5/5/13

A janë revistat provë e punës shkencore?




TONIN GJURAJ

Çdo botim shkencor synon, mbi të gjitha, në avancimin e dijes dhe aplikimin e saj në jetën reale. Në vitet e fundit, nga njëra anë, është rritur shumë konkurrenca midis institucioneve arsimore e individëve për kërkime, duke përshpejtuar progresin në këtë drejtim, kurse, nga ana tjetër, kjo konkurrencë është bërë shumë më intensive dhe “agresive” për arsye të kufizimit të fondeve për kërkim gjithnjë e më shumë, edhe si pasojë e krizës globale. Konkurrenca dhe fondet e kufizuara për kërkime kanë imponuar, siç shprehen shumë studiues sot, filozofinë “publish or perish” (boto ose vdiq) për komunitetin e gjerë shkencor. Por, ka një konsensus të gjerë të këtij komuniteti megjithatë, se konkurrenca dhe nevoja për një matës “objektiv” të cilësisë së kërkimit ka ndikuar fort në lindjen, zhvillimin dhe përhapjen e revistave me faktor impakti (ndikimi).
Si rregull, faktori i impaktit (ndikimit) pritet të matë cilësinë shkencore të revistave të ndryshme, në shkencat ekzakte dhe shoqërore, por, përkundër saj, gjenden sot artikuj të shumtë që argumentojnë se faktori impaktit nuk duhet përdorur gjithmonë si kut matës i punës shkencore, madje duke ngritur ”shqetësime” rreth tij. Në një artikull të Singapore Med J 2009 (50/8), Oh H C, Lim J F Y argumenton se faktori impaktit jo gjithmonë është tregues i cilësisë së një artikulli, sepse, në shumë raste, më shumë citime dhe ndikim kanë pasur artikuj që kanë bërë një përmbledhje të punëve shkencore sesa studimet e mirëfillta origjinale. Kjo duket të ketë vlerë edhe për Shqipërinë, sepse shumë lexues janë të interesuar të shohin një artikull përmbledhës, i cili do t’i informonte ata për arritjet më të fundit të fushës. Megjithatë, akoma më me rëndësi për Shqipërinë, mendoj unë, është botimi i artikujve në revistat e rëndësishme shkencore që kanë një impakt të madh, sepse është tregues i cilësisë, për shkak të procedurave që ndiqen për botimin e tyre. Përdorimi i recensuesve shkencorë anonimë, peer-review, garanton që artikulli sjell diçka të re në fushën përkatëse dhe si i tillë, ai ka një audiencë potenciale dhe ndikim më të madh. Në shumicën e rasteve, të tillë artikuj duhet të ofrojnë studime origjinale, ose këndvështrime të reja.
Megjithatë, varet nga autorët nëse punimin e dërgojnë për botim në këto revista prestigjioze me faktor të lartë ndikimi, apo në revista të tjera. Duhet thënë se studimet cilësore, për shkak të punës së madhe që përfshijnë, duhet të botohen në revista që kanë lexueshmëri dhe ndikim të madh.
Për shembull, revista “International Journal of Human Rights” është revistë prestigjioze me faktor ndikimi të lartë. Kjo kushtëzon, patjetër, edhe cilësinë, dhe impaktin e artikullit, sepse ka një audiencë lexuesish ndërkombëtarë dhe të specializuar. Sidoqoftë, profili i revistave shpesh përcakton edhe këndvështrimin e punimeve shkencore në to. Në rastin e revistës së lartpërmendur, një artikull për policimin dhe komunitetin, për shembull, merr parasysh edhe aspektin e të drejtave të njeriut në kuadër të strategjisë së policimit në komunitet, në një vend të caktuar. Kjo, jo vetëm për arsye se të drejtat e njeriut dhe policimi janë çështje të lidhura ngushtë dhe shpesh trajtimi i njërës nënkupton përfshirjen e tjetrës, por edhe për shkak të profilit të revistës.
Një artikull i botuar në një revistë më faktor impakti diku jashtë shteti, jo domosdoshmërisht është provë e nivelit të lartë shkencor dhe e punës shkencore të atij/asaj që boton, pasi kjo varet shumë nga vendi prej nga vjen artikulli dhe tematika e zgjedhur. Për shembull, nëse artikulli vjen nga një vend i panjohur, i paeksploruar, ekzotik etj., dhe cek një temë tipike vendase, fjala vjen, gjakmarrjen apo diçka të ngjashme, mund të ndodh që ai të botohet dhe të citohet disa herë, por që për komunitetin akademik vendas, të mos përfaqësojë domosdoshmërisht vlera të vërteta shkencore dhe origjinalitet, edhe pse, mbështetur në specifikën që paraqet, mund të ketë indeks citimi.
Revistat me faktor impakti janë të rëndësishme, por janë edhe koercive, në kuptimin që i vendos kërkuesit dhe studiuesit më shumë në varësi të faktit se ku të botojnë sesa çfarë të botojnë. Ndodh shpesh që edhe gjetja e revistave me faktor impakti të jetë gojore, nëpërmjet kontakteve të vendosura gjatë konferencave shkencore (networking). Për këtë arsye, pjesëmarrja në to nuk është e rëndësishme vetëm për shkëmbim informacioni, por kryesisht për vendosjen dhe mbajtjen e kontakteve të rrjetit shkencor. Kush boton dhe çfarë botohet, varet shumë edhe prej marrëdhënieve personale midis grupeve të vogla profesorësh specialistë të fushave përkatëse, që takohen shpesh me njëri-tjetrin.
Vlera e artikujve shkencorë të botuar nuk varet prej numrit të tyre, por më shumë prej numrit të recensioneve që u bëhen atyre. Libri mund të citohet shumë për arsye të polemikave që nxit, si dhe kohës kur është botuar, por megjithatë duhet pranuar që ekziston një korelacion midis numrit të citimeve dhe cilësisë shkencore. Artikulli vlerësohet shumë mbi bazën e indeksit të citimit, kurse revista mbi bazën e ndikimit të lartë që ka, por të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Megjithatë, vështirë të gjenden revista shkencore që të vërtetojnë çfarëdo apo gjithçka.
Pedagogëve në Angli, për shembull, u kërkohet që mundësisht të botojnë një artikull shkencor në vit. Botimet kanë më shumë vlerë kur botohen në revista prestigjioze. Një herë në katër vjet, ESRC (Economic and Social Research Council) bën një vlerësim të universiteteve dhe departamenteve sipas numrit dhe cilësisë së botimeve shkencore dhe cilësisë së mësimdhënies me pikë, nga 1 në 5 me yll. Mesatarisht, katër botime cilësore dhe një ngarkesë mësimore, si dhe një cilësi e lartë mësimi sigurojnë për pedagogun 4 pikë. Pikaverazhi, 1c, 1b, 1a, 2c, 2b, 2a, 3c e me radhë është i lidhur me sasinë e subvencionimit që merr departamenti nga shteti për çdo pedagog. Kështu, ata me 5* marrin subvencion të mjaftueshëm që të mbulojnë shpenzimet e stafit dhe t’u teprojnë për të punësuar kërkues (reseachers), duke mundësuar vazhdimin e kërkimeve. Shuma për departamentet me 3a ose më poshtë nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, si pasojë këto universitete detyrohen të kërkojnë me ngulm fonde të tjera, ose përqendrohen te mësimdhënia.
Në rastin britanik, procedurat për grada e tituj janë të ndara dhe jo të varura nga sasia e artikujve, por numri dhe cilësia e botimeve. Nëse pedagogu nuk ka botimet e nevojshme dhe nuk ka një impakt në fushën e vet, nuk mund të pretendojë të kërkojë professorship-in. Në kuadër të vlerësimit të stafit akademik, është më e arsyeshme që, në fitimin e titujve kërkuesi i titullit të paraqesë artikullin/artikujt (1-3, për shembull) me të cilët kërkon të provojë vlerat e tij akademike dhe këto t’i nënshtrohen një procesi “peer review” nga autoritete të fushës (të vendit ose të huaj). Kjo vlen më shumë sesa rendja pas numrave të artikujve, faktorëve të tyre të impaktit, botimit në revista brenda e jashtë vendit, etj. Por, edhe procedura “peer review” në vetvete bart rrezikun e kryerjes prej komiteteve me kompetencë të përgjithshme, jo me ekspertë të fushës së ngushtë të studimit/kërkimit që mund të vlerësojnë hollësi të tilla, që të mund të përfshijnë edhe të dhënat e kërkimit primar. Jo rrallë, komitete të tilla i kushtojnë rëndësi kritereve dytësore, si: reputacionit të autorit dhe institucionit, prestigjit të revistës, rëndësisë së fushës së kërkimit etj..
Universitetet dhe institucionet kërkimore mund të zgjedhin të vlerësojnë performancën e stafit të tyre bazuar në numrin total të citimeve të publikimeve të tyre, numrit të botimeve në revista me faktor impakti ose me faktor të lartë impakti, ose në revista prestigjioze. Mund të ketë një vlerësim shumëdimensional, pasi vlerësimi i cilësisë shkencore mbetet një problem i vështirë që nuk mund të ketë zgjidhje standarde.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës

No comments:

Post a Comment