Misteri i Neftalí Ricardo Reyes Basoaltos




Poeti i njohur si Pablo Neruda e pati emrin e fëmijërisë Neftalí Ricardo Reyes Basoalto, kur lindi në vitin 1904. Ai i nënshkroi veprat e tij si Pablo Neruda, por nuk e mori këtë emër ligjërisht deri në vitin 1946, për shkak se i ati, një punëtor hekurudhash, nuk e pëlqente interesin e të birit për poezinë. Neruda e përdori këtë emër në përkujtim të poetit çek Jan Neruda.

Neruda u rrit në Kilin e jugut deri më 1921-shin, ku u zhvendos në Santiago dhe u regjistrua në kolegj për ta përgatitur veten si mësues i frëngjishtes. Por ai e braktisi shkollën për t’iu përkushtuar poezisë. Libri i tij i parë, “Crepusculario” (Libri i Muzgut), u publikua më 1923-shin, dhe në vitin pasardhës botoi “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”. Kjo u bë vepra e tij më popullore me më shumë se një milion e gjysmë kopje të shitura. Libri ishte përplot me poezi romantike dhe erotike.

Mes viteve 1927 dhe 1935, Neruda ishte një diplomat i Kilit në Burma, Cejlon, Java, Singapor, Argjentinë dhe Spanjë. Më 1930 ai u martua për herë të parë, por martesa nuk ishte e lumtur dhe disa vite më vonë e la bashkëshorten e tij për të jetuar me Delia del Carril, me të cilën qëndroi deri në vitin 1955. Gjatë kësaj periudhe ai shkroi dy vëllimet me poezi, “Rezidencë në tokë”, të cilat konsiderohen si poezitë më të mira surrealiste në gjuhën spanjolle. Ai pretendoi më vonë se i pati shkruar këto vepra në një kohë që nuk dinte asgjë për surealizmin. Ai thjesht iu përgjigj rrymave letrare në qarkullim, pavarësisht se këto përgjigje u bënë vetë rrymë për formimin e lëvizjes surrealiste gjithkund tjetër.

Tmerri i Nerudës nga luftërat civile dhe barbaritë ushtarake (përfshirë vdekjen e mikut të tij, poetit Federico García Lorca) gjatë Luftës Civile në Spanjë, e bënë atë thellësisht komunist.

Poezia e tij nuk ishte më surrealiste, por më e drejtpërdrejtë. E shkruar jo për akademikët apo lexuesit e tjerë të sofistikuar, por për të shtypurit nga politika, punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë.

Neruda këmbëngulte gjithashtu se ai ishte në mënyrë specifike një poet i Amerikës Latine. Ai njihet për poezinë “Lartësitë e Maçu Piçut”, ndoshta poezia më e madhe e tij, një poezi e botuar në vëllimin “Canto”. Ky vëllim u shkrua rreth fundit të viteve 1940, ndërsa Neruda po fshihej në Kili për të shmangur arrestimin për deklaratat që pati bërë kundër qeverisë. Ai u arratis nga Kili më 1949-n dhe nuk u kthye deri më 1952-shin, kur një regjim i ri erdhi në pushtet. Ai u martua me Matilde Urrutia tre vjet më vonë dhe e kaloi pjesën e mbetur të jetës me të në shtëpitë e veta në Santiago dhe në Isla Negra në bregdetin e Kilit.

Neruda mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes më 1950-n, çmimin e paqes “Stalin” më 1953-shin, një Doktoraturë Nderi në Letërsi nga Oksfordi më 1965-n, dhe çmimin “Nobel” në letërsi më 1971.
Më 1969-n ai u nominua si kandidat për president nga Partia Komuniste, por u tërhoq në favor të shokut të tij, Salvador Allende. Në fund të jetës së tij, ai la 34 vëllime me poezi, ese dhe drama të botuara, si dhe tetë volume me poezi dhe kujtimet që iu botuan më vonë.


Në një situatë normale, askush nuk do të dyshonte për vdekjen e tij. Por Kili ka një histori të gjatë vrasjesh politike dhe në këto kushte, kërkohet e vërteta deri në fund

Eshtrat e poetit nobelist të Kilit, Pablo Neruda, u zhvarrosën dje në një përpjekje për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij, pasi një ndihmës ka hedhur dyshimin se ai u vra nga gjenerali Augusto Pinoçet dhe regjimi ushtarak i instaluar prej tij.

Eshtrat e Pablo Nerudës janë varrosur në një kopsht në Isla Negra, shtëpia e tij e dashur pranë detit në bregun e Paqësorit. Ai është varrosur pranë bashkëshortes dhe muzës së tij, Matilde Urrutia.

Poeti vdiq më moshën 69-vjeçare, më 23 shtator 1973, vetëm 12 ditë pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinoçet. Certifikata e tij e vdekjes thotë se shkaku ishte kanceri i prostatës, një konkluzion që u pranua nga të gjithë për pothuajse katër dekada.

Por ish-asistenti i tij personal, Manuel Araya, thotë se poetit iu injektua një helm, ndërsa gjendej në spital. Araya thotë se Neruda, një komunist, po përgatitej të largohej në ekzil në Meksikë, nga ku planifikonte të udhëhiqte opozitën botërore kundër diktaturës ushtarake në atdheun e vet.

“Deri në ditën që do të vdes, nuk do ta ndryshoj historinë time”, thotë Araya për BBC. “Neruda u vra. Ata nuk deshën që Neruda të largohej nga vendi dhe kështu e vranë.”

Kancer apo helmim?

Aludimet e Araya-s janë marrë seriozisht. Pas disa hetimeve, një gjykatës vendosi se ka të dhëna të arsyeshme për të urdhëruar zhvarrosjen e poetit.

Ekspertët mjekoligjorë që do të ekzaminojnë eshtrat e Nerudës, thonë se do të kërkojnë mbi të gjitha për dy gjëra. Fillimisht do të kërkojnë për shenja të kancerit në eshtrat e poetit. Kjo mund të japë të dhëna për shkallën e avancimit të sëmundjes dhe mund të mbështesë, por jo të provojë përfundimisht, teorinë se kanceri shkaktoi vdekjen e tij.

E dyta, ata do të kërkojnë për shenja toksine, ekzistenca e të cilave mund të forcojë aludimet e Araya-s.

Në të gjitha rastet nuk do të jetë e lehtë.

Gati 40 vjet kanë kaluar që kur vdiq Neruda dhe trupi i tij është dekompozuar prej kohësh.

“Sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet puna jonë”, thotë dr. Patricio Bustos, drejtor i shërbimeve mjekoligjore të Kilit, një organizëm shtetëror që mbikëqyr zhvarrosjet dhe ekzaminimet.

“Por, nga ana tjetër, ka pasur përmirësime teknologjike përgjatë 30-40 viteve të fundit, të cilat mund të na ndihmojnë.”

Dentistja mjekoligjore dhe antropologia Claudia Garrido-Varas, thotë se edhe pse 40 vjet kanë kaluar, ka ende gjëra që mund të gjenden në mbetjet kockore përmes analizave toksikologjike.

“Nëse helmi është përdorur, varet nga lloji dhe sasia e helmit, apo nga numri i dozave të përdorura për të zbuluar gjurmë të tij.”

Pa gjurmë

Puna e skuadrës mjekoligjore është bërë më e vështirë nga mungesa e të dhënave mjekësore nga spitalet ku Neruda u mjekua. Ai vdiq në spitalin “Santa Maria” në kryeqytetin Santiago.

Sipas lajmeve të gazetave të kohës, spitali publikoi një njoftim, ku përmendej ataku kardiak si shkak i vdekjes. Por spitali thotë se nuk ekziston sot ndonjë kopje origjinale e njoftimit, ndërsa certifikata e vdekjes së poetit nuk përmend atakun kardiak.

Disa muaj para se Neruda të vdiste, media e Kilit raportoi se ai i ishte nënshtruar një operacioni në një spital tjetër. Por zyrtarët e spitalit tjetër thonë gjithashtu se nuk ka të dhëna.

Gjykatësi që po heton vdekjen e Nerudës është përpjekur të gjejë edhe të dhëna mjekësore në Francë, ku poeti ishte mjekuar në vitet 1970, ndërsa shërbente si ambasador i Kilit në Paris.

Asgjë nuk u gjet.

Araya dhe Partia Komuniste e Kilit thotë se mungesa e të dhënave është shumë e dyshimtë, veçanërisht duke marrë parasysh figurën e Nerudës si fitues i çmimit “Nobel” dhe diplomat i lartë.

Injektimi misterioz

Pavarësisht kalimit të kohës, Araya thotë se mban mend qartë se çfarë ndodhi në ditët pas grushtit të shtetit. Ai thotë se Neruda u pranua në spital më 19 shtator 1973 dhe po përgatitej të fluturonte për në Meksikë më 24 shtator.

“Mëngjesin e 23 shtatorit, Matilde dhe unë shkuam në Isla Negra për të mbledhur disa plaçka të tij”, kujton ai. “Ndërsa ne gjendeshim atje, mora një telefonatë nga Neruda në klinikë.”

“Ai më tha: ‘Kthehu sa më parë! Ndërsa po flija një mjek erdhi dhe më dha një injeksion në stomak.’”

Araya thotë se Matilde dhe ai u kthyen menjëherë për në Santiago. “Neruda vdiq rreth orës 22:30 atë mbrëmje”, kujton ai. Matilde Urritia vdiq më 1985-n. Ajo gjithmonë mohoi aludimet se bashkëshorti i saj pati vdekur nga kanceri, por nuk akuzoi kurrë publikisht se ai ishte vrarë.

Fondacioni “Pablo Neruda”, i cili mbikëqyr trashëgiminë e poetit, këmbëngul se ai vdiq nga kanceri, por thotë se do të bashkëpunojë për zhvarrimin dhe testimet.

Histori e pistë

Do të ishte e lehtë të hidhej poshtë akuza për vrasje si e pabazë, në rast se nuk do të bëhej fjalë për historinë e Kilit. Në vitin 2009, gjashtë njerëz u akuzuan për vrasjen e ish-presidentit të Kilit, Eduardo Frei Montalva.

Ai ishte mjekuar në të njëjtin spital ku vdiq edhe Neruda. Atje, Frei Montalva mori një ndërhyrje kirurgjikale rutinë më 1981, në kulmin e sundimit ushtarak të gjeneralit Pinoçet.

Por nuk doli kurrë gjallë.

Një gjykatës doli në konkluzionin se ai ishte helmuar me thallium dhe gaz mustard.

Në dhjetor 2010, eshtrat e ish-ministrit të Brendshëm, Jose Toha, u zhvarrosën si pjesë e një hetimi për vdekjen e tij më 1974-n.

Ushtarakët thanë se ai kreu vetëvrasje, duke varur veten në gardërobën e spitalit. Por në tetor të vitit të kaluar, një gjykatës hetimor doli në përfundimin se ai ishte mbytur.

Do të duhen shumë muaj deri sa ekspertët mjekoligjorë të dalin në një konkluzion mbi shkaqet e vdekjes së Nerudës.

Por duke parë rolin e poetit si një nga figurat më të mëdha të letërsisë latino-amerikane, këto konkluzione ka gjasa që do të bëjnë jehonë nëpër botë.

Ngjarjet hap pas hapi 1973

11 shtator: Gjenerali Pinoçet udhëheq një grusht shteti kundër qeverisë socialiste të Salvador Allendes, i cili kryen vetëvrasje në pallatin presidencial në vend që të dorëzohet.

14 shtator: Ushtarët e Kilit bastisin shtëpinë e Nerudës. Ai raportohet se u tha atyre: “Ka vetëm një gjë që unë posedoj dhe që përbën rrezik për ju. Kjo është poezia!”

16 shtator: Gjenerali Pinoçet mohon zërat për vdekjen e Nerudës.

19 shtator: Neruda dërgohet në spital në Santiago.

20 shtator: Qeveria e Meksikës ofron mikpritje për Nerudën.

23 shtator: Neruda vdes, raportohet se tha se i kishin bërë një injeksion misterioz ndërsa flinte.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri