Rrezik publik!

 Edison Xhakoni


Thonë se duhani dëmton rëndë shëndetin. Gjithashtu thonë se kompanitë që prodhojnë cigare nuk lejohen të reklamojnë produktin e tyre, paguajnë taksa më të larta e detyrohen të shkruajnë me gërma të mëdha paralajmërime të frikshme mbi paketimet e cigareve. Madje, në Australi nuk vendoset as marka e cigareve mbi paketë, e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po diskutohet edhe mundësia e ngjitjes mbi to e fotografive të njerëzve që kanë vuajtur e kanë vdekur nga kanceri. Por nuk ka asnjë paralajmërim, nëpër shishet e alkoolit, apo në qeset e patatinave, si ç’do të duhej të kishte edhe nëpër hyrjet e klubeve të bixhozit e nëpër disqet me qera të filmave për të rritur. Vendet ku shitet ushqim i shpejtë frekuentohet lirshëm nga të gjithë, përveç diabetikëve dhe atyre që ndjekin dietat e nuk bën dhe aq përshtypje kur i njëjti person që përgatit hamburgerin kthen edhe kusurin, para që kanë kaluar nëpër dhjetëra duar, e që me siguri askush nuk është kujdesur për higjenën para se t’i kapë. Nuk është gjithashtu e frikshme kur kalon në një rrugë me kazanë plehrash që kutërbojnë aq sa të duhet të mbulosh organet e frymëmarrjes e as kur qëndron në një park ku urinojnë të gjithë provincialët që nuk e dinë se qendrat tregtare i kanë tualetet pa pagesë, e askush nuk e vë re nëse futesh aty edhe pa kaluar më parë nga dyqanet.

Mjafton të duash, pasi vende e gjëra të dëmshme e deri edhe të rrezikshme gjen kudo, madje edhe pa dalë fare nga shtëpia, që nga kolesteroli në vajin me të cilin skuq vezën në mëngjes e deri tek mundësia e shembjes së pallatit, mundësi e shumëfishuar nga rëndimi i tij me shtesa nga të gjitha anët e me depozita uji mbi tarracë. Por paralajmërimet më të frikshme bëhen për gjërat më të rrokshme prej mendjes, siç është rreziku i infektimit nga ndonjë sëmundje veneriane nëse nuk merr masat e duhura, a thua se shumica prej nesh nuk e dinë me kë kanë të bëjnë, apo probabiliteti i lartë që të të bjerë ndonjë gjë në kokë nëse kalon poshtë skelës në një kantier ndërtimi. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë paralajmërim mbi librat e Daniel Steal, për dëmin serioz që i shkaktojnë përfytyrimit të dashurisë nga të rinjtë e moshës shkollore, apo në ekranet e televizioneve politikisht të njëanshëm, për ç’informimin dhe keqinformimin e masave, duke u shkaktuar ndjenja (false) të thella euforie apo pesimizmi, sipas krahut politik që mbajnë. Këto janë çështje serioze, edhe pse mund të duken të thëna me shaka. Çurçilli i famshëm thoshte: “Shakaja është diçka shumë serioze”. Dhe nuk e thoshte dhe aq me shaka, duke patur parasysh atë thënien e vjetër në operën italiane, sjellë shumë bukur në shqip nga Migjeni: “Qeshu palaço, se zemra të pëllcet!”.

Njerëzit nuk janë të painformuar e as të pandërgjegjshëm për rreziqet që fut në mushkëri thithja e cigares, e ndjejnë frymëmarrjen që t’u rëndohet, kollën që nuk i ndahet e deri ndoshta edhe shijen e keqe në gojë e prishjen e dhëmbëve. Nuk e ndjejnë edhe aq monoksidin e karbonit që korrupton hemoglobinën e gjakut, duke ushqyer me helm në vend të oksigjenit qelizat, por gjithsesi zgjedhin t’i marrin parasysh të gjitha këto. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë gjë të keqe për shumicën që të kthejë një gotë, apo të vërë një lloto kur luan ekipi i zemrës, sa për tifozllëk. Në fakt këto gjëra shkaktojnë adiktivitet, domethënë se nëse sot nuk ka gjë të keqe të pish njëqind mililitra alkool, nesër nuk ka asgjë të pish njëqind e pesë, e javën e dytë është absolutisht normale t’i rrëkëllesh dy gota më shumë. Njëlloj për bixhozin, por ndërgjegjësimi këtu është shumë më pak agresiv, se për duhanin. Nuk po flasim për drogën, pasi ajo është e jashtëligjshme.

Krimi në familje prek më së shumti familjet që kanë përdorues të alkoolit apo të varur ndaj bixhozit. Deri më sot askush nuk ka marrë sëpatën, sepse duhani e ka bërë të pandërgjegjshëm, e gjithsesi mbi paketat e cigareve qeveritë kërkojnë t’i shtojnë paralajmërimet, duke kërkuar deri edhe absurdin e stampimit të fotografive të të vdekurve, ndërsa në shishet e alkoolit gjen vetëm shënimin e vakët me shkronja të vogëla, të mbetur gjithsesi në ndërgjegjen e prodhuesit: “Pini me përgjegjësi.”, përkrah reklamës pompoze se sa “cool” dukesh po të pish disarono apo sa “hot” dukesh me një “kuqalashe pa turp” në dorë. Kurse në hyrje të kazinosë gjëndja është edhe më e rëndë; Aty publikohet shifra e jackpot-it që mund të fitosh po të luash. E kush nuk i do paratë e thjeshta?

Për një shoqëri të shëndetshme, me sa më pak halle që të jetë e mundur, duhet rritur sensibilizimi për rreziqet e alkoolit e bixhozit, deri sa njerëzit të fillojnë t’i besojnë paralajmërimet. Nuk po them të vendoset fotografia e një mëlçie të gërryer në shishen e birrës, por të paktën një paralajmërim me shkronja të qarta.

Zhvendosja e kazinove dhe pikave të basteve në periferi të Tiranës është një fillim i mirë, për t’u lavdëruar do të thoja edhe pse i vonë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Aspak nuk duhet të kënaqemi, por të kërkojmë të bëhet edhe në qytetet e tjera e njëjta gjë, e projekti i largimit të rreziqeve publike nga prania e publikut të zgjerohet edhe me rreziqet e tjera, që nga higjena në dyqanet e ushqimeve, deri tek çensurimi i lajmeve të pavërteta.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri