Dijet e fituara me ca kartëmonedha

Brikena Sallo

Sikur të mos mjaftonin buxhetet që akordohen për universitetet apo taksat që paguajnë për fakultetin, studentëve u duhet të paguajnë edhe “kesh”. Proçedura “kesh” tingëllon pak arkaike në kohët e sotme të teknologjisë, por fenomeni i ryshfetit është aktual saqë nuk na bën më përshtypje kur e dëgjojmë. Jemi bërë palë me problemin dhe nuk reagojmë. Ky fenomen ndodhet sa larg aq edhe afër nesh dhe në një formë apo në një tjetër na prek të gjithëve. Qëllimi i këtij reagimi është edhe theksimi i kësaj problematike në sistemin arsimor shqiptar.
Që në semestrin e parë të fakultetit, studentët kategorizohen; në studentë të shkëlqyer që nuk lënë as një orë leksioni dhe për fat të keq këta janë të paktë në numër, studentë mesatarë që ndjekin lëndët sipas dëshirës dhe studentë që i varin shpresat te kalimi “qyl” i provimeve. Korridoreve të fakulteteve tona qarkullojnë fjalët për pedagogët e rreptë, por që të vlerësojnë për atë që jep, pedagogë të komunikueshëm me të cilët mund të bisedosh për vështirësitë që mund të kesh hasur me lëndën dhe ata pedagogë që marrin para ekstra për një notë 5 për të kaluar lëndën.
Tre kategoritë e studentëve të sipërpërmendur zgjedhin vetë se si ta përmbyllin ciklin e studimit ose në rastin më të keq, në fund zgjedhin të vetmen alternativë që është ryshfeti. Arsimi është futur në një qorrsokak, ku vlerat morale dhe arsimore nuk janë më prioritet i stafit pedagogjik dhe rrjedhimisht, me këtë kulturë edukohet dhe brezi i ri. Studentët në fund të të gjitha përpjekjeve, me disa pedagogë që i barazojnë dijet me ca kartëmonedha, duhet të bëjnë gati një “zarf” që t’i shpëtojnë detyrimit të një lënde. Pagesë që mund të mbajë pezull përfundimin e studimeve të tyre me vite të tëra, në qoftë se nuk pranojnë këtë “kusht”.
Rasti më flagrant i këtij fenomeni, është pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç. Mësohet nga forcat e policisë Elbasan se, pedagogu ka shpërdoruar detyrën, duke marrë ryshfete në këmbim të dhënies së notës kaluese në provime. Zhurmënaja nëpër korridoret e fakulteteve, kafeneve, ambienteve rinore për korrupsionin në arsim vërtetohet më së miri me këtë rast. Në rastin konkret drejtësia u vu deri diku në vend. Po në rastet e tjera të pa publikuara dhe të pa denoncuara?
Duhet të jemi ne të parët që, në momentin që konstatojmë këto fenomene, të mos bëhemi palë me problemin, të ndahemi në kategori studentësh të ndryshëm, dhe mbi të gjitha të jemi vigjilentë ndaj problemeve të tilla. Për çdo dije që marrim, të jemi të ndërgjegjshëm për atë që dimë. Dija dhe informacioni që marrim është pasuri vetëm e jona ndaj nuk duhet ta njollosim për të marrë një notë kaluese, për t’i shpëtuar proçedurave të një pedagogu. Të vetmet rregulla që studentët duhet të zbatojnë janë ato të fakulteteve, ku në asnjë rregullore nuk shkruhet pagesë ekstra, “kesh” për pedagogët. Ndryshimi duhet të fillojë nga ne, me ndihmën e instancave përkatëse, për të bërë diplomat shqiptare më të pranueshme në tregun e punës. Vetëm në këtë formë mund të ecim përpara.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri