Vrasëset me pagesë

description

Zhanri Krim dhe triler është një nga më të vështirët për t'u krijuar, e kjo mund të ketë të bëjë me faktin se për ta bërë një film të tillë duhet munduar të bëhet një kombinim ndërmjet një filmi të pavarur dhe një filmi që ka shumë aksion brenda vetes.

Vrasja e Majkëllit

'Violet and Daisy' është një film që flet për dy vajza të reja (Alexis Bledel dhe Saoirse Ronan) të cilat sigurojnë jetesën duke vrarë njerëz për para. Për të përballuar jetën në një apartament në Nju-Jork, për të pasur mundësi të blejnë rroba të mira dhe të trendëve të fundit, ato i hyjnë kësaj pune si të ishte një gjë shumë e thjeshtë dhe e parëndësishme. Për të blerë një fustan të ngjashëm me një yll muzike, ato marrin përsipër një detyrë që do t'u paguhet mjaft shumë, vrasjen ë Majkëllit (James Gandolfini). Pasi i zë gjumi aksidentalisht në apartamentin e tij derisa e presin atë të vijë, ato vendosin që ta vrasin në vend sapo i zgjon nga gjumi. Megjithatë, për befasinë e tyre ai nuk bën asgjë për t'i ndaluar, madje i nxit që ta kryejnë vrasjen. Por është biseda që vjen më pas, ajo që ua vështirësoi punën, për shkak se ai duket një person shumë i mirë. Mund të themi me bindje se Gandolfini në rolin e Majkëllit e bën këtë film të vlefshëm për t'u shikuar. Derisa lidhja e tij me Toni Sopranon mund t'i bëjë njerëzit të dyshojnë për paraqitjen e tij në një film të këtij zhanri, performansa e tij është në nivelin e duhur, e mprehtë, delikate dhe qesharake.

Ngjashmëria me filmat e viteve të '90-ta

Në fakt, duhet thënë se ky film ngjan shumë me filmat e viteve të '90-ta, sidomos kur është fjala për përdorimin e muzikës në formë të ironisë, dhe përdorimin e ndryshimit të pikëpamjes së personazheve për të ndikuar në ngjarje. Përzierja e zhanreve, personazheve dhe e aktorëve të duhur për këto personazhe, i shton pikë filmit. Regjisori Xhefri Fleçer, arrin të përçojë tek audienca ndjenjën e tmerrit dhe frikës në disa raste brenda filmit. Filmi ka filluar të shfaqet nëpër kinema që nga data 7 qershor, dhe deri më tani ka pranuar mjaft kritika pozitive.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri