Historia e trishtë e veteranëve të UÇK-së

Një kirurg i specializuar për zemrën dhe një burrë i guximshëm, që ka punuar në shumë zona të rrezikshme të luftës, përfshirë Izraelin, Kosovën, Timorin Lindor dhe Afganistanin, Jurisevic mbetet emocionalisht i lidhur me vendin tonë. Australiani, rrëfimi i jashtëzakonshëm i të cilit nga lufta e Kosovës u botua në gjuhën shqipe pak javë më parë në librin me titull “Duart e përgjakura’’, përveç përjetimeve të rënda për të cilat shkruan në libër, ndjen se duhet të flasë edhe një të vërtetë në lidhje me Kosovën.



“Historinë e trishtë’’ të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që kur është botuar libri në Kosovë, ai ka pranuar shumë mesazhe nga veteranët e luftës, të cilët i rrëfejnë se jetojnë në kushte të rënda, kanë shumë pak të holla për të mbijetuar dhe se jeta e tyre është e tmerrshme në Kosovën e “re’’.

“Veteranët janë të zemëruar që pavarësisht nga miliarda dollarë që janë dhënë për Kosovën gjatë 13 viteve të fundit, ata ende jetojnë në varfëri të skajshme. Ata shohin politikanët, shumë prej të cilëve ishin komandantë të tyre në luftë dhe shumë prej të cilëve nuk u qëndruan pranë në vijën e frontit, që tani shijojnë jetë luksoze me miliona dollarë në zotërim të tyre, ndërsa ata, ushtarët që luftuan trimërisht, vuajnë në varfëri,’’ thotë Jurisevic, i cili është anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për të Drejtat Humanitare dhe anëtar i Kryqit të Kuq Australian.

Një rast i posaçëm e trishton më së shumti. Një burrë, 47 vjeç në atë kohë, ishte në frontin e Pashtrikut bashkë me Jurisevic, ku luftoi me trimëri. Ai u kthye në Kosovë, i lindi një fëmijë kur ishte 50 vjeç, dhe prej atëherë nuk mund të sigurojë një punë të qëndrueshme. “Ai shpenzon shumicën e parave duke u përpjekur që të sigurojë trajtim mjekësor për vajzën e tij 9 vjeçare, e cila vuan nga një formë e rëndë e epilepsisë. Për shkak të korrupsionit në sistemin mjekësor, ai nuk mund të vizitojë një neurolog, pasi për këtë nevojiten para, të cilat ai nuk i ka. Ai s’ka para të mjaftueshme për një apartament të mirë e të nxehtë dhe fëmijët e tij jetojnë në të ftohtë dhe vuajtje,’’ rrëfen Jurisevic.

Duke qenë njeri shumë modest, kirurgu australian tregon shkurtazi se i ka dërguar atij para dhe e ka vënë në kontakt me një neurokirurg shqiptaro-amerikan. ‘’Ai është një njeri krenar dhe mund të mos i pëlqejë që të identifikohet, “ shton Jurisevic. Megjithatë ai thotë se i vetëm nuk mund tu ndihmojë veteranëve aq sa do të dëshironte dhe shton se me tërë ato miliarda që ipen për Kosovën, do të duhej që çdo burrë, grua dhe fëmijë të ketë standard të artë të kujdesit shëndetësor.

“Unë jam i zemëruar me faktin se gjatë luftës, si komandantët ashtu edhe mjekët janë treguar frikacakë. Jam i zemëruar edhe më shumë, sepse edhe tani, në kohë paqeje, ata sillen në të njëjtën mënyrë’’, thotë Jurisevic, duke shtuar se në Australi dhe gjetkë, atyre që kanë luftuar për lirinë e vendit u ofrohet mbështetje e veçantë .

“Ne të gjithë luftuam për çlirim. Ne të gjithë luftuam për liri. Luftuam për t'i dhënë fund shtypjes! Po tani luftëtarët tuaj janë të shtypur nga varfëria, pa lirinë për të mbrojtur familjet e tyre nga shtypja që vie nga pabarazia dhe korrupsioni. Për mua ky është një fund shumë i trishtuar i një luftë të trishtë. Kjo gjë më thyen zemrën dhe më mbush me zemërim dhe neveri,” përfundon Jurisevic.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit