpatike është personazhi i mësues Marrokut *vetëm nofka flet shumë* që, duke bërë historikun e fshatit, tregon nga dyqind shtëpi që qenë, kanë mbetur vetëm 27 pleq apo plaka. Mësues Marroku (i kanë vrarë djalin e vetëm dhe gruaja i ka vdekur), thotë "marrëzinë" e bukur: tani shteti nuk pyet as për folklor,as për legjenda e gojëdhëna dhe as për gjuhë. Historia këtej e tutje do shkruhet me këmbëpërpjetë. Dhe, po vazhdoi kështu,- vazhdon Marroku- do vijë një kohë që Shqipëria do fshihet nga harta. Unë as do merrem me të tilla "marrëzira" që,me të vërtetë,janë tronditëse, por nga ç'na shohin sytë Marroku vetëm i marrë nuk është. Vetëm sillni në mënd prishjen e Onufrit në Valësh të Shpatit apo pllakat që iu morën monumentit në Tiranë, "gër-mëret" për detin, tregojnë që ky i"marrë" tund një kmbanë alarmi. Autori e vë mësuesin për të bërë historikun e fshatit dhe ky historik i kalon njëmijëfaqet!!! Duke hiperbolizuar autori është si një thikë me dy presa: as duhet zmadhuar dhe as duhet zvogëluar. Ca më keq: nuk duhet harruar historia që nga fshati,në qytet dhe historia kombëtare.

* * *
Lupës së autorit nuk i shpëton asnjë problem i kohës. Për të nuk janë të huaja: emigracioni i egër, tranzicioni i gjatë, peripetitë e migracionit, mafiozët që shfaqen si risi kancerogjene në radarët e kujtesës. Roli negativ i partive politike, të cilat, sadopak, por i godet përmjet personazheve të tij.
Grifsha vret veten se humbi paratë në firmat piramidale. E bija nuk vjen dot në varrim "se nuk ka bërë letrat". E bija e Marjanës u martua me një itlaian. Berber Shejtani i ka paratë me thasë. Aq para ka vënë sa do të blejë "malin e kuq" e të "bardhë". Për Berber Shejtanin teto Dabucka thotë: - Drejton mafien e botës. Ky,berber Shejtani, e bëri të"Fundmin e Shalgjatëve" që mos lërë tavan dhe qyngje nëpër tavan për të kërkuar "tapitë e sulltanit". Si me "qesh e ngjesh" dhe Thani Naqo të ka bërë që të gjithë radiografinë e kohës sonë. Pyetjes se ç'tregon radiografia, ai si mjek i mirë, i përgjigjet: Shoqëria sikur është me "ftomë". Boshatisja e fshatit (mbetur vetëm me pleq që nuk ka as kush i varros) është si një "thagmë". Vetëm në Itali,- thotë një nga personazhet,- janë 23 familje nga fshati ynë. Në se shkon më tutje, "ftoma" është më tronditëse.

* * *
Librin e mbaron si pakuptuar. Është tërheqës dhe çlodhës. Aq çlodhës është, sa do që ta kesh si një valium për të të zënë gjumi.
Unë jam i shkollës së vjetër ( në se i refeerohem së së sotmes) dhe me psikologjinë jam ndarë qysh mesviteve '50-të të shekullit të kaluar. Në psikologjinë e asaj kohe thuhej,mes tjerash, se është mirë që dhe çlodhja duhet të jetë aktive. Të lexosh librin e Thanit ke bërë një çlodhje aktive. Provojeni dhe nuk do mbesni të zhgënjyer. Përkundrazi. Përfitimi do të jetë juaji. Unë nga larg e përshëndes autorin dhe i them:- Me të tjera, o Thani Naqo !


Tiranë, 23 prill 2013

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit