Ç'më bëre, Dalip ?!



Tregim i jetuar



Nga Përparim Hysi


Lexuesit veç për një gjë i lutem: mos më marrë për atë personazhin butaforik, Belul Gjeraqinën, të të ndjerit Qamil Buxheli që u përjetësua me aq profesionalizëm nga i madhi i humorit, Fuat Boçi. Ç'do lexoni më poshtë janë përjetime të miat që,shpesh, më kanë hapur aq punë, sa, për pak, i kam shpëtuar burgut. Në shpëtova, nuk është vetëm merita ime, por më tepër e bashkëfshatarëve të mi, në Mbrostar- Ura të Fierit, që u pozicionuan në mbrojtjen time. Bashkëfshatarët më donin dhe për t'i thënë gjërat ashtu siç kanë qenë: dhe unë i doja. Qe një dashuri reciproke kjo, por ja që shihej pak me karshillëk nga partia dhe pushteti i kohës. Se tek punonin dërrçe në punët e rënda të bujqësisë, zinin dhe lakonin dhe emrin tim. Unë qeshë mësues prej vjetësh e vjetësh të fëmijëve të tyre dhe,me punën që bëja, kisha fituar konsideratën e veçantë nga ata. Qenë ata që, njëzëri (donte apo nuk donte kupola e partisë e pushtetit) më propozuan në kryesinë e frontit të fshatit dhe kryesia më zgjodhi si kryetar. Fshati qe goxha i madh (gati si qytezë) dhe veç vëndasve, u popullua dhe me të ardhur. Qe pak si fshat "larush" se pjesa autoktone s'para e kish përkrahur nacional-çlirimtaren dhe në gjithë fshatin e madh, laj-thaj kish vetëm dy komunistë (këta qenë vëllezër) dhe për t'u ngritur organizata e partisë, sollën të tjerë nga ana e anës. Mungonin komunistët, por nuk mungonin kulakët. Jo se këta qenë shumë, por mjaftonte që njëri të cilësohej kulak, dhe "kolera" binte mbi tërë fisin. Pse kishte të tillë, ky fshat i madh, pothuaj, ngjitur me Fierin (qyteti qe tri-katër km larg), u la pa shkollë 8-vjeçare deri në vitin 1990. Në Mbrostar- Ura (atë kohë me rreth 2500- 3000 banorë) shkolla 8-vjeçare u hap në vitin 1990 dhe unë kam qenë drejtori i parë i saj. Pra,partia dhe pusheti popullor, e kish parë Mbrostar-Urën me syrin e njerkës ( fillimisht të gjithë kuadrot- edhe brigadierët qenë të ardhur!), por dhe pjesa më e madhe e fshatit e shihte këtë karshillëk dhe ia kthente, kur vinte puna, me të njëjtën monedhë. Me një gjuhë popullore, mund ta përkufizosh kështu: me inat më fole, me inat t'u përgjigja. Mos po ekzagjeroj ? Jo. Aspak. Para se t'u tregoj më gjërë, ju them vetëm kaq: ky fshat me 4 familje kulakësh, me një të arratisur, për mos shkuar dhe më tej, për 50-vjet me radhë nuk pati asnjë të dënuar politik (agjitacion e propagandë) se, për çudi, kur vinte puna deri këtu, bëheshin gardh dhe nuk linin fakt ( e shpiknin kur duhej ) dhe "ustallarët e prangave" ktheheshin duarbosh. Pati dy tri të burgosur ordinerë, kur faktet bënin mu.

* * *
Duke qenë si kryetar i frontit për fshatin, natyrisht që nuk kisha atë parzmoren e samurajit, por gjendesha, shpesh, në pozitë të vështirë, se për cilindo që shkonte në një punë ku kërkohej biografia,duhej dhe firma ime dhe ca më keq, kur një nga bashkëfshatarët merrej si i pandehur. Qe vërtet një formalitet, por ja që e kërkonte koha. Unë mundohesha që të "zbukuroja", por jo të gënjeja trash,se, për fat të keq, edhe ndonjë sy e vesh i mbretit nuk përjashtohej. Ndodhi që një nga ata,që kish "hije" në biografi, në inat e sipër, ia flakëroi sa i lëshuan sytë shkëndija agronomit (edhe ky qe i ardhur). Akti i rëndë: "armiku" po ngre kokë !!! Gyjqi,para fshatit, dhe fshati mbrojti atë me "hije". Agronomi (fshati i gjithë nuk e donte), frymën në komitet të partisë dhe më lakoi në ligjëratë të drejtë: e mbrojti kryetari i frontit që i zbukuroi biogarfinë. Unë,sado që e njihja"hijen", bëra të paditurin: shkrova veç mirë për të pandehurin. Erdhi i dërguari i komitetit të partisë. më bëri për ujë të ftohtë. Por u mbrojta me faktin se si i "ardhur" në këtë fshat, nuke njihja qëndrimin e tij. Dushin e ftohtë as që e përfilla , se u gëzova që shpëtoi ai me "hije". Një tjetër bir kulaku "vodhi" pasurinë socialiste. Fjalën "vodhi" e kam vënë në thonjëza, se i akuzuari vërtet qe bir kulaku, po të vetmen gjë që nuk bënte,qe vjedhja. Karakteristikën ia bëra sipas biografisë, por në gjyqin para popullit, e mbrojta fuqishëm dhe më erdhi mirë,që shpura e drejtësisë,bashkë me tëplotfuqishmin, me prangat gati, u kthyen duarbosh. E merrja fjalën i pari dhe,pas meje, të gjithë më mbështesnin.


* * *
Një tjetër birkulaku, 17 vjeçar, bëri vetgjyqësi. Mori hakun e babait të tij (babai qe kulak) duke goditur me mjete të forta atë që i goditi babanë. Këtu nuk mbante ujë pilafi. Ndërsa 17-vjeçarin e morën si të pandehur, viktima kaloi në rrezik për jetën. Sidoqftë, gjyqi qe para gjithë fshatit në këndin e kuq. Gjtihmonë në gjyqet ku akuza merrej me të"deklasuar", trupi gjykues vinte nga Fieri. Kisha shkuar dhe unë të ndiqja fatkeqin adoleshent. Ndërsa filloi gjyqi me pompë të madhe, befas gjyqtaraja sikur një zegal i madh ta kish shpuar në prapanicë, kërceu si një panterë mbi gjahun, dhe u lëshua me sokëllima:
- Jini maskarenj që të gjithë. More, e dini se ç'u bëj ? Pra,sipas kësaj histerikeje të përdalë, gjithë fshati qe si me lepër apo të gjithë ne të pandehur dhe ajo, pantera, mund të na kafshonte apo të na poshtëronte si t'i donte kokrra e qejfit. Unë jam tip impulsiv, por prita që "salltanetin" apo të vrarët lart të kësaj lapardhareje, ta thyenin,së pari komunistët ( se si mund të ishin dhe ata,si të gjithë, ne, maskarenj !!!!), por jo. Dhe ç'ish më e keqja, e gjithë kjo furtunë në godë, e dini pse ndodhi? Vetëm për një fakt qesharak: një nga bashkëfshatarët, kish ndezur cigaren. Skenë më banale nuk kisha parë. Isha mësues dhe nuk qe mirë t'i kundërvihesha trupit gjykues, por nuk m'u durua. Jo vetëm iu përvesha, duke iu kundrëvënë deri sa i thashë:- Do kërkojmë të të heqin imunitetin (se gjykatësit votoheshon qoftë dhe formalisht) dhe, kur prokurori, kërkoi ta merrte në mbrojtje, i thashë:- Me ty nuk kemi punë. Ti përfaqëson shtetin dhe mbron akuzën. Gjyqin e kemi me këtë që ka shalaur kalin e mëndjemadhësisë. Aq u "nxeh" atmosfera, sa gjyqi u prish. Ikën dhe pritej satëri mbi kokën time. Prokurori qëlloi burrë i ndershëm dhe i tha gjërat siç qenë. Gyjqtaren e sollën për t'i hequr imunitetin, por unë jo vetëm e mbrojta, por kërkova,si grua që qe, të kishte në patronazh zonën tonë. Kokën e falur, në fshatin tonë, nuk e presin. Pas gjithë asaj atmosfere të "nxehtë", Dalipi ( e ndaj po e shkruaj tregimin) paska thënë: - Shokëni, nga një ditë pune në muaj të punojmë për Papin (kështu më thërresin të gjithë në fshat) se na i ka zbradhur faqen. Dalipi e bëri nga simpatia, por sytë e veshtë e mbretit, e çuan të nxehtë mesazhin atje ku duhej dhe kupola po më bënte gati qefinin. Se qeveria e zë lepurin me qerre.


* * *
Me Yzedin Velinë (ky qe nga ato familjet me "hije") na hahej muhabeti. Jo vetëm na hahej, por,shpesh, nuk linim gur e kusur pa sharë qeverinë e partinë,domosdo. Çdo mbasdite, në klubin e vetëm të fshatit (si ta kishim detyrë shtëpie) e rrëkëllenim një gjysëm litër raki, shoqëruar me meze,sigurisht. Qemë mirë nga vakti, për të thënë të drejtën. Por Yzedini ( ndjesë pastë se ka ndërruar jetë,para ca vjetësh) kishte zakonin e keq që nuk linte gur e kusur pa nxjerrë nga goja, kur pinte. Të gjithë e dinin dhe nuk ia merrte njeri për keq. Por hafija që bënte sikur pinte pranë nesh, e çoi fjalën ku duhej. Kaq. Erdhi gjahu në shteg. Me pompë: të demsakohet armiku,Yzedin Veliu dhe një"tjetër që pi me të". Demaskimi nga partia në rreth. Unë do hapja mbledhjen e demaskimit dhe,mandej, prangat për të dy (tjetri:isha unë!). Sa hapa mbledhjen,pa thënë asgjë,ia dhashë fjalën atij të ardhurit urgjent. Nuk la gjë pa numëruar dhe shtronte pyetjen: kush është ai që pi me të? Fshati t'i lexon teskeretë nga xhepi. Askush nuk e merrte fjalën. Siç duket, prisnin.
Dhe fola unë: - Unë jam ai që pi me të dhe kurrë nuk e kam dëgjuar të shajë partinë apo sh, Enver, Ca më shumë komunistët siç thuhet në materialin e partisë. Mandej shtova: që provokohet ky "gjyq politik", ka një informacion të sigurt. Të dalë këtu e të thotë (ishte fjala të zbulohej spiuni botërisht!) dhe, mandej, t'i bëhet gjyqi këtij bashkëfshatarit tonë. Të dërguarëve nuk po u rrinte kapela mirë. U duhej jo vetëm Yzedini, por,sidomos, ky "prishësi i qetësisë" që pinte me të. Tek shkruaj, s'kam si mos përmënd me mirënjohje të thellë, për një bashkëfshatarin tonë (qe i ardhur nga Belishova e Mallakastrës) që,sado që nuk të bënte mik kollaj, kish intuitën e një njeriu që qe antiregjim. Në vija të trasha, po e sjell, fjalën e tij:
- Yzedini e Papi pinë bashkë Unë ngjitur me ta. Papin e kam "inat" se më ka lënë djalin në klasë. Me Yzedinin kam një mazara të vjetër. Edhe tek punon,bëj se mos dëgjoj ndonjë fjalë kundër partisë, por mezalla. Me Papin seç llomotitin,për punëhiçe. Jo ti nuk e pive këtë shëndet. Punë sarhosësh. Po as parti,as qeveri s'e zënë në gojë. Ë, në doni e të besoni ndonjë shpifës, nuk di unë. Ky bashkëfshatar,qe Faslli Serjani. Nuk linte njeri pa shpuar me bodec, por sa fisinik u tregua dhe sa trim. Pas tij (qe thyer akulli) të tërë na morën në mbrojtje. Shpura iku, por ne shpëtuam nga burgu veç nga një njeri i mirë. Gjithmonë i kujtoj me nderim bashkëfshatarët e mi, Dalipin altruist, të ndjerin Faslli Serjanin e guximshëm. Të ndjerën Naxhie Doko (sekretarja e partisë,një kosovare me zëmër të madhe. Kurrë nuk firmosi për ndonjë dënim), sekretarin e rinisë, Ismail Muha. Shokët e pandarë prej meje si Qani Veliu,Qemal Karameta, të cilët, kurrë, në asnjë rast, nuk më lanë pa mbështetur me fjalën e tyre. Pa këtë mbështetje, unë do kisha përfunduar pas hekurave.


P. S. - Në këtë tregim nuk ka asnjë sajesë. Për çdo prapamendim jam i hapur. Dhe për të qenë më i drejtpërdrejtë po njoftoj dhe e-mailin tim: perparimh@gmail.com


Tiranë, 28qesrhor 2013

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri