Kultura, nocion pa përmbajtje

“Kam thënë edhe më herët se shkrimtarët nuk paguhen nga shteti ashtu siç paguhen aktorët në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe bëhet nami nëse dikush si Qosja apo Demaçi marrin një subvencion për një komplet librash. Çohen njerëzit dhe i sulmojnë, sepse nuk janë mësuar t’i respektojnë vlerat e veta”, ka thënë shkrimtari Shehu

Shkrimtarët janë një nga shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë kosovare. Puna dhe roli i tyre në zhvillimet kulturore në vend nuk vlerësohet as nga shoqëria kosovare. Ndërsa institucionet shtetërore nuk janë duke bërë sa duhet. Kështu thonë për “Kosova Sot” shkrimtarët kosovarë. Sipas tyre, shkrimtarët e kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e kulturës në vend dhe ata duhet të çmohen dhe të respektohen ashtu siç e meritojnë.

Shkrimtarët nuk marrin paga

Në një prononcim për “Kosova Sot”, shkrimtari Fahredin Shehu ka thënë se shkrimtarët në Kosovë janë lënë totalisht në margjina, madje, sipas tij, janë të diskriminuar edhe në mesin e krijuesve të tjerë. “Kam thënë edhe më herët se shkrimtarët nuk paguhen nga shteti ashtu siç paguhen aktorët në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe bëhet nami nëse dikush si Qosja apo Demaçi marrin një subvencion për një komplet librash. Çohen njerëzit dhe i sulmojnë, sepse nuk janë mësuar t’i respektojnë vlerat e veta”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të flasim për ndonjë rol përderisa publiku nuk është i vetëdijshëm për rëndësinë e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve të tjerë kultivuese të frymës kombëtare dhe qytetëruese. “Shkrimtar ishte Rugova, shkrimtar është edhe Van Rompuy, kryesues i Këshillit te Evropës (Mjeshtër i Haiku poezisë). Vetëm te ne është mëkat të jesh shkrimtar, prandaj unë nuk shoh se ne kemi ndonjë rol në shoqërinë aktuale, por krijojmë për shoqërinë që do të vijë, mbase më e vetëdijshme”, ka pohuar shkrimtari Fahredin Shehu.

Kultura, nocion pa përmbajtje

Edhe krijuesi Ardian Haxhaj e ka vënë në pah gjendjen aspak të favorshme që kalojnë sot shkrimtarët në Kosovës. “E thonë të gjithë; kjo kohë nuk është e shkrimtarëve dhe e intelektualëve. Zhvillimet kulturore sot janë në agjendat e teknokrateve dhe politikanëve, për të cilat kultura është vetëm nocion pa përmbajtje”, ka thënë ai. Prandaj, sipas Haxhajt, ndodh që gjithçka të fillojë dhe të mbarojë me deklaratat dhe pamjet e politikanëve. “Në shoqërinë kosovare shkrimtari më nuk ka mbetur kurrfarë modeli dhe natyrisht se kjo u konvenon atyre që i sundojnë shkrimtarët”, është shprehur krijuesi Ardian Haxhaj, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës. Ndërsa Reshat Sahitaj, që e kryeson Unionin e Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, ka thënë se institucionet shtetërore, veçanërisht MKRS-ja nuk është duke bërë sa duhet për kulturën, veçmas për hapjen e saj jashtë kufijve. Sepse, sipas tij, MKRS-ja u ndihmon vetëm klaneve dhe individëve të caktuar, kurse ata që në fakt janë krijues të mirëfilltë kjo ministri vetëm sa i ka bllokuar. “MKRS-ja duhet të bëjë më shumë për përkrahjen e krijuesve dhe të kuptojë që krijues janë ata që ndikojnë në zhvillimet kulturore, veçmas për njohjen e saj jashtë”, ka thënë Sahitaj.

I. Vatovci

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri