POEZI NGA FRAN UKCAMA



PIKOJNE BRENGAT

Nese sot ti ke një brëngë,
në zemër sa një kokërr molle,
prej asaj nuk po pikon gjak,
po veç lengu i ndjenjës hollë,
zgjohet kodi i urrejtjes,
dalë nga mëndja ta hedh në kosh..
Bota, si oaz gënjeshtre,
Kripë, pa bukë, të hedh në gjollë,
Blegerijnë delet e trunit,
Jeta shtynë ditën e saj.




KULLA DERT

Kur I pashë muret e kulles si dhëmbë të thyer,
Me gërremça këthyer nga qielli,
Lmyshku , në mure , ëndur,
në derën e kalbun, i këputun dryni,
ka herë kafshuar prej ndryshkut,
koshi i kollomoqit, kotec laraskash,
oborroin e kishin pushtue ferrat e hidhëzat,
minjtë të zëmruem hallakateshin te çarraniku,
në lypje kafshate,
orrlat, mbi kreva rrushi mallkonin vetminë,
krrau, krrau, krrau..
rashë e mbeta mbi gurë,
fryma m`u mbyt në fyt,
zëmra sot, gur si nuk mu ça?!!




UDHËT E PAKREHURA

Sot po shkel udhëve të pa krehura,
Shputa plasaritet në kalldreme,
Gishtat si kokë e një breshke,
Thonjtë e çarë ,bujazga në prozhme..
Es shtegnajes pa një kah,
Kahjet m`i morën sorrat,
Nuk pëlqej llustër , asphalt,
Kur nuk kam në kohë, kohrat..
Udhen si grua të çmendur,
Dashuroj dokën që s`është,
A mos vallë dhe unë drumtari ,
S`di ku shkoj,
a s`di ku jam…!



PËR TË BLERË,A KA NDOKUND PRANVERË ?!

Syri s’ma kapi
As zemra s’e pa,
Më humbi rrugëtimit, kaherë
Se ku më ra…
Qysh se kam le?!
Një stinë më mungon, s’më del.
- O pelegrin, njerëz bestarë
A ka shitore në udhnajë, të patharë…
Në mujsha për ta blerë,
A ka ndokund Pranverë?!



KUR FLASIM PËR LISAT

Kur flasim për lisat
Fjala rrjedh te ama
Ku zogjtë projektojnë
Folezat e rënda…
Kur flasim me zogjtë
Zemra deh te kënga
Mëngjeset rindezin
Elegjitë e ëmbla!


ZJARR NË ACAR

Era vuuu!
Gjoksi bam!
Faqja flakë,
Dielli kallkan,
Ec kaprolle, mos u ndal!
Burr’ i dheut,
Pse po qan?!
Ngrica lotin, s’po ta than
Për askund,
Për askënd,
Ah, rini, që më s’të kam!


KËLTHASIN PULËBARDHAT…

Zemrës së ndezur,
Pse këlthasin sot pulëbardhat?
Në det motivesh, varkat ngecën.
Në faltoren e shenjtërimit
Lus një zot:
Shëro Gërdecin!
ROB
Sot, tash, sot
Bëhem zog,
Valltar në skenat qiellore,
Pëllumba, fëmijë,
Engjëj, prore,
I përpij prej dore.
Mos mundoni
S’u përgjigjemi
Ëndrra – hëna e plotë
Jam alieni i braktisur
Rob, në tjetër botë!


VLON E VUAN

Mos m’i nguc trojet e vjetra
Shenjat e mendimit!
Mos ujit grëmra e ferrat
Në log fluturimi!
…Se jam krua, bëhem lumë!
Kodër jam e ngrihem mal!
Në kraterin e një shpirti
Vlon e vuan një vullkan!



GJIMNAZIST

Dua sot
Të mos zgjatem,
As shkurtim
Qoftë një gisht
S’desha qiell,
As parajsën
Veç të kthehem
Gjimnazist!
Thjesht fare
Për një fakt
Që ta kap zogun në ajër,
Dashurinë…
Oh, ç’mëkat!
Si një vjollcë petaletharë
Ku ka mbet?!
Diku… në shpat!


PLAGA

Një thëllëzë pendëshkruar
Dhe një gotë raki,
Kujtojnë kohën e pashkuar
Grackë në gjueti…
Kujtojnë çastin e plagosur
Diku, lidhur peng…
Nën qershizën e lotuar
Plagë e vjetër… dhemb!



PUTHJA E TANUSHES

Pak kulloshtër bjeshke,
Bornajave të mjela,
Mjaltë prej lules së verdhme
Gatuar nga bleta.
Esencë boronice
Në gjoks të rudinës,
Shtrydhë prej manaferrës
Ballin e rakisë…
Çfarë më mungon mua
Në shtratin e qiellit?!
Shtroj për ty moj zemër,
Basmore ylberi!
Sot mrizi më dehu,
Gurrës së papirë,
Mbi buzë të Tanushës
Zana më paska ngrirë!



PËRMBYSJE

Lulet po na vdesin,
Po ringjallen plehrat,
Veniten visaret,
Blerojnë antivlerat!
Bota çakërdiset,
Vërshojnë të vjellat,
Në tymnajë brigjet
Gromësijnë derrat!
Humbur ekuilibri,
Boshtit magnetik
Kafshët ngrejnë motele
Në kopshtin zoologjik!



ZONJË E MADHE

Myzeqe, gjerë e gjatë,
Statujë antike,
Gjokset nxjerr pa marre,
Pimë e hamë,
Hamë e pimë,
Ti përherë bujare!
Fluturova nëpër ëndrra,
Erdha bujtës,
Më the “dhëndërr”.
Ulem në gjunjë përfare!
Ndez qirinj në zemër flakur,
Të falemnderës
ZONJË E MADHE!



KAFSHATA

Tellall, siklet
Poshtë, përpjetë
Thërret, thërret…
Në gojë një byrek
U mbyt,
Pak ujë,
Kafshatë në fyt
Medet…
Për deputet!
Shteti gërhet!
PASAPORTA
Pasaportën falja qenit
Me të shkon në kazan të plehut
Jam qenia e të paqenit
Qytetari i mosshtetit!



NË UDHËN “ EGNATIA”

Mos m’i hiq sofrat
Sa të zbresë nata pa hënë
Do vijnë milingonat.
Çajnë mure
Tulla, gurë; tunele në pallat
Vijnë punojnë pak tek unë
Pastaj venë lart.
Kokë më kokë, sup më sup
Vargan, fatngrata
Ato ikin, unë nga pas
Në udhën “ Egnatia”!


VETVETJA

Kënga e parë
Dhe një letër
E pafjalë
Sot më kandet me patjetër.
Eposet e plakura,
Koha mbi valë,
Në stanin e vjetër,
Muzeum vetvetja.
Gërma ngrënë mole,
Varë në pe merimangash,
Humnerave të epra,
Muzeum vetvetja!



SA?!

Sa lumenj humbën
Mbetën zall e gur?
Sa pemë u thanë
Kokërr s’dhanë kurrë?
Sa valë u fashitën
S’puthën asnjë breg?!
Sa varka na ikën
Pa krye, pa shteg?!
Sa lule u vyshkën,
Në orët e para?!
Sa dashuri ranë,
Mbetën të pavrara?!
MBRO!
Padija tej
Të lodh kujtesën,
Djallëzia tej, virus mendjeje
Ndryn subkoshiencën.
Mbro drejtpeshimin
Monument kulture!


NJË FLETORE

S’më hyn në punë noti,
Troftat dikur ma mësuan
Në ujëvara Valbone
Sot më rrëmbyen valët e kaltra
Joniane, të kojme…
Si dre i vjetër,
Sylotuar në gjyqin e kohës
Në peng mos’harrimi
E kam…
Në fletore!



KATARAKTET

Kataraktet e trurit
Guralecat i lëmojnë,
Shkëmbinjtë i trandin,
Thëllimet i freskojnë.
Ai ?! Qëndron!


DREJT
Shpinën mbështes te
Cungu…
Hurb vesën te ama,
Diellin kap prej flokësh,
Në gjoks të tokës këmba
Drejtpeshimin,
Mbaj!
Zog i hapësirës
Viset rrok… prej kohës.


RROJ TË MOS VDES!

Në qiellin e kthellët i ndezën rrufetë,
Prijësin e prijësave po na godasin.
Në pritën pabese dolën çakejtë,
Ne rrisim filiza,
Kohës t’i qasemi!
Hordhitë sulmojnë, si do t’i zmbrapsim
në sheshbetejë?!
Kohës moderne, mesjetë e errët!
Kaq frikë,
Kaq tmerr në palcë u kallim! Medet!
Shqipen ne mbollëm;
Shqip hodhëm farën,
Kur ishim ne, ata ku qenë?!
Gdhend gurët e shpirtit
Me shenja arbri
Mbush tokë e qiej…
Dhe në gurrë rilindase, në gjunjë,
Hurb amën.
Thërras Kryekombin,
Se rroj të mos vdes!!!



PIKËPJEKJE

Cila m’i ujit lulet e zemrës
Në syrin e gurit ?!
Mas fjalën e kohës
Me kutin e burrit...
E dal në pikëpjekje
Kah muzgu i shekullit
Për të rikapur agimin
Që nuk po më vjen?!


THIRRJE

Një eshkë, një uror
Nga galaktika e yjeve
Ndez zjarrin e kohës,
Thirrje për shpirtrat!
- NJË RIT!
Në mëngjes përkthej natën
Përshtas fjalën, ëndrrën,
I marr zogut nota, tinguj,
Nis e ndërtoj këngën…
E përditë më vjen ky rit
Kod, prehistorik.
Zjarri në oxhak s’u shua
Drita nuk u fik!


STINA E QERSHIVE

Ajo vjel qershiza
Të ajthshme, të pjekura,
Unë, në hulumtisje
Kap, soje, të tjera…
Plasin kokrra të hijshme,
Gufur nga pranvera
Dy në buzën time
Plot me lëng e erëza...
Kjo stinëz qershie
Oreks i pashuar
Si tespi brilante
Dy,i los në duar!


KUJTOJ FILOZOFËT

Kujtoj filozofë
Grekë, mendjehollë
Sot!
Pushtetarë
Të shtirur
Llomotisin
Kot!
Ne poshtë duartrokasim,
E buzagazim
Me lot!


UJKU

Kaccavirrem sot te yjet,
në puje të thella,kërkoj Trojën,
luaj me fëmijërinë time,
në gurra po flladis krahrorin.
për çudi,në shtrg rrënoje,
ujku më lyp pasaportën!!


LOTI
U ça pragu i shtepisë,
u tha lulja e bari,
njëzet vjet pikon një lot,
loti, lumë malli!


IKU

Na iku jeta pa e shijuar,
si një fëmijë që s`mori gji,
ide e ndjenja ,konservuar,
liri pa shpirt,
shpirt pa liri!!




SHENIME PER AUTORIN

Fran Ukcama u lind në Tropojë më 25 mars 1946.Ka mbaruar gjimnazin në qytetin e Bajram Currit më 1964 dhe me provime plotësuese një vit më vonë, më 1965, mbaron shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër.Nga viti 1964 deri më 1973 ka punuar në Tropojë si mësues dhe drejtues në institucionet kulturore.
Në vitin 1975 u diplomua në Universitetin e Tiranës si mësues për shkollat e mesme në degën Histori-Gjeografi.Ka kryer specializimin pasuniversitar për histori dhe disa specializime në fushën e artit dhe kulturës.
Qysh nga viti 1973 e në vijim jeton e punon në qytetin e Fierit si mësues e së shumti si drejtues në institucionet kulturore e artistike.Nga viti 1997 deri në vitin 2002 ka jetuar në Athinë, ku ka marrë pjesë si bashkëpunëtor te “Gazeta e Athinës” me artikuj e krijime letrare.
Aktualisht kryen detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë Fier.
Krahas kësaj jep kontributin e tij në letërsinë për fëmijë, fushë në të cilën është nderuar dhe me çmime kombëtare.
Është anëtar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe i Akademisë së Arteve dhe Letërsisë Europiane në Bruksel.
Kete vit ka marre nga kjo akademi medaljen e arte per ciklin poetik nga libri “Kulla ne qerpik te diellit”.
Qysh nga viti 1973 ka botuar në revista dhe gazeta cikle me poezi.

Ka botuar 7 vëllime me poezi për fëmijë:

“Fëshfërijnë kallinjtë e grurit”-1986
“Shqiponjat e bjeshkës” – 1996
“Engjëjt luajnë me mua” 2000
“Vallja e Bukurezeve” 2003
“Dielli luan kukafshehtas” 2004
“Ejani të vjelim yjet” 2004
“Ujëvarë në sytë e marsit” 2006
“Zemra shkruan kartoline” 2009


Është autor i shumë pjesëve teatrore që janë vënë në skenë në Teatrin e Kukullave të Fierit dhe qindra tekste këngësh për fëmijë, me një prej të cilave është nderuar me çmim edhe vitin e kaluar.
Romanet për fëmijë:
Postieri i zemrave 2002
Gjurmët e lotit 2004
Vjosana, bija e delfinit 2007
Pulëbardhat e shpirtit vikasin 2009
Bobi 2010


Dramaturgji për fëmijë:
• Armiku i rremë
• Gjuha e kafshëve
• Genti në fshat
• Gomari harraq
• Mosnjohja
• Beni Alieni
• Loni Pokemoni
• Mjalti i mjaltit
• Luajmë SMS
• Bobi, djali i Biznesmen Beut


Monografitë:

• “Çetnikët e qejfit”
• “A doni më për…?” Kushtuar aktorit Fuat Boçi 2006
• “Udhëtoj në visaret e këngëve”, Kushtuar këngëtares Sofika Hodo”
• “Në majat e humorit popullor” Kushtuar aktorit Ndreke Beltoja
Vëllimin poetik për të rritur:
“Kulla në qerpik të diellit”- 2008

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri