ARTI FITIMPRURËS I FALSIFIKIMEVE

ARTI FITIMPRURËS I FALSIFIKIMEVE
Arti është sot objekt i preferuar investimi. Kjo favorizon krijimin e një tregu për falsifikuesit, pre e të cilëve bien edhe ekspertët. Pak ditë më parë u zbulua nga hetuesit gjermanë një rrjet i gjerë falsifikuesish.
"Supremus" titullohet një nga pikturat që u sigurua gjatë sekuestrimit të fundit kundër falsifikuesve të veprave të artit në Gjermani, Zvicër dhe Izrael. Autori i saj duhet të ishte Kazimir Malevich, një piktor nga avangarda ruse, por nëse piktura e siguruar ka dalë vërtet nga dora e tij, kjo nuk dihet ende.
Punonjësit e Zyrës federale gjermane të Kriminalistikës gjetën gjatë bastisjeve të banesave ditët e fundit më shumë se 1000 objekte. Rreth 400 falsifikime të tjera të pikturave të Malevich, Wassily Kandinsky apo Alexej von Jawlensky, dyshohet se janë shitur, kryesisht jashtë vendit dhe tek koleksionistë privatë arti. Shumat që kanë fituar vetëm dy prej fallsifikuesve nga shitjet mes viteve 2011 dhe 2013 janë rreth 2 milionë euro.
Sa më shumë të interesuar për artin, aq më shumë falsifikime
Skandale falsifikimi ka vazhdimisht. Një nga më të mëdhenjtë e kohëve të fundit në Gjermani ishte rasti i Wolfgang Beltracchi-t. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të kenë fituar të paktën 16 milionë euro me tregtinë e pikturave të falsifikuara të stilit klasik modern. Një nga fallsifikimet e tij, "Piktura e kuqe me kuaj" u shit në ankand për 2,9 milionë euro, si gjoja punim i ekspresionistit Heinrich Campendonk. Me falsifikimin e një vepre të Max Ernst, Beltracchi arriti të mashtronte madje edhe një historian arti, Werner Spies, i cili njihet si ekspert i Max Ernst. Pas një procesi që pati vëmendje të madhe mediatike, Beltracchi u dënua në 2011 me gjashtë vjet burg, nga një gjykatë në Këln.
Tregu për falsifikuesit e veprave të artit është rritur po aq sa interesi i popullsisë për artin, thotë historiania e artit Susanna Partsch në bisedë me Deutsche Welle. Ajo është autore e librit "Vendi i krimit - art", dhe merret prej vitesh me historinë e falsifikimeve. "Ajo shkon prapa në kohë deri në epokën e barokut, por asokohe tregu ishte ende shumë i vogël. Ai u bë i madh në shekullin e 19-të, me themelimin e muzeumeve, ndër të tjera në SHBA, dhe amerikanët që nuk kishin një histori aq të gjatë sa evropianët, blinin art në Evropë." Para së gjithash në Itali u krijua sipas Partsch asokohe një treg i madh për art të falsifikuar.
Dhe interesi është në rritje. Qoftë Documenta apo Biennale, panairet e artit po bëhen gjithnjë e më popullore. Zv/drejtorja e Muzeut Ludwig në Köln, Katia Baudin, e konsideron të mundshme që kriza financiare ta ketë shtuar interesin për artin si objekt investimi. Dikujt mund t'i duket më e sigurt të investojë në një pikturë se sa në imobilje apo letra me vlerë.
"Mona Lisa për 30 euro? Nuk ka problem."
Edhe pse shumë raste zbulohen në Evropë, falsifikime arti ka në të gjithë botën: "Në Kinë është një fshat i tërë në të cilin prodhohen zyrtarisht kopje, të cilat madje mund t'i porosisësh. Një Mona Lisa për 30 euro? Pa problem. Është diçka e njohur që atje shkojnë edhe tregtarë dhe mashtrues, japin porosi dhe pikturat shiten në Evropë apo Amerikë si origjinalë", thotë Partsch.Pa një ekspertizë shkencore, falsifikimet shpesh dallohen me vështirësi si të tilla, shpjegon historiania e artit. Punishtet e pakta të restaurimit që ekzistojnë, si p.sh. Instituti Doerner në Mynih, janë për këtë arsye "të mbingarkuar dhe duhet shumë kohë për të kryer ekspertizën e një vepre arti".
Edhe Katia Baudin thekson rëndësinë e kontrolleve të tilla teknike të veprave të artit. Raste si ai i Beltracchi-t kanë treguar se ekspertiza e një historiani arti, që e sheh veprën vetëm nga jashtë, shpesh nuk është më e mjaftueshme. Me ndihmën e rrezeve ultraviolet mund të shihet për shembull nëse punimi është restauruar, me rrezet infra të kuqe mund të bëhet e dukshme skica fillestare e artistit nën pikturë. Kontrolle të tilla janë të shtrenjta dhe duan shumë kohë, por të domosdoshme.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri