Mbi romanin "Ikje nga trilli i perëndive" të Amik Kasoruhos

TRAGJEDIA E DIKTATURËS E RILEXUAR NË SHPIRTIN E PERSONAZHIT


Nga BUJAR LESKAJ

-"Ikje nga trilli i perëndive" është njëri nga këto dokumente. "Ikje nga trilli i perëndive" është një udhëtim i brendshëm, disi misterioz në zonat e nënvetëdijes së autorit, që na paraqitet edhe si një formë e stilit me funksion të dyfishtë, jo vetëm për të mos u ndarë nga ligjërimi i tij i ndjerë, por edhe për të na zbuluar rrugën e së vërtetës. "

-"Lëndimi i personazhit kryesor është i përligjur prej ngjarjeve dhe argumenteve të patjetërsueshme. Çmimi i lirisë pati qenë aq i lartë për të dhe plot sakrifica. Për të motivuar masakrën që iu bë intelektualëve të pushkatuar nga diktatura, model frymëzues u cilësua babai i autorit Qemal Kasoruho."

Motivet e romanit "Ikje nga trilli i perëndive" të Amik Kasoruhos janë të lidhura me një histori tragjike dhe të paharruar. Merret shkas nga Masakra e Natës së 26 Shkurtit 1951, e cila është një nga veprat më kriminale të regjimit komunist. U masakruan 22 intelektualë të pafajshëm, pa u zhvilluar asnjë gjyq për të provuar fajësinë e tyre. Duke shkelur në gjurmët e kësaj historie, romani i Kasoruhos vjen, jo vetëm si një prurje letrare, por edhe si variant që mbart në thelb etikën e rrëfimit të së vërtetës së ndjerë në shpinë, në eshtrat, në trupin dhe në zemrën e tij. Nëpërmjet kontekstit të përsiatjeve në rrëfim, krijohet mundësia që, një ngjarje skajshmërisht tendencioze, duke u përpjekur që të mbulonte arrestimin dhe pushkatimin e intelektualëve të shquar me hedhjen e një cope me dinamit në oborrin e Ambasadës Sovjetike, të zbulojë edhe shkaqet e vërteta të krimit komunist.Por, kujtimet nisin që nga vegjëlia e autorit, e cila i jep mundësinë për t’u përfshirë në një diapazon më të gjerë të kontekstit historik, sesa ai i periudhës komuniste dhe, me siguri, roli i kujtimeve në shkrimin ose rishkrimin e historisë bëhet më i madh. Ky rol ka edhe më shumë rëndësi, ngaqë autori ende ka mbetur një dëshmitar i gjallë. Kështu Amik Kasoruho do të njihet jo vetëm nën velin e personazhit, por edhe si një nga viktimat e atij genocidi komunist në Shqipëri që vrau, burgosi dhe internoi mendjet e ndritura të kombit, intelektualët, krijuesit. Si lajtmotiv që shërben për interpretimin e veprës shërben simbolika e pemës pa rrënjë, e cila ndihmon në perceptimin e thellë, në zhvillimin e ndjesisë humane dhe mprehjen e intuitës, duke rilexuar përndjekjet dhe ndëshkimet që i ka vuajtur prej diktaturës e gjithë familja Kasoruho. Duke shtjelluar lëmshin e mbledhur të këtyre kujtimeve, pikësëpari, autori ka menduar se njeriut i vlejnë të ruaj drejtpeshimin, ekuilibrin. "Një burrë pa kujtime nuk do të rrinte dot në këmbë. Madje, një burrë pa kujtime nuk ka të drejtë të mendojë as të ardhmen", shprehet autori në veprën e tij. I zhytur më së tepërmi në kujtesë, thellë autori i bën apel kujtesës së gjithë shoqërisë për të mos harruar. Po cila është ajo që do të shërojë rrënjët e një familjeje të përndjekur. Plagët e paraardhësve dhembin edhe tek trashëgimtarët. "Biri im, kam vetëm një dëshirë: kur të vijë fundi, nuk dua të më varrosni në këtë fshat. Duhet të më shpini në varrezat e Durrësit. Nuk mund ta pranoj idenë se edhe i vdekur do të jem e dënuar të pushoj mes njerëzish të huaj", i kujtohet autorit, amaneti i nënës. (fq. 22 në roman.)Familja e Amik Kasoruhos është përndjekur dhe diskriminuar tri breza rresht. "Nuk e meritonte kjo familje të drejtën të njihte një jetë tjetër, të ndryshme dhe njerëzore, të lirë dhe me dinjitet", mediton ai?Ishte i ndarë mes dy botësh: njëra prej të cilave ishte fragmentare, e gjallë, therëse, thellësisht e jetuar, por e padukshme, e fshehur dhe e ruajtur me xhelozi brenda tij, dhe tjetra, ajo që mund të shikonte përtej dritares: e huaj dhe e vetja, indiferente dhe e shtrenjtë, e ngrirë dhe e palëvizur e, megjithatë, plot drithërima jete.Në sytë e lexuesit afrohet e gjithë tragjedia e jetës së një familjeje, e cila edhe sikur të ishte e vetmja, do të ishte e mjaftueshme për të na drithëruar. Por ne e dimë mirë se qindra familje, mijëra nga rrënjët e trashëgimisë e të dinjitetit të tyre u shfarosën. Prandaj duke iu bashkuar edhe vetë dhimbjes së kësaj tragjedie, e ndjej obligim që këtë vepër ta marrë në konsideratë ndër të tjerat, jo vetëm për mënyrën e thellë të shprehjes dhe arsyetimit, por edhe për faktin e njohur se letërsia që përshkruan historinë e burgjeve dhe persekutimeve në komunizëm, nuk është marrë ende sa duhet në shqyrtim. Jam i bindur se çdo e vërtetë historike është më e argumentuar, nëse ajo ushqehet me ndjesitë e shpirtin krijues të një apo disa autorëve që e kanë jetuar tragjedinë. Një analizë e mirëfilltë e këtyre veprave rrit përgjegjësinë për të qenë konsekuent në rrugën e së ardhmes. Jo pa arsye, të mbushur me përgjegjësinë sesi duhet të jemi e si duhet të sillemi ne me brezat që vijnë, duhet të rikthehemi tek këto kujtime dhe aq më tepër tek ajo lloj letërsie që lidh të gjitha hallkat historike të këputura të kombit tonë, mjafton të kujtojmë fjalët e nobelistit që shkruan se: "Ne nuk i kemi vrarë viktimat e Holokaustit, dhe, kështu, ne nuk jemi përgjegjës për vdekjen e tyre. Por, po t’i harrojmë, ne e vrasim përsëri kujtimin e tyre. Për këtë vrasje të dytë, ne do të jemi të gjithë përgjegjës". I citoj këto fjalë të përmendura jo pak herë, jo vetëm për të treguar arsyet e vijimit të punës sime me studimin e veprave të autorëve që rrëfejnë vuajtjet nëpër burgjet dhe kampet e diktaturës që u vendos në Shqipëri, por edhe me synimin e qartë që të gjithë ne duhet të angazhohemi që të flasim, të shkruajmë e ta dokumentojmë krimin komunist në Shqipëri. Pikërisht romani i tij "Ikje nga trilli i perëndive" është njëri nga këto dokumente. "Ikje nga trilli i perëndive" është një udhëtim i brendshëm, disi misterioz në zonat e nënvetëdijes së autorit, që na paraqitet edhe si një formë e stilit me funksion të dyfishtë, jo vetëm për të mos u ndarë nga ligjërimi i tij i ndjerë, por edhe për të na zbuluar rrugën e së vërtetës. "Disa herë njeriu i fshihet përballjes me realitetin mujshar që imponohet, aty ku ëndrra përpiqet të mbrojë të drejtën për të jetuar. Kishte vuajtur shumë që të largohej nga vendi i vetë….", shkruan autori për heroin e romanit (vetveten), duke motivuar këtë herë dilemën e përhershme në rrafshin tragjik të shqiptarisë, "të rrish apo të ikësh" nga ky vend fatkeq. Autori rrëfen: "Aso kohe nuk e dinin që drama e jetës, për secilin prej tyre, kishte rezervuar më shumë se një akt. Në atë papafingo, asaj mbrëmjeje vere të vitit ’49 kishte ndodhur kalimi pa vetëdije nga rinia e shkujdesur në një jetë më të plotë, të trazuar, të ashpër dhe të padrejtë ku përziheshin dhuna, meskiniteti, dyshimi, çorientimi. Me pak fjalë jeta e vërtetë." (fq. 29). Ai jep një pamje të rifreskuar në kujtesë të Tiranës pas lufte, imazhe dhe detaje që flasin jo pak. "Vitet e para mbas luftës, Tirana po përjetonte një periudhë urie. Të vegjlit shkonin në shkollë të pangrënë: buka ishte me racion dhe s’mjaftonte. Nëpër dyqane nuk gjendej as miell, as sheqer, as mish, as qumësht. Ose, kur gjeje diçka në tregun e zi, kushtonte një djall e gjysmë. .....UNRRA kishte filluar të ndihmonte Shqipërinë me barna dhe ndihma ushqimore. Ato ndihma shteti ia jepte një pjesë ushtrisë dhe pjesën tjetër të rinjve vullnetarë, që në atë kohë, ende plot entuziazëm, punonin pa asnjë shpërblim në ndërtimin e rrugëve dhe rindërtimin e urave të shkatërruara gjatë luftës. Diçka mbetej edhe për shkollat. Çdo ditë, gjatë pushimit të gjatë(që ishte njëzet minuta, të tjerat zgjatnin vetëm pesë minuta), fëmijët, në vend të luanin në oborrin e shkollës, viheshin në radhë, të heshtur dhe të nënshtruar, dikush me një tas në dorë, të tjerët me disa gota alumini të sjella nga shtëpia, për të marrë racionin e ditës: 150 gram qumësht, me nja dy ose tri biskota. Për ta, ky ishte çasti më i bukur i orëve të gjata në shkollë. Dhe nuk e kuptonin se dalëngadalë, po e bjerrin shprehinë dhe nevojën që të luanin. Rritja dhe mungesat po shndërroheshin në një binom të pandashëm."(fq. 31-32, në roman). Pas këtij mjerimi, gjatë përshkrimit të syve të uritur të fëmijëve, drobitje e skamjes, autori na e bën të qartë shndërrimin tonë, të njeriut të uritur që mund t’i verbohet arsyeja shumë lehtë. Është krijuar tashmë klima për lindjen e "njeriut të ri". "Pikërisht, në ato vite të largëta të pasluftës kishte filluar tjetërsimi i njeriut që nuk njohu kufi. Po lindte njeriu i ri i kohëve të socializmit. "(fq. 32). Këto akte të dramës që shoqëron shqiptarët, nëpërmjet komenteve të autorit shoqërohen jo pak herë me një lloj komedie të zezë: "Pastaj erdhi një ditë që edhe qumështi mbaroi. Qeveria kishte zbuluar që ndihmat e UNRRA-s nuk ishin gjë tjetër veçse një propagandë e kulluar imperialiste, që vetë UNRRA nuk ishte tjetër veçse një organizatë spiunazhi amerikane e që fëmijët shqiptarë mundeshin ose jo, duhej të rriteshin pa qumështin e imperialistëve. Dhe kështu ndodhi që gjatë pushimit në shkollë, të vegjlit nuk mbajtën më radhën për qumësht dhe filluan të luanin prapë. Me bark bosh por të luanin. Fëmijët filluan të rriteshin në mes të absurditeteve të pakonceptueshme. Kur të rriteshin do të vazhdonin t’i nënshtroheshin pushtetit të fjalës dhe do të pranonin mohimin e të vërtetës." (fq. 40, po aty.) Megjithëse autori nuk u lë gjë mangët rrëfimeve të tij, ai ka zgjedhur një mënyrë tjetër për ta rrëfyer këtë, nëpërmjet një ligjërimi jo të drejtpërdrejtë, historitë copëtohen në gojën e personazheve të tjerë. Ngjarjet me qëllim e humbasin koherencën. Fillimi që nis me vrasjet e ndëshkimet dhe fundi i historisë që përshkruhet me hapjen e ambasadave dhe fillimin e demokracisë bashkohen në një tragjedi të vetme, një tragjedi që nuk hyn dot në njërën kohë e të dalë në tjetrën, por që rri ende mbi kokat e njerëzve. Ky është një mesazh shumë domethënës, ndërsa lexuesi e ndjen se Kasoruho nënkupton shtrimin e disa pyetjeve të tilla si: Përse nuk mund të shijohet në këtë vend ardhja e lirisë, ç’gjurmë ogurzeza ka lënë e kaluara? Gjatë kohës që lexuesi nis ta kuptojë shkakun, autori rrëfen se me çfarë çmimi e kishte paguar vetë ai atë udhëtim drejt asaj lirie. "Kishte kaluar një muaj që kur mijëra njerëz kishin kapërcyer muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe ajo ngjarje rëndonte mbi të gjithë me tragjizmin e saj. Si të ishte një shtresë e dendur mjegulle që ndehej sipër tokës, ai hov i dëshpëruar kishte veshur sytë e të gjithëve: njerëzit ndienin zemëratë dhe emocion. Zemëratë ata që ishin të lidhur me regjimin, emocion të tjerët", (fq 38, po aty). Lëndimi i personazhit kryesor është i përligjur prej ngjarjeve dhe argumenteve të patjetërsueshme. Çmimi i lirisë pati qenë aq i lartë për të dhe plot sakrifica. Për të motivuar masakrën që iu bë intelektualëve të pushkatuar nga diktatura, model frymëzues u cilësua babai i autorit Qemal Kasoruho. Me imazhin intelektual dhe perëndimor të tij, Mehmet Shehu e përligji pushkatimin e tij dhe të gjithë të tjerëve para popullit me shprehjen se "intelektualë të tipit Kasoruho" nuk do të mbijetojnë dot në Shqipërinë komuniste. Kasoruho ka zbërthyer pikërisht mënyrën si u veprua pas këtij dekreti kriminal të shtetit. Ka rëndësi të madhe të rrëfehet, të analizohet dhe shkruhet kjo histori, sepse me këtë ngjarje u ligjërua hapur qëndrimi terrorist i vetë shtetit mbi shtetasit e tij, duke ligjëruar qëndrimet absurde, dhunën e represionin, dhe me këto qëndrime justifikohej vala e madhe e arrestimeve, e pushkatimeve, e burgimeve dhe e mbjelljes së terrorit komunist anekënd Shqipërisë. Autori me vetëdije në veprën e tij del jashtë rrethanave politike që e shkaktuan këtë tragjedi, si për të mos e lodhur lexuesin me atë pjesë të historisë që njihet tashmë prej të gjithëve. Mirëfilli, rrethanat që shkaktuan këtë tragjedi, janë dëshmuar edhe nga Uran Butka në nje studim historik tw plotw e dinjitoz historigrafisht, studimin "Bombw nw Ambasadwn Sovjetike". Ai rrëfen ndër të tjera se vetë Mehmet Shehu kërkoi masa të egra ndëshkuese, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Sipas studimit të tij në dokumentet e gjetura në arkiva, Mehmet Shehu ka pohuar se "edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte". (Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike). Nga kërkimet që ka bërë Uran Butka në arkiva vërtetohet se të gjithë anëtarët e Byrosë Politike ishin dakord me këto masa. Ndaj duket qartë se kjo ka qenë pikërisht koha kur u institucinalizua dhuna dhe masakrat politike të bëra me vendime partiake, të cilat vunë në lëvizje Sigurimin e Shtetit, u përgatitën lista dhe u vihej kryqi atyre që duhej të të pushkatoheshin ose të përndiqeshin. Me pak fjalë, kjo është historia, tashmë e njohur prej të gjithëve, por në roman detyra e autorit është që t’i jap zë dhe shpirt asaj, sepse vetëm kështu nuk mund të harrohet. Gjatë paraqitjes së nëndheshme të këtyre kujtimeve ai e ndjen se misioni i tij mbetet që trajtojë efektin dhe arsyet e mistershme të kësaj ndodhie. Lexuesi bëhet gjithnjë e më i interesuar për atë fakt që fshihet pas monologëve dhe rrëfimeve të heroit të romanit. Ai mendon se ajo që fshihet, që shumica nuk e dinë ende mirë, një ditë tjetër do të prodhonte sërish një histori të tillë. Pra, si autori që e ka shkruar këtë libër dhe një person që merr përsipër ta analizojë kanë një mision të përbashkët të merren me fajin, me drejtësinë dhe rrugën drejt saj e nis nga dhimbja, sepse për autorin e këtij romani: "Dhimbja flet një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Lotët nuk kanë nevojë të shpjegohen. Perëndia e deshi që njeriu ta ndajë dhimbjen me të tjerët, pikërisht për t’i dhënë një kuptim solidaritetit." ... Bashkë me motivacionin e ikjes nxjerr krye dhe drama e brendshme e personazhit, e cila bashkohet në rrjedhën e një tragjizmi epik, duke iu referuar historisë së ushtrimit të 50 vjetëve diktaturë që nga lulëzimi deri në rënien e saj. Dilema të rrish apo të ikësh e Kasoruhos është e ngjashme me dramën hamletiane. Si në njërën dramë dhe në tjetrën drama vjen prej të vetëve, prej gjakut, siç ndodhi që shqiptari vrau shqiptarin në këto 50 vjet. Gjatë ikjes, bashkë me ikjen "nga trilli i perëndive" (se ikje nuk duhej të kishte), autori merr shkas të bëjë një udhëtim imagjinar në mjerimin e shqiptarëve. Ikja dhe kthimi me imagjinatë ndodhin njëkohësisht, dhe krijon efekte artistike, të cilat qerthullojnë një realitet rrëqethës, që nuk mund të deformohet, të tjetërsohet. Ndaj Kasoruho gjen mjetin për të na këndellur si lexues edhe po të ishim indiferentë ndaj asaj që ka ndodhur me ne, me jetët tona, me gjakun tonë, ndaj asaj që ka ndodhur ndër ne, që ne ende rigjenerojnë trajtat dhe format e asaj tragjedie të madhe kombëtare. Udhëtimi nëpër mjerimin e shqiptarëve kryhet paralel me ngritjen e avionit në qiell. Kështu rrëfimi merr një trajtë më të sinqertë, ashtu siç do t’i drejtoheshim qiellit vetëm për vetëm. Po cili është qëllimi i udhëtimit në këtë situatë mjerane. Edhe pse ikën larg, me dilemën për të mos u kthyer, kujtimet ruajnë një trajtë të ëmbël e të trishtuar. Kasoruho nuk përbuz, nuk urren, nuk neverit, nuk vret, nuk fajëson atë masë të mjerë kolektive oportune. Kur e lexon veprën kupton se monologu i arratisë së Kasoruhos nga atdheu është një monolog i trishtuar, nëpërmjet të cilit nuk ia hedh fajin njeriut, të mjerit për shitjen dhe poshtërimin e nënvetëdijes sonë, poshtërim që ia bënë dogmat, frika nga uria, nga burgu, nga plumbat. Lëvrimi i detajeve në këtë kontekst të ndjell vetiu një mëshirë e përbuzje, të cilën autori nuk e komenton. Na sjell parasysh si në faqet e një dokumentari Tiranën e zhuritur e të uritur të pasluftës, ndihmat e para të UNRAS dhe ndërprerjen e misionit të saj nga ideologët komunistë shqiptarë se bar do të hamë dhe nuk duam ndihma nga kapitalistët, dhe pastaj pasojat; takimi i parë me dhunën, fëmijë që nuk luajnë, trishtim, sepse pikërisht në ato vite ta largëta të pasluftës, siç thotë Kasoruho "kishte filluar tjetërsimi i njeriut që nuk njohu kufij, po lindte njeriu i kohëve të socializmit" (fq. 30-romani). Duke depërtuar në thellësinë e fakteve, mjerimi përshkruhet me detaje. Cili është qëllimi që autori me kujtimet e tij përpiqet të depërtojë në skutat më të errëta të këtij mjerimi. Edhe pse romani mund të duket me nota autobiografike, për çudi merr një rrjedhë tjetër. Biografia personale e autorit, edhe pse ka kaluar vetë tri breza përndjekjeje, anashkalohet për të depërtuar tek ajo që për qëllime analize do ta quanim biografia e atdheut. Kaq vite dhunë, shtypje, diktaturë, në atdheun që autori-personazh ka jetuar, bëjnë që të shfaqet sindroma e ligështimit, zemrës së thyer, si e vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë kujtimeve të së kaluarës -asaj që shkrimtari e quan "sindroma e oportunizmit kolektiv". Pra, duke ia shkruar atdheut të tij këtë biografi, dalëngadalë ai ka çelur kodet e një historie të pashkruar saktë prej nesh. Pse të ishte ky fati ynë, pse të ishte ky fati i Shqipërisë? Pse, megjithatë, Kasoruhos i duhet të iki? Autori vetë i referohet momentit të ikjes me një theks stilistik të veçantë, sepse ka provuar realisht të iki e të vijë pas rënies së diktaturës, por atë e prek dhe e lëndon fakti që të ndjell vetë ikja. Ëndërron shumë që të jetë i lirë, por nuk do të donte kurrë një ikje pa kthim….Me "Ikje nga Trilli i Perëndive" autori ka zbuluar sindromën e të gjitha ikjeve dhe pasojat. Dhe ikjet e shqiptarëve janë bërë si një sëmundje epidemike. Jo pak burra e gra, të rinj e të reja, intelektualë e talente i ikin Shqipërisë. Të duket e pabesueshme sot se si nuk shter, por qëndron ende në këmbë si ta shoqëronte një lloj trilli i fatit apo i perëndive, i kujtdo qoftë ky trill. Mjerimi i kohës së komunizmit shfaqet plot paradokse e ngjyra sarkastike. Ngjarja tragjike e Shkurtit 51, krijoi një situatë aq të rëndë në Shqipëri, sa nisën të përligjeshin të gjitha dënimet, ekzekutimet, nxjerrjet me forcë nga shtëpitë e familjeve e të të pushkatarëve dhe të përndjekurve, duke eliminuar të gjitha etapat e drejtësisë, si gjykimin pa i marrë në pyetje të pandehurit, pa i lejuar të kërkojnë mbrojtjen, apelimin ose praninë e prokurorit. Gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës. "Kujtesa nuk është vetëm një dhuratë hyjnore që na është falur për të siguruar vazhdimësinë e ndërgjegjshme të jetës, por është edhe një gjykatëse e sjelljes sonë në kohë. Ajo na ndihmon të shlyejmë një borxh koherence me të shkuarën, por mbi të gjitha është një çelës për të interpretuar dhe për të shtruar bazat e së ardhmes: është një privilegj, është një detyrim", shkruan autori Kasoruho. Ndaj ne nuk duhet të harrojmë se ata që u pushkatuan ishin të gjithë intelektualë, një lloj drite e lirisë dhe e demokracisë, një lloj shprese e zhvillimit dhe e rindërtimit të Shqipërisë së djegur dhe të drobitur pas Luftës së Dytë Botërore. Ata që u pushkatuan ishin të shkolluar në Perëndim dhe sigurisht që do të kishin prirjen për ta drejtuar zhvillimin dhe rindërtimin e vendit drejt Perëndimit. Për këtë, një konstatim interesant e bënë edhe studiuesi Uran Butka. Ai ka zbuluar një domethënie të madhe, ku shfaqen rrënjët e krimit: "Ata ishin bijë që u përkisnin të gjitha trojeve shqiptare, "Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra; Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana; Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra; Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça; Fadil Dizdari nga Kavaja; Hekuran Troka nga Kuçova; Niko Lezo nga Delvina; Anton Delhysa nga Prizreni; Tefik Shehu nga Gjakova; Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe; Mehmet Shkupi nga Shkupi; Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi, i pushkatuar në mesnatë në afërsi të urës së Beshirit, të lidhur dorëpërdore me tela me gjemba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre. Më vonë, kur vendi filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që punonte në atë zonë, i ra të fikët kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Ishte trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati".Ndryshe nga disa autorë të letërsisë së burgut ( që ekziston si e tillë, por nuk është e sistemuar, ngaqë me sa duket ka një përpjekje për të zhdukur memorien historike) Kasoruho çel një korridor tjetër në konsistencën e kësaj memorieje, jo atë të përshkrimit me detaje të ngjarjeve të Gulagut, por në mënyrë të veçantë hedh dritë në skutat më të errëta të shkaqeve dhe pasojave të atij gjenocidi që komunizmi ka bërë me intelektualët më të mirë, me trurin e kombit. Pikërisht ky gjenocid është kulmuar me vrasjen e 22 intelektualëve me shkas gjoja hedhjen e një bombe në Ambasadën Sovjetike. Ndaj artistikisht ai motivon jo vetëm rrjedhën e rrëfimit, por edhe shpalljen e së vërtetës, duke vënë në qendër të veprës një hero të veprës që përfaqëson këtë inteligjencë, Robin (aludohet për Robert Shvarcin). Robi prezantohet në këtë vepër disi i ngjashëm me një hero kafkian, ngaqë duket mosveprues, injorues dhe indiferent përballë ngrehinave të një shteti që mbijeton përmes survejimit, spiunazhit krimit dhe torturës. Përafrimin artistik e kushtëzon vetë procesi misterioz brenda një burgu politik, ku pikërisht atje gjejmë shëmbëllimin më të plotë e të qartë të gjithë shtetit e klasës politike. Gjithçka shpjegohet qartë nëpërmjet kujtesës dokumentare të vet autorit, pinjollit të një familjeje të nderuar, të cilit qysh prej moshës 16-vjeçare, kur e burgosin si të birin e intelektualit Qemal Kasoruho, pushkatuar më parë nga regjimi, nuk i shqitet nga kujtesa rituali i egër e barbar i ekzekutimeve, internimeve dhe burgimeve të familjarëve të tij dhe shumë shqiptarëve brenda ngrehinës së vetmuar të Shqipërisë së vogël komuniste. Por, ky libër nuk do të kishte aq shumë kuptim, nëse Kasoruho do të merrej vetëm me këtë ngjarje. Madje, shumë rrethana të saj i anashkalon, dhe kjo i jep veprës një rëndësi të madhe, kur ai përpiqet me një sinqeritet prej krijuesi që të zbulojë arsyet dhe shkaqet. Vepra merr udhë mes shumë pikëpyetjeve që autori i ngre vetes, dhe aty ai kërkon përtej faktorëve politikë arsyet dhe shkaqet e këtij absurdi. Ai shkon aq përtej, sa nuk ka ndërmend të merret me ndonjë gjest heroik, si rrëfyes i romanit. Ngjarjet e Ambasadës Sovjetike, ku vriten arbitrarisht dhjetëra intelektualë të shquar, pa më të voglin faj, pa asnjë lidhje me autorin që e çoi atje bombën, janë shkaku dhe zanafilla për të rrëfyer fuqinë e përbindshme të shtetit komunist për të shfarosur çdo shenjë arsyeje dhe ndërgjegjësimi të kombit. Ndaj ai vetë e të gjithë heronjtë e veprës, ndihen të pafuqishëm, të ligështuar nga kalvari i dëbimeve, dhimbjeve, vrasjeve, lëndimeve që tashmë është kthyer në një proces. Kasoruho na mëson prej këtij libri që për herë të parë në mendësinë tonë të konsiderohen viktimat si heronj, gjë që edhe sot e kësaj dite nuk është konceptuar në vizionin e shtetarëve dhe politikanëve që na udhëheqin. Ndaj heroi i tij është i brishtë, i thyeshëm, i arsyeshëm, i ndjeshëm, i përkushtuar, besnik dhe i dashur. Kjo mënyrë strukturimi që ai i bën veprës letrare, duke përfshirë marrëdhëniet njerëzore në situata dhe kohë të ndryshme, krijon një besueshmëri instiktive në rrëfim dhe kjo ka jo pak vlerë. Rrëfimi ka një rrjedhë spontane. Po të është vënë re se Kasoruho stilistikisht përpiqet të vërë një rregull dhe të disiplinoj kujtimet, si një përpjekje për të kuptuar diçka më parë ai vetë dhe pastaj të tjerët. Dhe ndjesia e tij prek ndjesitë e lexuesit, sepse, për çudi, sa më i përpiktë që përpiqet ai të jetë në afrimin e ngjarjes në kujtesë, aq më absurde duken ato. Jo pak herë kujtesa e tij kthehet tek ngjarjet e burgut dhe heronjtë që shfaqen atje, janë të gjithë heronj të pashpallur, shembuj qëndrese, dinjiteti dhe krenarie si Gaspër Çuni: "Shtatlartë, i dobët, delikat dhe gjithmonë me humor të mirë, Gaspër, të cilin shokët e thërrisnin Gac, me sjelljen e tij të shtruar dhe të qetë, me harenë dhe optimizmin e tij tipik shkodran, me këngët e tij të bukura që i kompozonte me vesh ..., Gaci ishte pika e referimit për të rinjtë e burgosur." (Po aty, fq. 94). Portreti i këtyre heronjve nuk është e lehtë të vizatohet, sepse torturat çnjerëzore të burgjeve komuniste e shpërfytyronin njeriun, ndërsa stoikëve që autori i ka sjellë si personazhe nuk ua ka shpërfytyruar dot dinjitetin. "Thuajse çdo muaj vdiste ndonjë. Dhe ishin gjithmonë të njohur ata që vdisnin: mund të thuhej se gati një mijë të burgosurit e Burrelit njiheshin të gjithë midis tyre. Vdekja ishte më e shpeshtë se daljet nga burgu. Por ja që, ajo vdekje e ngadalshme, e rëndë, pikëlluese e Luk Lucës po u bënte shumë përshtypje."... (Po aty, fq. 55)Duke lexuar romanin e Kasoruhos, mësojmë se torturuesit nuk ngopeshin dot me shpërfytyrimin së gjalli, por edhe kur ishin të vdekur. Ja cila ishte mënyra e varrimit në burgjet komuniste, siç shkruhet në roman: "Unë do ta tërheq ngadalë. Ti përpiqu që ta mbash fort që të mos bjerë përnjëherësh. Nuk qe e vështirë. Luk Luca nuk kishte më peshë dhe e shtrinë poshtë me lehtësi. Shoku e rregulloi me sa mundi batanijen rreth trupit pa jetë, pastaj shtriu dorën, mori nga ana e varrit disa gurë të vegjël, ngriti paksa mbulesën dhe i vuri gurët pranë dorës së të vdekurit, e mbështolli mirë e mirë dhe doli sërish sipër. Rojet nuk po tregonin kurrfarë interesi për atë që ishin duke bërë të burgosurit-varrmihës. Atë mbrëmje nuk mundi të gëlltiste ushqimin. Nuk i shqitej kudërbimi i kufomës që kishte nisur të kalbëzohej." Ky përshkrim nuk ka asgjë më pak se peizazhi i Ferrit dantesk. Por, megjithëse e ka parë atë Ferr me sy, autori sërish e do dhe e vlerëson jetën. Ai shkruan: "Jeta është si një zjarr i fikur në dukje. Mjafton të mbetet e ndezur një shkëndijë, një e vetme, dhe të fillojë të fryjë një puhizë e lehtë e do shohësh që flaka gjallërohet dhe zjarri shpërthen. Është vetëm çështje kohe." Një arsye më shumë që e lidh atë me dashurinë për jetën dhe njeriun është edhe botëkuptimi i tij kundër luftës. Te Kasoruho nuk gjen ndonjë mesazh hakmarrjeje, ai sjell vetëm mesazh paqeje e urtësie: "... pastaj duhet të dish edhe një gjë tjetër: lufta e ndryshon dhe e shndërron njeriun. Nxjerr në shesh gjithçka që është e egër te njeriu dhe e frenon të mirën. Madje jo: e deformon. Në luftë, çdokush është vetëm një ushtar dhe si mall të vetin ka vetëm pushkën. Është e vështirë jeta e atij që lufton, bir. Por për fat, luftërat janë alternativa që zgjasin pak dhe luftëtari më pas, kur lufta mbaron, mësohet sërish me jetën normale. Janë të paktë ata që nuk arrijnë të heqin dorë nga shtazëria."Që nga momenti i rënies së diktaturës, kur njeriu i ri i është i lirë, s’di si të orientohet në këtë liri. Kjo është analizuar jo pa qëllim. "Historia, vazhdimisht, në formën më djallëzore, kishte dashur të përsëriste akte dhune të asaj pjese të shoqërisë së vendit të tij, që si filozofi jete kishte zgjedhur mentalitetin antinjerëzor dhe shkatërrimtar të luftës së klasave.", shkruan autoriKjo luftë klasash është përjetuar tragjikisht nga autori. Pasi i pushkatuan të atin, Qemal Kasoruho, Amik Kasoruhon së bashku me nënën dhe gruan i internojnë në fshatrat e Lushnjës. Vitet më të shumta të jetës së tij i kalon si i përndjekur dhe i persekutuar. Kështu, çfarë i panë sytë, duhej t’i shkruante dhe t’ia kumtonte botës. Vepra e tij edhe pse vjen në gjininë e romanit dhe nuk është një memorialistikë e mirëfilltë, nuk ka asgjë të trilluar, rrëfehet për ngjarje dhe personazhe të vërtetë. Pra, si e tillë ajo mbart një mision. Personazh dhe dëshmues me status vërtetësie është vetë shkrimtari, ndaj vepra e tij merr rrjedhën e rrëfimit në vetën e parë. Ajo që përmbush detyrimet e stilit novelistik është mungesa e renditjeve kronologjike të ngjarjeve. Dhe ajo që shpreh vërtetësinë historike të gjitha këtyre ngjarjeve është mjaftueshëm prania e vetë shkrimtarit si personazh. Një pjesë e letërsisë së burgut pas rënies së komunizmit, vjen si e tillë, ku zakonisht është bërë një vetëvendosje e qëllimshme e shkrimtarit si personazh, për të forcuar besueshmërinë dhe konkretësinë tronditëse të ngjarjeve. Ndërsa lexon këtë libër, më tej vëren se një rrëfenjë plot paradokse dhe dhimbje, me theks kulmor dramatik e tragjik, kapërcen mbi dëshminë autoriale. Vepra vjen nëpërmjet një simbioze të fortë të autorit personazh me autorin që rrëfen. Në çastet e duhura këto dy krijesa të përfytyruara distancohen dhe afrohen me njëra-tjetrën, sipas rastit. Kjo i jep më shumë retrospektivë veprës dhe ngjarjeve. Ka raste kur autori rrëfen si para pasqyrës, duke biseduar me anën tjetër të paraqitjes me vetveten personazh. I duhet të shtyp atë ndjenjë neverie për humbjen e vlerës simbolike të jetës, për çmimin e saj. Kjo e bënë atë të ndihet ende një i arratisur që nuk guxon ta shijojë lirinë, për të cilën ka paguar shtrenjtë e ku, në atdheun e tij, në vend të jepeshin medalje trimërie për luftën kundër armiqve,të jepej kjo medalje që të vrisje bashkatdhetarin tënd: "(Meqenëse mbrojte me guxim dhe përkushtim kufirin e atdheut tonë socialist dhe e asgjësove armikun që donte të kapërcente, organizata bazë e partisë dhe komanda e repartit në të cilën bën pjesë, kanë vendosur të vlerësojnë me një leje të jashtëzakonshme prej dhjetë ditësh!)." ( fq.12. Po aty, romani "Ushtari nw Kufi")Rrëfimi i një historie konkrete, përmes ndjesish emocionale dhe retorikës së hollë bëhet tërheqës që në hyrje të veprës, ku autori qëndron në një pikë vështrimi e krahasimi përskaj dy botëve, botës së lirë dhe së të sunduarës nga diktatura: "Nga kjo anë ishte një botë e pamundur. Përmatanë bota e pakufishme. Mbas pak do të ishte një njeri i lirë për herë të parë në jetën e tij të vetëdijshme. Prej dhjetëra vitesh e kishte ëndërruar atë arrati: tani që ishte duke e kryer, i dukej diçka e pamundur, pothuaj areale, sikur të jetonte jetën e dikujt tjetër. I druhej lumturisë." Pse do të duhej të zgjeroheshim me studime e polemika letrare, me ide dhe mesazhe të veprës? Kjo shpjegohet më mirë me fjalët e autorit Amik Kasoruho, i cili në romanin e tij njeriun pa kujtime e quan si pema pa rrënjë dhe kështu, ne të gjithë pa këto kujtime që lidhen me gati gjysmën e jetës sonë, do të ishim si pema pa rrënjë. Familjet e përndjekura donin ti kthenin në familje rrënjëshkulura. Regjimi synonte shfarosjen e tyre. Kështu e terratisën e përndoqën edhe familjen e Amik Kasoruhos. Perceptimi i këtij mesazhi, që përmbush edhe raportin artistik të veprës, bëhet kur shkrimtari shpreh emocionet e tij. Lexo në libër: "Ishte i ndarë mes dy botësh: njëra prej të cilave ishte fragmentare, e gjallë, therëse, thellësisht e jetuar, por e padukshme, e fshehur dhe e ruajtur me xhelozi brenda tij, dhe tjetra, ajo që mund të shikonte përtej dritares: e huaj dhe e vetja, indiferente dhe e shtrenjtë, e ngrirë dhe e palëvizur e, megjithatë, plot drithërima jete. Pasi kjo ishte jeta e vërtetë për një pjesë të popullit shqiptar, pjesë që përbënte shumicën. Ndoshta nuk do t’i donte as këto, por njeriu pa kujtimet është si pema pa rrënjë: nuk do të mund të qëndronte në këmbë. Një burrë pa kujtime nuk ka të drejtë të mendojë për të ardhmen. - Biri im, kam vetëm një dëshirë: kur të vijë fundi, nuk dua të më varrosni në këtë fshat. Duhet të më shpini në varrezat e Durrësit. Nuk mund ta pranoj idenë se edhe i vdekur do të jem e dënuar të pushoj mes njerëzish të huaj." (fq. 20)

"Aso kohe nuk e dinin që drama e jetës, për secilin prej tyre, kishte rezervuar më shumë se një akt.", thotë Kasoruho dhe narracioni i tij sa vjen dhe bëhet më epike, ndërsa shkrimtari bën disa evokime artistike nga e kaluara në sotmen dhe anasjelltas, që shpalos të gjithë degradimin e një shoqërie që ka jetuar 50 vjet nën diktaturë. Jo pak herë ai i rikthehet çoroditjes së madhe të viteve 90, kur shqiptarët të etur për lirisë dhe shpresë y dyndën në muret e ambasadave të perëndimorëve në Shqipëri. "Kishte kaluar një muaj qëkur mijëra njerëz kishin kapërcyer muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe ajo ngjarje, rëndonte mbi të gjithë me tragjizmin e saj. ... njerëzit ndienin zemëratë dhe emocion. Zemëratë ata që ishin të lidhur me regjimin, emocion të tjerët. Ata më guximtarët, që, të shtyrë nga dëshpërimi, kishin qenë aq të fortë sa të përballeshin me rrezikun e vdekjes, që hodhën gjithçka në një lojë të panjohur plot të papritura, nga njëra pjesë e shoqërisë u quajtën tradhtarë dhe huliganë. Pjesa tjetër, ose populli, në atë bëmë, padyshim të pashoqe për nga guximi dhe njerëzisht të kuptueshme, pa shprehjen e dëshirës për një liri askurrë të gëzuar, të nevojës së mprehtë dhe të padiskutueshme për të njohur një realitet që të mos ishte vetëm fjalë boshe dhe parulla pa vlerë. Ishin përhapur zëra që ato netët e para të korrikut në Tiranë mund të ishin vrarë nga policia më shumë se 200 vetë. i vrisnin dhe i hidhnin në kamionët e trupave të ndërhyrjes së shpejtë të repartit famëkeq 326. Askush nuk e dinte me saktësi sa ishte numri i viktimave: ato ditë në Tiranë, me t’u marrë vesh arratia nëpër ambasada, kishin ardhur me mijëra nga qytetet dhe krahinat e tjera të vendit."

Pra siç shihej si në dramat shekspiriane, si aktet e para dhe të fundit të tragjedisë kulmohen me krimin. Askush nuk pyet për të vrarët. Ata që kishin vrarë dje, ende vrasin sot. Mesazhi është i qartë kur autori thotë se: "Nuk ishte hera e parë që shteti zhdukte viktimat e tij: edhe ky veprim i përbindshëm ishte pjesë e normalitetit të pesëdhjetë viteve diktaturë. Thuhej se policia duke zbatuar urdhrat e atij që kishte sajuar një gjë aq të mbrapshtë e të ligë, hera-herë kishte lejuar që turma t’i kapërcente kangjellat e ambasadave dhe pastaj kishte qëlluar në mish."

Kategorizimet e natyrës së krimit, nuk janë bërë pa qëllim nga autori. Ai ndihet i sigurtë në rëndësinë dhe domethënien e asaj që ka shkruar, sepse ka edhe një mënyrë tjetër për të mos e harruar historinë, ajo është "gjuha e dhimbjes". "Dhimbja flet një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Lotët nuk kanë nevojë të shpjegohen. Perëndia e deshi që njeriu ta ndajë dhimbjen me të tjerët, pikërisht për t’i dhënë një kuptim solidaritetit." (fq. 44-45)

Dhe solidaritetin e munguar në shumicën e rasteve, për t’u bërë gjyqin krimeve të komunizmit në emër të drejtësisë, autori përpiqet ta ngjiz, duke risjellë në kujtesën tonë ferrin e Burgut të Burrelit. "Thuajse çdo muaj vdiste ndonjë. Dhe ishin gjithmonë të njohur ata që vdisnin: mund të thuhej se gati një mijë të burgosurit e Burrelit njiheshin të gjithë midis tyre. Vdekja ishte më e shpeshtë se daljet nga burgu...". (fq. 59-60). Këtë mungesë solidariteti, ai e shpreh me historinë e të përndjekurve politikë në partitë opozitare në vitet ’90 dhe mungesën e rehabilitimit të tyre. "Partitë opozitare, ato kohët e para, nuk deshën të komprometoheshin me të përndjekurit politikë dhe i lanë mënjanë. Ndoshta sepse masat, të ushqyera për më se gjysmë shekulli me një propagandë shurdhuese, mbase nuk do ta shihnin me sy të mirë daljen në skenë të të përndjekurve. Por vetëm për këtë arsye?".

Kështu autori lë në ndërgjegjen e lexuesit shumë pyetje pezull, dhe në vend të sqarimit e argumentimit të mëtejshëm, merret me detaje idilike, siç është dashuria dhe dhimbja për Ninën. Autori-hero i romanit, vë disa shenja të ngjashme me gurët kilometrikë në kujtesën e gjithkujt, duke kujtuar atë natë të tmerrshme të fillimit të marsit 1951("thellë në shpirtin e tij nuk kishte mundur t’i falte kurrë ata që kishin dashur të lëndonin lumturinë e tij, pikërisht kur ajo po lindte"). Do të na duhet të rishkruajmë atë që disa prej tyre tregojnë: "Dyzet vjet mbas vdekjes, babai dhe të pushkatuarit e tjerë nuk kishin ende një varr. Askush nuk e dinte ku i kishin varrosur. Askush nuk mund t’u thoshte gjë për ditët e tyre të fundit. Askush nuk kishte folur. Sa e gjatë kishte qenë agonia e popullit të tij. Sa shtrenjtë e kishin paguar dëshirën për liri ata njerëz që lirinë e vërtetë e kishin njohur vetëm për pjesë të shkurtra kohe të historisë së tij. Dyzet vjet më vonë mbas masakrës së shkurtit ’51, në korrik të vitit ’90, u vranë dhjetëra (flitet edhe për qindra) qytetarë që donin të arratiseshin nga një ferr: edhe ata s’e patën një varr." (fq. 86) Ose: "Kujtesa nuk është vetëm një dhuratë hyjnore që na është falur për të siguruar vazhdimësinë e ndërgjegjshme të jetës, por është edhe një gjykatëse e sjelljes sonë në kohë. Ajo na ndihmon të shlyejmë një borxh koherence me të shkuarën, por mbi të gjitha është një çelës për të interpretuar dhe për të shtruar bazat e të ardhmen: është një privilegj, është një detyrim."(fq.100)Ose: "Pesha e padurueshme e ideologjisë komuniste e linte popullin pa ajër. Censura kishte krijuar një boshllëk të madh për t’i hapur rrugë absurditetit të rrezikshëm të utopisë komuniste. Të varfrit në shpirt nuk janë të motivuar për ta kundërshtuar dhunën. Injoranca ishte treguar mbështetësja më e mirë e diktaturës. Injoranca dhe frika."Të gjitha këto janë arsyet që e shtyjnë personazhin e këtij romani, ose kushdoqoftë ai. Që të iki nga atdheu. Këtë ikje ai e ka motivuar qartë kur shkruan se "Rruga e kujtimeve kalon nëpër zemër dhe zemra dihet, do që të jetë e lirë", duke lënë në pikëpyetje të madhe luftën për vendosjen e drejtësisë në vend.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri