Priftërinj orthodhoksë pranë Skënderbeut



- Sipas një dokumenti të kohës -

Mendojmë se çdo informatë që ka lidhje me jetën dhe periudhën e lavdishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, sado e thjeshtë që të jetë, vlen që të vihet në dukje e të studiohet, sepse ndihmon në plotësimin e kuadrit historik të asaj periudhe. Disa të dhëna lidhur me këtë periudhë gjenden dhe në veprën agjiografike orthodhokse: “Jeta dhe veprimtaria e Nifonit, patrik i Konstandinopojës”, shkruar nga fillimi i shek. XVI. Pjesën që i takon vendit tonë e kemi nxjerrë nga botimi i fundit i veprës në gjuhën rumune, më 1937. Pjesa ka këtë përmbajtje:

“… Dhe Zaharia me Nifonin, si ndenjën pak kohë atje [në Ohri], deshnë të shkojnë në vendin e Askulunit; (këtu kuptohet Shqipëria) me ata u bashkuan dhe shumë të tjerë. Dhe u nisën nga Justiniana, disa nga ana e tokës, disa me anije dhe arritën në një qytet të madh me emrin Durrës... dhe që andej u ngjitën në qytetin e Krujës, e cila është rreth 6 milje larg nga Durrësi. Dhe vanë te Gjergji prijës i Shqipërisë, i cili quhej Skënderbe dhe pranoi me gëzim të madh e me dashuri, sepse ky edhe më përpara kish dëgjuar për jetën e tyre, që ta ketë [Zaharinë] atë shpirtëror dhe mësues dhe edukator për të gjithë njerëzit, dhe organizator të shpëtimit të të gjithëve, ndërsa Nifonin, me bekimin e arhiereut të Krujës e bëri prift atje, duke e dorëzuar, si edhe vetë arhiereun, i lumturi patrik Nikolla.” “Pas pak kohe u ngritën turqit nga Lindja dhe pushtuan të gjithë viset drejt Perëndimit, pikërisht gjer në detin e Oqeanit dhe gjer në Shqipëri dhe çdo gjë që gjenin e thernin, e plaçkitnin dhe i vinin zjarrin. Njerëzit, pra, iknin nga mundte secili. Dhe etërit e lumtur [Zaharia me Nifonin] lanë Shqipërinë dhe erdhën përsëri në qytetin e madh të Ohrisë”.

Kjo është përmbajtja sipas variantit të botuar nga Simendrea. Por edhe sipas një varianti tjetër që disponojmë, të botuar në mënyrë përmbledhëse nga N. A. Konstandinesku, del e njëjta përmbajtje:

“… Të dy miqtë lanë Artën për një udhëtim më të gjatë, duke u ndaluar pak kohë në Justinianë, ku ishte qendra e patrikut orthodhoks, nga i cili vareshin bullgarët, serbët dhe shqiptarët. Meqenëse qyteti ishte nën sundimin e turqve, të dy kallogjerët u drejtuan për në Shqipërinë e lirë të Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe: ata arrijnë në vendqëndrimin e tij, në qytetin Krujë, pasi kaluan Durrësin dhe u pritnë shumë mirë në oborrin e tij: Zaharinë e bëri atë shpirtëror dhe Nifonin e bëri prift…”
“Por valët e luftës otomane ua prishën edhe këtu qetësinë; bota ikte e tmerruar prej hordhive turke duke kërkuar shpëtim në det ose në shpellat e maleve. Nën mbrojtjen e rrobës së kallogjerit ata u kthyen në Ohri…”

E reja qëndron në radhë të parë në atë, që fondit të burimeve historike për këtë periudhë të shkëlqyer të historisë sonë kombëtare, i shtohet dhe një dokument tjetër me prejardhje nga arkivat e pagjurmuara akoma mirë të Ajonorosit, me të cilin familja e Kastriotëve ka pasur, siç dihet lidhje të vazhdueshme. Në këtë pjesë përmenden emrat e dy klerikëve orthodhoksë, Zaharisë dhe Nifonit, për jetën e të cilëve Skënderbeu kishte dëgjuar edhe më parë. Nga disa të dhëna biografike del se Nifoni ishte shqiptar nga gjaku, në mos edhe Zaharia.
Nga teksti nuk del e qartë as koha e ardhjes së tyre në Krujë, as koha e largimit nga Kruja. Për sa i përket ardhjes, ne mendojmë, duke marrë parasysh dhe moshën e Nifonit, i cili ka lindur rreth vitit 1434, se ajo duhet të ketë ndodhur nga viti 1458-1460, gjatë apogjeut të fitoreve të popullit tonë, ndërsa për sa i përket largimit, ky duhet të ketë ndodhur gjatë vitit 1466, sepse këtë vit ata gjenden përsëri në Ohri, në manastirin e Shën Marisë, ku ishte dhe selia e patriarkisë.
Se ç’i ka shtyrë këta dy klerikë të vijnë, madje bashkë edhe me shumë të tjerë në Krujë, kjo, besojmë, se del vetë nga ngjarjet e kohës. Pushtimi i Konstandinopojës në maj të vitit 1453 prej sulltan Mehmetit II që i dha fund perandorisë mijëvjeçare bizantine, kish shkaktuar një panik dhe një dëshpërim të madh si në popujt e Ballkanit, ashtu dhe në të gjithë Evropën. E vetmja kala e pamposhtur në Ballkan... ishte Shqipëria dhe populli i saj i vogël, por heroik, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit...
...Mund të shtojmë se dukuri të tilla në këtë kohë janë të pakta... Edhe kthimi më 1466 nga Kruja në Ohër i dy personave në fjalë nuk mund të ketë qenë pa qëllim, pa ndonjë mision të posaçëm nga ana e Skënderbeut, i cili në këtë kohë për t’i bërë ballë gjendjes kritike në të cilën ndodhej vendi, po u bënte thirrje të fundit për luftë e bashkëpunim gjithë aleatëve dhe fqinjëve të tij. Nuk përjashtohet supozimi, mendojmë ne, që ata të jenë dërguar për t’u lidhur me krerët e Ohrisë nëpërmjet kryepiskopit për ndonjë kryengritje, e cila në fakt do të jetë organizuar, por ka dështuar, sepse siç mësojmë nga një kronikë e kohës në gjuhën sllave, sulltan Mehmeti II, kur po kthehej nga Shqipëria më 1466 dha urdhër që kryepiskopi i Ohrisë, Dhorotheu, bashkë me shumë krerë dhe klerikë të vendit, të internoheshin në Stamboll. Ndërmjet të internuarve kanë qenë dhe Zaharia me Nifonin. Nga pjesa që u përmend del se Kruja në kohën e Skënderbeut ishte një nga të paktat qendra episkopale orthodhokse në territore të lira, në mos e vetmja, e cila sigurisht luante edhe ajo një rol në mobilizimin e masave për luftën kundër turqve, pavarësisht nga përpjekjet që bënte Roma, duke përfituar nga rrethanat politike, për të tërhequr shqiptarët nën ndikimin e saj. Këtë aspekt aq të rëndësishëm për atë periudhë ishte e pamundur të mos e shfrytëzonte Skënderbeu, duke përdorur klerikët merr influencë në detyra dhe misione të ndryshme, siç ishte rasti i Zaharisë dhe i Nifonit ose i episkopit Stefan në nënshkrimin e traktatit të Gaetës më 1451, e i të tjerëve për anën orthodhokse, apo i Pal Engjëllit e të tjerëve, kur ishte fjala për marrëdhëniet me Romën.

Dhimitër Beduli

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit